OpEd

Një klasë e re sunduese që nuk prek në tokë

Nuk është çudi, pra, që një klasë e re sunduese po ngrihet, e përbërë nga pronarët e një forme të re të kapitalit të bazuar në të renë kompjuterike që na urdhëron ta riprodhojmë atë brenda sferës së vet algoritmike të platformave digjitale të ndërtuara me qëllim dhe jashtë tregjeve konvencionale të produkteve ose punës. Kapitali është kudo, mirëpo kapitalizmi është në rënie. Në një epokë kur pronarët e kapitalit komandues kanë fituar pushtet të tepruar mbi të gjithë, përfshirë kapitalistët tradicionalë, kjo nuk është kontradiktë

Njëherë e një kohë, të mira kapitale ishin thjesht mjetet e prodhimit. Veglat e peshkimit që arriti t’i shpëtonte Robinson Kruzoja, parmenda e një fermeri dhe furra e një farkëtari ishin mjete që ndihmonin në prodhimin e më shumë mjeteve, më shumë ushqimi dhe pajisjeve të çelikut vezullues. Më pas kapitalizmi erdhi e u dha pronarëve të kapitalit dy fuqi të reja: Fuqinë për t’i detyruar ata që nuk kanë kapital të punojnë për një pagë dhe fuqinë e përcaktimit të agjendave në institucionet politikëbërëse. Megjithatë, sot po shpërfaqet një formë e re e kapitalit, duke nxjerrë një klasë të re sunduese, madje edhe një mënyrë të re prodhimi.

Në krye të këtij ndryshimi ishte televizioni komercial pa pagesë. Vetë programet nuk mund të shndërroheshin në mall, kështu që u përdorën për ta tërhequr vëmendjen e shikuesve para se t’u shitej reklamuesve. Sponsorizuesit e programeve këtë vëmendje të njerëzve e vunë në përdorim për të bërë diçka të guximshme: t’i shfrytëzonin emocionet (që i kishin shpëtuar shndërrimit në mall) për detyrën e thellimit... të shndërrimit në mall.

Thelbi i punës së reklamuesit është përmbledhur në një citat të Don Draperit, protagonist imagjinar në serialin televiziv “Mad Men”, që përshkruan ngjarjet e lidhura me industrinë e reklamimit të viteve gjashtëdhjetë. Teksa mësonte Peggyn se si të mendonte për çokollatën Hershey, të cilën po e prezantonte firma e tyre, Draper kapi frymën e kohës.

“Hershey nuk blihet vetëm për ca gramë çokollatë. Atë e blen për ta rikthyer ndjesinë e të qenit i dashur, sikur atëherë kur ua blinte babai për ta kositur barin”.

Komercializimi masiv i nostalgjisë, për të cilën aludon Draperi, ka shënuar një pikë kthese për kapitalizmin. Draperi drejtoi vëmendjen nga një mutacion themelor në ADN-në e tij. Prodhimi me efikasitet i gjërave që njerëzit dëshironin nuk ishte më i mjaftueshëm. Dëshirat e njerëzve ishin një produkt më vete, që kërkonte prodhim të shkathët.

Jo shumë kohë më pas interneti do të pushtohej nga konglomerate të vendosura për ta shndërruar atë në mall, teksa parimet e reklamimit do të ktheheshin në sisteme algoritmike që mundësojnë shënjestrimin e një personi specifik, diçka që televizioni nuk mund ta mbështeste. Në fillim algoritmet, të tilla si ato të përdorura nga Google, Amazon dhe Netflix, identifikuan grupe përdoruesish me modele dhe preferenca të ngjashme kërkimi, duke i grupuar së bashku për të përfunduar kërkimet e tyre, për të sugjeruar libra ose për të rekomanduar filma. Përparimi erdhi kur algoritmet pushuan së qeni pasive.

Posa algoritmet ia dolën që performancën e tyre ta vlerësonin në kohë reale, ato filluan të silleshin si agjentë, duke monitoruar dhe duke reaguar ndaj rezultateve të veprimeve të tyre. Ato ndikoheshin nga mënyra se si ndikonin tek njerëzit. Përpara se ta kuptonim, detyra e rrënjosjes së dëshirave në shpirtin tonë iu mor Donit e Peggyt, për t’iu dhënë Alexës e Sirit.

Ata që pyesin se sa real është rreziku që u kanoset vendeve të punës nga Inteligjenca Artificiale duhet ta pyesin veten: Çfarë bën saktësisht Alexa?

Kuptueshëm, Alexa është shërbyese mekanike shtëpiake, së cilës mund t’i kërkojmë t’i fikë dritat, të porosisë qumësht, të na kujtojë ta thërrasim nënën, e kështu me radhë. Natyrisht, Alexa është vetëm rezultati i një rrjeti gjigant të Inteligjencës Artificiale, të cilin e shfrytëzojnë miliona përdorues, disa miliarda herë, për çdo minutë. Teksa flasim në telefon, lëvizim apo bëjmë gjëra nëpër shtëpi, rrjeti mëson për preferencat dhe zakonet tona. Teksa nis të mësojë gjëra për ne, atëherë zhvillon shkathtësi të jashtëzakonshme për të na befasuar me rekomandime të mira dhe ide që ta zaptojnë kureshtjen. Para se ta kuptojmë, sistemi ka fituar fuqi të konsiderueshme për të na udhëzuar drejt zgjidhjeve tona – duke na komanduar në esencë.

Me pajisjet ose aplikacionet e ngjashme me Alexan, në rolin që dikur kishte zënë Don Draper, ne e gjejmë veten në regreset më dialektike të pafundme: E trajnojmë algoritmin për të na trajnuar, në mënyrë që t’u shërbejnë interesave të pronarëve. Sa më shumë ta bëjmë këtë, aq më shpejt algoritmi mëson se si të na ndihmojë ta trajnojmë për të na komanduar. Si rezultat, pronarët e këtij kapitali komandues algoritmik të bazuar në re meritojnë një term për t'i dalluar ata nga kapitalistët tradicionalë.

Këta “cloudalistë” janë shumë të ndryshëm nga pronarët e një firme tradicionale reklamuese, reklamat e së cilës gjithashtu mund të na bindin të blejmë atë që as nuk kishim nevojë dhe as nuk dëshironim. Sado magjepsës ose të frymëzuar mund të kenë qenë punonjësit e tyre, firmat reklamuese, si firma imagjinare “Sterling Cooper” në Mad Men, u shitën shërbime korporatave që përpiqeshin të na shisnin gjëra. Në të kundërtën, “cloudalistët” kanë dy fuqi të reja që i veçojnë ata nga sektori tradicional i shërbimeve.

Së pari, ata mund të nxjerrin qira të mëdha nga prodhuesit, gjërat e të cilëve na bindin t'i blejmë, sepse i njëjti kapital komandues që na bën t'i dëshirojmë ato gjëra është themeli i platformave (për shembull, Amazon.com) ku ndodhin këto blerje. Është sikur Sterling Cooper do të merrte nën kontroll tregjet ku shiten mallrat që reklamon. “Cloudalistët” po i kthejnë kapitalistët konvencionalë në një klasë të re vasale, që duhet t'u paguajë haraç për mundësinë për të na shitur.

Së dyti, të njëjtat algoritme që drejtojnë blerjet tona kanë gjithashtu kapacitetin për të na urdhëruar në mënyrë të fshehtë që të prodhojmë kapital të ri komandues për “cloudalistët”. Ne e bëjmë këtë sa herë që postojmë foto në Instagram, shkruajmë në Twitter, ofrojmë komente për librat e Amazon-it ose thjesht lëvizim nëpër qytet, në mënyrë që telefonat tanë të kontribuojnë me të dhëna në Google Maps.

Nuk është çudi, pra, që një klasë e re sunduese po ngrihet, e përbërë nga pronarët e një forme të re të kapitalit të bazuar në të renë kompjuterike që na urdhëron ta riprodhojmë atë brenda sferës së vet algoritmike të platformave digjitale të ndërtuara me qëllim dhe jashtë tregjeve konvencionale të produkteve ose punës. Kapitali është kudo, mirëpo kapitalizmi është në rënie. Në një epokë kur pronarët e kapitalit komandues kanë fituar pushtet të tepruar mbi të gjithë, përfshirë kapitalistët tradicionalë, kjo nuk është kontradiktë.

Yanis Varoufakis, ish-ministër Financash i Greqisë, lider i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)