OpEd

Një këshilltar medial për familjen Xhaka

Bashkë me famën rritet edhe përgjegjësia. Këtë me sa duket nuk e ka kuptuar ende i ati i Granit Xhakës. Është koha e fundit që Ragip Xhaka të nxjerrë mësimet e duhura mbi sjelljen e civilizuar. Dhe koha e fundit për të ndërprerë krekosjet patriotike në drejtim të Kosovës

1.

Si çdo njeri, edhe i ati i Granit Xhakës është i lirë të flasë për media. Por, bashkë me lirinë duhet të ecë edhe përgjegjësia. E patolerueshme është që i ati i Granit Xhakës të kërcënojë, siç ka vepruar ditë më parë. Me shfryrjen e tij emocionale, Ragip Xhaka jo vetëm që ka prodhuar një skandal publik pa pikë zori, por e ka dëmtuar (së paku te një pjesë e opinionit zviceran) edhe imazhin e të birit, i cili reagoi në mënyrë krejtësisht të pahijshme në ndeshjen e Zvicrës kundër Serbisë.

2.

Assesi për ta arsyetuar Granit Xhakën, por reagimi i tij nuk duhet parë si gjest i izoluar: ndodhi në minutën e 65-të pasi lojtarët serbë u sollën në mënyrë brutale ndaj Xhakës, trajneri serb shau “šiptarske majke” dhe nga tribuna fansat serbë brohoritën “ubi, ubi šiptara”. Ky kontekst nuk po merret sa duhet parasysh nga një pjesë e mediave zvicerane. Në përpjekje për ta atakuar Xhakën shkohet deri aty, saqë aludohet se Adem Jasharin e paskëshin vrarë shokët e tij të UÇK-së. Po të shkruante një komentator zviceran diçka aq skandaloze mbi hebrenjtë, ndoshta do t'i rrezikohej edhe vendi i punës. Në Zürich ka gazetarë që e kanë humbur vendin e punës për formulime më pak skandaloze.

3.

Por - hajt more! -: shqiptarët e bartin barrën, sepse janë ende komunitet i paorganizuar politikisht dhe indiferent, andaj në republikën helvetike një parti populiste mund të mbulojë Zvicrën me posterë me mesazhin: “Kosovarët masakrojnë zviceranët” (“Kosovaren schlitzen Schweizer auf”). Së paku drejtësia zvicerane ka reaguar dhe i ka dënuar autorët e këtij mesazhi racist, por ka shqiptarë që votojnë për këtë parti ose nuk interesohen fare për politikë në vendin ku jetojnë dhe ku i paguajnë taksat. Potenciali i votave të shqiptarëve me shtetësi zvicerane mund të jetë mes 60 mijë deri 80 mijë. Po të votonin shqiptarët e helvetizuar për partitë progresive, të cilat angazhohen për barazi shoqërore në Zvicër dhe historikisht kanë përkrahur çlirimin dhe mëvetësinë e Kosovës, kjo nuk do të ishte pa efekt. Në vitin 2023 në Zvicër mbahen zgjedhjet parlamentare. Dhe gjasat që shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhjet zvicerane së paku me atë përkushtim me të cilin i përcjellin edhe zhvillimet më të vogla politike në Kosovë janë të vogla.

4.

Sa u përket futbollistëve dhe prindërve të tyre: lojtarët duhet ta kuptojnë se bashkë me famën rritet edhe përgjegjësia, kjo vlen, natyrisht, edhe për prindërit e tyre. Këtë me sa duket nuk e ka kuptuar ende i ati i Granit Xhakës. Është koha e fundit që Ragip Xhaka të nxjerrë mësimet e duhura mbi sjelljen e civilizuar. Dhe koha e fundit për të ndërprerë krekosjet patriotike në drejtim të Kosovës. Opinioni shqiptar mund të bashkëndiejë me vuajtjet e tij në burgjet serbe, ka edhe gazetarë zviceranë që deri diku kanë mirëkuptim ndaj sjelljeve të Granit Xhakës për shkak të historisë së babait të tij me regjimin serb. Por vuajtjet në burgjet serbe nuk mund të përdoren nga askush për njëfarë atitude patriotike në stilin “a e dini ju kush është familja Xhaka”? E dimë. E tash? Opinioni shqiptar e di po ashtu se ka pasur njerëz që kanë rrezikuar edhe më shumë për çlirimin e Kosovës dhe janë qytetarë shembullorë (në Kosovë dhe në diasporë) dhe nuk kërcënojnë askënd. Pas përshkallëzimit të fundit të shkaktuar nga Ragip Xhaka nuk është e tepërt që familjes Xhaka t'i propozohet të gjejë në Zvicër një këshilltar medial, i cili do ta udhëzonte sa herë që patriarku i familjes apo bijtë e tij duan t'i drejtohen opinionit. Në epokën e mediave (a)sociale mjafton një fjali për të hallakatur llumpenproletariatin digjital, i cili noton në moçalin e kërcënimeve, ofendimeve, gjuhës seksiste dhe maskulinitetit toksik.

5.

Është e mundur që Granit Xhaka të luajë për Zvicrën edhe në dy kampionate (Evropian dhe Botëror). Që tani ai është futbollisti më i mirë në historinë e kombëtares zvicerane. Dhe një të tillë Zvicra nuk do ta ketë për një kohë të gjatë. Njëherë Granit Xhaka ka thënë: “80 për qind e zviceranëve nuk mund të më kuptojnë. Ah, jo vetëm zviceranët, por shumica e njerëzve s'mund të më kuptojnë. Dhe kjo nuk është akuzë ndaj tyre”. Do të ishte mirë për karrierën e Xhakës sikur të bënte ndonjë hap edhe në drejtim të atyre që, sipas tij, “nuk e kuptojnë”. Sepse, problemi nuk është vetëm tek ata që nuk e kuptojnë.