“Ky mision deri tani është dëshmuar vetëm si një vetëmashtrim evropian dhe zhgënjim për popullin e Kosovës. Misioni i EULEX-it ka dështuar plotësisht. Asgjë nuk do të ngjante nëse do të largohej ky mision – me përjashtim të interesave të njerëzve të paguar shumë, të cilët punojnë për EULEX-in. Shumë qytetarë në Kosovë nuk e kanë të qartë nëse ekziston një mision i tillë. Ata nuk e vërejnë atë, sepse nuk ka asgjë pozitive të theksohet për të. Nëse të gjitha paratë që janë djegur kot do të investoheshin atje në ndërtimin e qendrave të formimit profesional, popullsia do të mundë të përfitonte së paku nga ato para”
Humanisti i ndjerë gjerman, Rupert Neudeck, për EULEX-in
“Kolner Stadt Anzeige”, 30 mars, 2015
I
Kur në vitin 2008, pak ditë para shpalljes së pavarësisë, Bashkimi Evropian kishte vendosur që të dërgonte në Kosovë misionin më të madh në historinë e vet për sundimin e ligjit, EULEX-in, ndërmarrja që në letër shihej si projekti më ambicioz i Brukselit që në fillim ishte nisur me gabime në hapa; vendimi u mor me nguti ashtu që zyrtarisht misioni të dërgohet në Kosovë, nën administrimin e OKB-së dhe Rezolutës 1244, dhe jo në Republikën e Kosovës, ndërsa vetë vendosja e misionit në të gjithë territorin e Kosovës nuk arriti të bëhej pa negociata shtesë me Beogradin, i cili teknikisht e kishte pushtuar veriun e vendit përmes atyre që quheshin struktura paralele, po që në të vërtetë ishin grupe ilegale dhe kriminale serbësh, të vendosura që veriun e Kosovës ta mbajnë jashtë çdo kontrolli nga Prishtina, kosovar a ndërkombëtar.
II.
Ashtu edhe ndodhi.
Situata në veri mbeti e tensionuar me vite, ndërsa shteti i Kosovës u detyrua të negociojë me Serbinë ushtrimin e sovranitetit në atë pjesë të territorit, veç tjerash, edhe për shkak të dështimit të EULEX-it. Edhe sot, veriu në masë të madhe mbetet një zonë e mugëtirës, me sundim krejt opsional të ligjit dhe në pritje të definimit të së ardhmes politike në negociatat e Brukselit.
III.
Por, nëse ballafaqimi me prezencën anti-kosovare në veri karakterizoi vitin e parë të EULEX-it, pjesa më e zorshme e punës e priste jo në Mitrovicë, po në Prishtinë: në vitin 2009 ishte e qartë që krimi i organizuar dhe korrupsioni tashmë e kishin marrë nën kontroll aparatin shtetëror të Republikës së Kosovës, ndërsa efektivi i misionit evropian – hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit – më së shumti që arritën të bëjnë në 2-3 vjetët pasues ishte të dalin në luftë deklarative kundër “peshqve të mëdhenj” të Kosovës.
Siç e dimë, luftën e fituan peshqit, që tashmë duket të jenë rritur në balena.
E lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit prej shtyllës së shtetndërtimit u transformua në kriter të papërmbushur për liberalizim të vizave.
IV.
Viti 2011 solli kthesën e madhe.
Gjithçka nisi dy javë para vitit të ri, kur zvicerani Dick Marty doli me raportin e tij për trafikim organesh, ndërsa konteksti i ri u plotësua në mars 2011, me nisjen e dialogut të Brukselit – një herë teknik, e më pas edhe politik.
Që të dy këto ishin treguesit e parë që pritjet euforike kosovare nga EULEX-i jo vetëm se ishin të ekzagjeruara, po ishin edhe të pabaza; të dyja proceset hapnin pyetje brenda fushës së mandatit të misionit evropian (krimet e luftës dhe sundimi i ligjit në veri), derisa vetë EULEX-i mbahej anash nga të dyja. Me këtë, misioni de facto u shndërrua në pjesë të sistemit jofunksional kosovar të drejtësisë, apo, thënë me fjalë të diplomatëve perëndimorë – “pjesë e problemit”.
Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga raportet e ndryshme të vetë institucioneve të BE-së, siç ishte ai i vitit 2012 i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, që identifikoi shumë dështime te EULEX-i dhe në zbatimin e mandatit të tij.
E problemi (ku, të kuptohemi, EULEX-i është pjesa e vogël; institucionet e shtetit të Kosovës dominojnë) tashmë do të zgjidhet me mjete të jashtme, larg Prishtinës: diçka në Bruksel, në negociata me Serbinë, e diçka në Hagë, përmes gjyqeve në Dhomat e Specializuara.
V.
Po, të mos ngutemi shumë.
Pas viteve 2011-2012, perceptimi për EULEX-in si problem u shndërrua në një lloj profecie vetëpërmbushëse: Ashtu si e shihnin, ashtu edhe nisi të veprojë.
Nuk kaloi shumë, dhe akuzave kundër EULEX-it për dështim në hetime dhe ndjekje të krimit të nivelit të lartë iu shtuan edhe ato për korrupsion brenda vetë misionit.
Dhe, në vitin 2015, tashmë edhe e gjithë Evropa shihte se misioni, në vend se të evropianizojë Kosovën, u bë vetë viktimë e ballkanizimit.
Dyshimet u bënë akuza, e akuzat u bënë skandale dhe në dy vjetët e fundit, prejse në krye të misionit erdhi shefja aktuale, Alexandra Papadopoulou, misioni primar i EULEX-it tashmë ishte shërimi i plagëve të vetëshkaktuara të një misioni që dikur ishte ambicioz, po që sot nuk del të jetë diç më shumë se që ishte pararendësi i tij i OKB-së, UNMIK-u.
Me shuarjen e ngadaltë dhe në heshtje, si fund tashmë të dëshiruar.
VI.
Tani, EULEX-i ndërron mandat. Por mbetet në Kosovë.
Sikur ai ujku që ndërron qimen, por jo edhe zakonin.
Veçse, nuk ishte ujk fare.