OpEd

Një globalizim më i mirë nga hiri i hiperglobalizimit

Shkurtimisht, bota jonë e ardhshme nuk duhet të jetë një botë ku gjeopolitika kapërcen gjithçka tjetër dhe vendet ose blloqet rajonale minimizojnë ndërveprimet e tyre ekonomike me njëri-tjetrin. Nëse ai skenar distopian konkretizohet, nuk do të jetë për shkak të forcave sistemike jashtë kontrollit tonë. Ashtu si me hiperglobalizimin, do të ndodhë për shkak se kemi bërë zgjedhje të gabuara

Epoka e hiperglobalizimit e pasviteve 1990 tani zakonisht pranohet se ka marrë fund. Pandemia e COVID-19 dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës i kanë ulur tregjet globale në një rol dytësor dhe në rastin më të mirë mbështetës pas objektivave kombëtare – në veçanti, shëndetit publik dhe sigurisë kombëtare. Mirëpo të gjitha bisedat për deglobalizimin nuk duhet të na verbojnë ndaj mundësisë që kriza aktuale mund të prodhojë në fakt një globalizim më të mirë.

Në të vërtetë, hiperglobalizimi ishte në tërheqje që nga kriza financiare globale e viteve 2007-08. Pjesa e tregtisë në GDP-në botërore filloi të bjerë pas vitit 2007, pasi raporti i eksportit ndaj GDP-së së Kinës ra me 16 pikë përqindje të dukshme. Zinxhirët e vlerave globale ndaluan së përhapuri. Flukset ndërkombëtare të kapitalit nuk u rikthyen kurrë në lartësitë e tyre para 2007-s. Kurse politikanët populistë haptazi armiqësorë ndaj globalizimit u bënë shumë më me ndikim në ekonomitë e përparuara.

Hiperglobalizimi u shkatërrua nën kontradiktat e tij të shumta. Së pari, kishte një tension midis përfitimeve nga specializimi dhe përfitimeve nga diversifikimi produktiv. Parimi i avantazhit krahasues thoshte se vendet duhet të specializohen në atë që ishin aktualisht të mira për të prodhuar. Por një linjë e gjatë e të menduarit zhvillimor ka sugjeruar që qeveritë duhet të shtyjnë ekonomitë kombëtare të prodhojnë atë që bënë vendet më të pasura. Rezultati ishte konflikti midis politikave ndërhyrëse të ekonomive më të suksesshme, veçanërisht Kinës, dhe parimeve “liberale” të mishëruara në sistemin tregtar botëror.

Së dyti, hiperglobalizimi i përkeqësoi problemet e shpërndarjes në shumë ekonomi. Ana tjetër e pashmangshme e përfitimeve nga tregtia ishte rishpërndarja e të ardhurave nga humbësit te fituesit e saj. Teksa globalizimi thellohej, rishpërndarja nga humbësit te fituesit u rrit gjithnjë e më shumë në krahasim me fitimet neto. Ekonomistët dhe teknokratët që logjikën qendrore të disiplinës së tyre e përdorën duke minuar besimin e publikut me të.

Së treti, hiperglobalizimi e minoi llogaridhënien e zyrtarëve publikë ndaj elektoratit të tyre. Thirrjet për t’i rishkruar rregullat e globalizimit u pritën me përgjigjen se globalizimi ishte i pandryshueshëm dhe i papërmbajtshëm – “ekuivalenti ekonomik i një force të natyrës, si era apo uji”, siç e tha presidenti i SHBA-së, Bill Clinton. Atyre që vunë në pikëpyetje sistemin mbizotërues, kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, iu përgjigj se “tani mund të debatoni nëse vjeshta duhet të jetë pas verës”.

Së katërti, logjika me shumën zero të sigurisë kombëtare dhe konkurrencës gjeopolitike ishte në kundërshtim me logjikën e shumës pozitive të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar. Me ngritjen e Kinës si rival gjeopolitik ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe pushtimin e Rusisë në Ukrainë, konkurrenca strategjike është rikthyer mbi ekonominë.

Me kolapsin e hiperglobalizimit, skenarët për ekonominë botërore kanë gamë. Rezultati më i keq, duke i kujtuar vitet 1930, do të ishte tërheqja e vendeve në autarki. Mundësi më pak e keqe, ama ende e shëmtuar është që supermacia e gjeopolitikës nënkupton që luftërat tregtare dhe sanksionet ekonomike bëhen tipar i përhershëm i tregtisë dhe financave ndërkombëtare. Skenari i parë duket i pamundur – ekonomia botërore është më e ndërvarur se kurrë e kostot ekonomike do të ishin më të mëdha – ani pse nuk mund ta përjashtojmë as skenarin e dytë.

Megjithatë, është e mundur të parashikohet një skenar i mirë ku të arrijmë një ekuilibër më të mirë mes prerogativave të shtetit-komb dhe kërkesave të një ekonomie të hapur. Ribalancimi i tillë mund të mundësojë prosperitet gjithëpërfshirës në vend dhe paqe e siguri jashtë vendit.

Hapi i parë që duhet të bëjnë politikëbërësit është ta korrigjojnë dëmin që u kanë shkaktuar ekonomive dhe shoqërive nga hiperglobalizimi, së bashku me politikat e tjera të tregut. Kjo do të kërkojë ringjalljen e frymës së epokës së Bretton Woods, kur ekonomia globale u shërbente qëllimeve ekonomike dhe sociale – punësim të plotë, prosperitet e barazi, jo anasjelltas. Nën hiperglobalizimin, politikëbërësit e përmbysën këtë logjikë. Integrimi ndërkombëtar më pas çoi në shpërbërjen e brendshme.

Një parakusht i dytë i rëndësishëm për skenarin e mirë është që vendet të mos e kthejnë një kërkim legjitim për sigurinë kombëtare në agresion kundër të tjerëve. Rusia mund të ketë pasur shqetësime të arsyeshme për zgjerimin e NATO-s, mirëpo lufta e saj në Ukrainë është përgjigje krejtësisht ndryshe disproporcionale që ka të ngjarë ta lërë Rusinë më pak të sigurt dhe më pak të begatë në planin afatgjatë.

Për fuqitë e mëdha, SHBA-në në veçanti, kjo do të thotë ta pranojnë multipolaritetin dhe ta braktisin kërkimin për epërsi globale. SHBA-ja priret ta konsiderojë mbizotërimin amerikan në çështjet globale si gjendjen e natyrshme të punëve. Në këtë këndvështrim, përparimet ekonomike dhe teknologjike të Kinës janë në thelb dhe në mënyrë të vetëkuptueshme një kërcënim, kurse marrëdhënia dypalëshe është reduktuar në një lojë me shumën zero.

Duke lënë mënjanë pyetjen nëse SHBA-ja mund ta parandalojë realisht ngritjen relative të Kinës, kjo mendësi është edhe e rrezikshme dhe joproduktive. Së pari, ajo përkeqëson dilemën e sigurisë: politikat amerikane të dizajnuara për të minuar firmat kineze si “Huawei” ka të ngjarë ta bëjnë Kinën të ndihet e kërcënuar dhe të përgjigjet në mënyra që vërtetojnë frikën e SHBA-së ndaj ekspansionizmit kinez. Një perspektivë me shumë zero e bën gjithashtu më të vështirë marrjen e përfitimeve të ndërsjella nga bashkëpunimi në fusha të tilla si ndryshimet klimatike dhe shëndeti publik global, ndërkohë që pranon se do të ketë domosdoshmërisht konkurrencë në shumë fusha të tjera.

Shkurtimisht, bota jonë e ardhshme nuk duhet të jetë një botë ku gjeopolitika kapërcen gjithçka tjetër dhe vendet ose blloqet rajonale minimizojnë ndërveprimet e tyre ekonomike me njëri-tjetrin. Nëse ai skenar distopian konkretizohet, nuk do të jetë për shkak të forcave sistemike jashtë kontrollit tonë. Ashtu si me hiperglobalizimin do të jetë, sepse kemi bërë zgjedhje të gabuara.

(Autori, profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit, është president i Shoqatës Ekonomike Ndërkombëtare dhe autor i “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy”, Princeton University Press, 2017. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)