Farsa me takimet qeveritare ku diskutohen “raportet e punës” së zëvendësministrave - e cila supozoj ka për qëllim ta bindë publikun se ky grup njerëzish meriton të paguhet, sepse kryen një punë “me rëndësi” - na bind vetëm se me këtë qeveri pushteti në Kosovë ka degraduar edhe më shumë se që dikur mendonim se është e mundur
I
Në Kosovë, ka kohë që nuk përbën kurrfarë befasie kur politikanët shkelin fjalën e dhënë, abuzojnë me pozitën shtetërore, përdorin resurset publike për ndërtimin e bazës së vet elektorale, nuk japin llogari për vendimet dhe veprimet, punësojnë bashkëpartiakë e familjarë edhe limiteve që mund t’i durojë buxheti, shpikin poste e vende të punës për rrethin e përkrahësve dhe aleatëve politikë, ushqejnë klientelën e vet, e cila është qenësore për mbijetesën e tyre në pushtet.
Kështu ndodh edhe me numrin e zëvendësministrave, të cilin me një lloj eufemizmi themi se “është tepër i madh”, derisa në të vërtetë e kuptojmë shumë mirë se bëhet fjalë për një krim që i bëhet vendit prej atyre që do të duhej t’i shërbenin. Krim arrogant, madje, që bëhet para syve të gjithë botës, pa asnjë lloj frike për pasojat.
Por të mos harrojmë - as krimi i pushtetit ndaj shtetit dhe qytetarit nuk përbën befasi në Kosovë. Madje, befasi më nuk përbën as përmasa e tij, që vazhdimisht rritet.
Një gjë e tillë ishte e pritshme prej kohësh.
Në rastin e fundit, ishte e qartë: një koalicion me gati 20 parti, sa të vogla e sa të mëdha, të cilat në të kaluarën e pasluftës asnjëherë nuk kanë shfaqur prirje për të sakrifikuar përfitimet dhe benefitet personale dhe grupore për të mirën publike, nuk do ta lëshonte rastin që të bëjë krejt çka mundet sapo ta ketë futur pushtetin në duar.
Vendosja e një armate të tërë partiake nëpër poste qeveritare ishte sinjali i qartë se çka nënkuptohet me “qeverisje”: një ndarje e plaçkës së fituar. Dikush merr shëndetësinë, e dikush arsimin. Dikush tjetër e do biznesin, dikush tregtinë, e dikush ekonominë. Dhe aty ku interesat gërshetohen, zgjidhja bëhet përmes ndarjes së mëtutjeshme. Dhe, në këtë kontekst, zëvendësministrat mund të jenë edhe pjesë më pak e dëmshme e gjithë këtij aparati. Sepse, bëhet fjalë për pozicione që nuk kanë qasje në vendime të mëdha, në ndarje tenderësh. E shumta që mund të bëjnë shumica prej tyre është ndonjë punësim familjar a partiak, aty-këtu ndonjë udhëtim zyrtar me mëditje, kohë pas kohe edhe pjesëmarrje në ndonjë komision, apo, në raste shumë të rralla, kur bëhet fjalë për zëvendësministër që vjen prej njërës nga partitë e “forta”, konsultim dhe përfshirje në vendimet e mëdha.
Prandaj, shumica e dëmtojnë buxhetin “veç pak”... krahasuar me ministrat, natyrisht.
II
Por, përtej krimit, bëhet edhe më keq.
Farsa me takimet qeveritare ku diskutohen “raportet e punës” së zëvendësministrave - e cila supozoj ka për qëllim ta bindë publikun se ky grup njerëzish meriton të paguhet, sepse kryen një punë “me rëndësi” - na bind vetëm se me këtë qeveri pushteti në Kosovë ka degraduar edhe më shumë se që dikur mendonim se është e mundur.
Por farsa bëhet e frikshme kur e shohim se aktorët e saj nuk e kanë ndërmend të ndalen. Dhe ne nuk do të befasohemi.
Si thoni, në vitin 2019, të kemi një Qeveri me 37 ministra dhe secili prej tyre me nga 6-7 zëvendësministra, dhe secili me nga një shofer (apo dy), një këshilltar (apo dy) një sekretare (apo dy)? Dhe të ketë kryeministri dhjetë zëvendës?
Dhe familjarët e të gjithë këtyre të punësohen në nivele të larta, nëpër borde drejtuese, në menaxhment të ndërmarrjeve publike, nëpër agjenci shtetërore?
Dhe e gjithë infrastruktura votuese e partive në pushtet të jetë e punësuar në shtet?
Do të befasohemi?!
III
Ka kohë që janë thënë të gjitha që duhet thënë për punën e emërimeve në poste të larta politike. Vetë kreu i Qeverisë aktuale, sa ishte në opozitë, e ka thënë se Kosova është një vend i varfër për të pasur Qeveri kaq të madhe. Dhe se zvogëlimi i kabinetit qeverisës është një domosdoshmëri, se nuk duhet të ketë më shumë se një zëvendësministër për ministri, se qasja që ka Qeveria tregon se në Kosovë po instalohet sistemi “parti-shtet”, apo se rritja e shpenzimeve nga Qeveria po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, për interesa të ngushta klienteliste.
Mesazhi që qytetarët marrin tani, kur i njëjti ndërton një Qeveri edhe më të madhe se ajo e kaluara të cilën e quajti “abuzuese arrogante”, është një që tregon qartë që rruga e abuzimit me pushtetin merret me paramendim. Nuk është prej mosdijes. Nuk është as për të mirën e përbashkët. Është për përfitimet e atyre që janë në pushtet. Dhe klientelës së tyre.
IV
Kosova ka një problem me demokracinë. Duket ende nuk e kuptojmë sistemin. Nuk e kuptojmë atë pjesë që thotë se pushteti duhet të jetë në shërbim të qytetarit. Se sistemi nuk është aty për t’i pasuruar qeveritarët. Se llogaridhënia është pjesë qenësore e këtij sistemi, pa të cilën nuk mund të ketë demokraci e as sundim të ligjit, por vetëm sundim të të fortit.
Po ta kishim kuptuar këtë, nuk do ndodhte që në Qeverinë e Kosovës të rehatohen ministra me aktakuza, që askush të mos japë llogari për keqpërdorimet e parasë publike në pothuajse çdo pjesë të sektorit publik, që drejtuesit e sistemit të drejtësisë – prej kryepolicëve e prokurorëve deri tek gjykatësit - të anashkalojë të “mëdhenjtë” e politikës në shkëmbim për ruajtje të pozitës personale, që ata të cilët quhen “përfaqësues të popullit” të mos përfaqësojnë asnjëherë interes tjetër përveç atij personal dhe politik!
As kjo, natyrisht, nuk na befason.
Por të mos qenit i befasuar nuk është e thënë të jetë njëjtë si të qenit indiferent.
Një ditë, mbase, kur këtë e kuptojmë, mund të ndodhë edhe të befasohemi.