Kësaj radhe Trumpi nuk është befasuar me fitoren e vet e as që janë befasuar të tjerët me këtë. Trumpi është shumë më i përgatitur për të sunduar me Amerikën, por edhe BE-ja dhe partnerët e tjerë janë më të përgatitur për të jetuar në periudhën e Trumpit 2. Me Trumpin, Amerika nuk do të jetë kampione e lirisë dhe demokracisë në botë, mosndërhyrjes politike në Gjyqësor dhe kundërshtare e regjimeve diktatoriale e autokratike. Por ndërkohë, edhe BE-ja e ka humbur dukshëm rolin e saj në mbrojtjen e vlerave mbi të cilat ishte krijuar
Është një paradoks në Evropë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane. Kësaj fitoreje i janë gëzuar ata që deri sot ishin antiamerikanë. Më së shumti i janë gëzuar forcat pro-ruse në Evropë. Dhe në këtë rast kënaqësinë për fitoren e Trumpit e ndajnë edhe e djathta ekstreme në Evropë, por edhe e majta ekstreme. Për të djathtën ekstreme arsyeja për t’u gëzuar është fushata që Trump bën kundër imigrantëve, kundër vlerave liberale. Nga e majta ekstreme kësaj fitore i janë gëzuar se Trump me administratën e tij nuk ka plan për angazhimin e Amerikës nëpër botë por do të jetë i fokusuar në punët e brendshme amerikane. Dhe e majta ekstreme të gjitha problemet e botës i ka parë përmes prizmit të “imperializmit amerikan” sikurse e djathta ekstreme problemet i sheh në prizmin e vlerave liberale.
Retorika e Presidentit të Amerikës tingëllon sikur u jep të drejtë kundërshtarëve të deritashëm të Amerikës nëpër botë. Nga ajo që flet Trump dhe për çfarë gjen mbështetjen e shumicës në Amerikë, i bie që Amerika deri sot nuk ka qenë madhështore, nuk ka qenë e lirë, nuk ka qenë e respektuar në botë, të gjithë e kanë shfrytëzuar, ka qenë naive dhe e varfër dhe ka qenë shtet në të cilin janë vjedhur zgjedhjet. Tash, sipas fjalëve të tij, me inaugurimin si President, Amerika “është më në fund e lirë”, “do të jetë madhështore”, “të tjerët nuk do ta shfrytëzojnë”, “nuk do të jetë naive” dhe do të shfrytëzojë pasuritë e saj që ua ka dhënë zoti. Dhe kur është fjala te Zoti, ai, sipas fjalëve të Presidentit, ka pasur dorë në zgjedhjen e tij. Mënyra se si Trump i ka shpëtuar atentatit ka ndikuar shumë që numri i atyre që besojnë se Zoti e kishte mbrojtur për ta marrë drejtimin e Amerikës në duar, të jetë aq i madh.
Por tash kemi një Trump tjetër nga ai i cili i kishte fituar zgjedhjet në vitin 2016. Ajo fitore ishte e papritur. Dhe Trump sikur nuk ishte i përgatitur. Zgjidhte bashkëpunëtorët shpejt e shpejt, dhe ata ndërroheshin shpesh, duke u larguar nga ai dhe duke u kthyer kundër tij. Nuk kishte shumë kontroll në Partinë Republikane. As miliarderët nuk i kishte pas tij, dhe mediat tradicionale ishin kryesisht kritike të tij. Edhe Partia Demokratike në Amerikë mund të thoshte se, anipse Trump kishte fituar, shumica e amerikanëve kishin votuar kundër tij.
Kësaj radhe Trumpi ka fituar bindshëm, duke fituar edhe votat e elektorëve nëpër shtetet veç e veç, edhe duke e fituar atë që quhet vota e popullit, pra të gjithë SHBA-në bashkërisht. Partia Demokratike është deklasuar në zgjedhje dhe është eksponuar si e paaftë. Deri vonë mbështeti Josep Bidenin, edhe pse ishte e vetëdijshme se ai do ta ketë vështirë të përfundojë dhe mandatin e tij të parë deri në janar 2025, e lëre më të jetë president edhe për një mandat deri në vitin 2029. Edhe nëpër botë administrata e Bidenit nuk u dëshmua, ndërsa kulminacioni ishte tërheqja e turpshme nga Afganistani, pas qindra miliarda dollarëve që ishin investuar për të ndërtuar paqen dhe për të ndihmuar në demokratizimin gradual të këtij vendi.
Kësaj radhe Trumpi nuk është befasuar me fitoren e vet e as që janë befasuar të tjerët me këtë. Trumpi është shumë më i përgatitur për të sunduar me Amerikën, por edhe BE-ja dhe partnerët e tjerë janë më të përgatitur për të jetuar në periudhën e Trumpit 2. Me Trumpin, Amerika nuk do të jetë kampione e lirisë dhe demokracisë në botë, mosndërhyrjes politike në gjyqësorë dhe kundërshtare e regjimeve diktatoriale e autokrate. Por ndërkohë edhe BE-ja e ka humbur dukshëm rolin e saj në mbrojtjen e vlerave mbi të cilat ishte krijuar. Prandaj sot Trumpi në Evropë ka shumë më shumë miq sesa që kishte në vitin 2016. Por shumë prej miqve të tij të deklaruar në Evropë janë edhe miq të Vladimir Putinit në të njëjtën kohë.
Trump sot ka pas vete njerëzit më të pasur të botës. Çudi se si ata arritën të pasurohen në një Amerikë aq “të varfër”. Ata kanë në duar edhe mjetet kryesore të komunikimit, nga rrjetet sociale e deri te gazetat tradicionale. Tashmë ka ndodhur diçka e paparamendueshme më parë në Amerikë, që në një gazetë serioze tradicionale të ndalohet botimi i një karikature.
Trump sot nuk ka frikë se mund të gabojë siç kishte në mandatin e parë. Ai ndihet shumë i fuqishëm. Do ta sulmojë dhe akuzojë secilin gjykatës që jep ndonjë verdikt që nuk i pëlqen, do ta akuzojë dhe qortojë secilin prift apo peshkop që nuk mendon si ai, do të largojë nga puna secilin zyrtar të ndonjë agjencie shtetërore që mund të mendojë ndryshe, do të shuajë agjencitë për të cilat mendon se po shpenzojnë kot paratë e amerikanëve. Dhe bashkëpunëtorët e tij të ri, si njeriu më i pasur në botë Elon Musk, do të fyejnë me fjalët më të rënda liderët e vendeve aleate si kancelarin gjerman dhe kryeministrin britanik, por do të tregojnë respekt për autokratët e vërtetë.
Evropa dhe bota me këtë Trump ndryshe nuk do ta kenë lehtë. Nuk do të thotë kjo doemos se do të jetë më keq. Mund të jetë edhe më mirë. Por një gjë është e sigurt, se nuk do të jetë njësojë.
Nëse Trump do ta çojë deri në fund politikën që ka propaganduar deri tash, duke vendosur tarifa shtesë doganore për importin e prodhimeve nga Evropa, Meksika dhe Kanadaja, duke tërhequr Amerikën nga agjencitë dhe organizatat ndërkombëtare, duke zvogëluar kontributin në NATO, do të krijohet një hendek të cilin BE-ja nuk do të mund të mbushë. Dhe për këtë, BE-ja dhe vendet e saj anëtare është dashur të kishin menduar shumë më herët. Sepse, siç u shpreh Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, “Trump shpesh është absurd dhe ka të drejtë”. Sidomos ka të drejtë kur flet për investimet tepër të vogla të vendeve evropiane në NATO për mbrojtje. Sipas shifrave që ka përmendur Rutte nga të gjitha investimet e përgjithshme në mbrojtje më shumë 60 për qind është nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa më pak se 40 për qind është nga të gjitha 31 vendet e tjera anëtare. E në mesin e atyre 31 vendeve janë edhe Britania e Madhe, Kanadaja, Turqia dhe Norvegjia që nuk janë anëtare të BE-së. Kjo tregon se sa pak për mbrojtje kanë investuar deri më tash vendet e BE-së dhe sa iluzion është se BE-ja mund të forcohet ushtarakisht shpejt për të zëvendësuar NATO-n si garantues i sigurisë dhe mbrojtjes për qytetarët e saj pa ndihmën amerikane. Sado dramatike të ketë tingëlluar ka të vërteta në vërejtjen që Mark Rutte u ka dhënë evropianëve që “ose të investojnë më shumë në mbrojtje ose të mësojnë rusisht apo të planifikojnë të shpërngulën në Zelandën e Re”.
Por sado të jetë e dobët në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, sado që të jetë prapa në zhvillimin digjital, dhe sado e parëndësishme të jetë në politikën e jashtme, BE-ja është superfuqi tregtare. Dhe Trump po ashtu duhet të llogaris që në një luftë tregtare SHBA-BE do të pësojnë rëndë të dyja palët. Prandaj në BE edhe shpresojnë se do të ketë racionalitet nga ana amerikane dhe do të ruhet partneriteti që ka ekzistuar deri më tash. Fundi i fundit, pa rolin amerikan, Evropa sot nuk do të ishte e lirë, e bashkuar dhe në paqe.