A ka ekzistuar ndonjëherë epoka truth që tani të kemi frikë nga post-truthi? Me siguri jo. Mirëpo, cilatdo qofshin shqetësimet e epokave të mëhershme, ato i përkasin historisë. Ne e kemi preokupimin e kohës sonë: të lajmit të rremë dhe të së pasvërtetës.
Kolegu im kishte lexuar disa lajme të rreme një ditë dhe si një gjykatës që merr vendim pas një seance të lodhshme, thirri: Jetojmë me fake news, jetojmë në post-truth! Dang!
Pastaj kërkoi të cakërrojmë gotat me shpresën që më 2020 të sundojë e vërteta.
Gotën ia cakërrova, por i propozova të mos jetë shumë optimist. Fake news (lajmet e rreme) dhe post-truth (e pasvërteta) do të jenë vërdallë më 2020 e shumë më pas, për shkak se ne si shoqëri i kemi pranuar.
Biseda që përfundoi me cakërrimin e gotave, pati nisur me bisedën për personazhin e serialit të tij të preferuar, Dr. House.
E Dr. House është i prerë: Të gjithë rrejnë!
Vërtet! A nuk ka rrejtur Uliksi kur ka thënë se Kali në Trojë është dhuratë paqeje? A nuk ka rrejtur Aristoteli kur ka thënë se truri është sfungjer që shërben për ftohjen e gjakut? A nuk ka rrejtur Skënderbeu në Krujë kur ka thënë se fermanin e kishte të nënshkruar nga sulltani? A nuk ka rrejtur bariu kur ka thirrur: “Është ujku, është ujku”! Dhe, pashë nonën, a nuk ka rrejtur ujku kur ka thënë se është gjyshja?
Po, Gjorgje Martinoviqi ka rrejtur kur ka thënë se shqiptarët e kishin përdhunuar me atë shishe birre në vitet tetëdhjetë, Bill Clintoni ka rrejtur kur ka thënë se s’ka pasur asgjë me atë gruan: që në të vërtetë ishte asistentja e tij, Monica Lewinsky, dhe shoku im ka rrejtur kur i ka thënë gruas së tij se ajo ishte gruaja e vetme që e ka pasur dhe dashur në jetë.
Çka u bë tash që me një varg lajmesh të rreme të merremi e t’i etiketojmë me terma “seksi” si fake news e posttruth?
Bile kemi dhënë edhe përkufizim: një dezinformim i qëllimshëm i përhapur përmes mjeteve të informacionit, a rrjeteve sociale, për synime të caktuara politike, ekonomike a çfarëdo tjetër shoqërore quhet fake news. Epoka ku gjëllon fake newsi është emërtuar Post-truth (e shpallur nga Fjalorët e Oxfordit si fjala e vitit më 2016 – viti kur Trumpi u zgjodh president i SHBA-së). Në një epokë post-truth, lajmi i rremë dhe gënjeshtrat përgjithësisht shndërrohen në rutinë brenda një shoqërie dhe kjo nënkupton se politikanët mund të gënjejnë pa qenë të ndëshkuar.
Në këtë epokë, liderë si Donald Trumpi do të thonë se nuk janë duke gënjyer, por “duke ofruar fakte alternative” ose njëri nga liderët politikë kosovarë, nuk po ia përmend emrin se e kemi president, i përballur me diçka që kishte pohuar vetë i drejtohej drejtuesit televiziv: Rrenë, rrenë, rrenë.
Mirëpo, si u bë që ta etiketojmë si post-truth një epokë, kur e dimë se njerëzimi gjithherë është rrethuar nga rrenat? Kur paska qenë epoka truth? Autokratë e diktatorë kanë sunduar përherë përmes gënjeshtrave. Autorë si Harari shpjegojnë se edhe majmunët dinë të gënjejnë, ndërsa shoqëria njerëzore është zhvilluar falë narrativave dhe fiksionit që i ka krijuar në krye të herës, duke shpikur religjione, letërsi e shpikje të ndryshme në formën e organizimeve sociale e ekonomike.
Fundja, edhe vetë e vërteta është e vështirë për t’u përkufizuar.
Njerëzit e kanë kërkuar gjithnjë në mes të dy opsioneve: të vërtetës absolute (dija apriori sipas Aristotelit e më pas Kantit) që i ka rrënjët në ideologji dhe absolutizëm dhe rëndom nuk është e vërtetë fare dhe të vërtetës relative që i ka rrënjët në kërkim, hulumtim dhe lexim kritik dhe rëndom nuk pranohet kollaj si e vërtetë.
E quajmë relativizim epistemik – e vërteta varion nga konteksti ose këndi i vështrimit.
Për ta pranuar këtë të vërtetën e dytë, një shoqëri duhet të jetë e edukuar për të pasur mendim e jo etiketa, në vend të mendimit.
Në shoqërinë kosovare jemi duke e mbytur mendimin dhe duke e kultivuar etiketën, siç ka dëshmuar edhe Testi PISA. Në vend se të kemi mendim, ne përcaktohemi apriori: kjo mirë, kjo keq. Para disa muajsh, një taksist m’u ankua për Universitetin e Prishtinës. “Merre me mend”, tha, “e kam shëtitur një ditë një profesor të letërsisë dhe ai më tha se Fishta ‘nuk o edhe aq shkrimtar i mirë’. Pis bre. Qe ku o ra Universiteti’”.
E pyeta nëse e kishte lexuar Fishtën. “Jo”, më tha, “po krejt thojnë tybe që Fishta është shkrimtar i mirë”.
Po fliste në kohën, kur whistleblowers qeveritarë kishin hedhur pikadot e tyre në Universitet.
Mendimi do qëndrim kritik, do guxim, do liri, do mund. Pa to nuk mund të ketë dituri as mendim të mbështetur në fakte e argumente. Në vend të kësaj shumë më e lehtë është të jetohet pa mendim: “Valla Fishta i mirë, nëse ‘qashtu po thojnë krejt’”.
Jemi mësuar ta përdorim fjalën korrupsion në kuptim shumë të ngushtë. E lidhim me ryshfetin
ose dhunën. Korrupsion është çdo ndërhyrje në një sistem vlerash. Çdo tentim për të futur hundët në punët që nuk i dimë është njësoj korrupsion, pavarësisht nga interesat, ideologjitë dhe arsyet e këtyre ndërhyrjeve. Nejse.
Mirëpo, ekziston edhe një tjetër kundërvënie: fakt – liri e të menduarit.
Në një anë kemi lirinë e shprehjes dhe të të menduarit, të cilën e kemi më të rëndësishme se çfarëdo tjetër – se është garancia jonë e lirisë nga autokracia dhe diktatura.
Në anën tjetër e kemi lajmin e rremë, si kolateral.
Kur i bëjmë njësh mendimin e lirë dhe faktin, atëherë përfundojmë në post-truth. Ti studion dhe me shumë mund e nxjerr një përfundim, dal unë, e duke shikuar në tavan them: “Jo, nuk është kështu” dhe ne qenkemi baras. Ideja e lirisë së të shprehurit është liria për të pasur gabim. Ne, si individë, gjithnjë më shumë nuk dimë se që dimë, prandaj liria e të menduarit dhe e të shprehurit, qoftë e gabuar, është e domosdoshme në një shoqëri të lirë. Mirëpo, kjo vlen për mendimin e lirë. Te faktet është pak më ndryshe. Ti ke të drejtë të mos dish dhe të kujtosh se Toka është e rrafshët dhe këtë padituri ta shprehësh në publik, siç ka bërë basketbollisti Kyrie Irving. Mirëpo, kur kjo padituri shitet si fakt dhe insistohet për të hedhur poshtë çdo hulumtim e kërkim shkencor, krijohet shoqëria post-truth. Për shkak se shkenca ka përparuar shumë dhe është gjithnjë e më larg “mendjes së shëndoshë” – asaj qysh na duket neve - shumëkush kujton se duhet të gjejë shpjegime alternative. Shkenca është shumëfish më e saktë se fiksioni e se politika sa u përket organizimit dhe të kuptuarit të përvojave dhe të rrethimeve tona.
E padituria është sindromë.
Qe një shembull i post-truthit tipik: a duhet t’i vaksinojmë fëmijët, se mos po na sëmuren nga autizmi?
Andrew Wakefield me bashkëpunëtorë më 1998 e ka publikuar në revistën “Lancet” punimin se vaksina kundër lisë dhe rubeolës është e lidhur me shkaktimin e autizmit. Dhjetëra artikuj shkencorë e kanë demaskuar si të rremë më pas. Vetë revista “Lancet” e ka tërhequr artikullin. Janë bërë shumë e shumë studime që tregojnë se nuk ka asnjë lidhje të këtyre vaksinave me autizmin dhe se artikulli kishte qenë një mashtrim. Mirëpo, tek po dilnim me dy kolegë profesorë nga një studio televizive, ata po e shprehnin frikën t’i çojnë fëmijët për vaksinë, se mos po bëhen autistë.
Cili është dallimi mes Wakefieldit dhe Aristotelit për trurin si sfungjer? Aristoteli nuk ka realizuar dezinformim të qëllimshëm.
Pse u shfaq tani lajmi i rremë?
Vjen nga epoka postmoderne. Postmodernizmi është term ombrellë për kuptimin e përgjithshëm se nuk ekziston një e vërtetë universale në botë dhe se, prandaj, duhet të eksplorohen dhe të kuptohen vlera të ndryshme, lokale, kulturore dhe relative përgjithësisht. Feyeraband shkon aq larg sa të thotë se edhe mendimi shkencor është një këndvështrim i caktuar për botën, siç është edhe ai politik a religjioz.
De Beaugrande dhe Dressler kanë sjellë konceptet synueshmëri dhe pranueshmëri tekstore, me synueshmërinë si synim, cak, të autores që shpreson se marrësja e tekstit ta pranojë sipas atij synimi dhe pranueshmërinë si mekanizëm të të kuptuarit ose jo nga marrësja i synimit të tekstit. Kur ai djali i thotë asaj çikës: “Hajde në banesën time, ta pimë nga një kafe” e në mendje ka diçka tjetër, ai nuk është duke e gënjyer, por është duke e nisur një komunikim të zhdrejtë të ndërsjellë. Për të pasur gënjeshtër, duhet bashkëpunim mes marrëses dhe emetueses. Kurrkush nuk mund të të gënjejë, nëse ti nuk dëshiron të besosh.
Kathleen Higgins thotë: Pjesa më e madhe e publikut dëgjon atë që i pëlqen të dëgjojë, sepse njerëzit informohen nga burime, anësitë e të cilave (bias në anglisht) i ndajnë edhe vetë”.
“Koha Ditore” pati shkruar për aprilili se George Washingtoni kishte qenë shqiptar dhe në botën shqiptare që kishte qejf që kjo të ishte e vërtetë, ai tekst nisi të përhapej, thuajse ishte i vërtetë. “Koha Ditore” po për aprilili, disa vjet më herët, pati shkruar se Sergei Lavrov do të vinte shef i UNMIK-ut në Kosovë, në vend të Bernard Kouchnerit, dhe mediumet serbe, që kishin qejf të ishte lajm i vërtetë, nisën ta publikonin.
Por në mediume është gënjyer gjithmonë. Ta shohim dallimin.
Janë katër drejtime themelore në gazetari: autoritare – e vërtetë është gjithçka që thotë mbreti a diktatori; totalitare (qëndrimi i Leninit: gazetari jo vetëm propagandues, por edhe organizator – d.m.th. jo vetëm të gënjejë, por edhe t’i detyrojë të tjerët të besojnë); pastaj libertariane (e lirë, pra: thuaje vetë të vërtetën tënde) dhe e përgjegjësisë sociale (jo e vërteta e shumicës, por e vërteta e të gjithëve, pra edhe e secilit).
Në epokën tonë, falë rrjeteve sociale filtrat e profesionalizmit janë zbehur dhe nuk mjaftojnë.
Marrin të drejtë të shprehjes së mendimit ata që nuk e kishin deri tash. Derisa mjetet klasike të informacionit duan përgjegjësi sociale, postimet në rrjete sociale nuk kanë. Janë habitat ideal për post-truth.
Mirëpo, post-truth nuk funksionon veç me lajme të rreme.
Në filmat e viteve shtatëdhjetë e tetëdhjetë shohim eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë a të biznesit. Në kohën e sotme, eliminimi bëhet përmes gënjeshtrave dhe thirrjeve: është ujku, është ujku. Në muzeun e spiunazhit në Berlin, kuratorët kanë vendosur që narrativën e tyre ta përmbyllin me posterin për whistleblowingun - si një prej armëve moderne të botës së spiunazhit dhe të sabotimit.
Megjithatë, liria e mendimit dhe e shprehjes janë të padiskutueshme.
Shteti është monopolist. Manipulimet me taksat pritet të ekspozohen nga gazetarët. Mediumet dhe institucionet e dijes nuk janë monopoliste. Nuk ekziston diçka si pushteti i shtypit a i shkencës. Mirëpo, çka ndodh nëse shteti apo grupe të interesit kontrollojnë mediume a institucione të dijes?
Mediumet na duhen për të na mbrojtur nga keqpërdorimet e pushtetit. Mirëpo, na duhet vullnet shtetëror, politika shtetërore, të na mbrojnë edhe nga keqpërdorimet e pushtetit përmes komunikimit masiv, duke krijuar sistem edukimi që kultivon mendim, qëndrim kritik dhe mbështetje në fakt.
Campbell dhe Friesen thonë: Paragjykimet janë sëmundje. Për t’u shëruar, na duhen faktet dhe arsimi si ilaç.
Lajmi i rremë është pasqyrim social. Largohet, kur të ndryshojë pamja e shoqërisë që e ka krijuar. Kjo, si çdo gjë kulturore, do kohë.
Prandaj, kolegut tim, adhurues të Dr. Housit, ia cakërrova gotën dhe i urova të besojë në konceptin romantik se, një ditë prej ditësh, gjithsesi, e vërteta do të triumfojë. Nejse, jo aq shpejt, sa më 2020 a në vitet menjëherë më pas.
Megjithatë, një ditë, po. Deri atë ditë: Gëzuar!