OpEd

Një dolli për ëndrrën 2032

Po i besuam ëndrrës së nisur ditën kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tash nëntë vjet do të duhej të kishim alamet festë. Ëndrra duhet të na shërbejë për punë, në rrugën e anëtarësimit në bllok. Jo për ta justifikuar gjumin e thellë

Mesnata mbërriti. Qielli pushtohet nga spektakli me fishekzjarrët shumëngjyrëshe e në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet kumbon “Ode Gëzimit”, që Filharmonia e Kosovës po e interpreton me emocionin e përjetuar më parë. Njëkohshëm, para portës qendrore të ndërtesës së Qeverisë, Garda Kombëtare po e udhëheq ritualin e ngritjes në shtizë të flamurit të Bashkimit Evropian.

Paria e shtetit është aty. Janë edhe liderët e opozitës. Mysafirë të shumtë, po kështu. Burrështetas nga rajoni, e nuk mungojnë as ata të Brukselit. Dhe, është një mysafir special, por që thuajse askush s’po e njeh – Mikulas Bek.

Në sheshet qendrore të Prishtinës kanë zbarkuar i madh e i vogël për festë. Alamet festë, dhe po hapet me himnin e Evropës, pra me një pjesë të “Ode Gëzimit” të Ludwig van Beethoven.

Erdhi 2032-a dhe Kosova nuk po hyn vetëm në një vit të ri. Po hyn edhe në BE. Saktësisht siç pati parashikuar diku një dekadë më parë kryeministri, kur në dhjetorin e 2022-s në Pragë të Çekisë aplikacionin e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE ia dorëzoi pikërisht mysafirit special të sotëm, që atëkohë ishte ministër për Çështje Evropiane i Çekisë, ndërsa Çekia udhëhiqte Presidencën e BE-së.

Kryeministri pati thënë se për 9 vjet do të anëtarësohemi. Dhe, sonte që u bënë dy javë më shumë se 9 vjet, zyrtarisht BE-ja ia hapi derën Kosovës.

Kur fishekzjarrët pushojnë pak, e himni përfundon, tashmë flamuri i BE-së është në majë të shtizës. Në festën qendrore në kryeqendër radha është për fjalime.

I pari do të flasë kryeministri. Është i njëjti që nëntë vjet më parë e dorëzoi aplikacionin në Pragë. Dhe, kur moderatorja thërret emrin e tij për të dalë në skenë, plasin brohoritjet e duartrokitjet. Janë shumë të forta. Aq të forta sa të zgjojnë nga ëndrra e mirë e kremtes së hyrjes në BE, dhe të kthejnë në realitetin e errët – Kosova jo veçqë nuk e ka nisur zyrtarisht rrugëtimin për anëtarësim në bllok, por as nuk njihet si shtet nga Unioni.

***

Kosova nuk pati himn kur e shpalli pavarësinë në shkurtin e 2008-s. Për katër muaj, derisa e miratoi të vetin, e përdori himnin e BE-së, “Ode Gëzimit”. Vepra e Bethovenit u luajt edhe në ceremoninë zyrtare ditën e mëvetësimit, ndërsa në sheshet e kthyera në lumenj njerëzish që po festonin, kumbonin daullja e tallavaja.

Dhe, hendeku mes ëndrrës së mbjellë evropiane dhe punës për ta bërë realitet atë, është po aq i madh sa dallimi mes “Ode Gëzimit” e tallavasë që na i ço duar e këmbë peshë.

Kur kryeministri e dorëzoi këtë fundvit aplikacionin për anëtarësim të Kosovës në BE, tha se letra që po e mbante, në vete përmban shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve. Më vonë iu kthye historisë, u shërbye me pak matematikë dhe nxori konstatimin se për t’u bërë pjesë e BE-së vendeve iu deshën mesatarisht 9 vjet pas aplikimit.

“Është realiste që Republika e Kosovës ta synojë këtë kohëzgjatje mesatare”, tha ai.

Shumë politikanë janë ndërruar në Prishtinë në dy dekada, por ofruan përgjigje të përafërt sa herë u pyetën se çfarë bënë ata për ta përafruar Kosovën me Unionin. “I bëmë ligjet”, thanë. Ato ligjet, për të cilat jo rrallëherë u ankuam se na i bënë të tjerët ose i bëmë vetë me “copy-paste”. Ka shumë të vërtetë në pohimin se ka edhe autorësi vendore në përmbajtje të tyre, si në Ligjin për festat zyrtare. Ndryshe nga ligji i BE-së, i yni ka të listuar si festë zyrtar edhe Ditën e Evropës, pra 9 Majin. Është ligj që flet shumë se sa dallon kultura jonë e punës me të BE-së. Në BE, 9 maji është ditë pune. Në Kosovë pushohet.

Mospuna është armiku më i madh i ëndrrave, na tregon një studim i sivjetmë i Institutit EPIK. Ai thotë se me ritmin e tashëm të reformave, Kosovës do t’i duhen plot 75 vjet për t’u anëtarësuar në Union. Dokumenti ka dhënë edhe skenarin më optimist, sipas të cilit anëtarësimi mund të bëhet për 19 vjet.

Nëse bëjmë pak matematikë sikur kryeministri, për t’ua nxjerrë mesataren të dy skenarëve – atij real që është kalkuluar në bazë të ritmit të reformave, dhe këtij optimist që vije në shprehje nëse gjërat do të shkonin vaj – rezultati na tregon se 47 vjet nga tash Kosova do të bëhet pjesë e BE-së. Kuptueshëm, nëse BE-ja do të mbetet në këmbë deri atëherë.

***

Kushdo që e lexo Sigmund Freudin s’ka arsye t’u frikësohet ëndrrave. As të entuziazmohet me to. Themeluesi i psikanalizës shkroi e shkroi për të argumentuar se në ëndrra shfaqen dëshirat e ndrydhura.

Por, shqiptari ia rrëzon teorinë edhe Freudit. Tek “Tabir Saraji”, Ismail Kadare na tregon se pushtetet dinë t’i bëjnë ëndrrat e kontrollueshme. Madje, edhe se pushtetet e kanë aftësinë të të fusin në botën e ëndrrave që i imponojnë e të të shkëpusin nga realiteti.

A s’ishte ëndërr e tillë “Kosovo, The Young Europeans”. I gënjyem e u gënjyem me “Evropianët e rinj”, që shiheshin të hareshëm e të qeshur në imazhet që i përcollëm në ekranet më të mëdha televizive të botës, nëpërmjet kampanjës mediale të paspavarësisë. Në ekran të hareshëm, por në mungesë perspektive dhe pamundësisë për ta siguruar një vizë, çanë ilegalisht kufijtë e Evropës. Edhe heqja e vizave mbetet akoma një ëndërr, ani se për të hapëm shampanjë dhe ngremë dolli para gjashtë vjetësh. E, për dollinë e vërtetë duhet pritur fiks edhe një vit, nëse deri atëherë Francës nuk i kujtohet ndonjë kusht i ri nga të deritashmit që ia ka vënë Kosovës.

Ëndrra evropiane nisi 70 vjet më parë, me themelimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Është ky emërtim që të çon tek një tjetër ëndërr kolektive e kosovarëve. U rritëm me mësimet se si flinim nën flori dhe se si qymyri që kemi na bën fuqi energjetike jo veç në rajon, por më gjerë. Sot “Trepça“ s’e mban dot veten, energjia e pamjaftueshme që prodhohet na i riktheu reduktimet, ndërsa tani kemi nisur të importojmë edhe qymyr. Janë pasoja të përtacisë kolektive.

***

Në vitin që po hyjmë BE-ja feston 30-vjetorin e themelimit. Në festë do të jenë 27 vende anëtare, të cilat me punë janë bërë pjesë e bllokut. Jashtë ndodhen ato që ëndërrojnë, derisa bëjnë gjumë.

Po i besuam ëndrrës së mbjellë ditën kur u dorëzua aplikacioni për anëtarësim, pas një dekade kur është 40-vjetori i BE-së, do të festojë edhe Kosova. Po pamë dinamikën e përmbushjes së reformave, festës do t’i bashkëngjitemi tek në jubileun e madh – në përvjetorin e 100-të të Unionit.

Të mbetemi brenda ëndrrës së sotme. Ajo duhet të shërbejë për punë në rrugën e anëtarësimit në bllok, e jo për ta justifikuar gjumin e thellë.

Me “Ode Gëzimit” në sfond, një dolli për ëndrrën 2032!