...apo në fakt, një kapërcim serioz konceptual i liderëve të Kosovës dhe Serbisë drejt një rruge të vështirë për marrëveshje
1.
Ka diçka të kulturës sportive kjo puna e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Për shembull, si në emisione para ndeshjeve kur thirren ekspertë a tifozë dhe tregojnë në emisione speciale se çfarë taktike do të përdoret, kush do të sulmojë dhe mbrojë e kështu me radhë, ashtu u bënë emisionet speciale në televizionet e Kosovës (dhe Serbisë) për të treguar se çka do të ndodhë në bisedimet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Me orë të tëra elaboroheshin –shpesh edhe nga njerëz emrat e të cilëve i kisha dëgjuar për herë të parë - se si Kurti apo Vuçiqi do të bëjnë këtë apo atë gjest dhe se si Lajçak e Borell do të japin këtë apo atë kah dhe se si gjithsesi do të ketë ndërhyrje amerikane.
Por, për dallim prej ndeshjeve sportive, pas emisionit special nuk pasoi transmetimi i drejtpërdrejtë i ndeshjes Kurti-Vuçiq. Madje, edhe ndërsa zhvillohej ndeshja , vijonin emisionet speciale në të cilat ekspertët shpjegonin se çka janë duke bërë në atë moment Kurti, Vuçiqi, Lajçaku, amerikanët dhe kushdo që të ketë qëlluar andejpari.
Dhe, pas përfundimit të ndeshjes së Brukselit, emisionet speciale sërish vazhduan të tregojnë, por tash të tregojnë se çka ka ndodhur. Apo atë se çka kanë kuptuar ata se ka ndodhur.
Del, në fund, se është përshkruar një hamendësim i çdo individi që ka marrë pjesë në debat dhe përmbledhja e këtyre hamendësimeve duhet të krijojë një përshkrim të asaj që ndodhi në Bruksel më 27 shkurt.
Ky përshkrim është hamendësim kolektiv. Dhe ky hamendësim kolektiv mund të vazhdojë me orë, ditë dhe javë - ka një jetë të veten në shkrirjen e ligjërimit të medieve sociale me debatet televizive dhe së fundmi me “Big brother”.
2.
Çka ndodhi në Bruksel më 27 shkurt, në takimin mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq?
U arrit një dakordim (marrëveshje e heshtur, marrëveshje, pajtim apo çfarëdo emri që mund t’i vihet) që Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Propozim-Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Sipas J.Borell, shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, të dyja palët janë pajtuar që “nuk ka nevojë më për diskutime rreth propozimit të BE-së”.
U arrit po ashtu një dakordim që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të M.Lajçak në Prishtinë dhe Beograd për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar.
Dhe për të gjitha këto do të ketë nevojë për një takim të ri të liderëve, më 18 mars në Maqedoni të Veriut.
Këto janë faktet, të paraqitura nga J.Borell në konferencë shtypi. Pra, po, është arritur marrëveshja që procesi negociator të vazhdojë në bazë të 11-pikëshit të Propozim-Marrëveshjes por, jo, nuk është arritur marrëveshja e plotë mes dy palëve. Për të do të ketë proces negociator të rëndë dhe intensiv.
3.
A vetëm kaq ndodhi?
Nëse qëndron përshkrimi i zotit Borell për atë ditë atëbotë ka ndodhur një zhvillim jo i vogël.
Nëse Kosova dhe Serbia janë pajtuar që platforma mbi të cilën do të zhvillojnë negociatat është Propozim-Marrëveshja, atëherë ato janë pajtuar për një proces të respektit të plotë të ndërsjellë të personalitetit vetjak juridik (apo, thënë ndryshe, të shtetësisë). Njëkohësisht, dhe po ashtu, janë pajtuar që Serbia ka një rol të veçantë në përcaktimin e (natyrës, vëllimit) të drejtave vetadministruese të serbëve të Kosovës. Dhe se të dyja këto, respekti i ndërsjellë për shtetësi dhe respekti i rolit të veçantë të Serbisë për serbët e Kosovës shkojnë bashkë.
Tutje, nëse përshkrimi i z.Borell qëndron, është kapërcyer tashmë dyshimi i vazhdueshëm, qoftë publik apo i kuluareve se Kosova nuk ka gatishmëri për proces serioz negociator dhe se është palë bllokuese. Në Bruksel, Kosova ishte ajo që deklaroi shprehimisht përcaktimin e vet për Propozim-Marrëveshjen, me gjithë rezervat e shprehura deri atë ditë për disa pika që i konsideron problematike.
Dhe, nëse BE-ja i përmbahet planit të vet (dhe Kosova e Serbia me të) që negociatat të intensifikohen në tri javët e ardhshme, atëherë kemi të bëjmë me një cilësi të re.
Atëherë, në Bruksel Kosova dhe Serbia bënë një kapërcim serioz konceptual, me ndihmën e BE-së, në rrugën e vështirë drejt marrëveshjes së normalizimit, gjegjësisht të dhënies fund të konfliktit të papërfunduar.
4.
Sapo përfundoi takimi i liderëve në Bruksel vazhdoi kakofonia e hamendësimeve, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Pjesë e kësaj kakofonie u bënë edhe opozitat në të dyja vendet. Në formë të çuditshme, në Kosovë dhe Serbi u lajmëruan si kundërshtarë të mëdhenj partitë të cilat synojnë të përfaqësojnë idetë e spektrit politik evropian. Thelbi i akuzave në të dyja vendet ishte transaksional: “Ke dhënë gjithçka, nuk ke marrë asgjë”. Kjo është një sfidë serioze matematikore.
Dhe, kjo ndodh në këtë që është vetëm fillimi i brishtë i një procesi, i cili do të kërkojë më shumë analizë, më shumë unitet shoqëror, më shumë debat të esëllt. Dhe, gjithsesi aspak tifozëri sportive.