OpEd

Një dekadë dërrmimi

Mjete më shumë për sektorët e sigurisë do të duheshin nënkuptuar edhe rritjet e shtesave në një nivel të optimal. Sepse nëse Kosova e ka luksin që t’i paguajë 120 badihavxhi nga rreth 2 mijë euro në muaj, që rrezikun e vetëm e kanë në mos po u fluturon ndonjë shishe e plastikës, do të duhej ta kishte detyrimin që njerëzve në të cilët është investuar aq shumë, t’ua ofrojë një shtytje shtesë financiare

Një ngjarje e paprecedentë, një mori telefonash të konfiskuar dhe vazhdimi i cirkut parlamentar e shënuan edhe një javë të këtij viti.

Të mërkurën, njësitë elitare të Policisë protestuan, me maska, para ndërtesës së Qeverisë në kërkim të kushteve më të mira. Kërkuan që të kategorizoheshin si njësi të veçanta dhe të përfshiheshin në listën e ekspertëve. Kërkuan që rrezikshmëria t’u caktohej në 50% të rrogës bazë dhe të kishin edhe shtesa për kushtet specifike të punës. Në protestë e cekën se kishte dhjetë vjet që prisnin që kushtet t’u përmirësoheshin dhe se ishin ngopur me premtime.

Nuk mbaj mend, në këta 24 vjetët e fundit të kem parë protestë të policëve për të ardhurat personale që i realizojnë. Se a ka qenë protestë e dirigjuar politikisht apo edhe nëse ka qenë spontane, nuk do të dija të thosha. Por është për mbamendje që kjo ndodh tash, për herë të parë, sa vjet pas themelimit të njësiteve speciale.

Para disa javësh, Qeveria kumtoi vendimin për përcaktimin e lartësisë së shtesave, dhe që atëherë e kisha shkruar se këto shtesa janë të vogla dhe njëmend të pamjaftueshme për ta “arsyetuar” rrezikshmërinë me të cilën ballafaqohen pjesëtarët e këtyre njësive. Jam më se e sigurt se do të mund të kishte ende mundësi për rritje në këtë drejtim, sidomos duke e pasur parasysh se numri i “specialëve” nuk është edhe aq i lartë.

* * *

Pra, duke mos i ditur detajet e kategorizimit të policëve dhe rrezikshmërisë së cilës i ekspozohen, të vetmen që do të mund ta komentoja është se policët e supertrajnuar nga amerikanët janë ata të cilët do të ballafaqohen me rreziqet më të mëdha. Për pasojë, rrezikshmëria e tyre assesi nuk do të mund të barazohej me atë të ndonjërit pjesëtar të policisë që punon në administratë, apo edhe në trafik, ta zëmë.

Sidoqoftë, pas protestës, reagoi fillimisht ministri Sveçla me një deklaratë patetike. E nisi statusin me “Kosova është vend i varfër” dhe e përfundoi duke treguar se policët në veri ishin paguar mesatarisht nga 2200 euro në muaj këtë vjet.

Do të kujtojmë se trazira në veri kishte që nga viti paraprak, për shkak të targave, e të cilat e ndezën situatën për ta mbërritur kulmin në maj, me rrahjen dhe plagosjen masive të ushtarëve të KFOR-it nga masa e tërbuar e “serbëve paqësorë”, kur kryetarët e zgjedhur të komunave veriore po merrnin detyrën. Sërish do të kujtojmë se jo vetëm që serbët dhe Serbia nuk u qortuan për dhunën e shfrenuar, por në fund dënimin e hëngri Kosova.

Shtatori në Banjskë nënkuptoi se njësitet elitare të Policisë së Kosovës duheshin qëndruar më gjatë në atë trevë, për ta parandaluar edhe një tjetër sulm terrorist eventual.

E gjithë kjo tregon se arsyeja se pse këta policë janë paguar 2200 euro në muaj mesatarisht është puna jashtë orarit. Rroga e tyre bazë sillet rreth 650 euro bruto, që do të thotë se është dashur ta punonin më shumë se trefishin për ta arritur shumën e përmendur nga ministri i Brendshëm. Por kjo nuk u tha.

* * *

Më vonë do të lajmërohej kryeministri, duke e përsëritur shifrën dhe duke shtuar se Qeveria kishte investuar nga 10 mijë euro për pjesëtar, për nevojat e pajisjes së tyre për punë.

Që në të dyja rastet, përpjekja për t’i bërë spin situatës dështoi. Te ministri Sveçla, për shkak se në asnjë vend nuk tha se rrogat e tyre bazë ishin ato që janë; te kryeministri, sepse pajisjet janë detyrim i shtetit për të siguruar mjete pune dhe për t’ia siguruar Kosovës sigurinë. Mund të ketë qenë e vërtetë se kur kanë ardhur në pushtet këto pajisje nuk kanë ekzistuar, porse gjithashtu është fakt se pajisjet amortizohen dhe duhen përtërirë. E kjo mund të bëhet vetëm me buxhetin e shtetit, apo edhe eventualisht një donacion.

Para disa ditësh, Qeveria e miratoi buxhetin për vitin 2024, dhe në atë mbledhje u tha se buxheti për sigurinë e Kosovës do të rritej deri në 370 milionë, apo më shumë se 20% se vitin paraprak. Nuk e di nëse me këtë rast u përmend ndonjë shumë e mbledhur në Fondin e Sigurisë – dhe nëse është përmendur, për cilin destinim do të përdoreshin këto mjete. Pas 18 muajsh, nuk di të kem dëgjuar se sa para janë mbledhur aty.

Sidoqoftë, mjete më shumë për sektorët e sigurisë do të duheshin nënkuptuar edhe rritjet e shtesave në një nivel të optimal. Sepse nëse Kosova e ka luksin që t’i paguajë 120 badihavxhi nga rreth 2 mijë euro në muaj, që rrezikun e vetëm e kanë në mos po u fluturon ndonjë shishe e plastikës, do të duhej ta kishte detyrimin që njerëzve në të cilët është investuar aq shumë, t’ua ofrojë një shtytje shtesë financiare.

Nëse Kosova dikur nuk ka qenë e varfër, por e vjedhur, tash nuk është e varfër, por e keqmenaxhuar. E sektorët ku çalon kjo Qeveri janë shumë. Në veçanti tek investimet kapitale dhe te nevoja patologjike për t’i ruajtur paratë në thesar, duke i zhvlerësuar vetëm pse mbahen mbyllur, pa u futur në qarkullim.

* * *

E ajo që me çdo kusht do që ta ndalë një qarkullim specifik është Prokuroria Speciale e Speciales në Hagë.

Gjithë javën u mor me bastisjen e banesave/shtëpive të ish-këshilltarëve të Thaçit, dhe që të gjithët me arsyetimin e pengimit të administrimit të drejtësisë. Ditën e parë u bastisën Bashkim Smakaj dhe Blerim Shala. Më pas Artan Behrami e Ismail Syla. I fundit që u bastis e madje edhe u dërgua i arrestuar me urgjencë në Hagë, qe ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj. Ky i fundit u arrestua nën dyshimin e i ka kryer dy vepra penale: “pengimi i personave zyrtarë” dhe “shkelja e sekretit të procedurave”.

Sipas avokatit Artan Qerkini, i cili u paraqit në publik pas bastisjeve të banesave të Smakajt dhe Behramit, asnjëri nga të bastisurit nuk kishte cilësinë e të dyshuarit. Sipas Qerkinit, kjo është në kundërshtim me ligjin, dhe assesi nuk arsyetohet konfiskimi i telefonave të tyre. Për aq sa u bë publike, nuk dihet nëse policët e EULEX-it kanë konfiskuar edhe tjetër gjë.

Tashmë janë bërë gati tre vjet qëkur u ngrit aktakuza ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së dhe gjykimi po rrjedh me ritëm të ngadaltë dhe me një transparencë minimale. Në veçanti kur bëhet për seanca që mbyllen për publikun ku nuk merret vesh asnjë gjë e vetme. Por fakti se madje gjashtë persona të afërt me Thaçin janë bastisur brenda këtij viti dhe u janë marrë telefonat, po tregon se secila vizitë që u bëhet në Hagë është shumë afër e monitoruar. Madje, nëse njëmend i janë rrekur punës së pengimit të administrimit të drejtësisë duke kontaktuar në ndonjë formë me dëshmitarët potencialë tregon për naivitetin e tyre. Ose mbase edhe bindjen se Haga është edhe një nga gjykatat e Kosovës ku lëndët mund të flenë deri në parashkrim.

* * *

E ata që flenë, apo edhe ikin nga seancat plenare e punët për të cilën paguhen tepër, vazhdojnë të jenë pjesëtarët e qirkuzit.

Për të katërtën javë me radhë u bojkotua një seancë. Pse? Kësaj radhe pse pushteti nuk i votoi propozimet e opozitës për rezoluta. E mandej, për ta shpëlarë veten, e ftuan Kurtin në Kuvend për të raportuar për procesin e Brukselit.

Keq që e ftuan, për shkak se ai është dashur të vinte vetë në Kuvend dhe të raportonte. Kështu do ta donte rendi, për shkak se ai në Bruksel nuk shkon ta përfaqësojë veten, por Kosovën. E përfaqësuesit e Kosovës në Kuvend, për fat të keq, janë këta deputetë që i kemi. Por përderisa janë votuar, duhen së paku ta dinë, e nëpërmjet tyre edhe ne, se çfarë po ndodh në këtë përshesh dialog.

I gjithë debati i djeshëm e shpërfaqi mjerimin e politikës aktuale kosovare. Cinizmi dhe rima e kryeministrit pati për qëllim që t’i hallakasë deputetët opozitarë. Ia doli. Fjalimet që mund të dëgjoheshin varg ishin si muhabete odash e akuzash te turli lloji. Përsëritja e diskursit të përhershëm ky tradhtar, ai dezertor, unë çlirimtar, etj., vetëm vërteton se ai nuk ndryshon as pas tetë legjislaturave, pavarësisht se një pjesë e deputetëve janë të tjerë si rezultat i secilës palë zgjedhje. Dhe nuk do të ndryshojë përderisa deputetët zgjidhen me lista partiake, e jo me gara të drejtpërdrejta nëpër shumë njësi zgjedhore që do të duhej themeluar në Kosovë. Ndryshe do të ishte kur do të mund ta votoje deputetin tënd. Nëse kurrgjë, do të mund ta mbysje me letra, ankesa, sugjerime e kërkesa. Mbase ndonjëra do të ndizte dhe një punë e hairit do të kryhej.

Por fakti është se asnjërës parti politike nuk i konvenon ky ndryshim i ligjit. Se po t’i kish konvenuar, moti ishte kaluar reforma, e nisur nga koha kur Jahjaga u zgjodh kryetare.

* * *

Siç edhe pritej, Vuçiqi i shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 17 dhjetor.

Kjo do të thotë se mund të ketë ende takime kot në Bruksel, por marrëveshje nuk do të ketë sivjet. E mandej do të shohim se sa do të rritet trysnia që diçka të ndodhë deri nga gjysma e vitit vijues. Ngase gjithkush do të merret me zgjedhjet e veta: presidencialet në SHBA, parlamentaret në BE, mbase edhe parlamentaret tona, që do të duhej të shpalleshin më së voni në shtator 2024.

Kjo do të thotë se ende do të merremi me atë se kush e shkroi, kush e nënshkroi dhe kush e pranoi “zajednicën”.

Qe rrafsh dhjetë vjet, dhe nuk po na dalin boll.

[email protected]