OpEd

Një cikël i ri populizmi

Ç’kanë të përbashkët SBASHK-u dhe ithtarët “nativistë” të Trumpit?

1.

“Çka ka të re në Kosovë?”, qe pyetje e rëndomtë e bisedës gjatë një darke me miq në New York dhe në vend të shpjegimit më të hollësishëm për njerëz edhe ashtu të informuar mirë dhashë një përgjigje kornizë:

-Kemi kaluar prej një krize në tjetrën, prej COVID-19 drejt e në luftë të Ukrainës.

E qartë, asnjëra prej këtyre dy krizave nuk ishte prodhim vendor, por fenomene globale (COVID-19) dhe regjionale me implikime globale (Ukraina) e megjithatë pasojat janë ndier si të kishte qenë epiqendra mu aty, mes Prishtinës. Kosova gjatë fillimit të pandemisë përnjëherë u desh të mbyllej nëpër shtëpi sikur në kohë të luftës 1998-1999, e sapo krisi lufta në Ukrainë u prek nervi i frikës kolektive për t’u furnizuar me vaj dhe miell. Në që të dy krizat, natyrisht, u godit dhe po goditen financat publike dhe ato të familjeve e qytetarëve. Mbyllja ekonomike e COVID-it paralizoi një botë të tërë me zinxhirin furnizues e prodhues të saj dhe ngriti çmimet gjithandej. Lufta në Ukrainë solli edhe një dimension të ri të çmimeve e të pasigurisë, të asaj energjetike dhe të ushqimit.

A mund të jetë kjo përgjigje për “Çka ka të re në Kosovë?”, kur po ai COVID ishte gjithandej botës, pra edhe në New York, ku me megatregun e vet më shumë se në çdo vend të botës u ndie kriza e zinxhirit furnizues dhe ku po kjo luftë në Ukrainë e ka bërë gallonin e benzinës 6 dollarë, një rekord për t’u mbajtur mend?

2.

Përgjigjja qëndron.

Krizat janë globale dhe pasojat e tyre strukturore prekin tërë botën (zinxhiri furnizues, ngritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, inflacioni global) , por çdo krizë e kësaj natyre nxjerr në pah dobësitë e çdo vendi veç e veç.

Në Kosovë COVID-19 nxori në pah dobësinë strukturore të shëndetësisë, gjegjësisht mungesës së sistemit shëndetësor. Qytetarët e Kosovës sërish u mbështetën në etikën e vullnetit të mirë të mjekëve e infermierëve që duhej të zëvendësonin një gjë evidente: vendi nuk ka sistem funksional shëndetësor, gjegjësisht ka një të ndërtuar ad hoc pas luftës që duhej të zinte vend derisa të ndërtohej një sistem i mirëfilltë. COVID-19 po ashtu nxori në pah një çrregullim politik, lehtësinë me të cilën në mes të pandemisë në vend të shtrëngimit të radhëve të pushtetit u organizua rrëzimi i tij.

Tash, lufta në Ukrainë me pasojat e saj inflatore nxjerr në pah dobësinë strukturore të Kosovës, të një vendi i cili ka krijuar një sektor publik tej mase të madh dhe tej mase të shpërblyer. Masa është natyrisht sektori privat, i cili ia paguan rrogat sektorit publik dhe i cili ka mbetur pjesa e ndrydhur e shoqërisë.

Në New York, COVID-i po ashtu nxori në pah dobësinë e një superfuqie botërore që nuk arrinte ta kontrollonte përhapjen e virusit dhe trajtimin e tij. Lufta në Ukrainë tash tregon dobësinë e një superfuqie që mund të ndihmojë Ukrainën në luftën kundër Rusisë, por nuk mund t’i parandalojë pasojat e pasigurisë energjetike, ndonëse është fuqi e vetëmjaftueshme në prodhim. Kalimi prej një krize në tjetrën për qytetarin e rëndomtë amerikan është lehtë i kuptueshëm. Për një shoqëri që është e lidhur ngushtë me automobilin, kriza u hetua lehtë me listën e gjatë të pritjes për vetura të reja (çrregullimi i zinxhirit furnizues), shtrenjtimi i tyre, si dhe i veturave të përdorura dhe në fund rritja e çmimit të benzinës.

3.

Krizat e mëdha kërkojnë shpjegime të gjata, por për to, posaçërisht në kohën kur informata merret në masë të madhe prej medieve sociale, shumica nuk ka kohë e as disponim.

Njëra prej pasojave është hapësira për zgjerimin e narracioneve të thjeshta, me zgjidhje të “thjeshta e të shpejta”. Në Kosovë kjo u pa me protestën e Sindikatave të Arsimit (SBASHK). Duke përdorur mjetin e fuqishëm shantazhues të grevës, SBASHK-u kërkoi zgjidhjen e thjeshtë, rritjen e rrogave. Një sektor i cili vazhdimisht po tregohet i pasuksesshëm në funksionin e vet, siç dëshmohet me testin PISA , është megjithatë një sektor që është treguar i suksesshëm në një sistem që nuk ka kurrfarë lidhje me funksionin e vet, atë të furnizimit me vota. Në Republikën e Kosovës SBASHK-u ka qenë pjesë e rrethit vicioz në të cilin do ta furnizonte partinë në pushtet me vota në këmbim të rritjes së rrogave. Partia në pushtet jo vetëm se do ta fuqizonte këtë sektor me rritje rrogash, por edhe me punësim të militantëve të vet në këtë sektor. Në këtë rreth vicioz funksioni primar, ai i arsimimit, nuk është fare i rëndësishëm, siç e kemi kuptuar nga testi PISA.

Në SHBA zgjidhja e thjeshtë dhe e shpejtë është “nativizmi” i Trumpit , rryma politike e cila thotë se Amerika duhet të izolohet nga problemet botërore e të merret me veten. Galloni i benzinës është ilustrim i mirë: përse duhet ta paguajmë gjashtë dollarë kur ne vetë e prodhojmë? Pyetja, natyrisht, heq nga konteksti globalizimin e tregjeve, një rezultat i vetë fuqisë amerikane pas Luftës së Dytë Botërore.

4.

Partia në pushtet në Kosovë dhe ajo në Amerikë, me gjithë dallimet në kontekste, madhësi dhe thellësi të problemeve, kanë pak a shumë të përbashkët se duhet të ballafaqohen me tagrin e problemeve të cilat nuk i kanë krijuar vetë. Qeveria e tanishme në Prishtinë nuk e ka krijuar rrethin vicioz të shpërblimeve të sektorit publik e të varësisë ekonomike e politike të sistemit prej rehatimit të sektorit publik me shpërblim ekonomik të pamerituar. Administrata Biden nuk e ka krijuar çmimin prej gjashtë dollarësh për gallon e as listën e pritjeve për vetura të reja. E megjithatë, të dyja qeveritë do të duhej të ballafaqoheshin me këtë.

Dhe, që të dyja do të ballafaqohen me faktin se nuk ka hapësirë për shpjegime të gjata. Administrata Biden arriti ta bashkojë Perëndimin, ta forcojë NATO-n e të mos lëshojë pe para Rusisë (siç bëri administrata Obama), por kuti matës për përkrahjen e tij të brendshme do të jetë çmimi i gallonit. Qeveria e Kosovës mund të mburret me cilësinë e re qeverisëse, posaçërisht me pastërtinë sa i përket korrupsionit, por kjo nuk çon kandar te sistemi i rrethit vicioz të sektorit publik; përkundrazi, sistemi i mirëmbajtjes së këtillë të sektorit publik është në thelb korruptues.

Në javët e muajt në vijim do të dëgjojmë gjithnjë e më shumë propozime për zgjidhje të “shpejta e të lehta”, prej rritjes së rrogave në sektorin publik në Kosovë, në kurriz të varfërimit të sektorit privat, e deri te tërheqja e Amerikës prej problemeve botërore, si zgjidhje për problemet vendore.

Një cikël i ri populizmi po troket.