OpEd

Një betejë e papërfunduar

Faktet ekzistojnë, që vërtetojnë se pjesa më e madhe e rrëfimit serb për Betejën e Kosovës është e sajuar. Por problemi mbetet i madh kur politika i ndryshon faktet të cilat nuk i përshtaten

Është mesdita e 27 qershorit 1989. Stacioni i Trenit në Fushë-Kosovë. Në dorë kam biletën drejt Beogradit, dhe tutje në Perëndim. Në xhep vizën zvicerane të punës. Të përkohshme. Që nesër do bëhem gastarbeiter sezonal.

Treni me të cilin do të nisem sapo kishte ardhur nga Beogradi. Kishte hyrë në platformë i mbushur plot me serbë nga të gjitha anët e Jugosllavisë së atëhershme, të cilët kishin marrë rrugën drejt Gazimestanit, të udhëhequr nga lideri i tyre, vozhdi i ri serb Slobodan Milosheviq.

Do të festonin 600-vjetorin e Betejës së Kosovës.

Do të shënonin 600-vjetorin e vrasjes së një sulltani dhe ngritjen në qiell të princit serb, Lazarit, bashkë me luftëtarë. E bashkë me to do të shënonin edhe ngritjen e Milosheviqit në pushtet dhe nënshtrimin e gjithë rajonit nga një Serbi e rënë verbërisht në dashuri me mitin që kishte sajuar për veten, si një komb hyjnor i zgjedhur nga Zoti për të sunduar në tokën e shenjtë të quajtur Kosovë.

Beteja e Kosovës, e nisur një ditë të largët qershori të vitit 1389, do të përmbyllet nga Slobodan Milosheviqi dhe serbët e tij 600 vjet më vonë. Lumenj gjaku do të rrjedhin, gra e fëmijë do të vriten, toka do të ujitet me gjak dhe varret do të mbushen me trupa burrash e djemsh.

Të gjitha këto dukeshin qartë në sytë e shumë prej atyre që zbritën nga treni, atë ditë qershori 1989, në platformën e Stacionit në Fushë-Kosovë.

Problem është se askush nuk i shikoi në sy. As atë ditë as më pas.

Derisa nuk u bë vonë.

Dhe lumenj gjaku rrodhën…

* * *

Të gjitha mund t’i kishim parë edhe më herët.

Kishte vite që Serbia - prej vdekjes së Josip Brozit, apo edhe më herët, në fakt - Kosovën e kishte shndërruar, gradualisht por sigurt, prej një pjese konstituive të Federatës jugosllave në “fjalën më të shtrenjtë serbe” dhe “Jerusalemin e serbizmit”. Autonomia e vitit 1974, e fituar nga shumica shqiptare pas dekadave të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare dhe përpjekjeve politike të matura, por të përhershme brenda një sistemi rigjid komunist, po hiqej tashmë me tanke dhe dhunë nga regjimi i Beogradit.

Do të nisë me gjendjen e jashtëzakonshme pas demonstratave të vitit 1981, për të vazhduar me protesta e ankesa të serbëve lokalë për “presion nga shqiptarët”, fushata mediale e manipulime politike, dhe do të vazhdojë me instalimin gradual të lojalëve serbë në krye të institucioneve politike e ushtarake në Kosovë dhe Jugosllavi.

Nuk do të kryejnë punë as protestat masive shqiptare, as grevat e minatorëve dhe të gjithë popullit në Kosovë. Saktësisht tre muaj para festës në Gazimestan, në mars të vitit 1989, pas një votimi të Kuvendit të Kosovës nën presionin e armëve, Serbia ia hoqi Kosovës autonominë.

Kur në Gazimestan u mblodhën mbi një milion serbë për të dëgjuar fjalimin luftënxitës të Milosheviqit, Serbia tashmë e kishte marrë Kosovën. Dhe ky ishte vetëm hapi i parë. Me të ashtuquajturin “revolucion antiburokratik”, Serbia mori nën kontroll edhe Malin e Zi dhe Vojvodinën, dhe ia kishte vënë syrin gjithë Jugosllavisë.

Prej Trigllavit deri në Vardar.

Dhe lumenj gjaku rrodhën…

***

Disponimi i masës së njerëzve, qindra e mijëra, që kishin vërshuar Stacionin e Trenit në Fushë-Kosovë, atë të martë, 27 qershor 1989, ishte fuqishëm antishqiptar. Të dekoruar me distinktivë nacionalistë e kokarda çetnike, disa prej tyre edhe me kama e ndonjë revole në brez, shumica nën ndikimin e rakisë së kumbullave, me tre gishta vazhdimisht të ngritur lart dhe duke kënduar këngë popullore serbe të rikomponuara e përplot me tekste antishqiptare, të tubuarit i klithnin liderit të tyre, profetit modern serb e Lazarit të ringjallur – Slobodan Milosheviqit.

Për nacionalistët e dehur, më pak nga pija e më shumë nga miti i ringjallur serb për Kosovën, shqiptarët ishin armiku, turku i sotëm. E me armikun duhet luftuar, kjo dihet. Po ashtu, dihet se në luftë armikun duhet vrarë e asgjësuar.

Kaq tha edhe profeti i tyre i rrejshëm, krimineli Milosheviq:

“Sot, gjashtë shekuj më vonë, ne sërish po luftojmë dhe po shohim luftëra. Këto nuk janë luftëra të armatosura, ndonëse edhe diçka e tillë nuk mund të përjashtohet”.

Luftërat e armatosura nuk u përjashtuan.

Dhe lumenj gjaku rrodhën...

* * *

Milosheviqi foli në Gazimestan për luftëra që duhej luftuar. Vetë ai do t’i niste katër – një blitz-krieg në Slloveni, luftë frontale në Kroaci, të pasuar nga lufta e përgjakshme katërvjeçare në Bosnjë-Hercegovinë, dhe, në fund, do të kthehet sërish në pikën nismëtare të krimit të tij, në Kosovë. Gjatë gjithë kësaj kohe, një armatë milionëshe, e planifikuar me vite dhe e ngjizur në Gazimestan, do ta përcjellë atë prej luftës në luftë, prej vrasjes në vrasje.

Gjurmët e mitit të konstruktuar serb për Betejën e Kosovës janë të dukshme në secilën viktimë të Kosovës, në çdo fyt të prerë, çdo bark të shpuar, çdo varrezë masive të mbushur, çdo fëmijë e grua të shuar.

Çdo masakër që pasoi, prej Vukovarit, Srebrencës dhe Zhepës e deri në Reçak, Izbicë e Mejë, dhe qindra të tjerat ndërmjet, e kanë të shënjuar në to shenjën e Betejës së Kosovës, ashtu si e sajuan të ketë qenë nacionalistët dhe shovinistët serbë, prej Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencës deri në zyrat qeveritare e presidenciale në Beograd.

Këtë gjë e kupton e gjithë bota, tashmë.

* * *

E, megjithatë, ka diçka që nuk shkon.

Edhe sot, kur njeriu dëgjon qeveritarët serbë nuk mund të mos vërejë tonet e njëjta sikur ato të fjalimit të Milosheviqit në Gazimestan.

Miti serb për Kosovën ende ushqehet nga zyrtarët në Beograd. Ende Kosova quhet “zemër e shtetit serb” dhe “Jerusalem i serbizmit”.

Ende për shqiptarët shkruhet me nënçmim, dhe përshkruhen si të ishin hordhi turke të shekullit të 14-të, që paskan ardhur prej shkretëtirave të largëta aziatike, për ta rrëmbyer një tokë të shenjtë që Zoti ua paska dhënë serbëve si dhuratë.

Tone të tilla në fjalime mund t’i dëgjojmë nganjëherë edhe në deklaratat pas takimeve diplomatike në kuadër të dialogut të Brukselit. Dhe kjo brengos më shumë sesa vetë miti.

Sepse, nuk është se nuk dihet çka ndodhi para 600 vjetësh në Fushën e Kosovës.

Madje janë të shumtë historianë serbë që e nxjerrin në pah se i gjithë konstrukti zyrtar serb për Betejën e Kosovës, peshën, rëndësinë dhe domethënien e saj për serbët dhe Serbinë, është një manipulim me histori, që nuk ka mbështetje në fakte. As nuk ishte kjo një betejë serbe me turqit, as nuk ishte kjo një përplasje biblike që ndërroi kursin e historisë.

Por problem është kur politika i ndryshon faktet të cilat nuk i përshtaten.

Kështu bëri politika serbe në shekullin e 19-të, në kohën e ndërtimit të shtetit kombëtar serb. Kështu bëri dhe politika serbe në fund të shekullit 20, në kohën kur modeli i bashkëjetesës së kombeve të rajonit në një shtet të përbashkët po shkonte drejt fundit të vet. Kështu vazhdon të bëjë politika e sotme zyrtare serbe.

Dhe kostoja e këtij manipulimi është e madhe, për të gjithë, përfshirë serbët.

Lumenj gjaku rrodhën që kjo të jetë e qartë sot.

Andaj dhe duhet dhënë fund këtij miti.

Faktet duhet ta ndryshojnë politikën, dhe jo anasjelltas.

Nëse duam që rrjedhja e gjakut të ndalet.

[email protected]