OpEd

Nisma e treshes

Mbase për herë të parë, pasi ia komplikuam vetvetes punën me nënshkrimin e Marrëveshjes së 2013-s, duket se nuk jemi të vetmit nën presion. Për herë të parë ekziston një kërkesë eksplicite, që thuajse ka qenë fjalë tabu për diplomacinë evropiane, për Serbinë: që ta njohë Kosovën edhe pa letra, por që është njohje që ia garanton integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror. E njëkohësisht, ia ndalon Serbisë aktivitetin e ngjeshur diplomatik për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë

E gjithë java u soll rreth të së njëjtës çështje: Brukseli, dialogu, çka tha Kosova e çka tha Serbia dhe në fund, vazhduam me të vjetrën, duke e “shijuar” edhe një shfaqje të cirkut parlamentar.

U bë një muaj nga sulmi terrorist në Banjskë dhe ende nuk ka asnjë lëvizje nga Evropa për dënimin e Serbisë qoftë me sanksione, qoftë me një fjalë goje. Thuajse krejt provat të cilat i ka shpalosur ministri i Brendshëm, Sveçla, në formë të serialit dokumentar, nuk mjaftojnë për të kuptuar urdhërdhënësin e aksionit terrorist.

Thuajse vetë fakti i arrestimit dhe i lënies në liri të Millan Radoiçiqit nuk mjafton për të kuptuar se kush qëndron prapa këtij krimineli pasanik, me vilë me pamje nga liqeni. Fakti më qesharak te Radoiçiqi është marrja e pasaportës. Thuajse ky ka udhëtuar në Kosovë me pasaportë apo thuajse një kriminel i sojit të tij nuk ka pasaporta të tjera, të ndonjë “shteti mik” të Serbisë, apo edhe ndonjë të falsifikuar.

Pra të gjitha këto detaje nuk mjaftojnë për t’u konstatuar fajësia, por pritet një raport i plotë - për hetimet që po i bën Policia e Kosovës, me përkrahjen, thuhet, të EULEX-it dhe KFOR-it. Nuk e di çfarë do të përmbajë hetimi i plotë, porse faktet janë aq evidente, saqë shtyrja e marrjes së masave ndaj Serbisë, në fakt është vetëm lojë për të fituar kohë dhe për të mos e humbur Vuçiqin si “partner”.

* * *

Ardhja e pesëshes javën e shkuar kaloi pa ndonjë deklaratë që do të tregonte se me çfarë dokumenti kishin ardhur konkretisht në takim me Kurtin, e më pas edhe me Vuçiqin. Sipas deklaratës së Kurtit, mund të nënkuptohet se bëhet fjalë për një draftstatut për Zajednicën, për të cilën me mijëra herë e kanë thënë ai dhe përkrahësit e tij se “nuk kalon”. Formulimi i djeshëm qe “po të miratohej, do të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese”. Natyrisht që do të shqyrtohej, sepse ashtu është paraparë me marrëveshjen e 2013-s. Dhe esenca është se për çfarë Zajednice bëhet fjalë? Nëse aso me kompetenca ekzekutive, pra këtë punë paskemi mundur ta kryenim para dhjetë vjetësh.

Përderisa është e kuptueshme heshtja diplomatike për procesin e dialogut, megjithatë vazhdimi i mbajtjes së mjegullës së dendur rreth kësaj çështjeje nuk i ndihmon popullit të Kosovës, në emër të të cilit po negociohet.

Deklarata e pardjeshme e Qeverisë së Kosovës, se Kosova është e gatshme të nënshkruajë edhe Marrëveshjen bazë, edhe aneksin e Ohrit e edhe dokumentin e pesëshes, po qe se edhe Serbia e nënshkruan, në fakt është lëvizje e mençur politike e diplomatike: për shkak se në këto rrethana, kur Serbia gjithsesi do t’i mbajë zgjedhjet lokale, e me gjasë edhe ato parlamentare në dhjetor, zor se do të ketë njeri në Serbi që do të nënshkruante çfarëdo në lidhje me Kosovën.

Dhe për ta vërtetuar këtë tezë shërben ruajtja e diskursit fashist të përfaqësuesve të shtetit serb, i cili u dëgjua nga Ana Bërnabiq, kryeministrja serbe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ta dëgjoje atë në atë natë ishte njësoj sikur e dëgjonim TV Beogradin në kohën e Millosheviqit. E vetmja gjë që i mungoi ta thoshte është se shqiptarët kanë bishta.

Po të njëjtin diskurs e përsërit edhe shefi i saj, Vuçiq, i cili thotë se nuk do ta nënshkruante kurrë njohjen e Kosovës dhe se do “të vazhdojë ta ruajë stabilitetin dhe të përkujdeset për popullin serb në Kosovë”. Me siguri me ndonjë përpjekje të re për një Banjskë tjetër.

Pra, takimet e së enjtes mes Kurtit me Scholzin, Macronin, Mellonin, Michelin, Borrellin dhe Lajçakun, e më pas edhe i Vuçiqit me po të njëjtit liderë e përfaqësues evropianë përfunduan, si zakonisht, me fajësimin e të dyja palëve nga, kush tjetër, pos Borrellit.

Borrelli tha se të dyja palët kishin vendosur shumë parakushte për arritjen e marrëveshjes, për pasojë të dyja palët janë përgjegjëse për ngecjen. E anashkaloi, si zakonisht, gatishmërinë e Kosovës për të vënë nënshkrim në dokumentet e përfolura. Sepse edhe Borrelli e di se Serbia nuk do të qiste asnjë nënshkrim as dje, as sot, e as para dhjetorit. Dhe, natyrisht, asnjë fjalë për sanksionimin eventual të Serbisë dhe heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

Kaq sa për parimësinë e duetit të përsheshit, Borrell e Lajçak.

* * *

Një lëvizje shumë interesante qe një deklaratë e përbashkët e Gjermanisë, Francës e Italisë që doli dje. Meqë nuk mund të pritej që BE-ja me shtetet mosnjohëse dhe me dy personazhet negative të gjithë kësaj sage të merreshin vesh për një qëndrim të përbashkët, timonin në dorë duket ta ketë marrë kancelari gjerman duke e siguruar përkrahjen e francezëve e italianëve.

Në letrën e publikuar, përmbledhur, synimi i kërkuar është që Kosova të nisë me themelimin e Asociacionit, kurse Serbia ta bëjë njohjen de facto të Kosovës.

Ajo që veçohet në këtë deklaratë është kërkesa e shtruar për herë të parë, që Serbia ta njohë Kosovën de facto si veprim i njëkohshëm me çështjen e Zajednicës, e cila me këtë rast nuk përkufizohet si “themelim”, por si “nisje e procesit për themelimin” që është një dallim thelbësor. Pra, hartimi, apo miratimi i “zgjidhjes moderne” siç e quajtën përfaqësuesit e pesëshes javën e shkuar në Prishtinë, kalimi i tij nëpër Kushtetuese (që është obligim nga 2013-a) dhe eventualisht themelimi, është proces i cili mund të marrë shumë kohë dhe të shërbejë si levë për t’u siguruar se Serbia po e plotëson pjesën tjetër të kërkesës së shtruar në këtë letër.

Mbase për herë të parë, pasi ia komplikuam vetvetes punën me nënshkrimin e Marrëveshjes së 2013-s, duket se nuk jemi të vetmit nën presion. Për herë të parë ekziston një kërkesë eksplicite, që thuajse ka qenë fjalë tabu për diplomacinë evropiane, për Serbinë: që ta njohë Kosovën edhe pa letra, por që është njohje që ia garanton integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror. E njëkohësisht, ia ndalon Serbisë aktivitetin e ngjeshur diplomatik për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.

Tash duhet luajtur mençëm. E sidomos do të duhej shfrytëzuar faktin eventual që Serbia të sanksionohet për Banjskën. Dhe më pas të insistohet në nënshkrimin e një marrëveshjeje me garanci ndërkombëtare, aty ku përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-së qesin nënshkrimin, që të shërbejnë si shkop kur karotat nuk bëjnë më punë.

* * *

Dhe përderisa e gjithë energjia jonë është kthyer nga dialogu, i cili na ka dërrmuar plotësisht dhe në të gjitha aspektet, në skenën e brendshme politike asnjë send nuk po ndryshon.

Kuvendi i cirkusantëve super të shtrenjtë vazhdon me stilin e përhershëm të shmangies së përgjegjësisë për votën e marrë. Për të tretën javë me radhë duhet përmendur bojkotimin e seancave parlamentare dhe përsëri nga shumica. Ende nuk e kam të qartë se përse refuzohet debati për temat që duhen të diskutohen, kur Kuvendi mund të miratojë, pos ligjeve, edhe rezoluta të cilat mund të jenë, por thuajse nuk janë kurrë, të detyrueshme për Qeverinë.

Përse duhet të heshtet për problemet reale me të cilat ballafaqohemi si shoqëri dhe nga ana tjetër përse përherë duhet ta kalojmë kohën duke parë se kujt i bie ndërmend ta qesë në rend dite një temë për të cilën opozita do ta kritikojë pushtetin e pushteti do ta injorojë atë, duke e ditur se prej këtyre llafeve nuk ka asnjë rezultat pozitiv që mund t’ia ndryshojë jetën qytetarit.

Ndërkohë problemet vazhdojnë të grumbullohen. Një mori ligjesh kanë përfunduar në Kushtetuese dhe jo pak sosh janë kthyer prapa me konstatime se një pjesë e përmbajtjes së tyre është kundërkushtetuese. Pra, përderisa hartuesit dhe amendamentuesit e këtyre ligjeve nuk e marrin për bazë dokumentin më të lartë juridik, nuk mund të pritet asnjë reformë e asnjë lloji, për shkak se ligjet mbesin të bllokuara në Kushtetuese ose duhen të kthehen në ribërje, që është proces më vete që merr kohë.

Në të njëjtën kohë, po shfaqen shkëndijat e para të pakënaqësive sociale për gjendjen ekonomike në të cilën gjendet Kosova. Kushdo që nuk do që ta pranojë se lëre që nuk dalim nga kriza, porse po futemi edhe më thellë në të, nuk mund ta kuptojë edhe revoltën e minatorëve të “Trepçës”, që u futën në grevë në minierë dhe protestën e paralajmëruar të policëve për shtesat e rrezikshmërisë që posa u propozuan dje nga Qeveria. Krahasuar me shtesat që i kishin marrë në të shkuarën, këto të propozuarat janë substancialisht më të ulëta dhe sinqerisht të pamjaftueshme. Posaçërisht kur bëhet fjalë për Njësinë Speciale të Policisë.

Për të satën herë duhet përsëritur se copëtimi i buxhetit në mijëra pagesa të vogla nuk e zgjidh problemin e varfërisë në Kosovë, e as nuk i jep mbështetje të mjaftueshme askujt për jetë të dinjitetshme. Përderisa nuk ka krijim të mirëfilltë të vendeve të punës dhe përderisa nuk ka prurje investimesh në industri a bujqësi për shembull, zor se do të ecim përpara. Nuk mundemi, sepse në të shumtën ekonomia jonë funksionon si para se të shpikej paraja. Ajo para që ka kohë që thuajse ka humbur nga tregu i Kosovës.

[email protected]