OpEd

Nisja e gjykimit të gjatë

Gjykimi do të jetë i gjatë, kjo tashmë është paralajmëruar. Të gjithë të huajt vazhdojnë të përsërisin se nuk po gjykohet UÇK-ja, por po gjykohen individë të lidhur për të, për krime të kryera në formë të organizuar, e për të cilat mund të mbajnë përgjegjësi komanduese. Mbështetur në ato që i thanë të akuzuarit, ashtu edhe po del në fund: me minimizimin që ia bëjnë ushtrisë dhe rolit të tyre në të, e minimizuan edhe ekzistencën dhe peshën e saj historike

Të dielën e shkuar, Prishtina u mbush me njerëz që u mblodhën për t’u dhënë përkrahje të burgosurve në Hagë. Me një marshim që numëronte shumë pjesëmarrës, të mbledhurit, nëpërmjet organizatorëve, donin të shprehnim pakënaqësinë e tyre me Gjykatën të cilën e quajtën të padrejtë. Po aq të padrejtë e quajtën edhe faktin se katër ish-eprorë të lartë të UÇK-së po mbaheshin në burg ka mbi dy vjet e gjysmë.

Megjithatë, kjo protestë erdhi së paku 7 vjet vonë. 82 deputetë e kishin votuar amendamentin e Kushtetutës, madje 28 sish të PDK-së, me të cilin u themelua Specialja. Ndër ta ishin edhe dy ish-komandantët e përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla e Agim Çeku. Shumica e këtyre deputetëve ka mundur shumë më herët ta votojë një ligj që do të parashihte një departament të veçantë për krime lufte ngjitur për Supremen. S’u bë departamenti, u bë Specialja. E fakti se pse selia e saj është në Hagë, është se të huajt nuk i kanë besuar sistemit tonë të drejtësisë. Fajin për këtë, natyrisht, e bartin strukturat që e kanë udhëhequr Kosovën që nga çlirimi.

Sidoqoftë, nisja e gjykimit, e cila u stërzgjat për shkak se Prokuroria speciale shfrytëzonte në maksimum afatet ligjore për një gjë të tillë, ndodhi të hënën më 3 prill.

Haga u mbush me gazetarë nga Kosova, rajoni dhe bota – po niste një gjykim ku eprorët e UÇK-së akuzoheshin për ndërmarrje të përbashkët kriminale me pasojë vrasjen, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërligjshëm, ndër të tjera. Gjithashtu, u mbush me shqiptarë që kishin ardhur të protestonin dhe të kërkonin lirimin e tyre. Pamjet nga kjo protestë, shumë e kujtonin periudhën e viteve ’90, kur shqiptarët në Perëndim protestonin kundër represionit dhe krimeve që Serbia ushtronte ndaj shqiptarëve në Kosovë.

* * *

Prokuroria speciale thotë se janë rreth 1000 dëshmitarë për krimet për të cilat akuzohen të të katërtit, kurse numri i atyre që pritet të dëshmojnë është reduktuar në 140. Ende sipas prokurorisë, shumica e viktimave ishin shqiptarë, “e që shiheshin nga të akuzuarit si tradhtarë e kundërshtarë politikë”.

Dita e parë e gjykimit, me një orar shumë strikt të menaxhuar nga kryegjykatësi, kishte paraparë paraqitjen e argumenteve të prokurorisë, me qëllimin e arsyetimit të aktakuzës së ngritur. Për dallim nga gjykimet e tjera të mbajtura në Hagë në ish-Tribunalin e moçëm, ky gjykim e solli një risi që nuk e kishim parë më herët: pos faksimileve të gazetave, letrave, procesverbaleve, komunikatave, etj., tash po i shihnim edhe shkëputjet nga intervistat që të akuzuarit ua kishin dhënë mediumeve kosovare viteve të fundit.

Analiza e secilës fjalë, secilit tekst a secilës deklaratë që u kishte rënë në dorë a në vesh la përshtypje mbresëlënëse. Pa hyrë në vlerësimin e kontekstit, fakti se gjithë atij materiali i ishte kushtuar kujdes që të mblidheshin detajet edhe më të vogla për ta argumentuar pretendimin, tregon se kjo gjykatë i ka hyrë kësaj pune shumë seriozisht. E serioziteti i saj është diçka që ky vend nuk ka parë në sistemin e vet gjyqësor shumë, shumë moti.

* * *

Dita e nesërme qe e rezervuar për fjalët hyrëse të dy të akuzuarve dhe avokatëve të tyre. I pari foli Hashim Thaçi dhe që në paraqitjen e parë e pranoi se themelimi i kësaj Gjykate në fakt kishte qenë punë të cilën ai e kishte shtyrë më së shumti: “Ne në Kosovë gjithmonë kemi mbështetur drejtësinë, e drejtësinë ndërkombëtare në veçanti. Kur raporti i Dick Martyt para 13 vjetësh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, edhe populli i Kosovës, gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”.

Porse ky do të ketë qenë kalkulimi i gabuar i Thaçit, kur pas dështimit të votimit të ndryshimeve kushtetuese që do ta themelonin Specialen, më 26 qershor 2015, do të shkruante në FB: “Nga mosdija dhe patriotizmi i rrejshëm, ata deputetë që votuan kundër bënë gabim trashanik në dëm të interesit shtetëror. HTH”.

Kalkulimi i tij i gabuar qe se raporti i Martyt nuk merrej vetëm me trafikim organesh. Madje pjesa e parë e titullit të raportit quhet “Inhuman treatment of people” – Trajtimi çnjerëzor i njerëzve. Dhe nëse vërtet Thaçi ishte këshilluar që ta themelonte një gjykatë ndërkombëtare, është dashur ta dinte se do të kishte gjasa që të akuzoheshin të gjithë ata të përmendurit në këtë raport, pikërisht për trajtimin çnjerëzor që do të mund të llogaritej edhe si krim lufte.

E sidomos kur kihet parasysh edhe këtë që e tha në fund të paraqitjes: “Unë besoj te Tribunali i Hagës, UNMIK-u, EULEX-i dhe Dhomat e Specializuara. Unë jam intervistuar nga këta mekanizma, qoftë në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit. Çdo bashkëpunim imi me të gjithë këta akterë ndërkombëtarë ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent, qoftë në Prishtinë, qoftë në Hagë.

E në fakt, nuk ka qenë fare transparent. Derisa ka mbajtur postin e kryetarit ai është marrë në pyetje disa herë në Hagë dhe këto kanë qenë udhëtime dhe marrje në pyetje sekrete. Logjikisht, konkludohet se nëse ka qenë i dyshuar edhe më herët, para Hagës, dhe se atëherë nuk ishte iniciuar asnjë procedurë ndaj tij, gjasat janë se do të ketë besuar se as kjo gjykatë nuk do të merrej me të.

* * *

Pa dyshim se është shumë lajm i mirë që trafikimi i organeve është hequr nga aktakuza. Pavarësisht se do të mund të lidhej ose jo për individë, do të ishte barrë e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe për Kosovën në veçanti. Prej viktimave të disa dhjetëra masakrave, dëbimit dhe të shkatërrimit, do të shndërroheshim në përbindësh. E të tillë nuk jemi!

I dyti me radhë qe Kadri Veseli, por ky zgjodhi të mos deklarohej. Këtë detyrë ia la avokatit të tij. Dhe mbase veproi me mend. Nëse prokuroria u ka kushtuar aq shumë kujdes detajeve që u paraqitën ditën e parë, çfarëdo që do të thuhej edhe në fjalën hapëse do të mund të merrej si deklaratë, lehtësuese a rënduese, nuk dihet.

Avokati i Veselit, Emmerson, e tregoi kahun e mbrojtjes së tij: se UÇK-ja nuk kishte pasur strukturë të mirëfilltë organizative dhe se në fakt nuk mund të ketë përgjegjësi komanduese. “Dëshmitar pas dëshmitari në proceset e mëparshme të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi e kanë përshkruar strukturën e pushtetit në UÇK si një strukturë që në thelb ishte horizontale dhe jo vertikale, ku komandantët e zonave, madje edhe komandantët lokalë, ushtronin nivele shumë të larta autonomie”.

Mirëpo, fjala hyrëse e akuzës që i kishte bërë superanalizë të gjitha dokumenteve të gjetura, sidomos në shtëpinë e Jakup Krasniqit, mundohej ta argumentonte pikërisht të kundërtën: se ka pasur strukturë, se ka pasur trup që ka marrë vendime në emër të të gjithë komandantëve të zonave dhe se ka pasur kontakte të shpeshta mes anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave të zonave operative.

* * *

Folësi vijues qe Rexhep Selimi. Një pjesë e deklaratës së tij qe shumë indikative: “Në ato ditë të rënda për Kosovën, vazhduam të rezistonim, ashtu siç dinim e ashtu siç mundnim, donim ta kishim edhe në një ushtri të armatosur mirë, por nuk ia arritëm ta armatosnim si duhet. Donim edhe ne ta kishim një ushtri të organizuar mirë, por nuk e arritëm ta organizonim siç do të duhej, donim edhe ne ta mundnim Serbinë, por nuk e arritëm këtë, pa ndihmën e shteteve nga jashtë, u munduam të organizohemi, të armatosemi, por nuk ia arritëm, u munduam ta bënim këtë për të mbijetuar si njerëz të vendit ku kishim lindur”.

Do të kujtojmë se një nga skandalet më të mëdha që shpërtheu më 2018 kishte të bënte me veteranët e rrejshëm. Atëbotë ishin paraqitur madje mbi 60 mijë njerëz për ta fituar statusin e veteranit, kurse aktualisht janë mbi 40 mijë sish që marrin pension veterani. Përvoja ime nga terreni gjatë luftës e vërteton në masë të madhe këtë që e thotë Selimi, se ushtria nuk ka qenë e madhe, se nuk ka qenë e organizuar si duhet, sepse të krijonte bindjen se kishte më shumë komandantë sesa ushtarë, dhe se nuk ka pasur kaq numër të madh ushtarësh. Sepse po të ishte i njëmendtë numri i veteranëve, mbase rezistenca do të ishte edhe më e fuqishme.

Por pikërisht njerëzit që i mbetën besnikë UÇK-së nga fillimi deri në fund, pa dezertuar, është dashur të ishin të parët që do ta kundërshtonin këtë numër. Sepse nuk i bënin asnjë favor Kosovës kur gënjenin se aq shumë njerëz ishin mobilizuar për të luftuar apo për të ndihmuar luftën në një formë a tjetrën.

Në fund, po shihet se nuk i bënë favor as UÇK-së, prijës të së cilës ishin. E as vetes, ngase tash duhet t’i mohojnë faktet që vetë i kanë krijuar, e që në emër të mbrojtjes, i quajnë propagandë.

* * *

I fundit u paraqit Jakup Krasniqi. Fjalimi i tij qe shumë më i gjatë se që ishte paraparë. Secilit të akuzuar i ishin dhënë nga 5 minuta kohë për t’u shprehur. Krasniqi foli 30 minuta. Dhe sinqerisht bëri mirë: pas akuzës që mori një ditë të tërë, mbrojtja prej pesë minutash është tepër e shkurtër dhe nuk është e balancuar. Fundja, akuza është ngritur edhe kundër tij. Pesë minuta nuk do të mjaftonin as për një këngë festivali, e lërë më për mbrojtjen e vetes.

Se a ka qenë patetik apo jo fjalimi i tij, fare nuk është me rëndësi. Ajo që u bë evidente është se emocionalisht, Krasniqi u tregua më i brishti nga të katërtit. Mbase për shkak se është i vetmi që u gjend në burg sërish, pas tridhjetë vjetësh.

* * *

Gjykimi do të jetë i gjatë, kjo tashmë është paralajmëruar. Të gjithë të huajt vazhdojnë të përsërisin se nuk po gjykohet UÇK-ja, por po gjykohen individë të lidhur për të, për krime të kryera në formë të organizuar, e për të cilat mund të mbajnë përgjegjësi komanduese.

Mbështetur në ato që i thanë të akuzuarit, ashtu edhe po del në fund: me minimizimin që ia bënë ushtrisë dhe rolit të tyre në të, e minimizuan edhe ekzistencën dhe peshën e saj historike.

Dhe kështu hapën rrugë që të mbrohen secili për vete. Ashtu siç duket se kanë vepruar kur u morën në pyetje para se të akuzoheshin.

[email protected]