Nëse Qeveria nuk zhvillon politika më përparimtare për zonat e tyre, atëherë në të vërtetë parqet industriale do të ngelin në industri të prapambetura dhe jokonkurruese. Mosmenaxhimi i duhur ndikon që këto parqe do të mbeten të pazhvilluara dhe do të rezultojnë me pamundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen nr.07/200 të datës 18.4.2024, bazuar në nenin 6 të Ligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike, themeloi parkun industrial dhe teknologjik me emërtimin Park i Përgjithshëm në Komunën e Podujevës.
Në shtetet e zhvilluara në krahasim me ato në zhvillim, për të siguruar një zonë ekonomike – park industrial dhe teknologjik, duhet analizë diferencuese dhe kalimin në disa faza lidhur me përcaktimin e territorit se ku do të ndërtohet parku, studime të fizibilitetit, sa do të zvogëlojë numrin e të papunëve në atë rajon, sa do të sigurohet infrastruktura, rritja në kontestin socio-ekonomik etj., do të thotë për ndërtimin e një parku industrial duhet një kohë e gjatë dhe e menduar mirë. Në nivelin e politikës publike, parqet industriale promovojnë zhvillimin e reformave gjithëpërfshirëse të politikes ekonomike duke shërbyer si ‘’valvule presoni’’ për papunësinë dhe katalizator për zhvillimin ekonomik.
Nga gjithsej dhjetë (10) parqe industriale vetëm katër (4) janë të funksionalizuara plotësisht dhe të populluara me shfrytëzues si Parku i Biznesit në Drenas (2010), Parku i Biznesit në Mitrovicë (2012), Parku Teknologjik në Shtime (2013) dhe Parku Industrial në Shirokë (2017). Parku Industrial i Mitrovicës (2014) është i funksionalizuar, mirëpo nuk ka biznese të interesuara për të zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik në këtë park. Ndërsa pesë (5) parqe të tjera janë komplet jashtë funksionit si zona agro - industriale në Suharekë (2015), Parku Industrial në Lipjan (2016), Parku Industrial në Viti (2017), Parku Industrial në Vushtrri (2018), Zona Ekonomike Opterushë- Rahovec (2022).
Karakteristikë e moszhvillimit të parqeve industriale është mungesa e politikave ekonomike, si Plani Kombëtar për Parqet Industriale dhe Strategjia për Zhvillimin e Parqeve Industriale dhe Teknologjike.
Plani kombëtar për Parqet Industriale dhe Teknologjike është ‘’klauzolë gjenerale’’ për krijimin dhe zhvillimin e parqeve industriale. Strategjia për Zhvillimin e Parqeve Industriale si doktrinë do të siguronte sukses afatgjatë në caktimin e objektivave strategjike për numrin e parqeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në rregullimin e tyre dhe zhvillimin e parqeve të reja, në zona të caktuara me interes për qeverinë dhe investitorin.
Në mungesë të Planit Kombëtar dhe Strategjisë për zhvillimin e parqeve industriale është fakt notor se të gjitha parqet industriale në Kosove janë themeluar ad hoc. Plani kombëtar dhe strategjia nuk u miratuan asnjëherë, dhe të gjitha parqet industriale që janë themeluar deri më tani nuk kanë bazë të mirëfilltë të krijimit të tyre, pasi nuk ekziston një plan ku mund të mbështeten për themelimin dhe administrimin e tyre, shkak edhe për moszhvillimin dhe më shumë se pesë (5) prej tyre të dështuara. Njëjtë u veprua edhe me Parkun e Përgjithshëm në Komunën e Podujevës.
Ligji nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, neni 6 parasheh që Qeveria mund të ndryshojë ose të shfuqizojë vendimin për themelimin ose të shpërbëjes në parkun industrial brenda dy (2) vjetëve nga themelimi edhe shpërbërja nëse nuk shfrytëzohet brenda pesë (5) vjetëve nga themelimi, në mënyrë që të ndryshojë gjendja e satus quo-së së parqeve ekzistuese.
Nëse Qeveria nuk zhvillon politika më përparimtare për zonat e tyre, atëherë në të vërtetë parqet industriale do të ngelin në industri të prapambetura dhe jokonkurruese. Mosmenaxhimi i duhur ndikon që këto parqe do të mbeten të pazhvilluara dhe do të rezultojnë me pamundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja. Së pari është e rëndësishme të ndahen ‘’përkrahjet politike’’ nga ‘’objektivat politike’’ për projektet në zhvillimin e parqeve industriale. Megjithëse është e nevojshme angazhimi i fortë nga qeveria, projektet duhet te hartohen me kujdes në bazë të planeve të qarta strategjike.
Është detyrë e Qeverisë në bashkëpunim me komunat të harmonizojnë planet e tyre hapësinore në Planin kombëtar për zhvillimin e parqeve industriale dhe hartimin e Strategjisë për zhvillimin e parqeve industriale dhe teknologjile.
(Autorja është eksperte e Rregullativës së Investimeve të Huaja Direkte)