OpEd

Nga Sarajeva në Banjskë

Konstatimi i profesorit të historisë në Universitetin e Potsdamit/Gjermani, Manfred Gortemaker se "pa njohuri themelore të ngjarjeve të rëndësishme të shekullit XIX, nuk mund të arrihet një kuptim i thellë i botës sonë bashkëkohore", vlen gjithashtu për rëndësinë e vlerësimit të ngjarjeve të fundit në Kosovë, të agresionit serb në Banjskë. Edhe sot, kur politikat kombëtare, si dhe ato evropiane dhe ndërkombëtare përballen me sfida të mëdha në Evropën Juglindore, ngjarja në Banjskë nuk mund ta humbë peshën e saj në asnjë moment, veçanërisht për Kosovën dhe rajonin.

Disa nga problemet e sotme në këtë rajon të Ballkanit kanë lidhje të drejtpërdrejta me sjelljen e Serbisë në fillim shekullin 20, në luftërat ballkanike 1912/13, veçanërisht përfshirjen e saj në vrasjen e trashëgimtarit austro-hungarez Franc Ferdinandi dhe bashkëshortes së tij Sofi, megjithëse kjo ngjarja daton 109 vjet më parë. Serbia, duke njohur rivalitetin austro-hungarez dhe rus, gjatë gjithë kohës shkaktonte turbullira në rajon me qellim që të përfitonte në kurriz të përkrahjes ruse. Ishte pikërisht ashtu siç e kishte deklaruar presidenti amerikan, Woodrow Willson, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), të cilit i referohet në librin e saj “Paris 1919” historiania e njohur, Margaret Macmillan, “serbët janë një popull turbullues!”

Sarajeva dhe Banjska, një analogji

Vrasja e princit të Austro-Hungarisë, më 28 qershor 1914, ishte një goditje e radhës provokuese që Serbia i bëri Vjenës me qëllim destabilizimin e situatës në Bosnjë. Duke dashur të ruante prestigjin e dëmtuar, Austro-Hungaria i dërgoi ultimatum Serbisë përmes të cilit i kërkonte këto masa brenda 48 orëve:

Shkatërrimin e grupeve nacionaliste serbe, shkarkimin e oficerëve kryesorë të ushtrisë, arrestimin e figurave politike drejtuese dhe të drejtën që Austro-Hungaria t’i zbatonte këto masa deri në fund. Serbisë iu kërkua të përballë me pasojat. Princi regjent serb Pjetër dhe ministrat e tij u tronditën thellë nga ashpëria e ultimatumit të Vjenës. Megjithatë, varësit ishin nacionalistë sllavë me lidhje në Serbi.

Por, qeveria serbe pretendonte se atentatorët ishin nënshtetas të Perandorisë Austro-Hungareze dhe vrasja kishte ndodhur ne tokën austro-hungareze.

Në dëshpërim e sipër, princi serb i telegrafoi lutjen carit rus: “Ne nuk jemi në gjendje të mbrojmë veten, ndaj i lutemi Madhërisë suaj të na vijë në ndihmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Dashamirësia shumë e lavdërueshme që Madhëria juaj ka treguar shpesh ndaj nesh na mbush me besim të patundur se edhe këtë herë thirrja jonë ndaj zemrës fisnike sllave nuk do të bjerë në vesh të shurdhur.”

Ultimatumi i ashpër austro-hungareze ishte llogaritur drejt për të kërkuar ndëshkimin për vrasjen dhe për të garantuar sigurinë e ardhshme të Austro-Hungarisë.

Meqë Beogradi refuzoi t’i përmbushte kërkesat e ultimatumit, më 28 korrik Austro-Hungaria i shpalli zyrtarisht luftë Serbisë. Një pjesë e historianëve aksionin e Vjenës e shohin si hap të nxituar. Sidoqoftë, Serbia arriti që në këtë valle ta fuste edhe Rusinë. Turmat ruse marshuan rrugëve të Shën Petersburgut duke brohoritur “Poshtë Austria” dhe “Rroftë Serbia”.

Ndërsa ministri i jashtëm rus Sasanov i nxehur i tha ambasadorit austro-hungarez Szapari: “Ju po i vini zjarrin Evropës.” Sazanovi ishte xhindosur sidomos nga metodat e Bertholdit: afati i shkurtër kohor, kërkesat poshtëruese dhe nëpërkëmbja e sovranitetit të Serbisë. Këto perceptime ruse sollën hapin tjetër logjik të Rusisë: mobilizim ushtarak. Ky veprim nga ana e Rusisë synonte të frenonte Austro-Hungarinë për të sulmuar Serbinë.

Ngjarja në Banjskë

Pas agresionit shtetëror në Banjskë më 24 shtator, kur u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, sjellja e qeverisë së Serbisë ka qenë tipike, e njëjtë si një ngjarjen e Sarajevës, mohimi se agresorët janë qytetarë të Serbisë dhe takimi i menjëhershëm dhe demonstrativ i ambasadorit rus në Beograd.

Reagimi i ashpër i Kosovës ishte llogaritur drejt për të kërkuar ndëshkimin për vrasjen e policit kosovar dhe për të garantuar sigurinë e Kosovës. Ndërsa reagimit të NATO-s dhe të BE-së, presidenti serb iu përgjigj po në të njëjtën mënyrë si princi serb ndaj Austro-Hungarisë, se nuk pranon dorëzimin e agresorëve dhe as hetimet lidhur me përfshirjen e mundshme të shtetit serb.

Presidenti i Serbisë në adresimin e tij lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë, tha se autorët që morën pjesë në sulmin afër Banjskës “nuk ishin serbët e Serbisë, por serbët e Kosovës” dhe se “u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më “terrorin e qeverisë së Kosovës.”

Ngjashëm siç veproi princi Pjetër 109 vjet më parë, edhe presidenti i Serbisë, vrapoi për ndihmë te Rusia. Një ditë pas sulmit të armatosur ndaj policit të Kosovës, ai nxitoi ta takonte ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.

“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiq më 25 shtator, pa dhënë detaje të tjera nga takimi. Por, edhe pse ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhej fjalë, mesazhi krejt i ngjashëm me atë të princit Pjetër dërguar Rusisë për ndihmë kundër Austro-Hungarisë.

Ndërsa në kërkesën e Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar për të bashkëpunuar në hetimin e ngjarjes në Banjskë, presidenti serb në një intervistë për SkyNews deklaroi nuk do të ekstradojë në Kosovë liderin e grupit terrorist serb, Millan Radoiçiq.

“Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiqin në Prishtinë, sepse ne nuk e njohim Kosovën”, ka thënë presidenti serb, duke sfiduar edhe një herë bashkësinë ndërkombëtare se në rast trysnia, ai do të përfundojë në prehrin e ortodoksisë ruse.

Në këtë linjë ka qenë edhe reagimi rus, ashtu si dikur, edhe tani shteti rus ka qenë në mbrojtje të Serbisë. “Ai (Vuçiq) është i shqetësuar edhe për situatën që po krijohet në rajonin e tij, rreth Serbisë. Ne ndajmë këtë shqetësim”, ka thënë presidenti rus Putin. Kurse, ambasadori rus në debatin për Kosovën në KS të OKB-së deklaroi: “Kemi shumë pikëpyetje për ngjarjet në Banjskë, e gjithë situata iu la në dorë shqiptarëve të Kosovës që çoi në këtë përfundim tragjik. Perëndimi nuk priti për hetime, por menjëherë i quajtën sulm të tmerrshëm”.

Kjo analogji dëshmon qartë se Serbia, ngjashëm si njëqind vjet më parë, provon ta përdorë si faktor Rusi si kërcënim për rajonin dhe Perëndimin. Pra, është e qartë se është Beogradi që po pengon dialogun e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi dhe se Perëndimi duhet që përfundimisht t’i rezistojë kësaj qasjeje abstraksioniste, nëse dëshirohet të shmanget mundësia që të përsëritet skenari i sulmit të armatosur si në Banjskë, atëherë Beogradi duhet të sanksionohet. E ardhmja e rajonit nuk mund të mbahet peng dhe as vihet në pikëpyetje për shkak të sjelljes turbulluese të Serbisë. Duke lënë mënjanë analogjinë e lartpërmendur, duhet pranuar se njohuria ngjarjeve të rëndësishme të fillimshekullit XX, na lehtëson të kuptojmë më thellë dhe më saktë se projekti për shtetin e madh serb nuk ka vdekur, madje viteve të fundit, për shkak të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtar, fituar shpejtësi nën platformën e koduar politike “bota serbe.” Prandaj, nëse elita serbe pa hezitim vazhdon të sfidojë Kosovën, rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare, ajo nuk mund të qetësohet me asociacion “modern evropian”, sepse, thënë me fjalët e Willsonit, ajo do të bëhej një “shtet i harbuar”, por duhet të demonstrohet më shumë gatishmëri ndërkombëtare që të ndërmerren masa ndaj Serbisë turbulluese dhe ngatërrestare.