Apo, si të premtosh parajsën në tokë e të realizosh varfëri, izolim e krim?
Ende pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike po përballen me së paku dy probleme banale: si ta gjejnë një moto unike të fushatës dhe me çfarë premtimesh të dalin para zgjedhësve, duke marrë parasysh se shumë është premtuar e pak është realizuar gjatë këtyre viteve? Por, cilat ishin premtimet madhore të cilat nuk u realizuan kurrë as pas një dekade?
Shëndetësia dhe pensionistët
“Sigurimin shëndetësor do ta bëjmë prioritet në qeverinë e ardhshme dhe do ta realizojmë në një afat prej dy vjetësh”, premtonte në nëntor të 2007-s Hashim Thaçi, -ish kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, duke vazhduar se “do të punoj në reformim rrënjësor të shëndetësisë, si dhe do t’u mundësoj pensionistëve barna falas, që ata të mos kenë nevojë që të zgjedhin në mes bukës dhe barnave”.
Kur Kadri Veseli, kryetari i ri i Partisë Demokratikë të Kosovës, vizitoi pensionistët në fillim të kësaj jave, vështirë të ketë takuar ndonjërin nga ata pensionistë që dhjetë vjet më parë i ishin gëzuar premtimit të PDK-së për “barna gratis”. Ata nuk kanë mundur të prisnin një fillim të ri. Ndër ta as Fatmir Fehmiu, kryetar i pensionistëve para dhjetë vjetësh, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Sot pensionistët paguajnë për barna më shtrenjtë se dhjetë vjet më parë, falë edhe ndryshimeve fiskale që ndodhën më 2015, kur TVSh-ja në barna u rrit nga zero në 8%.
Dhjetë vjet pas dhënies së premtimit, kosovarët edhe më tej nuk kanë sigurime shëndetësore, ani pse një ligj i cili garanton sigurimet shëndetësore është në fuqi tani e tre vjet. U tha se me sigurime shëndetësore përfundimisht do të fillohej në janar të 2017-s, por që u shtynë për në korrik të 2017-s, e tash vështirë se do të fillojnë në janar të 2018-s. Dhjetë vjet pas premtimit për reforma rrënjësore në shëndetësi, PDK-ja po kërkon një mandat të katërt dhe një fillim të ri, duke i dhënë prioritet shëndetësisë.
“Betohem para jush se do të punoj me shpirt që juve t’ju kthehet dinjiteti. Do të keni lehtësira edhe në shëndetësi. Ju do të merrni nga 100 euro në muaj falas vetëm për barna”, u premtonte pensionistëve kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, në dhjetor të 2010-s, në sallën e stërmbushur të Kinemasë ABC në Prishtinë. Pak ditë nga dhënia e këtij premtimi, koalicioni të cilit i printe Pacolli hyri në bashkëqeverisje me PDK-në, duke marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Por, pensionistët nuk i panë asnjëherë ato “100 euro falas”, e as nuk gëzuan shërbime më të mira shëndetësore nga ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili këto zgjedhje i përcjell si i akuzuar i prokurorisë në “aferën e stentave”.
Liberalizimi i vizave
“Liberalizimi i vizave nuk do të marrë as 15 muaj”, premtonte kryetari i PDK-së në dhjetor të 2010-s, kur u kërkonte banorëve të Llapushës votën për “integrime euroatlantike”, pak ditë pasi u kishte premtuar qytetarëve edhe heqjen e vizave për në SHBA. Me gjithë atë se eurodeputetja Ulrike Lunacek bënte thirrje që të mos përmendeshin data sa i përket liberalizimit të vizave, Hashim Thaçi dhe anëtarë të tjerë të partisë së tij vazhdonin t’u premtonin qytetarëve liberalizim vizash brenda 15 muajsh.
“Teknikisht Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave dhe Komisioni Evropian në verë të 2014-s do të japë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave”, thuhej në programin zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 2014-s, duke vazhduar se në mandatin e ri të PDK-së do të punohet edhe në uljen e migrimit ilegal. Gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 2014-s dhe pas arritjes së koalicionit qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së, rreth 100 mijë qytetarë emigruan jashtë vendit dhe ky eksod ktheu Kosovën edhe një herë si top temë në mediat ndërkombëtare, pas eksodit të luftës së 1999-s.
E me gjithë atë se Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për liberalizimin e vizave në fillim të majit 2016, sot kosovarët e kanë shumë më të vështirë që të pajisen me vizë Shengen sesa viteve të mëhershme. Më 2015 viza iu refuzua mbi 15 mijë aplikuesve kosovarë, kurse më 2010 viza iu refuzua më pak se 10 mijë aplikuesve.
Krijimi i vendeve të reja të punës
“Rritja ekonomike vjetore do të jetë së paku 7%, duke përgjysmuar varfërinë dhe duke krijuar 120 mijë vende të reja të punës”, thuhej në programin zgjedhor të AKR-së për zgjedhjet parlamentare të 2010-s. Pas zgjedhjeve, AKR-ja hyri në koalicion qeverisës me PDK-në, dhe përveç dy posteve të zëvendëskryeministrave për ekonomi, mori edhe udhëheqjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe më vonë edhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Por gjatë tre vjetëve të mandatit qeverisës PDK-AKR, rritja vjetore ekonomike nuk kaloi asnjëherë mbi 4% dhe për tre vjet, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, u punësuan rreth 28 mijë persona, apo më pak sesa punësimi i premtuar brenda një viti.
“Do të krijojmë 120 mijë vende të punës”, thuhej në programin zgjedhor të LDK-së në fushatën e vitit 2014. Në çdo debat zgjedhor anëtarët e LDK-së thoshin se premtimi për 120 mijë vende të reja të punës është më real sesa premtimi i PDK-së për 200 mijë vende të reja të punës. E kur PDK-ja premtonte 200 mijë vende të reja të punës, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregonin se në Kosovë janë “vetëm” 177 mijë të papunë.
Përfundimi i koalicionit qeverisës LDK-PDK në maj 2017 e gjeti Kosovën me 332 mijë të punësuar, apo vetëm 8 mijë veta më shumë sesa më 2014, kur këto dy parti hynë edhe në një koalicion qeverisës. Ish-partnerët e koalicionit tash akuzojnë njëri-tjetrin për dështime në ekonomi, ani pse Qeveria udhëhiqej nga LDK-ja e Ministria e Zhvillimit Ekonomik nga PDK-ja.
E ata të cilët u premtonin votuesve më 2007 një Kosovë si “Luginë silikoni”, anëtarësim të Kosovës në OKB brenda një viti, liberalizim vizash jo vetëm me Evropë, por edhe me Amerikë, punësim më shumë sesa që ka të papunë, ata tash po kërkojnë një fillim të ri, për ta bërë Kosovën herë si Zvicra e herë si Gremja e Ferizajt.
Andaj, më 11 qershor, nëse për asgjë tjetër, voto për të ndëshkuar. Për të ndëshkuar ata, të cilët tani e dhjetë vjet premtojnë parajsën, kurse ju japin vetëm varfëri, izolim, korrupsion. Është në dorën e qytetarëve që të kërkojnë një fillim të ri për vetveten, apo t’iu sigurojnë një fillim të ri kapësve të shtetit dhe shitësve të pallavrave.