Ç’është e vërteta, në postën time pas dy apo tri ditësh arriti një nga ato zarfet e vogla të mbrojtura nga qeset e mbushura me celula ajri përbrenda zarfit. Shtetin e origjinës nuk dëshiroj që ta zbuloj. E hapa zarfin. Brenda në zarf ishte një bllok i vogël i zi, me kopertina ashtu pak më të trasha, asi materiali sikur një lëkurë e rrejshme artificiale. E hapa atë bllok... Kur fillova së lexuari, kuptova se ai ishte i ndarë me data dhe ditë të sakta, dhe se në fakt ishte itinerari i një kryeministri
Ishte ditë vikendi kur papritur pranova telefonatë direkt në messengerin e Facebookut.
Nga emri dhe mbiemri i personit që po më thërriste mund të kuptoja se bëhej fjalë për ndonjë profil të rremë me emra të improvizuar simpatikë.
Vendosa të mos lajmërohesha e thashë me vete sigurisht i ka rënë gabimisht. Më ka ndodhur edhe mua ta prek atë ikonën e telefonit pa dashje.
Mirëpo thirrja u përsërit edhe për herë të dytë. Tashmë u binda se kjo thirrje nuk ishte e rastësishme apo gabim, kështu që vendosa të lajmërohesha.
- Alo, urdhëroni!
- Ambasador, ne nuk njihemi, mirëpo kam diçka shumë të rëndësishme për t'ju përcjellë.
- He, për çka bëhet fjalë? Si mund t’ju ndihmoj, iu përgjigja?
- Ambasador, në dorë kam diçka shumë të rëndësishme për opinionin publik shqiptar kosovar, dhe ti je personi i vetëm të cilit do t'ia besoja që t'ia dërgoja dhe në asnjë moment nuk dyshoj në vlerësimin tuaj të drejtë se çfarë duhet bërë me atë informatë më tutje, më tha personi nga ana tjetër e lidhjes.
- Të faleminderit për vlerësimin, ma nis me e-mail dhe e shoh se për çka saktësisht po bëhet fjalë.
- Jo tha, nuk niset me e-mail, është objekt i vogël material, më duhet t'jua nis në adresë postare.
- Epo mirë i thashë, shënoje atëherë, 6 Chalfont Court, “236 Baker Street”, NW1 5RS, London, United Kingdom.
- Të faleminderit ambasador, do t'jua nis menjëherë me postë të shpejtë.
Kaq zgjati biseda jonë. Ajo çfarë ishte interesant ishte se këtë profil të rrejshëm unë e kisha pasur aty në mesin e miqve në Facebookun tim, mirëpo i cili profil kurrë asnjëherë nuk kishte komentuar apo pëlqyer ndonjë status, foto apo koment timin, por si duket vetëm paska qenë vrojtues pasiv. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai profil u mbyll dhe u zhduk nga faqja e dheut.
Ç’është e vërteta, në postën time pas dy apo tri ditësh arriti një nga ato zarfet e vogla të mbrojtura nga qeset e mbushura me celula ajri përbrenda zarfit. Shtetin e origjinës nuk dëshiroj që ta zbuloj.
E hapa zarfin. Brenda në zarf ishte një bllok i vogël i zi, me kopertina ashtu pak më të trasha, asi materiali sikur një lëkurë e rrejshme artificiale. E hapa atë bllok.
Ishte i shkruar me dorë me një shkrim me shkronja të cilat ishin të lakuara në njërën anë, por me një simetri e cila përcillej shkronjë pas shkronje, rresht pas rreshti.
Nuk e mora mundin të lexoja se për çfarë bëhej fjalë saktësisht. E thashë me vete e lexoj sonte kur të ketë përfunduar dita dhe obligimet e mia të asaj dite.
Ashtu edhe veprova. Kur u bëra gati që të shtrihesha në mbrëmje, e mora bllokun e vogël të zi në shtrat me vete, në mënyrë që të shoqërohesha me të para se të më zinte gjumi.
Kur fillova së lexuari kuptova se ai ishte i ndarë me data dhe ditë të sakta, dhe se në fakt ishte itinerari i një kryeministri.
Duke i kuptuar peshën dhe rëndësinë e informatave, të cilat i kisha në dorën time, vendosa që ato t’i ndaja me publikun kosovar.
Nga këto informata do të përfitojnë shumë analistë, si dhe redaktorë emisionesh të debateve politike në Kosovë, e të cilët nuk janë të paktë. Do të kenë kohë që qysh tash t’i caktojnë temat dhe mysafirët e tyre në studio varësisht nga itinerari i një kryeministri, të cilin, unë, në mungesë të transparencës qeveritare do ta publikoj në Ditarin tim. Është obligim i imi profesional e edhe qytetar, nga i cili nuk largohem në asnjë moment.
Për disa pjesë të itinerarit, të cilat veçse kanë ndodhur, nuk do t’jua humb kohën me to, pasi që ato udhëtime veçse kanë ndodhur dhe kemi informata të shumta nga mediat, portalet dhe debatet e shumta në lidhje me ato vizita. Unë do të përqendrohem në ato të cilat ende nuk kanë ndodhur dhe pritet që të ndodhin në një të ardhme të afërt.
23 gusht 2021
Jam i ftuar në Tokyo të Japonisë, ku me ftesën e Yasuhiro Yamashita, i cili është president i Komitetit Olimpik japonez, mua më jepet nderi që ta bëj ndezjen e flakadanit olimpik, me të cilin pastaj do të ndizet flaka qendrore në stadiumin olimpik të Tokyos. Pas hapjes solemne të Lojërave Olimpike, jemi të ftuar familjarisht në një gala mbrëmje darkë/koktej, ku gjithashtu pritet të marrë pjesë edhe presidentja jonë me familje, si dhe qeveritarë të lartë japonezë.
25 gusht 2021
Takim pune me kryeministrin e shtetit tonë mik të Japonisë, Yoshihide Suga. E di se raportet tona me këtë shtet jozyrtarisht janë ftohur qysh nga rasti i zyrtarit tonë shtetëror të arrestuar atje në vitin 2015 për ngacmim seksual.
Më duhet ta marr me të mirë nikoqirin tim. T'ia dhuroj librin e Edith Durham "Mbretëresha e Maleve Shqiptare" dhe butësisht ta bind se ne jemi burra të mirë e të fjalës, e që sjellja e një zyrtarit tonë të arrestuar është për ta dënuar, por assesi nuk na determinon neve si burra të ligj.
7 shtator 2021
Jam i ftuar në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë Veriore nga ana e kryeministrit Zoran Zaev. Jam i ftuar në festivalin e ajvarit "Festivalot na ajvar 2021", edicioni i të cilit sivjet do të mbahet në Strumicë. Dëshiroj që ta shfrytëzoj këtë rast dhe udhëtim që ta shpalos faktin në takimin me kryeministrin tête-à-tête se ne kosovarët dhe specat e kemi një lidhje të gjatë emocionale shekullore. Këtu pak do të luaj edhe me letrën patriotike edhe nacionaliste, do të tregoj se qysh moti kur ne shkonim në pushimet verore në bregdetin grek specat i merrnim me vete e assesi nuk i përdornim ata vendorë. Në tryezën e çdo familjeje kosovare speci mbetet shumë lart në menynë dhe specialitetet vendore. Speci i gjallë me pak kripë e vegetë, speci në sallatë, specat me gjizë, specat e mbushur, specat e qëruar dhe përzhitur në pllakë të shporetit, specat e zhytur në uthull dhe hudhra, ajvari, pinxhuri, e edhe ca specialitete të tjera. Në mënyrë miqësore, pasi që do ta bind për rëndësinë e specit në dietën tonë kosovare, do t'ia kërkoj që të na e kthejë ajvarin si vlerë e trashëgimisë kulturore, të cilën Maqedonia e Veriut në mënyrë tinzare e ka regjistruar pranë UNESCOS prapa shpinës sonë, vetëm se ne ende nuk jemi të pranuar në atë organizatë të rëndësishme botërore.
21 shtator 2021
Me ftesë të presidentit të Botswanas, Ian Khama do të shkoj në një vizitë pune në këtë vend. Jam i ftuar që të marr pjesë në Safari 2021 dhe sezonin e çiftëzimit të makushave. Sigurisht se do ta përdor këtë eveniment që të loboj për njohjen e shtetit të Kosovës, si dhe rëndësinë e shtetit të Botswanas për lobimin e njohjes nga shtetet e tjera fqinje afrikane. E falënderova presidentin Khama dhe gjithashtu i dërgova ftesë që ta vizitojë Kosovën, respektivisht në muajin shkurt, kur është sezoni i çiftëzimit të maceve nëpër rrugët e kryeqytetit.
1 tetor 2021
Me ftesën e senatorit të Floridas, Marco Rubio do të marr pjesë në përurimin e Mickey Mouseit të ri në Disneylandin në Orlando. Është edhe një hallkë shtesë në përforcimin e marrëdhënieve mike midis dy shteteve. Takimi do të jetë i relaksues dhe me mundësi të panumërta bashkëpunimi në turizëm midis dy vendeve. Ndoshta mund të loboj edhe për specin dhe specialitetet tona me speca.
17 tetor 2021
Vizitë pune në Turqi. Me ftesën e presidentit Recep Tayp Erdoğan jam i ftuar nga zonja e parë e shtetit Emine Erdoğan në marrjen pjesë si dëshmitar dhe testues në ardhjen e turshive 2021. Lakra, karota, tranguj dhe domate të gjalla, speca me qumësht, domate të verdha, pistil, reçele dhe marmelata të ndryshme nga pemë të shumta të stinës. Do të diskutohet edhe për heqjen e emërimit të specialitetit "Arnavut ciğeri" në ndonjë emërtim më adekuat të këtij specialiteti të spikatur kulinaresk.
28 nëntor 2021
Udhëtim për në Vlorë. Me ftesë të presidentit Ilir Meta, i cili deri me atë datë edhe mund të mos jetë më president, pasi që ai veç është shkarkuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Sidoqoftë, "unë jam mirë kur është mirë Shypnija", siç ka thënë patrioti ynë i kombit Isa Boletini. Unë do të shkoj në Vlorë dhe do ta ngre flamurin kombëtar me apo pa Ilir Metën president. Rrugës për në Vlorë do të ndaloj për një "Elbasan tavë", taze nga furra.
Kjo ishte përmbajtja e plotë e itinerarit të një kryeministri. I lus gazetarët, portalet, udhëheqësit e debateve të përnatshme politike që t’i sistemojnë temat dhe mysafirët adekuatë nëpër studiot televizive dhe të fillojnë të merren me temat nga agjenda e kryeministrit për muajt në vijim.
Me respekt, ambasadori juaj i devotshëm,
Asdren Rrahmani