OpEd

Nga Haveli te Paveli

Qytetarët e Çekisë e kanë pajisur me një mandat impresiv gjeneralin në pension Petr Pavel: në të ardhmen në Kalanë e Pragës do të zërë vend një president i denjë. Pse kjo është me rëndësi edhe për Kosovën?

Në fillim të qershorit 1999, menjëherë pas çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të NATO-s, Vaclav Haveli, ishte presidenti i parë i një shteti anëtar të NATO-s që vizitoi Kosovën. Si disident i dikurshëm, si person që e çmonte shumë biografinë dhe karrierën politike të ministres së Jashtme amerikane, Madeleine Albright, si mikpritës i Ibrahim Rugovës në Pragë gjatë viteve ‘90, Vaclav Haveli ishte mbështetës i madh i të drejtave të njeriut.

Me zgjedhjen e Petr Pavel në postin e presidentit të Çekisë në fundjavë, duket se kjo traditë në Pragë po vazhdon. Pavel ka qenë gjenerali çek me rangun më të lartë në NATO: mes viteve 2015-2018 ai ishte shef i Komitetit Ushtarak të Aleancës Veriatlantike. Ishte i pari ushtarak nga vendet e Evropës Lindore që ushtroi këtë funksion. Zgjedhja e tij tregon sa ka ndryshuar mentaliteti politik në Çeki dhe në vendet e tjera të Evropës Lindore pas agresionit rus kundër Ukrainës. Zgjedhësit nuk janë më të gatshëm të bëjnë eksperimente duke ua falur besim politikanëve të dyshimtë.

Pavel filloi karrierën e tij ushtarake nga mesi i viteve 80-të si parashutist i ushtrisë së Çekisë komuniste. Në atë kohë ai u anëtarësua edhe në Partinë Komuniste, gjë që më vonë e konsideroi “gabim”, por tha se pa këtë lojalitet ndaj partisë ai nuk do të mund të fillonte karrierën ushtarake. Në vitet ‘90 Pavel ishte ndër oficerët çekë me lidhje të ngushta me strukturat ushtarake perëndimore. Si helmetkaltër i OKB-së ai shërbeu në Bosnjë dhe ishte pjesë e një misioni për shpëtimin e mbi 50 ushtarëve francezë të cilët forcat serbe i kishin kidnapuar në Bosnjë. Në vitin 2012 u zgjodh shef i Shtabit të Përgjithshëm të armatës çeke.

“E vërteta, nderi, respekti dhe përulësia”, këto vlera, sipas tij, fituan në Çeki gjatë fundjavës. Kundërkandidat i tij ishte ish-kryeministri çek, Andrej Babish, një miliarder i dyshuar për korrupsion. Ndaj tij në Francë janë duke u zhvilluar hetime, por kjo nuk e pengoi kryetarin francez Emmanuel Macron që pak para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Çeki ta pres krahëhapur Babishin në Paris. Kjo shkaktoi mjaft iritime në skenën politike properëndimore në Çeki.

Zgjedhja e Petr Pavelit në postin e presidentit çek është me rëndësi edhe për Kosovën. Prej tij vështirë se mund të priten deklarata problematike sa i përket pavarësisë së Kosovës. Paraardhësi i Pavelit në postin e presidentit, ish-kryeministri Millosh Zeman, i cili po qëndron në Beograd për vizitë lamtumirëse, ka provokuar vazhdimisht me qëndrime proserbe, me mohim të shtetësisë së Kosovës, me shprehje të simpatisë ndaj Vlladimir Putinit dhe diktaturës së kuqe kineze. Zeman “gëzon” imazhin e një politikani që më shumë është i rrethuar me shishe me alkool sesa me këshilltarë largpamës. Zeman, sipas revistës çeke “Refleks”, simbolizonte zvetënimin e vlerave politike, virtyteve dhe strukturave demokratike.

Para Millosh Zemanit, president i Çekisë në dy mandate ishte Vaclav Klaus, edhe ky kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe kritik i ndërhyrjes së NATO-s më 1999. Klaus është përkrahës i neoliberalizmit dhe mohues i ndryshimeve klimatike. Si armiq të tij ai i konsideron të gjelbrit, angazhimin e tyre për mbrojtje të ambientit Klaus e ka quajtur “terrorizëm ekologjik”. Sa i përket konfliktit në Ukrainë, Klaus që më 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, përgjegjësinë ia ngarkoi Perëndimit dhe jo Vlladimir Putinit. Klaus qortoi kancelaren gjermane, Angela Merkel, për pranimin e refugjatëve nga Siria më 2015 dhe demonstroi simpati për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Aspak e befasishme nuk ishte që Klaus i duartrokiste Donald Trumpit dhe politikanëve të djathtë në Austri, shumica me lidhje të ngushta me politikanë nacionalistë serbë në Bosnjë dhe në Serbi. Sipas tij, elitat perëndimore janë “autiste, arrogante dhe agresive”. Më 2014 instituti konservator amerikan Cato e zgjodhi Klausin si “distinguished senior fellow“, por më vonë ky institut me seli në Washington e prishi kontratën me të, për shkak të qëndrimeve proruse.

Me presidentin e ri Petr Pavel, zgjedhësit në Çeki duket se i kanë dhënë fund periudhës me presidentë polarizues. Sa i përket përcaktimit properëndimor, Pavel nuk lë asnjë dyshim. Pavel ka premtuar se edhe si president do të vazhdojë të përkrahë çlirimin e Ukrainës nga pushtuesit rusë. Qeveria e Pragës është ndër vendet që i ka ofruar më së shumti ndihmë ushtarake Kievit. Njëkohësisht, Çekia ka pranuar rreth gjysmë milioni refugjatë nga Ukraina.