Ekziston tani një mundësi e madhe për ndjekjen e politikave industriale përtej petkut tradicional sektorial dhe teknologjik, dhe për ringjalljen e qeverisjes së nxitur nga misioni për interesat publike. Një strategji moderne industriale për Renesancën e Gjelbër, për shembull, do të kërkonte që të gjithë sektorët – duke nisur prej inteligjencës artificiale deri te transporti e bujqësia dhe ushqimi – t’i nënshtrohen inovacionit dhe ta çojnë përpara një drejtim të ri. Presidenti John F. Kennedy e pati këtë ambicie për havaje. Misioni i Bidenit është që ta sjellë atë tani në tokë
COVID-19 i ka shpërfaqur dobësitë e pafundme të kapitalizmit modern. Dhe në shumë vende, shkurtimet në shërbimet sociale dhe për shëndetin publik gjatë së shkuarës e kanë shumëfishuar dëmin e shkaktuar nga pandemia, teksa plagët e tjera të vetëshkaktuara në shtete kanë shpjerë drejt koordinimit dhe zbatimit joadekuat të politikave. Testimet masive dhe gjurmimi i kontakteve, prodhimi i pajisjeve mjekësore dhe arsimimi gjatë izolimeve kanë pësuar që të gjitha, si pasojë e kësaj.
Në anën tjetër, vendet dhe shtetet që kanë investuar në kapacitetet e tyre të sektorit publik kanë kaluar, në përgjithësi, shumë më mirë. Kjo gjë është theksuar më dukshëm në pjesën e botës në zhvillim, ku vihet më së shumti në dukje shteti mes Vietnamit dhe Indisë – Kerala.
Në vend se të veprojnë si investues të dorës së parë, një numër dukshëm i lartë i qeverive janë shndërruar në huadhënës pasivë të dorës së parë, duke i adresuar problemet vetëm pas zmadhimit të tyre. Por siç do të duhej të kishim mësuar nga koha e pas Recesionit të Madh të 2008-s, kostoja është larg më e lartë kur ekonomitë kombëtare shpëtohen gjatë një krize sesa kur mirëmbahen me anë të një qasjeje proaktive në investime publike.
Shumë qeveri kanë dështuar që ta nxjerrin këtë mësim. Me t’u përballur me një tjetër sfidë të gjerë shoqërore, tani është bërë më se e qartë se ato kanë hequr dorë prej ushtrimit të rolit të tyre adekuat në formësimin e tregjeve, duke ndikuar kësisoj që institucionet publike të gërryhen nëpërmjet kontraktimit dhe efikasiteteve të tjera të rreme.
Zmbrapsja në sektorin privat i ka hapur rrugë idesë se ndërmarrësia dhe grumbullimi i pasurisë janë të drejta ekskluzive të bizneseve – një qëndrim ky i mbrojtur madje edhe nga ata që avokojnë për “vlerën e hisedarit”.
Në fakt, sa më shumë që i nënshtrohemi mitit mbi superioritetin e sektorit privat aq më keq do të qëndrojmë karshi krizave të ardhshme. Për parimin “ndërto përsëri më mirë”, siç administrata e presidentit amerikan Joe Biden dhe shumë qeveri të tjera janë zotuar që ta bëjnë, do të nevojitej një sektor privat i ripërtërirë, jo vetëm me politika të ridestinuara dhe zgjerim të kapaciteteve organizative të shteteve, por edhe nëpërmjet ringjalljes së narrativës së qeverive si burime të krijimit të vlerës.
Siç kam shpjeguar në librin tim të ri “Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism”, për zbritjen e një burri në hënë janë nevojitur si kapacitete të jashtëzakonshme të sektorit publik ashtu edhe një partneritet qëllimor me sektorin privat. Pasi që i kemi shoshitur këto kapacitete, nuk mundemi të shpresojmë në përsëritjen e sukseseve të mëhershme, e lëre më t’i arrijmë caqet ambicioze të paracaktuara në Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGc) dhe në marrëveshjet klimatike të Parisit.
Programi Apollo ka demonstruar se si një rezultat i definuar qartësisht mund të nxisë ndryshim organizativ në të gjitha nivelet, nëpërmjet bashkëpunimit shumësektorial publiko-privat, kontratave të prokurimit të orientuara kah misioni, dhe inovacioni i nxitur nga shteti dhe marrja e rreziqeve. Për më tepër, ndërmarrjet e tilla priren të gjenerojnë përhapje – software, kamera të telefonave, qumështi formulë për foshnja – të cilat sjellin përfitime tejdepërtuese.
Modeli fillestar tejambicioz ofron njohuri dhe frymëzim për ndjekjen e atij “përtokë” të së sotmes. Për shembull, për t’i jetësuar 17 Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, duhet që akëcilin prej tyre t’i shndërrojmë në misione të definuara qartë që shërbejnë si themel i inovacioneve multisektorale. Për një oqean pa plastikë, për shembull, nevojiten investime dhe inovacione në sfera të ndryshme, si në oqean të lirë, bioteknologji, kemikate, menaxhim të mbeturinave dhe dizajnim. Kjo është ajo që programi Apollo e bëri kur nxiti inovacion në aeronautikë, të ushqyer, materiale shkencore, elektronikë, software dhe fusha të tjera.
Qasja e orientuar kah misioni nuk nënkupton që qeveritë “t’i zgjedhin fituesit’, por që të zgjedhin drejtimet kah ndryshimi – si transicioni në të gjelbrën – që kërkon investime dhe inovacion në shumë sektorë. I gjithë potenciali i instrumenteve politike duhet të shfrytëzohet për krijimin e projekteve që ofrojnë zgjidhje për shumë aktorë të ndryshëm dhe të vullnetshëm.
NASA i dizajnoi kontratat e saja të prokurimit në mënyrë që të përqendrohen kah synimet, derisa i trimëroi zgjidhjet nga poshtë-lart dhe ato që përfshijnë klauzola “jo përfitim i tepërt”, si dhe kostot fikse, ashtu që të shkuarit në hënë të përfshinte si rreziqet ashtu edhe shpërblimet. Ky është një mësim i rëndësishëm për shumë qeveri që kanë pësuar kosto të larta dhe cilësi të ulët nga kontraktimi i jashtëm.
Politikat e tanishme përtokë kanë shumëçka të përbashkët me ato të shkuarjes në hënë, por që të dyja nuk janë sinonime. Mes këtyre ngjashmërive, që të dyja kërkojnë udhëheqje të fuqishme e vizionare nga qeveritë mirë të pajisura për të “synuar lartë dhe siguruar shumë”.
Kijeni parasysh vaksinën kundër COVID-19. Fryma kolektive dhe qasja kah rezultati i kërkimit dhe zhvillimit të një vaksine vitin e shkuar kanë rikujtuar programin Apollo.
Derisa të arriturat teknologjike mund të ofrojnë mjete të reja, ato janë jodomosdoshmërisht zgjidhje në vetvete.
Politikat përtokë kërkojnë vëmendje në ndryshimet politike, rregullative dhe atyre të sjelljes. Vaksinat e sigurta dhe efikase ishin krijuar dhe testuar në kohë rekord të shkurtër nëpërmjet bashkëpunimit publiko-privat, me ç’rast investimet publike janë dëshmuar si absolutisht thelbësore. Por pabarazia në përvetësimin e vaksinave midis vendeve me të ardhura të larta dhe atyre të ulëta është shpërfaqur menjëherë dhe vetëm sa është thelluar.
Kur është fjala për politikat që ndërlidhen me vaksinimin global, inovacioni teknologjik është i dobishëm vetëm si një lloj aplikimi real. “Aparteidi i vaksinës” – në vend të një vaksine për popullin – do të përkojë me një katastrofë morale dhe ekonomike. Nëse kompanitë farmaceutike e kanë seriozisht në mbështetjen e tyre të deklaruar për parimin e vlerës së hisedarëve, atëherë duhet që t’i ndajnë patentat, të dhënat dhe njohuritë rreth vaksinës kundër COVID-19 nëpërmjet Teknologjisë së Qasjes për COVID-19, i cili mbetet i papërdorur.
Edhe qeveritë duhet ta përqafojnë përnjëmend parimin e vlerës së hisedarit, e cila nuk zbatohet vetëm tek qeverisja e korporatave. Bashkëpunimi publiko-privat duhet të qeveriset po ashtu në interes të publikut dhe jo të përsëriten dështimet e ndërlidhura me ekonominë e sotme digjitale, e cila ka marrë formën e saj të tanishme pasi që shteti i ofroi bazat teknologjike dhe më pastaj e neglizhoi rregullimin e destinimit për të cilin është krijuar. Si rezultat i kësaj, disa kompani dominuese të Teknologjisë së Madhe janë nisur drejt një epoke të re të ekstraktimit algoritmik të vlerës, duke rezultuar me përfitimin e disave në kurriz të shumicës.
Teknologjia si e vetme nuk do t’i zgjidhë kurrë problemet sociale dhe ekonomike. Me zbatimin e parimit tejambicioz të shembullit të hënës tek sfidat komplekse përtokë, politikëbërësit duhet t’u kushtojnë kujdes me mijëra faktorëve të tjerë socialë, politikë, teknologjikë dhe të sjelljes, si dhe të zbatojnë një vizion të përbashkët në shoqërinë civile, biznes dhe institucione publike.
Kësisoj, politikat përtokë mund të përfshijnë edhe angazhim të gjerë qytetar. Neutraliteti i karbonit, për shembull, duhet të dizajnohet sipas asaj ku jetojnë qytetarët. Me anë të zbatimit të një qasjeje përnjëmend gjithëpërfshirëse, një mision i tillë mund të zhvillohet në një platformë të fuqishme civile dhe në një motor të rritjes së qëndrueshme, siç është paraparë në thirrjet për një Marrëveshje të Re të Gjelbër, Shëndet për të Gjithë dhe me planet për të kapërcyer ndasitë digjitale.
Këto mësime s’ka se si të jenë më relevante për administratën Biden, e cila do të jetë në gjendje ta shfrytëzojë fuqinë e një “shteti ekzistues sipërmarrës” që ngërthen organizatat si “Agjencia e Projekteve të Kërkimit të Avancuar në Mbrojtje” dhe “Institutet Kombëtare të Shëndetit” që investojnë më shumë se 40 miliardë dollarë në vit për inovacion në ilaçe.
Ekziston tani një mundësi e madhe për ndjekjen e politikave industriale përtej petkut tradicional sektorial dhe teknologjik, dhe për ringjalljen e qeverisjes së nxitur nga misioni për interesat publike. Një strategji moderne industriale për Renesancën e Gjelbër, për shembull, do të kërkonte që të gjithë sektorët – duke nisur prej inteligjencës artificiale deri te transporti e bujqësia dhe ushqimi – t’i nënshtrohen inovacionit dhe ta çojnë përpara një drejtim të ri. Presidenti John F. Kennedy e pati këtë ambicie për havaje. Misioni i Bidenit është që ta sjellë atë tani në tokë.
(Mariana Mazzucato, profesoreshë e lëndës së Ekonomisë së Inovacionit dhe Vlerës Publike në Kolegjin universitar të Londrës dhe drejtoreshë themeluese e Institutit UCL për Inovacion dhe Synime Publike, është shefe e Këshillit të Ekonomisë në “Shëndeti për të Gjithë” pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe autore e librit “Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)