Republika e Kosovës gjendet në një ndër periudhat më të vështira të saj që nga pavarësia e vitit 2008. Përballë kësaj situate, politika jonë e jashtme do të duhej të ishte e gjitha e mobilizuar përkundrejt asaj të Serbisë për mohimin e gjenocidit të saj në Kosovë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara, që fillon me drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe zgjerohet në tërë zinxhirin komandues, e vërtetoi se Dhomat e Specializuara asnjëherë nuk janë menduar si mekanizëm për përndjekjen e krimeve të supozuara individuale. Ato janë projektuar që nga fillimi si akuza ndaj UÇK-së si të tillë. Nuk duhet të harrojmë që shtetësia e Kosovës themel të saj ka rezistencën popullore dhe luftën çlirimtare të popullit shqiptar, të udhëhequr në luftën e fundit nga UÇK-ja. Ashtu sikurse nuk duhet të harrojmë që në vitin 2015, të vërtetën e Dhomave të Specializuara e kanë manipuluar eksponentët e PDK-së dhe LDK-së, të udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Kështu ata arritën t’i bindin deputetët që t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat në fund u miratuan me procedura të kontestueshme e presion të hapur mbi ta.
Si për ironi, përderisa mbahen procedurat gjyqësore në Dhomat e Specializuara, në Serbi “zbulohen” varre masive të shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit. Trupa të shqiptarëve civilë, të cilët u morën nga ushtria serbe, u vranë, u varrosën, pastaj u zhvarrosën, u ngarkuan në kamionë, u bartën deri në Serbi, u zbarkuan nga kamionët, u rivarrosën dhe pastaj mbi ta u hodhën mbeturina industriale për 16 vjet dhe e tërë ndërmarrja u mbajt sekret gjerë në ditët e sotme. Një ndërmarrje tipike e përbashkët kriminale.
Në një situatë të tillë, kur në njërën anë kemi procese të cilat në publik krijojnë përshtypjen se në luftën e fundit në Kosovë nuk kishte agresor dhe viktimë, e në anën tjetër zhvarrosen dëshmitë e agresionit të Serbisë mbi viktimat civile shqiptare, diplomacia e Republikës së Kosovës do të duhej të ishte në gjendje alarmi dhe të zbatonte një politikë të jashtme agresive. Kjo është e domosdoshme për ta treguar të vërtetën e viteve ’90 dhe rrjedhimisht për ta mbrojtur dhe përparuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, e cila po rrezikohet si asnjëherë më parë.
Ku është diplomacia e Republikës së Kosovës sot?
Përgjigja e thjeshtë dhe e saktë do të ishte: askund! Në qendrat kryesore të Perëndimit dhe Lindjes, Republika e Kosovës është pa përfaqësim. Në Washington DC ka mbetur një ambasadore politike, e cila pas tejzgjatjes së jashtëligjshme të mandatit të saj, tanimë ka edhe dekret për ta liruar atë pozicion. Me dekret për kthim të nënshkruar nga ish-presidenti, ajo nuk ka kapacitete të plota për ta përfaqësuar vendin.
Në Londër misioni diplomatik ka mbetur pa ambasador për më shumë se një vit. Llogaritjet elektorale të ish-presidentit Thaçi dhe neglizhimi i procedurave diplomatike për caktimin e ambasadorit të ri, kanë lënë vendin pa përfaqësimin e duhur në Britaninë e Madhe, një vend shumë i rëndësishëm e partner i afërt i Kosovës.
Në Paris, Kosova vazhdon të përfaqësohet nga një ambasador tjetër politik që ka dekret për kthim të nënshkruar nga ish-presidenti Thaçi dhe i cili gjithashtu po qëndron në një mandat të dytë të jashtëligjshëm. Në Bruksel e Tokio ambasadorët politikë janë kthyer pas përfundimit të mandatit dhe misionet kanë mbetur pa nivelin e duhur të përfaqësimit diplomatik. E njëjta situatë qëndron edhe në Bangkok, ku ish-ambasadori erdhi në Kosovë për t’u bërë zv.ministër në MPJD, më shpejt sesa që letrat njoftuese për këtë veprim i arritën institucionet e Bangkokut të largët.
Pra, pa trajtuar nivelin e përfaqësimit në të gjitha vendet dhe format e rekrutimit, rrjeti i shtrirjes diplomatike të Republikës së Kosovës sot ka zbrazëti të mëdha përbrenda.
Si erdhëm deri këtu?
Krijimi i një situate të tillë është veprim kundër interesave të vendit, ashtu sikurse është mirëmbajtja e saj. Është e pamundur që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj, dhe kabineti i saj të jenë të painformuar për këto mungesa, gjë që e bën atë të vetëdijshme për dëmin që po i shkaktohet vendit. Është gjithashtu e pamundur që ministrja Haradinaj dhe kabineti i saj të mos munden të ndërmarrin hapa për t’i adresuar këto probleme të mëdha, gjë që e bën atë fajtore për dëmin që po ia shkakton vendit, duke e lënë pa përfaqësim në këtë kohë të ndjeshme.
Nga listimi i vetëm disa ambasadorëve, pa i trajtuar gradat e tjera, vërejmë që në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me persona të caktuar politikisht. Kjo nuk është rastësi. Përderisa Ligji për Shërbimin e Jashtëm e përcakton që së paku 50% e diplomatëve duhet të jenë të karrierës, pra të tillë që janë pranuar në MPJD me konkurs të rregullt dhe kanë kaluar shkallët e vështira dhe të gjata të karrierës, në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës rreth 75% e diplomatëve janë të caktuar politikisht. Shërbimi i Jashtëm është shfrytëzuar si aneks për pazaret e fundit të koalicioneve. Kur dikush i ka mbetur partisë pa u “rehatuar” apo nuk ka qenë më i pranueshëm për publikun që të marrë pozicion qeveritar përbrenda Republikës së Kosovës, atë e kanë nisur diku si shef/e misioni.
E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Në situatën kur po përgatitet përfshirja e PDK-së në koalicionin aktual dhe po bëhen presione të ndryshme për pazarin përfundimtar, MPJD-ja dhe Shërbimi Diplomatik mund të jenë treguesit e parë se cili do të jetë ky koalicion. Pozitat e lira të ambasadorëve në vende të ndryshme, disa prej të cilave të mbuluara nga ambasadorë të jashtëligjshëm, do të mbeten të tilla derisa të sqarohet pazari i koalicionit të ri. Pra, edhe sot vazhdon abuzimi me këtë mekanizëm të rëndësishëm shtetëror. Por, mbi të gjitha, lejohet dëmtimi i pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, në periudhën kur asaj po i rrezikohet themeli i shtetësisë.
Për më tepër, këto mangësi krijohen e mirëmbahen në një situatë që do të mund të ishte e volitshme për shqiptarët: ndryshimi i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Humbja e presidentit Trump dhe fitorja e presidentit të zgjedhur Biden nuk është domosdo zgjidhje për Republikën e Kosovës, por gjithsesi është mundësi. Në katër vjetët e fundit, Serbia ka arritur të hapë shumë dyer tek administrata Trump dhe burokracia amerikane. Këtë e ka arritur me projekte të mëdha lobimi, ndërsa hyrjen në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë e arriti nëpërmjet Avdullah Hotit.
Që nga viti 2006, Serbia lobon në mënyrë të rregullt dhe sistematike tek administrata e SHBA-së. Së fundi, ajo kishte angazhuar një ndër kompanitë më serioze të lobimit për t’i luftuar masat tregtare, të cilat ia kishte vendosur asaj Republika e Kosovës. Përveç Serbisë, shpenzime të mëdha në lobim në SHBA bën edhe Republika serbe. Ajo është vendi i tretë me shpenzimet më të mëdha për lobim në këtë vend, pas Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ishujve Kajman, duke shpenzuar dhjetëra miliona dollarë brenda 10 vjetëve. Sigurisht se këto përpjekje të këtyre dy vendeve kanë lënë gjurmë dhe shembulli më i qartë për këtë ishte qasja e administratës Trump në raport me Ballkanin në përgjithësi, dhe dialogun Kosovë-Serbi në veçanti.
Qasja e Serbisë në administratën amerikane më nuk do të jetë e vështirë siç ishte para shumë viteve. Përveç lobimit, Serbia po investon në raportet me SHBA-në edhe duke luajtur lojën historike të saj të dyfishtë mes Lindjes dhe Perëndimit. Së fundi, ajo refuzoi marrëveshjen për vaksinën ruse kundër COVID-19, Sputnik V, dhe në vend të saj nënshkroi marrëveshje me kompaninë amerikane “Pfizer”. Në drejtim të njëjtë ajo po vepron edhe në sektorin e energjisë, sektor që do të jetë ndër më të rëndësishmit për përcaktimin e raporteve ndërkombëtare për rajonin tonë.
Në anën tjetër, Republika e Kosovës përballë këtyre ndryshimeve të mëdha gjendet me një diplomaci të gjymtuar dhe me lobim të kontraktuar për të shtyrë përpara ndarjen e territorit të saj dhe faljen e një pjese të tij te Serbia, siç ishte rasti me kontratën e lobimit me kompaninë “Majorelle PR & Events”, me seli në Paris.
Hapat e parë drejt diplomacisë shtetërore
Në këtë situatë, Republikës së Kosovës i duhet një konsolidim i mekanizmave të politikës së jashtme dhe një qartësi e qëndrimeve dhe veprimeve politike në arenën ndërkombëtare. Hapi i parë i një qeverie të re progresive duhet të jetë hedhja poshtë e zotimeve individuale të kryeministrit ilegjitim Hoti, të bëra në Washington DC. Zotimet e tilla, të cilat shfrytëzoheshin si shfaqje elektorale në dobi të presidentit Trump, nuk mund të jenë kredibile sot. Aq më shumë kur ato u nënshkruan nga një kryeministër ilegjitim e në dëm të vendit. Ky hap i parë do ta parandalonte rrezikun nga ndërhyrja e Serbisë në çështjet dhe në burimet e brendshme të Republikës së Kosovës, siç janë shpenzimet infrastrukturore e shfrytëzimi i përbashkët i liqenit artificial të Ujmanit. Në lidhje me qëndrimet mbi çështjet e treta, hedhja poshtë e zotimeve të Hotit do ta kthente Kosovën në vijë me qëndrimet e vendeve partnere dhe organizatave ndërkombëtare, në të cilat synojmë anëtarësimin, si Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Në fund, ky hap do t’u hapte rrugë diplomatëve tanë për mbrojtjen e interesave dhe përparimin e pozicionit ndërkombëtar të vendit. Ashtu sikurse kanë qenë pjesë e përhershme e strategjisë së politikës së jashtme, por veçanërisht në rrethanat aktuale, angazhimi për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është një përpjekje e rëndësishme. Aktualisht, diplomacia e Kosovës ndalohet nga Qeveria ilegjitime Hoti që të bëjë përpjekje në këtë drejtim.
Përveç hedhjes poshtë të qëndrimeve regresive të Qeverisë ilegjitime Hoti, domosdoshmëri për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës është edhe konsolidimi i MPJD-së dhe Shërbimit të Jashtëm.
Termin “diplomaci elektorale” së pari e kam dëgjuar në MPJD, sa isha aty si shef i kabinetit të ministrit Konjufca, nga një prej diplomatëve të parë të karrierës së Republikës së Kosovës. Diplomacia elektorale si koncept shpjegon më së miri kontekstin e ndërtuar në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës që nga themelimi i tij.
Ndër vite aty janë shtresëzuar probleme, të cilat kanë degraduar përfaqësimin diplomatik dhe kanë pamundësuar ngritjen e diplomatëve të karrierës. Mosrespektimi i ligjeve dhe rregulloreve ka krijuar klikat si funksion të brendshëm. Akademia Diplomatike ka mbetur e pazhvilluar dhe jorelevante, sepse dërgimi në mision dhe gradimi kanë qenë të lidhura me intensitetin e kontakteve me ministrin e kohës dhe kabinetin e tij. Klientelizmi ka mbingarkuar stafin e MPJD-së dhe Shërbimin e Jashtëm me zyrtarë dhe diplomatë të papërgatitur për përgjegjësitë që i kanë marrë përsipër. Fakti që sot një numër i madh i diplomatëve të kthyer nga misionet kanë mbetur të pasistemuar në MPJD, është simptomë e këtyre praktikave të vjetra dhe garanci që ministrja Haradinaj nuk ka zotësi dhe vullnet për t’i zgjidhur këto probleme.
Prandaj, reforma e bazuar në tri shtylla të përgjithshme është domosdoshmëri. Përfaqësimi dinjitoz dhe veprimtaria në të mirë të Republikës nuk mund të bëhen nëpërmjet proceseve që shkelin ligjet e vendit apo nëpërmjet personave që janë aty jashtëligjshëm. MPJD-ja dhe Shërbimi i Jashtëm së pari kanë nevojë për një auditim të rekrutimeve në këtë institucion. Në këta dy mekanizma punësimet e jashtëligjshme janë shtresëzuar ndër vite dhe ato identifikohen lehtë nëpërmjet emrave të përveçëm të ministrave të secilës qeveri të vjetër. Së dyti, nevojitet një auditim i gradave dhe rivendosje e tyre. Gradimet e fundit të jashtëligjshme nga ish-presidenti Thaçi me propozim të ministres Haradinaj janë shenja të një fenomeni që zgjatet prapa në kohë, deri në ditët e para të këtij institucioni. Së treti, nevojitet një riorganizim i rrjetit të përfaqësimit diplomatik dhe një ristrukturim i MPJD-së dhe misioneve diplomatike. Vendi nuk mund të shpenzojë buxhet vit pas viti për misione “matrioshka” e për mbingarkim të misioneve diplomatike me staf të panevojshëm. Ky është parakusht për të punuar drejt një diplomacie efektive dhe të shëndoshë.
Praktikat e qeverisjeve të vjetra të së kaluarës, të cilat po zbatohen edhe sot nga ministrja Haradinaj kanë ndërtuar një rrjet diplomatik, i cili nuk mund t’i bëjë ballë domosdoshmërisë së kohës. Paqëndrueshmëria e këtij rrjeti konsiston në emërimet partiake dhe në vendimet elektorale, të cilat kanë cenuar pavarësinë e Shërbimit të Jashtëm dhe kanë pamundësuar punën cilësore të diplomatëve të karrierës. Prandaj, sot nuk kemi përfaqësim në SHBA, Britani të Madhe, Francë, Belgjikë, Japoni dhe Tajlandë. Rreziku tjetër është fakti që e vetmja mënyrë se si kjo qeverisje mund ta zgjidhë këtë problem është duke e mbuluar atë me një problem tjetër edhe më të madh e më serioz: duke caktuar persona jokompetentë në këto pozita, si pasojë e pazareve elektorale e të koalicionit.
Pikërisht për shkak të kësaj situate, shkëputja e diplomacisë së Kosovës nga qeverisja e vjetër është nevojë urgjente. Kjo shkëputje mund të realizohet vetëm nëpërmjet reformave të thella e të guximshme, për të cilat Qeveria aktuale nuk ka interes. Kalimin përfundimtar nga diplomacia elektorale në diplomaci shtetërore e mundëson vetëm një qeveri e re legjitime dhe progresive.
(Autori është sekretar për Marrëdhënie me Jashtë dhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!)