OpEd

Nga Brukseli, për viktimat

Pse iniciativa për KOMRA duhet të bëhet pjesë e Procesit të Berlinit?

SË SHPEJTI DO TË bëhen dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë, kurse ende ka mbetur i patrajtuar si duhet fati i personave të pagjetur dhe e vërteta për krimet e kryera.

Nuk është shumë më ndryshe se në Kosovë as gjendja në Bosnjë, kur po kalon gati një çerekshekulli nga lufta. E njësoj mund të thuhet edhe për Kroacinë.

Në të gjitha këto shtete të dala nga ish-Jugosllavia nuk është që nuk ka pasur përpjekje për t’i adresuar humbjet e luftës dhe dhimbjen.

Janë mbajtur qindra protesta, janë organizuar shumë konferenca, janë themeluar shumë organizata joqeveritare, janë derdhur shumëpara, por punët përgjithësisht kanë ngecur.

E derisa nuk dihet për fatin e shumë të pagjeturve, ështëmë e lehtë për t’i gjetur përgjegjësit kryesorë për këtë dështim. Janë elitat politike që recikohen në pushtetet e këtyre shteteve – shpesh të njëjtit që dyshohen për nxitjen e krimeve - të cilat nuk kanë pasur vullnet të sinqertë për t’i trajtuar dhimbjet e luftrave.

PUSHTETARËT DUHET ta dinë fillimisht se qasja në përpjekjet për mësimin e fatit të personave të pagjetur nuk duhet të jetë e segmentuar, por gjithëpërfshirëse. Pra, ka nevojë për bashkëpunim ndërmjet shteteve.

Nëse secili shtet i dalë nga ish-Jugosllavia kërkon vetëm zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të etnive të tyre respektive – atëherë kjo plagë e dhimbshme vetëm sa do të vazhdojë me hapa shumë të ngadaltë edhe për shumë vjet.

Komiteti Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur (ICMP) ka llogaritur rreth 40 mijë individë për fatin e të cilëve nuk dihet pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi.

Kosova fillimisht numëronte 4.400 persona të pagjetur, kurse aktualisht mbesin 1.658. Prej tyre rreth 1.300 janë shqiptarë, kurse të tjerët serbë, romë dhe joshqiptarë të tjerë.

30 mijë persona mbaheshin si të pagjetur nga lufta në Bosnjë. Ende nuk dihet për fatin e rreth 10 mijë prej tyre.

6 mijë mungonin nga lufta në Kroaci. Sot nuk dihet për rreth 2 mijë prej tyre.

23 persona mungonin nga konflikti në Maqedoni, kurse sot nuk dihet për fatin e 13 prej tyre.

Kur të shikohen këto shifra, vërehet se problemi i të pagjeturve nuk është vetëm i Kosovës, nuk është vetëm i Bosnjës, i Kroacisë, i Serbisë ose i Maqedonisë.

Rreth një e treta e të gjithë personave të pagjetur nga gjithë territori i ish-Jugosllavisë ende mungojnë, pavarësisht etnisë ose vendin ku ata kanë pësuar.

Kështu që, për ta trajtuar seriozisht një herë e mirë këtë plojë, politikanët në vend se të japin deklarata patetike gjatë ditëve përkujtimore, është të angazhohen me homologët e tyre në dialog të sinqertë për t’i zbuluar fatet e personave të pagjetur.

SIDOQOFTË, DERI më tash punën më të madhe në përpjekjen për të vërtetën e luftës dhe gjendjes pranë të familjarëve të viktimave e kanë bërë kryesisht organizatat joqeveritare. E tillëështë iniciativa për themelimin e KOMRA-s, komisionit rajonal zyrtar (ndërqeveritar) për konstatimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish RSFJ-së prej datës 1 janar të vitit 1991 deri në datën 31 dhjetor të vitit 2001.

Janë qindra mijëra nënshkrime që janë mbedhur nga qytetarët nga të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, rreth 1200 organizata joqeveritare janë bërë pjesë e saj, ka fituar mbështetjen e shumë personaliteteve si në rajon ashtu edhe jashtë, për më tepër ka fituar mbështetjen edhe të liderëve të shteteve të rajonit.

Themelimi i KOMRA-s, në një periudhë ose një tjetër, ka marrë mbështetjen nga liderët institucionalë si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, në Kroaci e Bosnjë, Maqedoni e Mal të Zi. Për më tepër, presidentët respektivë kanë caktuar edhe të dërguarit e tyre si pjesë e koordinimit për të çuar nismën përpara.

Mirëpo, ende nuk ka ardhë deri te pika kulmore, kur të gjithë prej tyre vënë nënshkrimet në një dokument për vetë aktin e themelimit.

DUKE E DITUR se, si zakonisht deri më tash, liderët e vendeve tërajonit lëvizin vetëm kur ndodhen në sanduiq – në mes të presionit civil nga poshtë dhe presionit ndërkombëtar nga lart – ka filluar nisiativa që nënshkrimi për themelimin e KOMRA-s të ndodhë në margjinat e Procesit të Berlinit.

Brukseli, pasi që ka neglizhuar për shumë vjet këtë çështjet, përfundimisht duket të kishte vendosur të lëvizë para në këtë drejtim.

Strategjia për Zgjerim e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e miratuar në shkurt,deri në çastet e fundit kishte paraparë edhe ka njëfarëlloj detyrimi për shtetet e Ballkanit Perëndimor të ballafaqohen me të kaluarën në kontekstin e drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit.Në njërën nga pikat e Planit Aksional për shtetet që duan integrim në BE nënvizohej nevoja e përfshirjes në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, ku në mënyrë eksplicite përmendej edhe nevoja e themelimit të KOMRA-s. Mirëpo, në versionin përfundimtar ajo ishte hequr.

Kjo tregon se edhe në Bruksel ka burokratë të cilët ende nuk e kanë të qartë peshën e pajtimit në Ballkan. Nëse shtetet që kanë qenë të përfshira në konflikte do të procedojnë tutje me miratim të KOMRA-s më në fund hapet edhe dritarja për të zbuluar të vërtetën për të pagjeturit, për “të vërtetën” e luftës dhe për llogaridhënien.

Dhe duke e ditur se këto shtete deri tash nuk kanë treguar vullnet të theksuar për t’iu rrekur kësaj teme, do të ishin të detyruara ta trajtonë, meqë do ishte kusht i natyrshëm për ecjen përpara drejt aderimit në BE.

Një dritë shprese për mijëra familje për të cilat luftërat ende nuk kanë përfunduar!

Për këto arsye, KOMRA do të duhej të bëhej pjesë e Procesit të Berlinit.

[email protected]

Twitter: @adriatikk