OpEd

Nga Bideni te Trumpi: Sfida të reja për Kosovën dhe kryeministrin Kurti

Disa procese që kanë mundur të përmbyllen në mandatin e Bidenit në mënyrë të favorshme për Kosovën, por që kanë mbetur të hapura dhe të tilla mund t’i trashëgojë Trumpi nëse vjen në pushtet, do të jenë më të pafavorshme për ne. Kjo pavarësisht faktit nëse, në një skenar të fitores së Trumpit, Albin Kurti do të mbetet kryeministër edhe për një mandat apo në vend të tij do të jetë dikush tjetër në krye të proceseve politike në Kosovë. Me Trumpin, asgjë nuk do të jetë njëjtë

Në parashikimet e kësaj jave të revistës “The Economist” dhe të gazetës “The Wall Street Journal” del se Donald Trumpi ka kaluar në epërsi ndaj Kamala Harrisit, duke i vënë zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA në një perspektivë të re: asaj të fitores së kandidatit republikan që do të kishte ndikim të madh në rrjedhat globale dhe që padyshim do ta ndryshonte lojën në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për sa i takon marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Përderisa administrata e presidentit aktual amerikan, Joe Biden, kishte një politikë e cila fokusohej që Serbia dhe Kosova të ecnin përpara në kuadër të procesit dialogues të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke ia lënë këtij të fundit rolin kryesor në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, fitorja e Donald Trumpit, e cila po bëhet gjithnjë e më e mundshme me afrimin e datë së zgjedhjeve, do ta bënte atë një akter më aktiv në këtë proces. Ai do ta shihte procesin nga një perspektivë tjetër, e cila për momentin është me shumë paqartësi lidhur me rolin që do ta kërkonte administrata Trump, por edhe në trajtimin e palëve, të Kosovës dhe të Serbisë, sidomos duke pasur parasysh se gjatë këtyre 4 vjetëve të fundit, njerëzit e afërt me Trumpin, si dhëndri i tij Jared Kushner, dhe miku e ish-funksionari i lartë i administratës së Trumpit në vitet 2016-2020, Richard Grenell, kanë zhvilluar raporte të afërta me Qeverinë e Serbisë. Kur kësaj t’i shtohen marrëdhëniet jo të mira në mes të kryeministrit Kurti me lojtarin kryesor të Trumpit në Ballkan, Richard Grenell, paqartësia në të cilën ka gjasa të hyjë Kosova, në rast të fitores së Trumpit, bëhet edhe më e madhe.

Sipas modelit parashikues të “The Economist”, Donald Trumpi ka kaluar në epërsi ndaj Kamala Harrisit me 53 në raport me 47 për qind. Sipas këtij modeli, po qe se zgjedhjet do të mbaheshin tani, Donald Trumpi do t’i fitonte 273 vota elektorale, nga 270 sa i nevojiten për t’u bërë president, ndërkaq Kamala Harrisi do t’i fitonte 265 vota elektorale. Sipas “The Wall Street Journalit”, Trumpi ka kaluar në epërsi me 52% ndaj Kamala Harris, e cila i ka 48% të shkallës së aprovimit të amerikanëve. Kjo epërsi e Trumpit ka të bëjë kryesisht me çështjet që lidhen me emigrimin, ekonominë dhe shkallën e kriminalitetit. Politika e jashtme nuk ka qenë temë e rëndësishme gjatë kësaj fushate zgjedhore. Situata e paqëndrueshme globale, me luftën në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, sforcimi i Koresë Veriore për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj agresore në Ukrainë, pa ndonjë reagim të vendosur të Perëndimit, bëjnë që në planin e politikës së jashtme, administrata Biden nuk i ka punët edhe aq mirë. Kur kësaj t’i shtohet edhe stagnimi në procesin e normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, pikë ku ndikimi amerikan është mjaft i madh, të paktën sa i përket Kosovës, rezultatet e politikës së jashtme të administratës Biden nuk i lënë zëvendëspresidentes Harris shumë hapësirë për t’u thirrur në suksese gjatë fushatës zgjedhore.

Është jashtë çdo dyshimi se marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë pikë e rëndësishme e politikës së jashtme amerikane. Në fund të mandatit të tij të kaluar, Donald Trumpi e realizoi marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe e paraqiti atë si sukses të politikës së tij të jashtme. 

Administrata Biden, me gjithë raportet speciale që i ka me Kosovën, nuk po arrin që ta lëvizë procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë nga pika e ngrirjes, ku ka rënë që prej vitit 2023. Një lëvizje në këtë plan do të mund t’i shërbente kandidates demokrate Kamala Harris në fushatën e saj zgjedhore. Kryeministri Kurti do të mund t’i bënte asaj një dhuratë të tillë të suksesit në politikën e jashtme, po qe se do ta dërgonte statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit. Përveç që do të ishte një sukses i politikës së jashtme amerikane të administratës Biden-Harris që do t’i jepte një momentum të ri procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo dhuratë do të ishte e çmuar edhe për Kurtin, duke i pasur parasysh marrëdhëniet e tija jo të mira me njerëzit e administratës Trump, dhe faktit që një fitore e mundshme e Trumpit do të mund të kishte ndikim edhe në zgjedhjet në Kosovë, të parapara që të mbahen 20 ditë pasi që presidenti i ardhshëm amerikan ta marrë detyrën më 20 janar 2025. Me Trumpin në detyrë, gjërat për kryeministrin Kurti, por edhe për Kosovën, mund të bëhen më të vështira. 

Nëse Trump vjen në pushtet, ai nuk do të jetë tolerant ndaj politikës aktuale të kryeministrit Kurti për sa i përket veriut dhe strukturave paralele serbe. Këtë e ka bërë të qartë Grenelli në shumë raste kur ka folur për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, si dhe për politikën e kryeministrit Kurti. Përderisa as administrata Biden nuk e ka tumirë këtë politikë, kryesisht për arsye të moskoordinimit me partnerët ndërkombëtarë, ajo megjithatë është kufizuar në kritika publike, por nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim drastik për ta disiplinuar Kurtin. Me Trumpin gjërat do të ndryshojnë dhe këto ndryshime mund të jenë në disfavor të Kosovës, duke pasur parasysh se Bideni megjithatë e ka një histori dhe një lidhje personale me Kosovën, kurse Trumpin nuk e lidh asgjë fare me Kosovën. Përkundrazi, siç e thashë edhe më lart, njerëzit e afërt me të kanë zhvilluar raporte afariste dhe miqësi me Vuçiqin e Serbisë, kurse raportet me Kurtin janë, thënë së buti, të ftohta. 

Për ta bërë një spekulim politik, fitorja e Trumpit në Amerikë dhe e Kurtit në Kosovë janë dy gjëra jokompatibile. Një skenar i tillë do t’i ashpërsonte kundërthëniet aktuale në mes të Kosovës dhe SHBA-së sepse SHBA-j jo vetëm që nuk do ta toleronte politikën e Kurtit por do të kërkonte nga ai ndonjë marrëveshje me Serbinë, përtej asaj çka parashihet në procesin aktual të normalizimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Humbja e shansit për ta dërguar statutin e Asociacionit në këmbim me anëtarësimin në Këshillin e Evropës në muajin maj të këtij viti, mungesa e kreativitetit dhe të vizionit për të bërë një gjest që do të ishte në favor të zëvendëspresidentes Harris në fushatën zgjedhore, mund t’i kushtojë Kosovës më shtrenjtë në të ardhmen. 

Disa procese që kanë mundur të përmbyllen në mandatin e Bidenit në mënyrë të favorshme për Kosovën, por që kanë mbetur të hapura dhe të tilla mund t’i trashëgojë Trumpi nëse vjen në pushtet, do të jenë më të pafavorshme për ne. Kjo pavarësisht faktit nëse, në një skenar të fitores së Trumpit, Albin Kurti do të mbetet kryeministër edhe për një mandat apo në vend të tij do të jetë dikush tjetër në krye të proceseve politike në Kosovë. Me Trumpin, asgjë nuk do të jetë njëjtë.