Një opsion i politikës "ndryshuese të lojës" nga SHBA-ja është thelbësor për të transformuar mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të kufizuar ndikimin malinj të Rusisë, për të prapësuar ambiciet hegjemoniste të Serbisë përmes dhënies fund dominimit të saj ushtarak përmes balancimit të fuqisë, si dhe për të eliminuar efektin e vendeve mosnjohëse të NATO-s. Ky opsion është një traktat i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, i cili ka dy alternativa
Një nga problemet kryesore në politikëbërjen ndërkombëtare është se shpeshherë autokratët shumë hapur e thonë se çfarë do të bëjnë, por ata ose nuk merren seriozisht, apo edhe nuk dëgjohen nga udhëheqësit dhe audiencat e vendeve të tjera. Me këtë rast mjafton të kujtojmë se kur Putini me fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë të Munihut të vitit 2007 tregoi hapur se Rusia do të bëjë politika revizioniste, ai i habiti një numër të pjesëmarrësve, mirëpo pas kësaj pothuajse të gjitha shtetet e Perëndimit i vazhduan marrëdhëniet me Kremlinin si “business as usual”. Po ashtu, reagimi i Perëndimit ndaj aneksimit të Krimesë më 2014 ishte i vakët dhe u përcoll me disa sanksione të zbehta. Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë rritej varësia e Perëndimit nga gazi rus, dhe bile në vitin 2018 filloi edhe ndërtimi i gazsjellësit “Nord Stream 2” që do ta rriste edhe më tepër këtë varësi. Njëkohësisht, përkundër thirrjeve të SHBA-së, shumica e vendeve evropiane të NATO-s refuzonin që t’i rrisnin shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Kur Putini e bëri paralajmërimin e agresionit në Ukrainë përmes artikullit “Uniteti historik i rusëve dhe ukrainasve” të korrikut 2021, me ç‘rast tha hapur se nuk i njeh ukrainasit si komb dhe kufijtë e shtetit të tyre, edhe një herë pakkush i kushtoi rëndësi. Kur erdhi 24 shkurti 2022, shumicës së vendeve evropiane iu doli gjumi dhe u përballën me pasojat e politikave të tyre, të cilat i gjetën ato të paarmatosura dhe të varura nga gazi rus. Këto politika deri në atë ditë ishin të bazuara në neglizhencë të qëllimeve të Kremlinit të bëra qysh më herët publike nga Putini, dhe atë për shkak të interesave të tyre ekonomike me Rusinë. Kjo luftë e bëri të qartë edhe një herë faktin se ndërvarësia ekonomike nuk është e mjaftueshme për të siguruar paqen.
Ukrainasit tani janë duke i mbrojtur themelet e rendit botëror dhe vetë Evropën, por ata ende kanë frikë se mund të mos e marrin ndihmën e duhur nga Perëndimi për t’u përballur ushtarakisht me Rusinë. Kievi e demaskoi fuqinë ushtarake të Kremlinit, i cili edhe në aspektin konvencional e projektonte veten si fuqi globale, mirëpo ajo doli të mos jetë edhe një fuqi dominuese regjionale. Mirëpo, kjo është e pamjaftueshme, pasi vetëm Rusia e dëbuar nga territori i Ukrainës dhe balancimi i fuqisë mund të zmbrapsin synimet ekspansioniste të Kremlinit në fqinjësinë e tij të afërt, dhe me këtë do të krijohen rrethanat për rindërtimin e rendit të tronditur evropian dhe botëror. Alternativat e tjera janë të zymta, dhe pikërisht këto është duke i pritur Vuçiqi, si dhe eksponentët e botës serbe alias Serbisë së Madhe në rajon, gjegjësisht Dodiku dhe Mandiqi, të cilët edhe i qëndruan pranë “vozhdit suprem” në kremtimin e fitores së tij më 17 dhjetor 2023.
Në këtë prizëm, loja e Serbisë për ta paraqitur veriun si një territor të paqeverisshëm pa “aminin” e Beogradit, e cila mori hov pas kalimit në defensivë dhe regres të diplomacisë kosovare për shkak të përplasjes me SHBA-në në lidhje me problemin e targave ilegale serbe në vjeshtën e vitit 2022. Tashmë ishte e qartë se kjo lojë nuk do të përfundonte vetëm me tërheqjen e serbëve lokalë nga institucionet politike dhe ato të rendit dhe të ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Mirëpo paralajmërimeve të mëhershme të Vuçiqit, së pari pas takimit me Putinin në Sochi në dhjetor 2021, kur deklaroi se mezi pret që të pranojë armatimin e porositur rus pasi në vitin 2022 priten ndryshime të mëdha gjeopolitike, duke dhënë kështu indikacion të qartë se ishte i informuar paraprakisht nga pritësi i tij për agresionin në Ukrainë, dhe pastaj me fjalimin e tij të shtatorit të vitit 2022 në Kuvendin e Serbisë, se në veri ka persona në uniformë dhe se gratë atje po ju thërrisnin “mirë se erdhe liri”, pothuajse askush nuk i dha ndonjë rëndësi, por ndoshta edhe më keq, pothuajse askush në Perëndim nuk deshi t’i dëgjonte. Kështu erdhi edhe Banjska, për të cilën jozyrtarisht mësohet se hetimet perëndimore e bëjnë kreun e shtetit serb përgjegjës për këtë akt terrorist në veri të Kosovës. Po të kishte dështuar Policia e Kosovës dhe Perëndimi të tregonte përsëri dobësi, ashtu si tregoi kur iu rrahën ushtarët e KFOR-it në maj të 2023-s, ky mision paqezbatues i NATO-s do të ishte shndërruar në UNPROFOR , pra de fakto do të bëhej një forcë paqeruajtëse, me vijë ndarëse në lumin Ibër. Kjo vijë ndarëse, shumë lehtë do të mund të bëhej edhe kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse alternativat e zymta të luftës në Ukrainë do ishin bërë realitet, dhe ky është edhe qëllimi përfundimtar i Beogradit.
Nuk ka mëdyshje se Perëndimi pas Banjskës është resetuar dhe e sheh ndryshe Beogradin, por ai ende nuk e ka ndërtuar ndonjë politikë të re ndaj Serbisë. Këtu vetëm një gjë duhet ta kemi parasysh, dhe atë se askush nuk mund ta kthejë Serbinë kah Perëndimi, pa i thënë se e ke të hapur rrugën të shkosh kah Rusia. Për këtë arsye, establishmenti në Beograd është duke e përdorur Partneritetin për Paqe dhe akcesionin në Bashkimin Evropian si mburoja ndaj sanksioneve të mundshme dhe për përfitime materiale, derisa në të njëjtën kohë gjithnjë e më shumë është duke u larguar nga Perëndimi. Sot është koha të kuptohet në çdo kryeqendër të Perëndimit se çfarëdo “neutraliteti” në lidhje me luftën në Ukrainë nënkupton rreshtimi me Rusinë dhe si i tillë është kundër Perëndimit.
Për të kuptuar këtë politikë të Serbisë, le t’ia vejmë një sy rendimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në bazë të indeksit global të forcave ushtarake dhe përqindjes së shpenzimeve të bruto produktit vendor (GDP) në fushën e mbrojtjes. Serbia renditet e 58-a në botë, me 2.1% të GDP për shpenzime të mbrojtjes, Shqipëria e 91-a me 1.22% të GDP, Maqedonia e Veriut e 108-a me 1.5% të GDP, Mali i Zi - 128 me 1.61% të GDP-së, Bosnjë-Hercegovina - 133 me 0.93% të GDP, dhe Kosova - 134 me 1.13% të GDP dedikuar shpenzimeve të mbrojtjes. Mirëpo kjo është vetëm një anë e medaljes së trendëve ushtarakë në rajon. Kështu, në vitin 2022, Serbia ka blerë 335 milionë USD armatim kryesisht nga Rusia dhe Kina dhe atë kryesisht mjete anti-tank, dronë e sisteme të mbrojtjes ajrore, Shqipëria 1 milion USD, Maqedonia e Veriut 6 milionë USD, Mali i Zi 2 milionë USD, dhe Bosnjë-Hercegovina 12 milionë USD. Pra, Serbia ka blerë 16.6 herë më shumë armatim sesa krejt vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku, dhe e ka kthyer edhe një herë dominimin ushtarak në rajon. Në vitin 2023, Kosova ka bërë një përpjekje në këtë garë të armatimit, duke blerë pesë dronë Bayraktar TB92, ndërsa Serbia në mes të tjerash ka blerë 11 helikopterë rusë MI-35 nga Qiproja, dhe ka porositur nga Irani 20 mijë dronë kamikazë Shahed–136.
Shtrohet pyetja se pse Serbia është duke shpenzuar kaq shumë në mbrojtje dhe po e blen krejt këtë armatim, kur nuk e ka asnjë kërcënim ushtarak? Përgjigjen mund ta gjejmë në dy opsione që njëkohësisht janë duke u zbatuar nga Beogradi. I pari është pritja e alternativave të zymta nga epilogu i luftës në Ukrainë për të vënë në jetë me mjete ushtarake botën serbe, gjegjësisht Serbinë e Madhe. I dyti ka për qëllim që në ndërkohë ta shtyjë NATO-n t’i drejtojë resurset e veta drejt Ballkanit Perëndimor, si është tanimë rasti me misionin e KFOR-it, të cilit numri i trupave iu rrit për 1000 sosh, apo 25%, si dhe me gatishmërinë e Aleancës për t’u rikthyer në Bosnjë-Hercegovinë që të mos lejojë vakum të sigurisë në këtë vend për shkak të Republikës Serbe. Kështu, përmes “thithjes” së resurseve të NATO-s në rajon, Serbia është duke ndihmuar drejtpërsëdrejti Rusinë në arritjen e qëllimeve ushtarake dhe politike në Ukrainë, në kohën kur për këto resurse ka aq shumë nevojë në krahun lindor të Aleancës. Kjo politikë e Beogradit është përforcuar edhe me torpedimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, përmes letrës të cilën Bërnabiqi ia dërgoi Bashkimit Evropian në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 2023, me të cilën, de facto dhe de jure Serbia u tërhoq nga marrëveshja. Kjo nënkupton përkeqësim të mëtutjeshëm të situatës dhe me siguri edhe resurse shtesë të NATO-s për të mbajtur nën kontroll sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Këtë lojë të Beogradit, përpos një pjese të Perëndimit, deri vonë nuk e kishte kuptuar edhe Qeveria e Kosovës, e cila pothuajse dy vjetët e parë të mandatit të saj i humbi duke bërë manovra taktike që e sollën vendin në disavantazh strategjik.
Por tani shtrohet pyetja se si të dilet nga kjo paqëndrueshmëri në rajon, dhe si resetimi pas sulmeve terroriste në Banjskë të shndërrohet në opsion politik që do t’i zmbrapste qëllimet ekspansioniste të Serbisë dhe shërbimin që ajo është duke u bërë qëllimeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë? Pikësëpari, për të zhvilluar një opsion të ri, Brukseli dhe Washingtoni duhet të pranojnë koston e konsiderueshme të jo-stabilitetit në Kosovë dhe rajon të shkaktuar nga Serbia dhe Rusia, si dhe të mos e neglizhojnë si dominimin ushtarak të Serbisë ashtu edhe atë se çfarë është duke thënë Vuçiqi. Së dyti, duhet të pranohet fakti që kjo kosto është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të katër vendeve mos-njohëse të NATO-s, të cilat nganjëherë edhe së bashku me Hungarinë e pengojnë reagimin e saj kolektiv, jo vetëm në drejtim të integrimit të Kosovës në Aleancë, por edhe në marrjen e masave ndaj Serbisë. Së treti, duhet pranuar fakti që pasi plani evropian (franko-gjerman) i mbështetur nga SHBA-ja nuk përfshin njohje eksplicite reciproke, si i tillë nuk ofron asnjë garanci që të katër mosnjohësit e NATO-s do të ecin përpara me njohjen e Kosovës.
Për këtë arsye një opsion i politikës "ndryshuese të lojës" nga SHBA-ja është thelbësor për të transformuar mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të kufizuar ndikimin malinj të Rusisë, për të prapësuar ambiciet hegjemoniste të Serbisë përmes dhënies fund dominimit të saj ushtarak përmes balancimit të fuqisë, si dhe për të eliminuar efektin e vendeve mosnjohëse të NATO-s. Ky opsion është një traktat i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, i cili ka dy alternativa. Alternativa e parë është ajo e më pak se një aleancë klasike ushtarake, e ngjashme me Traktatin e Madridit të vitit 1953 që ndihmoi Spanjën të kishte siguri dhe ta thyente izolimin ndërkombëtar, përmes bazave të përhershme ushtarake amerikane dhe ndihmës ekonomike, i cili zgjati në këtë format derisa ky vend u anëtarësua në NATO në 1982. Alternativa tjetër është Traktati i mbrojtjes reciproke në formatin e aleancave klasike ushtarake, si ato me Republikën e Koresë të vitit 1953 dhe Japoninë e vitit 1960, përmes të cilave SHBA-ja u ofron atyre mbrojtje nga fqinjët agresivë e me këtë edhe balancim të fuqisë, dhe në të njëjtë kohë i mban ato nën kontroll.
dyja këto alternativa do të krijonin rrethana për zvogëlimin, jo vetëm të numrit të trupave të KFOR-it, por ndoshta edhe atyre amerikane, të cilat do të mund të përdoreshin në Krahun Lindor të NATO-s, ku edhe më së shumti ka nevojë. Si Serbia ashtu edhe Rusia e dinë se në rast të vënies në jetë të cilësdo prej këtyre alternativave, ato nuk mund të llogarisin në dallimet brenda NATO-s ndaj çfarëdo opsioni agresiv të Beogradit ndaj Kosovës, pasi kjo tani do të nënkuptonte përballje të drejtpërdrejtë me SHBA-në. Kështu do të minimizohej në tërësi edhe efekti i dominimit ushtarak të Serbisë në rajon, si për rrethanat e tanishme, ashtu edhe në rast të një epilogu të zymtë të luftës në Ukrainë, dhe kjo do t’i ofronte rajonit një siguri dhe stabilitet afatgjatë. Në anën tjetër, në aspektin operacional, bashkëveprimi me KFOR-in nuk do të mund të shkaktonte asnjë problem të rëndësishëm, pasi si ky mision, si dhe bazat eventuale të SHBA-së në Kosovë do të ishin nën komandën e përgjithshme të Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), i cili njëkohësisht është edhe komandant i forcave amerikane në Evropë. Ky opsion do të jetë më i lirë dhe më efektiv për SHBA-në dhe NATO-n, sesa opsionet tradicionale që janë në tavolinë dhe që determinohen nga konsensusi i Aleancës së përçarë në raport me Kosovën dhe regjionin, dhe njëkohësisht do t’i ndërronte në mënyrë fondamentale rrethanat e tanishme gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.
Mirëpo, para se të arrihet në këtë pikë, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë atë se çfarë edhe pritet prej saj, gjegjësisht përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, duke e marrë edhe përgjegjësinë për dëmtimin e tyre. Kosova duhet ta dijë se nuk mund të mbrohet pa ndihmën dhe përkrahjen e vendeve kryesore të Perëndimit, dhe që veprimet e pakoordinuara në çështje të sigurisë që e prekin edhe prezencën ushtarake ndërkombëtare në vendin tonë nuk duhet të përsëriten. Vendeve të vogla gjithmonë u janë dashur vendet e mëdha për t’u mbrojtur nga shtetet revizioniste në rajonet e tyre, ndërsa fuqive të mëdha iu duhen partnerë të përgjegjshëm, edhe pse ata mund të jenë të vegjël, për t’i përballur me sukses sfidat e sigurisë rajonale dhe globale.