OpEd

Nevoja e shitjes së pasurisë së sekuestruar: Pse institucionet duhet të jenë të kujdesshme në këtë aspekt

Pasuria e sekuestruar dhe e konfiskuar është cilësimi që i bëhet marrjes së përkohshme dhe të përhershme të pasurisë, e cila mund të jetë fituar përmes një aktiviteti kriminal. Përderisa sekuestrimi nënkupton marrjen e përkohshme të pasurisë, konfiskimi nënkupton shitjen e përhershme të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Si për sekuestrimin ashtu edhe konfiskimin nevojiten një vendim gjyqi, i cili e bën të ligjshëm marrjen e përkohshme ose të përhershme, si dhe shitjen apo shfrytëzimin e një pasurie që është rezultat i një vepre penale. 

Republika e Kosovës ka Ligjin Nr. 05/L-049 për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar, i cili rregullon administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar, në bazë të të cilit është themeluar edhe një agjenci e specializuar për këtë qëllim, që është Agjencia për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar (AAPSK). AAPSK sipas ligjit bën administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar, që nënkupton disponimin e plotë me atë pasuri që përfshin magazinimin, ruajtjen e përkohshme, shitjen e pasurisë, dhënien me qira, dhënien në shfrytëzim pa kompensim dhe vlerësimin e vlerës së pasurisë së konfiskuar, si dhe aktiviteteve të tjera të nevojshme në pajtim me ligjin.

Në kohët e fundit është bërë mjaft problematike çështja e administrimit të pasurisë së sekuestruar për shkak që disa lloje të pasurive të luajtshme janë delikate që mund të prishen ose të tjerave që mund t`u humbet vlera nëse pritet deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës. AAPSK po ka vështirësi ditore në administrimin e pasurisë së sekuestruar, për shkak se nevojiten si burime njerëzore ashtu edhe financiare dhe prapëseprapë vlera e kësaj pasurie po bie si shkak i amortizimit të tyre. 

Ligji ka parashikuar mundësinë e shitjes së pasurisë së sekuestruar nëse ajo pasuri humb vlerën ose në rast të magazinimit të saj e tejkalon vlerën e saj, apo kur shpenzimet e magazinimit janë joproporcionale me vlerën e pasurisë së sekuestruar. Parakusht ligjor për këto raste janë propozimi i AAPSK-së, Prokurori i shtetit, apo organi tjetër kompetent, të cilët mund të kërkojnë nga gjykata të vendosë për shitjen e një pasurie para se të merret vendimi i formës së prerë për konfiskim. 

Këtu edhe fillon problemi shkaku që në shumicën e rasteve kur iniciohet procedura penale, por edhe më vonë nuk ndërmerren hapat e nevojshëm në këtë rast nga prokurorët e shtetit për të kërkuar nga gjykata kompetente që të vendosë për shitjen e pasurisë së sekuestruar në mënyrë që e njëjta të mos humbë vlerën ose shpenzimet e mirëmbajtjes tejkalojnë vlerën e asaj pasurie. 

Për pasojë kemi pasuri të konsiderueshme të sekuestruar, e cila po paraqet sfidë për magazinimin dhe ruajtjen e saj nga ana e AAPSK-së. Sipas AAPSK-së, vetëm vetura janë 450, por numri i tyre është në rritje e sipër, ndërsa vlera e tyre bazuar në momentin e sekuestrimit është 2.600.000,00 euro, vlerë kjo aktualisht shumë më e vogël, pra rreth 1.000.000,00 euro, për shkak të shkallës së amortizimit, e cila është 13% në vit për vetura . Përveç kësaj, kostoja për ruajtjen e pasurisë së sekuestruar dita-ditës po rritet, përderisa mosshitja me kohë mund t`i shkaktojë humbje buxhetit të shtetit, por edhe personave në rastet kur pasuria me vendim të gjykatës vendoset t`i kthehet pronarit. 

Në këtë drejtim, përfundimisht duhet të ndërrohet praktika e trekëndëshit institucional AAPSK, prokurori e shtetit dhe gjykatë në mënyrë që shtohet efikasiteti në shtijën e pasurisë së sekuestruar në pajtim me ligjin për shmangur humbjet dhe racionalizuar kostot e nevojshme të cilat nevojiten për administrimin e saj.

(Ky shkrim synon të rrisë informimin e qytetarëve/eve me rolin, rëndësinë dhe punën e Agjencisë për Administrim të Pasurisë së Sekuestruar apo të Konfiskuar. Ky shkrim është pjesë e aktiviteteve të projektit “ACT NOW“, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga GLPS. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e GLPS-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian)