OpEd

Nëse një politikan e flet vetëm të vërtetën, kurrë s’do t’i fitojë zgjedhjet

Më e rëndësishmja që ka ndodhur me rotacionin politik është se vetë qytetarët e kanë kuptuar fuqinë e tyre. E kanë kuptuar se ata që ua kërkojnë votën dhe më vonë i harrojnë, paska mundësi të ndëshkohen. Së këndejmi, pavarësisht rezultateve të Qeverisë Kurti, një fuqizim i madh tashmë ka ndodhur në Kosovë – fuqizimi i qytetarit të Republikës. Do të jetë shumë më e vështirë t’i mashtrojë kush!

NËSE DO TA FLISNIN gjithnjë të vërtetën, politikanët kurrë nuk do t’i fitonin zgjedhjet.

E vërteta është shpesh shumë e komplikuar, e papërshtatshme, madje edhe e dhimbshme. Por nëse trillon, mund ta bësh të thjeshtë, joshëse dhe tërheqëse.

Nëse vetëm ua bëni qejfin njerëzve, atëherë ata do të votojnë për ju...

Për sherr (ose për hajr!), po e shikoja një intervistë të dhënë këtë javë të filozofit dhe historianit Yuval Noah Harari dhe mbajta në mend disa nga thëniet e tij që i parafrazova më lart. Është për sherr (ose për hajr!), për shkak se kjo intervistë e autorit të librave të popullarizuar “Sapiens” dhe “Homo Deus” po zhvillohej pikërisht në javën kur edhe u ndërrua pushteti në Kosovë, dhe për herë të parë në nivelin qendror erdhi një forcë politike, si Vetëvendosja.

Natyrisht, jo vetëm në frymën e asaj që po fliste një mendje brilante si e Hararit, edhe Vetëvendosje, por edhe të tjerët jashtë saj shpesh kanë pyetur: Pse kaq gjatë iu desh Albin Kurtit me shoqëri të vijë në majë të pushtetit në Kosovë.

Sigurisht, Hariri do të mund të na jepte një përgjigje në stilin e tij: Se të tjerët e kanë kuptuar më herët se e vërteta nuk ua fiton zgjedhjet. Ose, edhe më vrazhdë: Se Vetëvendosje, më në fund, e kuptoi, se duhet t’ua bëjë më tepër qejfin njerëzve.

ME FITOREN NË zgjedhje dhe me marrjen në drejtim të Qeverisë nga Albin Kurti, tashmë në Kosovë u rrumbullakua procesi i të gjitha mundësive të rotacioneve politike. Katër subjekte politike, të cilat ia kanë dalë të marrin nga mbi 10 për qind të votave, së paku në dy cikle zgjedhore, iu është dhënë rasti të jenë në pushtet, ose të kenë mbajtur njërën nga tri postet kryesore të shtetit.

Zgjedhjet e reja do të sjellin një normalizim të jetës politike kosovare, meqë atëherë qytetarët votues do të mund të vlerësojnë nga punët e bëra kapacitetin e secilës forcë politike, si dhe vetë politikanët ta vërtetojnë me vepra zotësinë personale, ose të grupimit të tyre politik.

Fjalët, megjithatë, janë mall që shitet, por si çdo mall tjetër, kanë afat përdorimi, kurse në fund ato që mbesin janë veprat konkrete. Kur fuqia e fjalëve të thëna nuk përputhet me madhësinë e veprave të realizuara, atëherë magjia fillon të zhduket dhe ngadalë, por sigurt, kërkohet zëvendësimi.

Funksionon thuaja gjithmonë, kaq thjesht, në demokraci, në të gjitha vendet e rruzullit. Ka funksionuar edhe në demokracinë ende të re të Kosovës. Është realizuar tash e një kohë në pushtetet komunale, kryetarët e partive të ndryshme e kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, së fundi ndodhi edhe në pushtetin qendror – PDK-ja, si konstantja e pushtetit në këta 12 vjet të fundit, doli në opozitë.

PSE ROTACIONI POLITIK është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një shoqërie është i qartë – përgjegjshmëria para qytetarëve. Politikanët që deri më sot kanë qenë në pushtet e kuptojnë se qenkan të zëvendësueshëm, se pushteti nuk mund të mbahet gjithmonë prej tyre, pavarësisht makinacioneve të ndryshme legale dhe ilegale. Duke e mësuar këtë leksion edhe në Kosovë, për shembull, tash PDK-ja, do të duhej ta kishte më të qartë se çka duhet të bëjë për të ardhur prapë në pushtet.

Kur një politikan e kupton përkohshmërinë e pushtetit, ai do të jetë më i prirë që të punojë drejt, të mos manipulojë e të keqpërdorë pushtetin për nevoja të veta ose të grupit të tij të interesit, për shkak se nesër qytetarëve nuk do t’iu mjaftojnë vetëm fjalët e bukura që dëgjojnë, por do t’i dënojnë për veprat që i bëjnë. Kështu, duke shpërdoruar pushtetin, një ditë është e pashmangshme se do të humbet në zgjedhje e të zhveshur nga pushteti mund edhe të përfundohet në burg, nëse kanë bërë shkelje.

Njëlloj, këtë leksion duhet ta ketë të qartë edhe partia e cila për herë të parë udhëheq me Qeverinë e Kosovës. Vetëvendosje është koshiente se një kohë të gjatë LDK-ja ka qenë partia më e popullarizuar, pastaj PDK-ja ka vazhduar të jetë më e popullarizuara, kurse sot është ajo vetë. Njësoj, në sondazhe të ndryshme popullariteti, në raste të ndryshme në majë kanë dalë Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Nexhat Daci, Bajram Rexhepi, Fatmir Limaj dhe Agim Çeku, por ku janë ata sot? Qytetarët, në një moment përgjatë këtyre vjetëve, kanë vendosur që t’ua kthejnë shpinën (hiç rastin e Rugovës, i cili u nda nga jeta duke qenë ende në mesin e politikanëve më të popullarizuar).

Albin Kurti është sot politikani më i popullarizuar dhe më i votuar në vend. Por, tashmë situata ka ndryshuar. Albin Kurti sot ka në dorë timonin e postit më të lartë drejtues të shtetit dhe nga puna dhe angazhimi i tij do të varet më së shumti kahja që do ta marrë ky shtet. Fjalët e bukura dhe arsyetimet mund ta mbajnë entuziazmin e masës për një kohë, por në fund edhe ai – si çdo politikan tjetër i vdekshëm - do të vlerësohet nga puna.

Përparësia e Kurtit në këtë rrafsh është se e ka të qartë se çka ka ndodhur para tij. Dhe mund të jetë shumë më i vetëdijshëm për të metat dhe avantazhet e përkohshmërisë së pushtetit.

MBI TË GJITHA, edhe më e bukur me rotacionin e ndodhur politik është se vetë qytetarët e kanë kuptuar fuqinë e tyre. E kanë kuptuar se ata që ua kërkojnë votën dhe më vonë i harrojnë paska mundësi të ndëshkohen.

Së këndejmi, pavarësisht rezultateve të Qeverisë Kurti, një fuqizim i madh tashmë ka ndodhur në Kosovë – fuqizimi i qytetarit të Republikës.

Do të jetë shumë më e vështirë t’i mashtrojë kush!

[email protected]

Twitter: @adriatikk