OpEd

Nëna e të gjitha lajmeve

Kemi nevojë që sa më shumë liderë të kuptojnë urgjencën e krizës dhe mundësitë e ofruara nga kalimi në energjinë e pastër. Gazetaria efikase klimatike është një mjet qenësor për ta mundësuar të kuptuarit e kësaj. Kriza klimatike është dhe duhet të mbesë lajm balline

Në adresimin e ndryshimeve klimatike “fitorja” e ngadaltë është e njëjta gjë sikurse humbja. E kemi vetëm një shans për ta përmirësuar këtë problem, para se të shndërrohet në një kërcënim ekzistencial dhe derisa të mos mbyllet shpejt dritarja e mundësisë për veprim.

Përveç të qenët e ndjeshme karshi kohës, çështja e ndryshimeve klimatike i shumëfishon të gjitha krizat e tjera me të cilat përballemi, nisur prej pandemisë së koronavirusit e deri te pabarazia globale. Adresimi i urgjencës së saj është mënyrë e qartë, e bazuar në fakte dhe e përgjegjshme, andaj dhe është bërë esenciale. Pa raportimin dhe analizimin e përpiktë, të saktë dhe gjithëpërfshirës të problemit, votuesit nuk do ta kuptojnë atë, e lëre më që të kërkojnë zgjidhje prej politikëbërësve, të cilët mund t’i mobilizojnë burimet e nevojshme për luftimin e tij.

Duke e pasur parasysh ndërlikueshmërinë e dukshme të ndryshimeve klimatike, ne kemi nevojë për gazetarë me përvojë, të përkushtuar dhe të mirinformuar për mbulimin e të gjitha aspekteve të problematikës në tërësi. Duke qenë se përbëjnë një çështje që do të ndikojë tek gjithsecili në planet dhe në të gjitha aspektet e jetëve tona, ndryshimet klimatike nuk janë vetëm njëfarë lajmi i nxehtë. Kalimi në energji të pastër dhe karbon-neutral e nënkupton rishikimin e të gjithë ekonomisë globale – një transformim ky që do të ndikojë në mënyrën se si punojmë, konsumojmë dhe kujdesemi për familjet tona.

Qysh tani, pothuajse të gjitha lajmet e rëndësishme të së sotmes duhet të kuptohen përbrenda kontekstit të ndryshimeve klimatike, të cilat po i ndryshojnë rregullat e lojës kudo dhe në pothuajse të gjitha fushat e jetës.

Gazetarët më të përshtatshëm për t’i mbuluar këto ndryshime andaj do të jenë mendimtarët e “sistemeve”, gratë dhe burrat që shquhen në përcaktimin e lidhjeve dhe më pas në shpjegimin e mirë të tyre. Kjo detyrë thërret për një perspektivë teknologjike, për gjurmimin e lidhjeve midis rrjetit energjetik, mobilitetit, ndërtimeve dhe industrisë, si dhe për një perspektivë të ekosistemeve, me qëllim të identifikimit të lidhjeve midis kushteve ekstreme të motit, dështimit të të korrave, trazimit të zinxhirëve globalë të furnizimit dhe rrezikut financiar.

Natyrisht, shumë gazetarë tanimë janë duke mbuluar krizën klimatike. Janë pikërisht ata që kanë zgjeruar vetëdijen publike për çështjen dhe e kanë kryer punën e vështirë të ekspozimit të argumenteve të rreme dhe mashtruese të avancuara prej mohuesve të ndryshimeve klimatike dhe të mbështetura nga industria e karburanteve fosile. Por ka ende goxha shumë çështje të ndërlidhura me klimën që kërkojnë mbulim akoma më të thellë. Kur bëhet fjalë për gazetarinë klimatike, vlen parimi sa më shumë aq më mirë. Siç e thotë aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg, gjithsecili është i nevojshëm dhe akëcili është i mirëseardhur.

Gazetarët që përqendrohen në tema të tjera duhet të kuptojnë se si fushat e tyre të ekspertizës përkojnë me ndryshimet klimatike. Gazetarët veteranë të klimës duhet që t’i mbështesin gazetarët më të rinj, duke “ua kaluar mikrofonin”, siç gazetari dhe aktivisti për klimë, Bill McKibben, kishte bërë me kolumnen e tij në “New Yorker”. Dhe zërat me ndikim në botën online – qofshin ata realizues të videove në TikTok apo audiencat e mbledhura nëpërmjet Substack ose Clubhouse – duhet t’i shfrytëzojnë platformat e tyre për ta përçuar fjalën.

Në këtë sfond, lansimi i “Canary Media” (www.canarymedia.com), një platformë kjo e re mediale për energji dhe klimë, vjen pikërisht në kohën e duhur. E financuar nga RMI-ja dhe me gazetarë me përvojë, “Canary Media” synon që të bëhet redaksia kryesore e pavarur e lajmeve që vihet në krye të frontit për transicion në energji të pastër.

Në peizazhin medial të së sotmes, gazetaria e besueshme dhe e pavarur klimatike po bëhet dita-ditës më e rëndësishme. Organizata mbikëqyrëse “Media Matters for America” ka raportuar se mbulimi i përbashkët televiziv i ndryshimeve klimatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shënuar rënie prej 53 për qind në vitin 2020. Energjia e pastër, një sektor që pritet të sigurojë 11 biliardë dollarë investime deri më 2050, është ende një çështje e parëndësishme informative, krahasuar me industritë e tjera. Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për informim themelor publik lidhur me energjinë e pastër – për modelet e saja afariste, teknologjitë dhe për çështjet politike e rregullatore që i ngërthen.

Teksa vetëdija për urgjencën klimatike vazhdon të rritet, mbështetja për gazetarinë klimatike do të ketë nevojë që të rritet bashkë me të. Pa mbulim imponues dhe të qasshëm që e ngërthen një audiencë të gjerë globale, shkalla e sfidës – dhe e mundësisë që e paraqet – nuk do të identifikohet me kohë dhe transformimi për të cilin kemi nevojë do të vijë tepër vonë. Duhet t’i shkurtojmë emetimet tona për të paktën 50 për qind deri në vitin 2030 për ta arritur cakun prej neto-zero deri më 2050.

Nëse dështojmë, atëherë do të na duhet që të fillojmë së përgatituri për skenarët më të zymtë të mundshëm klimatikë. Vetë civilizimi njerëzor do të jetë në rrezik.

Udhëheqësit e fushës së biznesit, të cilët e kuptojnë këtë gjë, veçse janë duke hapëruar drejt të ardhmes neto-zero, ku do ta sigurojnë një avantazh të konsiderueshëm të së vepruarit të parët. Siç ka shpjeguar një raport i Forumit Botëror Ekonomik, pasuritë do të fitohen dhe humben varësisht prej asaj se kush e merr seriozisht çështjen e ndryshimeve klimatike.

Kemi nevojë që sa më shumë liderë ta kuptojnë urgjencën e krizës dhe mundësitë e ofruara nga kalimi në energjinë e pastër. Gazetaria efikase klimatike është një mjet qenësor për ta mundësuar të kuptuarit e kësaj. Kriza klimatike është dhe duhet të mbesë lajm balline.

(Jules Kortenhorst është shef ekzekutiv i RMI-së. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).