OpEd

Ne, Ypsilonët

Pabarazia në vaksinimin kundër virusit COVID-19

Kosova më në fund hyri në radhën e shteteve të cilat kanë filluar vaksinimin kundër COVID-19. Të dielën, në Kosovë arritën 24 mijë doza të vaksinave AstraZeneca, donacion nga programi Covax. Kurse të hënën filloi vaksinimi i personelit mjekësor, personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike.

Deri para tri ditësh, Kosova ishte një ndër 30 vendet që nuk kishte filluar vaksinimin. Nga 564 milionë vaksinat e injektuara deri më 30 mars, 75% e tyre janë dhënë vetëm në dhjetë shtete – në shtetet më të zhvilluara ekonomikisht, si Izraeli, ShBA-ja, Britania e Madhe, etj. Vendet e pasura, të cilat përbëjnë 14% të popullsisë së botës, kanë rezervuar 53% të vaksinave më të mira. Shumica e vaksinave të prodhuara nga Pfizer do të shkojnë në vendet e pasura, kurse të gjitha vaksinat e prodhuara nga Moderna po ashtu do të orientohen vetëm në vendet më të pasura.

Sipas People’s Vaccine Alliance (një rrjet i organizatave joqeveritare i përbërë nga Amnesty International, Oxfam, Global Justice), vendet e pasura kanë blerë aq shumë vaksina sa për ta vaksinuar popullsinë e tyre deri në tri herë. Kanadaja ka rezervuar pesë herë më shumë vaksina sesa ka popullsi.

Po sipas People’s Vaccine Alliance, në 70 shtetet më pak të zhvilluara do të mund të vaksinohet vetëm një në dhjetë persona. Ky rrjet i organizatave u ka bërë thirrje kompanive farmaceutike prodhuese të vaksinave që të ndajnë teknologjinë dhe pronësinë intelektuale, me qëllim që të prodhohen më shpejt e më shumë vaksina. Mirëpo, deri më tani, kompanitë farmaceutike kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë. Vetëm gjatë vitit 2021, sipas revistës “The Guardian”, kompania Moderna pritet t’i fitojë 18 miliardë dollarë, kurse Pfizer planifikon t’i inkasojë 11 miliardë dollarë.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë si edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kanë shprehur shqetësimin e tyre për koncentrimin e vaksinave vetëm te disa shtete, duke tërhequr vërejtjen se bota është buzë një dështimi të madh moral.

Pamundësia për ta vaksinuar së paku stafin mjekësor ka bërë që resurset spitalore të rëndohen edhe më tej në vendet e varfra, duke rritur edhe më shumë rrezikun nga pandemia. Ekonomitë – edhe ashtu të varfra – do të rëndohen edhe më shumë si pasojë e tejzgjatjes së pandemisë në vendet më pak të zhvilluara.

Kosova, e cila gjatë pandemisë ka ndërruar tri qeveri dhe 150 nga 365 ditët e para të pandemisë i ka kaluar me qeveri në detyrë, e ka pësuar më së keqi sa u përket menaxhimit të pandemisë dhe sigurimit të vaksinave. Qeveria e kaluar nuk ka qenë aspak transparente sa u përket përpjekjeve për t’i siguruar vaksinat, kurse për këto dy javë në pushtet të qeverisë së re nuk ka asnjë njoftim se cilat janë planet për sigurimin e vaksinave të reja.

Koncentrimi i vaksinave vetëm te vendet e pasura ta kujton paralajmërimin e para disa viteve të shkencëtarit izraelit Yuval Noah Harari se në të ardhmen njerëzit e pasur do të kenë mundësi të kenë qasje në zbulimet më të reja dhe më të shtrenjta mjekësore. Kjo do të krijojë übermensch, apo supernjerëz, të cilët falë pasurisë së tyre do të mund të kenë qasje në medikamentet që rrisin imunitetin, zgjasin jetën e përforcojnë memorien. Nëse para gjashtë vjetëve ky paralajmërim i Hararit dukej i pabesueshëm, tani vetëm se është bërë realitet. Njerëzit në vendet e varfra vazhdojnë të vdesin nga virusi, prej të cilit po mbrohen njerëzit në vendet më të zhvilluara.

Aldous Huxley në romanin e tij “Brave New World” (përkthyer në shqip si “Më e mira e botëve”) i ndan njerëzit në kasta, ku Alfat janë njerëzit më të avancuar, kurse Ypsilonët janë kasta më e ulët, të cilët kryejnë punët më të rënda, jetojnë më keq dhe konsumojnë ushqimet më pak të mira. Diçka tjetër që i dallon kastat në botën utopike të Huxleyt është edhe kualiteti i ‘somave’, apo pilulave të ndryshme që konsumojnë pjesëtarët e kastave të ndryshme me qëllim që ta mirëmbajnë gjendjen emocionale që u takon sipas rangut të kastave.

Aktualisht, ne kosovarët u ngjajmë Ypsilonëve të Huxleyt. Përveçse jemi populli më i izoluar, më i varfër e me ndotjen më të lartë në Evropë, tani na është shfaqur edhe një kufizim: pamundësia për t’u vaksinuar ashtu si qytetarët e vendeve të tjera.