Thuhet se njerëzit që jetojnë në momentet unike historike e kuptojnë këtë shumë vonë, vetëm me kalimin e kohës. Mendoj se sot jemi në një moment të tillë. Muajt e ardhshëm do të përcaktojnë fatin e rendit global për ne dhe gjeneratat e ardhshme
Një nga citimet më të shpeshta të retorikës së bukur të Churchillit është se Rusia është “një gjëegjëzë e mbështjellë në një mister brenda një enigme”. Por ajo që është më pak e njohur është se Churchilli e kishte vazhduar fjalinë e famshme duke thënë, “...por ndoshta ka një zgjidhje. Ajo zgjidhje është interesi nacional rus”. Në këtë drejtim, nëse dikush ka ardhur më së afërti drejt zgjidhjes së gjëegjëzës ruse ajo është Angela Stenti. Në chef-d'oeuvrin e saj “Bota e Putinit”, ajo ka ofruar një kornizë elegante për ta kuptuar historinë, interesat dhe synimet e Rusisë nën lidershipin e Putinit. Si e tillë, “Bota e Putinit” e Stentit i bashkohet Telegramit të Gjatë të Kennanit për të ofruar atë zgjidhjen e famshëm të Churchillit.
Në “Bota e Putinit”, Stenti na merr me vete në një udhëtim nëpër historinë ruse dhe mënyrën se si historia ka formësuar kulturën dhe të menduarit rus. Ajo pasuron rrëfimin e saj duke vizatuar një pikturë të Putinit, i cili si xhudist ka kuptuar se në xhudo nuk fiton kundërshtari më i fortë, por ai i cili e gjen pikën më të dobët të kundërshtarit. Atë që e ka mësuar në xhudo, Putini e perfeksionoi në politikë. Kapitull pas kapitulli Stenti na ofron një mozaik të marrëdhënieve të Rusisë së Putinit me akterë kyçë globalë. Vëmendje e veçantë i kushtohet marrëdhënies ruso-amerikane. Por nga 400+ faqe të “Botës së Putinit” në këtë shkrim desha të tërheq vëmendjen te gjashtë parimet të cilat Stenti i identifikon si themel i veprimit të Putinit në skenën ndërkombëtare. Sipas Stentit, këto gjashtë parime e përbëjnë thelbin e “Doktrinës së Putinit”.
E para, Putini beson se Rusia duhet ta ketë vendin e garantuar në tavolinën e të mëdhenjve. Me fjalë të tjera, nëse ekziston diçka si Bordi Drejtues i Botës, Putini duhet ta këtë karrigen e siguruar në këtë bord. Rusia duhet të njihet nga Perëndimi si forcë e barabartë globale dhe jo vetëm “fuqi rajonale”, në fjalët e Obamës.
E dyta, interesat e Rusisë nuk i nënshtrohen interesave të Perëndimit. Rusia nuk e pranon një hierarki të tillë. Interesat ruse janë po aq legjitime sikurse interesat e Perëndimit. Perëndimit kjo mund të mos i pëlqejë, në fakt Perëndimi mund edhe t’i dënojë ato, por në fund fare ai duhet t’i pranojë ato.
E treta, Rusia ka të drejtë të veçantë të ndikimit në zonën e interesit të saj të privilegjuar. Me fjalë të tjera, Rusia pret që Perëndimi të pranojë se hapësira e ish-Bashkimit Sovjetik është zonë e interesit të privilegjuar rus. Kësisoj perimetri i sigurisë së Rusisë shtrihet në gjithë zonën e ish-BRSS-së dhe nga kjo rrjedh që vendet në fjalë asnjëherë nuk do t’u bashkëngjiten aleancave të cilat konsiderohen armiqësore ndaj interesave rus. Rrjedhimisht, çdo zgjerim i NATO-s dhe i BE-së drejt këtyre vendeve konsiderohet akt armiqësor.
E katërta, Rusia beson se disa shtete janë me të vërtetë shtetet, e disa janë vetëm “shtetet”. Thënë ndryshe, dhe duke huazuar nga Orwelli, Rusia beson se të gjitha shtetet janë sovrane, por disa janë më sovrane se të tjera. Sipas kësaj doktrine, fuqitë e mëdha sikurse Rusia, SHBA-ja, Kina dhe India gëzojnë sovranitet absolut dhe rrjedhimisht mund t’i zgjedhin aleancat dhe partneritetet në mënyrë të pavarur. Vende më të vogla, sikurse Ukraina dhe Gjeorgjia, nuk janë plotësisht sovrane dhe rrjedhimisht nuk mund të sillen në mënyrë të pavarur në skenën ndërkombëtare. Prandaj, Rusia pret që këto vende do të veprojnë në përputhje me interesat ruse. Përndryshe do të gëzojnë fatin e Hungarisë dhe të Çekosllovakisë së kohës së BRSS-së.
E pesta, Rusia beson se interesat e veta do të avancohen më efektivisht nëse siguron që Perëndimi ngelet i përçarë. Rrjedhimisht, Rusia në vazhdimësi mbështet forcat populliste, antiamerikane dhe euro-skeptike në gjithë botën. Sa më e dobët Aleanca transatlantike në botë, aq më mirë për interesat ruse.
Dhe e fundit, Rusia mendon se ka ardhur fundi i rendit ndërkombëtar të ngritur pas luftës së ftohtë. Ajo botë liberale dhe e bazuar mbi rregulla ndërkombëtare duhet të zëvendësohet me një rend të ri botëror, i cili në epiqendër të tij do ta ketë njohjen e forcës dhe të drejtës së disa fuqive globale për të përcaktuar sferat e tyre të influencës. Një lloj bote të drejtuar nga Jalta 2.0.
Të gjitha këto parime bashkohen në realizimin e një qëllimi strategjik rus: adresimi i pasojave të kolapsit sovjetik, dobësimi i Aleancës transatlantike dhe rinegocimi i arkitekturës së sigurisë të vendosur pas luftës së ftohtë.
Kjo doktrinë e re ruse duhet të pranojmë se ka pasur sukses. Krahasuar me BRSS-së e gjunjëzuar dhe të poshtëruar të Jeltsinit, Rusia e sotme e Putinit është fuqi serioze ndërkombëtare, e cila është e aftë t’i projektojë interesat e veta në Amerikë, Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, njëkohësisht. Nga ndikimi në procesin zgjedhor presidencial në Amerikë dhe fushata manipuluese me BREXIT në Evropë, e deri te mbajtja e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake me Afrikën e Jugut dhe mbështetja e Asadit në Siri, Rusia është patjetër forcë e respektueshme. Së fundmi, përkundër sanksioneve të paprecedenta perëndimore si pasojë e pushtimit të Ukrainës, Rusia ka thelluar marrëdhëniet e veta me pjesën tjetër të botës. Në fakt shumica e vendeve të botës nuk i kanë vendosur sanksionet Rusisë. Putini është pritur me nderime në Lindjen e Mesme nga princi i Arabisë Saudite MBS dhe ka pritur me nderime në Moskë liderin e demokracisë më të madhe në botë, kryeministrin e Indisë, Modi. Në vitin 2018, përkundër pushtimit të parë të Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, Rusia ishte epiqendra e botës me nikoqirllëkun e Kupës së Botës së futbollit. Asokohe presidenti i FIFA-së tha: “Të gjithë kanë zbuluar një vend të mrekullueshëm, një vend nikoqir, i cili është i gatshëm t’i dëshmojë botës se çdo gjë që është thënë për të më parë, mund të mos jetë e vërtetë. Shumë paragjykime kanë ndryshuar, sepse njerëzit kanë parë natyrën e vërtetë të Rusisë”. Kjo deklaratë u dha vetëm katër vjet pasi Rusia ishte nikoqire e Lojërave Dimërore Olimpike dhe vetëm katër vjet pasi Rusia kishte pushtuar Ukrainën dhe e kishte rrëzuar aeroplanin civil MH17.
Kur Putini kishte deklaruar se kolapsi i BRSS-së ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit njëzet”, ai nuk ishte vetëm duke bërë një reflektim abstrakt politik. Ai ishte artikulim i vizionit të Putinit për vendin e Rusisë në botë. Njëzet vjet më parë, Putini ishte një ish-agjent i panjohur i KGB-së, i cili kishte trashëguar një Rusi të poshtëruar dhe të dobët. Sot, njëzet vjet më vonë, ai e ka transformuar Rusinë në forcë globale me rol të rëndësishëm në virtualisht çdo çështje që e preokupon skenën ndërkombëtare. Fuqi bërthamore në posedim të raketave hipersonike, të afta të lansohen nga hapësira.
Dhe ndonëse gjatë gjithë kësaj kohe Rusia është rritur, ajo është mbajtur nën kontroll nga fuqia e pakontestueshme amerikane. Që nga riaranzhimi i fundit i rendit global të ngritur nga pluhuri i murit të Berlinit, Uashingtoni ka qenë forcë e parashikueshme globale dhe engjëlli mbrojtës i kursit progresiv të njerëzimit. Me pushtimin rus të Ukrainës, Putini beson se kësaj epoke i ka ardhur fundi. Ai beson se me një Amerikë izolacioniste dhe në tërheqje, dhe me Evropën e përçarë dhe të dobët, kushtet po piqen për ridizajnimin e rendit global. Në nëntor do të kuptojmë nëse ai ka pasur të drejtë.