Në pushtetin e Vuçiqit asgjë nuk është ashtu siç duket, dhe çdo gjë është spektakël. Kryesisht gjëja që më së shumti shihet apo diskutohet është më së paku e rëndësishme. Me fjalë të tjera, për të kuptuar pushtetin e Vuçiqit duhet të injorojmë zhurmën ditore të propagandës së tij dhe të jemi më të vëmendshëm ndaj veprimeve dhe interesave të tij
Një ditë prej ditësh presidenti i Serbisë, Vuçiq, zgjodhi që ta njoftojë popullin e tij për një ngjarje të tmerrshme. Ndryshe nga drejtimet formale televizive të liderëve të shteteve anembanë botës për çështje të interesit publik, Vuçiq zgjodhi që këtë njoftim ta bëjë në rrjetin social dedikuar fotografisë, dhe të popullarizuar nga Kim Kardashian dhe Justin Bieber. Në postimin e tij në Instagram ai shkroi: “Në këtë moment nuk e kam lehtë t’ju njoftoj se çfarë lajmesh kemi marrë në 48 orët e fundit...Do të luftojmë. Do të fitojë Serbia”. Disa orë më vonë, përsëri në Instagram, ai postoi foto me djalin e tij të madh i cili kishte veshur një bluzë me flamurin e Serbisë në formën e hartës së Kosovës dhe me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.
Natyrisht që asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi. Ky episod “instagramesk” ishte vetëm episodi i fundit i cili shpërfaqi teknologjinë e funksionimit të pushtetit të Vuçiqit. Në formësimin e tij politik Vuçiqi ka kuptuar fuqinë e pakrahasueshme të propagandës në funksion të mirëmbajtjes së pushtetit. Në pushtetin e Vuçiqit asgjë nuk është ashtu siç duket, dhe çdo gjë është spektakël. Qeverisja është një Instagram i madh me plot filtra për këdo dhe kudo. Kryesisht gjëja që më së shumti shihet apo diskutohet është më së paku e rëndësishme. Me fjalë të tjera, për të kuptuar pushtetin e Vuçiqit duhet të injorojmë zhurmën ditore të propagandës së tij dhe të jemi më të vëmendshëm ndaj veprimeve dhe interesave të tij.
Është pikërisht nga ky prizëm që duhet të analizojmë qeverinë e re të Serbisë. Që nga bërja publike e emrave të rinj të qeverisë së re serbe vëmendjen kryesore publike e ka marrë propozimi i Aleksandër Vulinit për zëvendëskryeministër pa portofol. Një figurë proruse dhe avokat kryesor i idesë së “Serbisë së Madhe”, emri i Vulinit është sinonim i deklaratave kontroverse dhe spektakolare. Kësisoj, ditëve të fundit kryetitulli i të gjitha mediave serbe dhe atyre rajonale ishte emri i Vulinit, ndërsa rrjetet sociale dhe debatet e mbrëmjes u ndezën flakë për të bërë analizë shkaqet dhe pasojat e një qeverie proruse dhe ekstremiste serbe.
Dhe kjo ishte fiks çfarë Vuçiq synonte me propozimin e Vulinit për zëvendëskryeministër pa portofol: cirk për qëllime të brendshme politike. Emërimi i Vulinit është tërësisht spektakël. Vulini nuk ka asnjë peshë thelbësore brenda skenës politike serbe. Në Kuvendin e Serbisë partia e tij ka vetëm dy deputetë. Vuçiqi ka përdorur atë si lolo shantazhi në kuadër të lojës së balancës së tij në mes Rusisë dhe Perëndimit, por duke mos i dhenë asnjë herë fuqi thelbësore vendimmarrëse. Emërimi i tij sot si zëvendëskryeministër pa portofol është nadiri i karrierës së tij dhe një hap tjetër drejt margjinalizimit të forcave proruse brenda qarqeve vendimmarrëse të Serbisë.
Qeveria e re e Serbisë është akt delikat i balancës në mes propagandës dhe thelbit. Ajo është dizajnuar me kujdes nga Vuçiqi për të arritur dy gjëra: të ruajë sentimentin nacionalist për t’i shërbyer audiencës së brendshme dhe që të ruajë kursin properëndimor për t’i shërbyer audiencës së jashtme. Natyrisht, çdo herë duke iu nënshtruar parimit të interesave personale dhe financiare të pushtetit të Vuçiqit. Rrjedhimisht, nëse duam të kuptojmë se ku me të vërtetë qëndron fuqia vendimmarrëse e qeverisë së re serbe për një moment duhet të injorojmë zhurmën ditore dhe të fokusohemi te thelbi i interesave të Vuçiqit.
Thelbi i interesave të Vuçiqit është lënë në duar të një kuadri pro-perëndimor të Vuçiqit, të cilët do të sigurojnë se qeveria e re serbe do të vazhdojë në hije dhe larg zhurmës ditore kursin e afrimit të Serbisë me Perëndimin. Ky kuadër udhëhiqet nga ministri i ri i Jashtëm, Marko Gjuriq, i cili pas një pune të lavdërueshme në Washington është kthyer në Beograd për të vazhduar punën e nisur në SHBA. Brenda skenës politike serbe Gjuriq perceptohet si “njeriu i CIA-s” i cili shpesh e ka gjetur veten cak i sulmeve të figurave proruse. Emërimi i Gjuriqit dhe largimi i Daçiqit nga diplomacia është një tjetër tregues i margjinalizimit të forcave proruse brenda qarqeve vendimmarrëse të Serbisë. Në krahun properëndimor është po ashtu edhe ministri i Financave, Sinisha Mali. I edukuar në universitetet amerikane dhe i rritur brenda firmave konsulente perëndimore, Mali ka qenë arkitekt i bashkëpunimit të shkëlqyer ekonomik dhe financiar në mes të Serbisë dhe Perëndimit. Mali është kontabilist i besueshëm i Vuçiqit i cili ka kthyer vullnetin e Vuçiqit për thellim të bashkëpunimi politik me Perëndimin në projektet konkrete financiare. Ministrja e Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, është më pak e njohur për publikun e gjerë, por ajo do të vazhdojë të jetë ministre e Energjisë edhe në kuadër të qeverisë së re të Serbisë. Mandati i saj i dytë nuk është i rastësishëm. E edukuar në universitetet më të mira evropiane dhe amerikane, znj. Gjedoviq Handanoviq është adresë kryesore perëndimore për shtyrjen përpara të projektit të Rio Tintosë. Projekti i Rio Tintosë në Serbi është një nga investimet më të mëdha për eksploatimin e litiumit në botë. Projekti ka një rëndësi strategjike për Perëndimin pasi që litiumi është element kyç në prodhimin e mjeteve elektrike dhe konsiderohet aset strategjik për ekonomitë perëndimore. Prodhimi eventual i litiumit në Serbi nga një kompani perëndimore do të zvogëlonte varësinë e importit perëndimor të litiumit nga Kina. Mendojeni atë si një lloj i “Bondsteelit” ekonomik në rajon.
Janë edhe dy emërimet e tjera të cilat meritojnë vëmendjen tonë dhe të cilat janë tregues i interesave thelbësore të Vuçiqit. Nën titullin monoton dhe burokratik të “ministrit për Investime Publike” fshihet personi më i pushtetshëm në qeverinë e re serbe: Darko Glishiq. Glishiq është personi më luajal i Vuçiqit dhe person i cili ka qenë në krahun e Vuçiqit që nga largimi i tij nga Partia Radikale Serbe dhe themelimi i SNS-së. Ai është prej kohësh shefi i operativës së Vuçiqit dhe dora e hekurt e disiplinimit të kuadrit partiak. Në rolin e ministrit për Investime Publike ai do të komandojë – së bashku me Sinisha Malin - projektin më të rëndësishëm të investimeve publike të Vuçiqit “EXPO 2027” në vlerë prej 17.8 miliardë eurosh. “EXPO 2027” është edhe arsyeja përse Vuçiq në asnjë formë nuk do të lejojë që zgjedhjet për Beogradin të jenë as të drejta, as fer. Ato duhet fituar me çdo kusht. Vuçiqit i duhet pushteti lokal në Beograd për të siguruar zbatimin e papenguar të “EXPO 2027”. Dhe personi i fundit i cili është tregues i interesave të Vuçiqit është emërimi i Bratislav Gashiqit në postin e ministrit të Mbrojtjes. Gashiq nuk është as perëndimor, as rus. Ai është luajal i Vuçiqit. Ai është mik personal i Vuçiqit dhe emërimi i tij në krye të armatës serbe është shprehje e interesit të Vuçiqit për të mbajtur nën kontroll zhvillimet brenda aparatit të forcës.
Me këtë panoramë të qeverisë së re serbe jam munduar të largohem nga zhurma e spektaklit të pushtetit të Vuçiqit, në mënyrë që të shikojmë se kush janë interesat thelbësore të Vuçiqit në mënyrë që të kuptojmë karakterin dhe rolin e qeverisë së re serbe. Qeveria e re serbe nuk është as proruse as properëndimore. Ajo është pro Vuçiqit. Pushteti i Vuçiqit ka degraduar çdo institucion shtetëror në Serbi në oborrin e tij personal dhe rrjedhimisht as organi i ekzekutivit nuk do të këtë hapësirë të pavarur veprimi, por thjesht do të jetë një mjet tjetër utilitar i Vuçiqit. Një akt tjetër në teatrin e absurditetit të Vuçiqit. Qeveria e re e Serbisë është dizajnuar me kujdes nga Vuçiqi për të qenë një akt balance në mes interesave të tij politike dhe financiare. Një akt balance në mes Perëndimit dhe Rusisë. Momentalisht kjo balancë shkon qartazi në kursin e vet properëndimor, por kjo nuk është pasojë e vlerave dhe bindjeve të Vuçiqit, por e interesave dhe përfitimeve të tij. Në momentin që ky kalkulues personal i Vuçiqit do të ndryshojë, do të ndryshojë edhe kursi gjeopolitik i Serbisë.