OpEd

Në ritmin e Speciales

Po qe se Ligji për FSK-në nuk mbërrin as të votohet, PDK-ja do të mundë të inicionte mocionin e mosbesimit. Nënshkrimet e 30 deputetëve të PDK-së e nisin mocionin, dhe mjaftojnë 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë. Në këtë kontekst duhet kuptuar deklaratën e Thaçit se kuvendarët që nuk e votojnë ushtrinë duhet të shkojnë në shtëpi. Ashtu siç duhet kuptuar edhe fjalën e tij të madhe: dorëheqje

Një fotografi e shënoi javën – Thaçi duke ia dorëzuar Veselit Projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri. Në të shihen dy fytyra: një e buzëqeshur vesh më vesh (Veseli) dhe tjetra, jo fort e lumtur, paksa e ngrysur. Përcjellë nga një element karakteristik që e veçon Thaçin sa herë që është i shqetësuar apo edhe jo rehat – një njollë në mollëzën e djathtë, që as scherku nuk do t’ia dilte ta mbulonte.

Fotoja ndodhi të nesërmen, pasi që Thaçi kishte dalë publikisht të thoshte se si do t’i ndërmerrte hapat e nevojshëm për miratimin e ligjit me të cilin Kosova duhet të bëhet me ushtri. Me imitimin e frymës së një burrështetasi ndërmarrës, e nxori nga sirtari i tavolinës së vjetër të zëvendëskryeministrit ligjin që kishte përgatitur Ministria e FSK-së dhe e paraqiti si të vetin. Me atë veprim, thuajse thoshte: ja ku e keni, ju një grumbull frikacakësh të paaftë, ligjin me të cilin unë do ta formoj ushtrinë e Kosovës. Ashtu siç e kam formuar UÇK-në, siç i kam kryer krejt negociatat; siç e kam shpallur Pavarësinë, siç i kam bërë të gjitha, sepse të gjitha nisin me mua.

Hesapi pa hanxhiun

Nuk ka shumë logjikë kjo që e ka bërë Thaçi, pos një gjëje “të vogël” që ka mundur ta shtynte në këtë veprim: Gjykata Speciale. Do të kujtojmë, FSK-ja ka mundur të shndërrohet në ushtri pa pasur nevojë për ndryshime kushtetuese. Ka mundur të ketë ndodhur në kohën kur kishin nisur bisedimet në Bruksel, si shpagim për ndonjërin prej shumë koncesioneve që ia ka bërë Kosova Serbisë, për t’i qetësuar partnerët ndërkombëtarë. Atëherë ka qenë kryeministër, me fuqinë absolute për të vendosur se çfarë ligji do ta kalonte në cilën kohë, meqë kishte shumicën në Kuvend. Nuk e bëri.

Më pas, kur e komplikoi punën, e me të na e komplikoi jetën të gjithë neve me çështjen e Zajednicës, para tre vjetësh udhëzonte se si ushtria do të themelohej “brenda pak javësh apo muajsh” mundësisht me ndryshime kushtetuese. I mbështetur për mur me vendimin kokë më vete për ta nënshkruar një marrëveshje të keqe në Bruksel, përpiqej t’i bindte të gjithë se si Zajednica ashtu edhe FSK-ja do të mundë të kalonin së bashku, me kusht që të votoheshin ndryshimet kushtetuese të nevojshme për zbatimin e kësaj të parës. Kjo nuk i kaloi, për shkak se formimi i shtresës së tretë të pushtetit u bë problem shumë serioz që, në kombinim me demarkacionin me Malin e Zi, e bllokoi Kuvendin për më shumë se një vit e gjysmë.

Pra, si u bë që tash, mbasi që vetë insistonte për ta ndërruar Kushtetutën për ta transformuar FSK-në, përnjëherë doli në pah ideja e ndryshimeve me ligj. Për më tepër, pa e pyetur e konsultuar askënd – LDK-në jo se jo. Shfaqja e montuar në zyrën e kryetarit të Kuvendit, ku foli në cilësinë e komandantit suprem të FSK-së, kishte për qëllim ta tregonte superioritetin e tij karshi të gjithë të tjerëve – se ja, tash, meqë u bë kryetar, e kishte fuqinë vendimmarrëse që i mungon shefit të kësaj Qeverie, që edhe e solli në këtë post. Dhe ta dëshmonte arrogancën që e karakterizon: nuk mërzitem unë se çfarë kanë për të thënë të tjerët, do të bëhet ashtu siç them unë.

Porse problem i dolën miqtë ndërkombëtarë: fillimisht Ambasada e SHBA-së e më pas edhe NATO-ja, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg. Që të dy partnerët strategjikë që i kanë ofruar kësaj Kosove të vockël sigurinë që vetë nuk mund ta ndërtojmë, qartazi i kanë thënë se FAK-u nuk mund të themelohet pa ndryshime kushtetuese, pra pa pjesëmarrjen e serbëve në votim.

Për ta fashitur problemin të cilin e krijoi, i ftoi në takim ambasadorët e Quintit, të cilët ia përsëritën vërejtjen, ndaj së cilës ky u tregua rezistues – dhe doli publikisht për të deklaruar se do të ecte para me planin e tij. Porse kësaj radhe, si rrallëherë, ndërkombëtarët reaguan dhe, sipas burimeve ndërkombëtare, u shprehën thellësisht të hidhëruar me sjelljen dhe veprimin e tij, i cili nëse ecë tutje, nuk do t’i falet. Po qe se kjo dëshmohet të jetë e vërtetë, për këtë vend kishte qenë shumë më mirë, po ta kishte ndërmarrë këtë nismë më herët – mbase do të na kishte kursyer nga shumë probleme që na i ka shkaktuar.

Të jesh apo të mos jesh

Sipas procedurës, Ligji tash i shkoi Qeverisë për shqyrtim. Kjo i ka më pak se një muaj që të vendosë se çfarë të bëjë me të. Duke e njohur Mustafën, gjasat që ky ligj të dalë në procedurë të votimit pa aminin e Ambasadës amerikane janë minimale. Dhe në kontekstin e deklaratave të ambasadorit, është shumë vështirë e besueshme se do të lëshojë pe dhe do të autorizojë transformimin e FSK-së me ligj. Në atë rast, Thaçi do të dalë e do të thotë se ja, unë desha aq shumë ta formoja ushtrinë, sa isha i gatshëm të konfrontohesha me miqtë tanë veç për të mirën e Kosovës, dhe si gjithmonë, kilen do t’ia lërë Mustafës. Pra, për ta parandaluar fajësimin e Mustafës për mosprocedim të ligjit, LDK-ja do të duhej ta angazhonte një spin-doctor që do të dinte t’ia paketonte informatën publikut asisoj, që fajin për përkeqësimin eventual të raporteve me SHBA-në dhe NATO-n t’ia linte atij që e nisi krejt lojën.

Porse, edhe në rast se Qeveria me shumicë votash do ta niste Ligjin në Kuvend, është vështirë të besohet se LDK-ja do ta votonte këtë – pikërisht pse do të donte të tregohej ruajtëse e raporteve me miqtë ndërkombëtarë, të cilat raporte po i rrezikon Thaçi me kryeneçësinë e tij. Kështu mbase do të përfitonte madje një pjesë të simpatisë së humbur për shkak se ia zgjati jetën PDK-së në pushtet me koalicionin fatkeq të 2014-s. Dhe mënyra më e thjeshtë për ta bërë këtë gjë është të mos ketë kuorum për ta votuar. Gjë që tashmë e kemi parë shumë herë.

Pra, gjithnjë brenda premisave të një hipoteze, po qe se Ligji nuk mbërrin as të votohet, PDK-ja e “hidhëruar” me këtë veprim do të mundë të inicionte mocionin e mosbesimit – për shkak se kryeministri, si kryetar i partnerit të koalicionit, po i shmanget një pune kaq të rëndësishme. Do të mjaftonin nënshkrimet e 30 deputetëve të PDK-së që ta nisnin mocionin, dhe do të mjaftonin 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë. Dhe në këtë kontekst duhet kuptuar deklaratën që Thaçi e dha të premten mbrëma në televizionin publik: “Legjislacioni (do të duhej të ishte legjislativi, po nejse) që s’e voton ushtrinë e vet duhet të shkojë në shtëpi. Ashtu siç duhet kuptuar edhe pjesën tjetër të deklaratës, ku thotë se dorëheqja e tij bëhet efektive që në çastin që Kuvendi të mos e votojë Ligjin.

E besoni ose jo, as Kushtetuta e as Ligji për presidentin nuk e parashohin opsionin e dorëheqjes së kryetarit – pra përherë mund të thotë se këtë deklaratë e ka dhënë në afekt dhe se nuk ka fuqi kushtetuese. Porse një gjë mund ta mbërrijë me mocionin e votëbesimit – të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Dhe për të, dhe për ca kolegë të tjerë të tij partiakë, sa më shpejt të ndodhë kjo aq më mirë, për shkak se po afrohet gogoli i quajtur Gjykata Speciale.

Pra, në çastin që Kuvendi nuk e voton këtë ligj, Thaçi s’ka kujt t’ia ofrojë dorëheqjen, për shkak se Kuvendi që e ka zgjedhur është shpërbërë. Si i tillë, mbetet kryetar në dorëheqje, me edhe një interpretim kreativ të Kushtetueses, e më pas i bie pishman, dhe vazhdon ta mbajë postin deri në çastin që e thërret Specialja, nëse e thërret.

Pse ky ligj?

Se pse pikërisht e zgjodhi këtë çast për ta bërë këtë fizkulturë po më duket shumë evidente.

Çështja e demarkacionit, të cilën gjithashtu e ka nënshkruar ai, së bashku me ministrin e Brendshëm, duket të ketë mbetur e ngujuar për shkak të mungesës së votave. Po qe se partia e tij do të kërkonte votë mosbesimi për shkak të moskalimit të demarkacionit, atëherë faji për liberalizimin e trumbetuar do t’i mbetej atij – se do të akuzohej se e shpërbëri Kuvendin dhe e la Kosovën pa vizat që i premtoi qe shtatë a tetë vjet.

Prandaj i qaset një ligji të mbetur në sirtar prej shumë kohësh (ishte tërhequr nga plani legjislativ pas vizitës së Mustafës në SHBA), sepse e di që të gjitha grupet parlamentare shqiptare do ta votonin atë menjëherë. Natyrisht me kusht që nuk do të kishte pengesa të llojit Amerika apo NATO. Prandaj, në çastin kur insiston ta procedojë një ligj me shkelje absolute të procedurave (Projektligjit i mungojnë memorandumi shpjegues, deklarata e ndikimit buxhetor dhe harmonizimi me rregullativën evropiane) është pse beson se ai nuk do të kalojë. Dhe se për këtë shkak, kjo legjislaturë do të duhej të mbyllej me rrëzim qeverie dhe shpërndarje Kuvendi.

Ndërkohë, ky do të vazhdojë të ngrejë penjtë nga stoli i kryetarit, përderisa e gjithë Kosova do të jetë “busy” duke u marrë me pjesën e dytë të fushatës zgjedhore – meqë të parën tashmë e ka shpallur të hapur Kadri Veseli me këtë ligj dhe me tetë spotet e tij që transmetohen në televizionin publik sipas një orari paraprakisht të përcaktuar.

* * *

Sikurse edhe Thaçi, e gjithë Kosova është në pritje të aktakuzave të para të Gjykatës Speciale, edhe pse nuk ka as indice më të vogël për emrat që mund të jenë të përfshirë. Porse shumë nga gjërat që na ndodhin e që imponohen nga arroganca e tij dhe e partisë të cilën dikur e kryesonte po tregojnë nga ai kah – nga frika se ndonjëri nga ta do të gjendet në atë listë.

Po na mbetet të presim Specialen. Se dorëheqjes së Gjarpnit nuk i zihet besë.

[email protected]