A jemi në të tjerët ndryshe nga ata 18 qytetarë që kaluan pranë trupit të një qytetari që po ndërronte jetë?
Dy javë më parë, skaj rrugës Gjilan-Ferizaj, ndërroi jetë një 63-vjeçar. Ajo çfarë tronditi opinionin ishte një xhirim i kamerave të sigurisë, ku dukej se në një interval kohor prej tre minutash, pranë trupit të shtrirë i cili po jepte shpirt, kalojnë 13 vetura, katër këmbësorë dhe një qytetar në biçikletë. Vetëm njëri nga ta duket se përpiqet gjatë tërë kësaj kohe të ndalë veturat për t’i ofruar ndihmë të moshuarit.
Mosgatishmëria e qytetarëve për të ndihmuar një person i cili po ndërronte jetë, ngjalli reagim të ashpër në media dhe në rrjete sociale. U dhanë shumë interpretime se si qytetarët e këtij vendi “po e humbin ndjeshmërinë që na karakterizon si popull”, se “modernizmi na ka humb njerzillëkun” e plotë shpjegime të tjera. Policia e Gjilanit arrestoi dy persona dhe është në kërkim të dy personave të tjerë, vozitës të cilët nuk u ndaluan për të ofruar ndihmë, e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Por a ishte ky një rast i izoluar dhe a jemi ne të tjerët ndryshe nga ata 18 qytetarë që kaluan pranë trupit të një qytetari që po ndërronte jetë?
***
Në orët e para të mëngjesit të 13 marsit 1964, në një lagje të Nju Jorkut, u ther për vdekje 28-vjeçarja Kitty Genovese. Sulmi ndaj saj kishte zgjatur mbi gjysmë ore. Disa ditë pas vrasjes, një artikull i New York Times raportoi se 38 fqinjë e kishin parë ngjarjen dhe asnjëri nga ta nuk kishte thirrur policinë, e cila do të mundë të arrinte në vendngjarje brenda dy minutave. Për gjysmë shekulli, për këtë rast u shkruan mijëra artikuj e libra, u xhiruan me qindra kronika e dokumentarë, u kryen shumë studime, e ishte temë debatesh edhe në fushatat presidenciale në ShBA deri në vitet ’90.
Në terminologjinë e psikologjisë sociale raste si këto filluan të emërtohen si “efekti i soditësve” apo edhe “apatia e soditësve” (ang; “bystander effect”), sipas së cilës sa më i madh numri i personave që janë dëshmitar të një ngjarjeje, aq më e vogël është shkalla e raportimit apo intervenimit. Në një studim të publikuar në Journal of Personality and Social Psychology në vitin 1968, studiuesit John M. Darley dhe Bibb Latane, në eksperimentet e bëra me studentë, dëshmuan se në rastet e emergjencave në të cilat ndodhet vetëm një dëshmitar në 87% të rasteve ata raportojnë apo intervenojnë vetë, kurse në rastet kur janë mbi katër dëshmitarë, gjasat për raportim apo intervenim bien deri në 37%.
Shumë vite më vonë, New York Times e pranoi se artikulli i vitit 1964 ishte paksa i ekzagjeruar. Jo të gjithë fqinjët kishin mundur ta kuptonin se çfarë po ndodhte në mëngjesin kur u vra Kitty Genovese dhe disa nga ta kishin provuar të thërrisnin policinë. Por ajo çfarë mbetet është se një intervenim më i shpejtë dhe më i vendosur i fqinjëve do të mundë t’ia shpëtonte jetën viktimës.
***
Ata 18 dëshmitarë në Gjilan, të cilët po kalonin pranë trupit të të moshuarit të shtrirë në tokë, nuk janë të vetmit qytetarë të prekur nga “apatia e soditësve”. Ka kohë që si qytetarë të këtij vendi jemi shndërruar vetëm në soditës, si para krimit e korrupsionit, ashtu edhe para rasteve kur jetë të pafajshmish rrënohen para syve tanë. A nuk jemi të gjithë soditës gjakftohtë sa herë në semaforë shohim një grua apo burrë i cili mban në duar një fëmijë të sapolindur, të cilin e përdor si karrem për të fituar ndonjë cent, e asnjë qytetar nuk merr mundin të lajmërojë rastin në polici apo tek punëtorët socialë? A nuk veprojmë njësoj çdo ditë kur në tarracat e kafeneve, dikush na afrohet tek tavolina më fëmijën e sapolindur dhe neve na duket si krejt diçka normale, madje irritohemi se po na prishin qetësinë e kafes dhe ndonjëherë u ndajmë ndonjë cent sa për t’i larguar?
Çfarë i dallon ata zyrtarë policorë dhe punëtorë socialë, të cilët nuk largohen nga flladi i zyrës në verë e nga ngrohtësia e zyrës në dimër, për të dalë në rrugë dhe për të marrë në mbrojte fëmijët e sapolindur, të cilët mbahen rrugëve dimër e verë nga ata që kërkojnë lëmoshë? Përse askush nuk intervenon sa herë shohim fëmijë, të cilët sapo kanë filluar të ecin duke qëndruar në udhëkryqe rrugësh për të kërkuar para?
e kaluar, në rrugën Prishtinë-Fushë- Kosovë, vetura e cila doli nga kontrolli goditi një grua e cila po mbante në krah fëmijën e sapolindur, e cila i ra nga dora në asfalt. Javën e kaluar, në Stacionin e Autobusëve në Ferizaj, u shtyp për vdekje një fëmijë trevjeçar, i cili po kërkonte lëmoshë. Opinioni publik u qetësua kur lajmi për shtypjen nga autobusi të trevjeçarit u shoqërua me informatën se ai ishte nga Shqipëria. Për shoqërinë tonë diskriminuese, mjafton ngjyra pak më e errët e lëkurës së tjetrit për të na e larguar çdo ndjenjë empatie e çdo akt humanizmi.
***
Personat të cilët nuk i ofruan ndihmë të moshuarit në Gjilan deklaruan para prokurorit se nuk ishin në dijeni se janë të obliguar sipas ligjit për të dhënë ndihmë. Por, intervenimi në raste të tilla nuk do të duhej të shihej pikë së pari si obligim ligjor, por si obligim moral e human. Normat ligjore asnjëherë nuk mund të jenë zëvendësuese të normave morale. Por në rastet kur normat morale dështojnë, zbatimi i ligjit do të duhej të shërbente si dënim dhe, me shpresë, si mësim për rastet e tjera. Por, ashtu sikurse ata soditës në Gjilan, njësoj do të duhej të stigmatizohen nga shoqëria dhe të dënohen me ligj të gjithë ata punëtorë socialë, zyrtarë policorë, gjykatës e prokurorë, të cilët nuk marrin asnjë veprim për të shpëtuar jetën e dhjetëra fëmijëve të sapolindur që përdoren si karrem për të kërkuar lëmoshë, apo qindra fëmijëve që rrezikojnë jetën çdo ditë në udhëkryqe rrugësh, kudo në Kosovë.
***
“Zemërimi nuk drejtohet ndaj krimit, as ndaj kriminelit, por ndaj atyre të cilët dështuan që të pengonin veprimet e kriminelit”, shkroi “The Nation” më 1964, pas vrasjes së Kitty Genovese. Njësoj, zemërimi për vdekjen e të moshuarit në Gjilan nuk drejtohet ndaj sëmundjes me të cilën po përballej ai, as vapës e cila mbretëronte atë ditë, por ndaj atyre 18 qytetarëve të cilët me ftohtësi kalonin pranë trupit të tij dhe nuk i afronin ndihmë. Zemërimi ndaj shkatërrimit të jetëve të foshnjave në duart e atyre që kërkojnë lëmoshë, nuk drejtohet ndaj varfërisë apo ndaj prindërve të atyre fëmijëve, por zyrtarëve shtetërorë në polici, qendra për punë sociale, prokurori e gjykata, ndjeshmërinë e të cilëve nuk e prek asnjë foshnje disamuajshe, e cila bartet në duar nëpër rrugët e qytetit, në vapën e verës e në ngricat e dimrit.