OpEd

Në pritje të kërkimfaljes

Si shqiptar, edhe pse thotë se nuk duhet jetuar në histori, do të duhej t’i kthehej historisë që nga pavarësimi i Shqipërisë për të ditur se shtetit serb nuk mund t’i besosh. Për më tepër, do të duhej të bënte lexim të masakrave të kryera nga Serbia në territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore e mbi të gjitha do të duhej ta mbante mend përjetë faktin se Mbretëria e Serbisë e kishte shpallur të veten Qarkun e Durrësit, ku kishte përfshirë Durrësin, Elbasanin, Lezhën e Tiranën. Do të duhej të kërkonte që dikush t’ia përkthente kartolinën me foton e dy ushtarëve serbë me flamurin e tyre e me Durrësin në prapavijë, ku thuhet “Përshëndetje nga bregdeti serb”

Më në fund u certifikuan rezultatet e 17 tetorit – dhe me këtë edhe njëherë u dëshmua se e kemi një problem shumë serioz me numërimin e votave, i cili përsëritet në secilën palë zgjedhje. Të njëjtën ditë kur e mbajtëm ne rrethin e parë të votimeve, edhe Maqedonia mbante zgjedhjet e veta. Me shumë më shumë komuna seç ka Kosova, ajo rrethin e dytë e mbajti mbas dy javësh dhe tashmë dihen fituesit gjithandej, pra një javë pas votimeve të dyta.

Ne po hyjmë zyrtarisht në fushatën e balotazhit të hënën, dhe nesër një javë sërish do të dalim të votojmë. Ose nuk do të dalim, për të qenë më e saktë, ngase në rrethin e parë dolëm më pak se gjysma e votuesve. Ftesa e përhershme nga zgafella është që të dilet e të votohet për ta mbrojtur votën personale dhe për të mos lejuar keqpërdorime me të.

Ndërkohë, çështja e vaksinimit vazhdon të ngecë – javën e fundit numri i të vaksinuarve me dozën e parë është tejet simbolik dhe nuk është se po bëhet shumë për t’i animuar njerëzit që të vaksinohen. Duket se krejt vëmendja është kthyer nga politika, si rëndom, e tash konkretisht në raundin e dytë të komunaleve. Le të kryhen edhe këto, e mbase nisim më në fund me u marrë edhe me gjërat e tjera shumë më të rëndësishme.

* * *

Gjatë javës u mbajt edhe një takim i radhës i nismës Open Balkan, pra të minishengenit ballkanik, në të cilin vazhdojnë të marrin pjesë Serbia, Shqipëria e Maqedonia, dhe refuzojnë të bëhen pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.

Me arrogancën që e karakterizon, Vuçiqi deklaroi se kjo është zgjidhja më e mirë për bashkëpunimin rajonal, kurse shtoi se nuk e kishte ndërmend që askujt t’i jepte llogari për këtë punë, aq më pak BE-së. Në mungesë të Zaevit, në takim shkoi ministri i Integrimeve, kurse Shqipërinë e përfaqësoi, si gjithherë Edi Rama.

Pas takimit, Rama deklaroi: “Për t’iu treguar atyre që më thonë tradhtar, falja duhet të vijë në fund jo në fillim. Falja e Gjermanisë ka ardhur më 1969, pasi me Francën kanë arritur paqen dhe kanë vepruar saktësisht siç po bëjmë ne në Ballkan. Nëse duam ta bëjmë Serbinë që të kërkojë falje duhet të kemi strategji si të shkohet tek njohja e pastaj tek falja. Sepse o kështu si them unë, o s’ka ndryshe, nuk shkon. Vetëm në luftë shkohet kështu. Por Kosova e fitoi luftën, shqiptarët kanë fituar luftën. Këta ku jemi sot, pra Serbia, e kanë humbur. Tani Kosova duhet ta fitojë paqen. Ky është fakti i dhimbshëm, por i vërtetë”.

Më pas vazhdoi duke e vënë veten në pozitën e viktimës – se dikush e quan tradhtar për këtë punë. Tha se po të duhej ai do të pranonte të quhej i tillë, veç që të arrihej kjo që e propozon. E për këtë që e propozon, shpesh ka përdorur fjalë të rënda ndaj atyre që e kanë refuzuar propozimin e tij dhe të Vuçiqit, e që madje tri shtete e shohin jo të mirë për interesat e veta.

* * *

Nga pozita e kryeministrit të Shqipërisë është pragmatike të shikojë se si t’ia rrisë vetes të hyrat nga turizmi, të cilin me vite e kanë mbajtur gjallë shqiptarët e Kosovës, si dhe si të tërheqë sa më shumë investime për shtetin e tij. Ai e gjen zgjidhjen aty ku ia qet hesapi – e se cili është ai hesap, nuk është se kemi ide. Në fakt, është vështirë të deshifrohet interesi i tij i vërtetë në të gjithë këtë nismë, në të cilën është futur vetë dhe pse ka dashur vetë. Ndërkohë që hidhërohet se përse Kosova e refuzon. Nuk do as që t’i dëgjojë argumentet e Kosovës. Thuajse ato nuk ekzistojnë, thuajse ato nuk çojnë kandar fare.

Si shqiptar, edhe pse thotë se nuk duhet jetuar në histori, do të duhej t’i kthehej historisë që nga pavarësimi i Shqipërisë për të ditur se shtetit serb nuk mund t’i besosh. Për më tepër, do të duhej të bënte lexim të masakrave të kryera nga Serbia në territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore, e mbi të gjitha do të duhej ta mbante mend përjetë faktin se Mbretëria e Serbisë e kishte shpallur të vetin Qarkun e Durrësit, ku kishte përfshirë Durrësin, Elbasanin, Lezhën e Tiranën. Do të duhej të kërkonte që dikush t’ia përkthente kartolinën me foton e dy ushtarëve serbë me flamurin e tyre e me Durrësin në prapavijë, ku thuhet “Përshëndetje nga bregdeti serb”.

S’do të duhej harruar se Beogradi u përfshi në rrëmujën që e solli Zogun në pushtet, që ndër të tjera bëri që të humbej Shën Naumi, për shembull, e më pas edhe ndikimi që e patën serbët në formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet. Se çfarë i ka bërë Hoxha popullit të vet, e zbuloi vetë populli dhe e dëshmoi vetë shteti që mbeti më i prapambeturi në të gjithë Evropën.

A mos kërkoi falje Serbia ndonjëherë? Apo, a mos kërkoi Shqipëria ndonjëherë që Serbia të kërkonte falje?

* * *

Nuk e di se ku ka qenë Edi Rama në dekadën e fundit të shekullit të shkuar, porse me siguri e di se nuk ka qenë në Kosovë. Nuk ka qenë aty për ta përjetuar kulminacionin e represionin shumëdekadësh që e kishte mbijetuar populli shqiptar i Kosovës nga dora e pushtetit serb. Nuk ka qenë aty të shohë se si u shua autonomia me dhunë, me vrasje e rrahje; nuk qe aty për të parë se si na hidhnin në rrugë të gjithë të punësuarit; se si na i mbyllnin shkollat e institucionet shëndetësore, kulturore e informative; se si mbijetuam falë diasporës dhe si iu futëm luftës nga e cila gjithë ata njerëz u vranë, e gjithë ai shkatërrim u shkaktua.

Nuk ka qenë në Kosovë për të parë se si miku i tij i ngushtë, Vuçiqi, i ndiqte gazetarët dhe mediumin e vetëm të pavarur, që informonte nga terreni dita më ditë, dhe kërcënonte me mbyllje dhe arrestime. Ashtu siç nuk kishte qenë as në Bosnjë, kur partneri i tij i “Ballkanit të Hapur” bartte gajbet me birra për gjeneralët që masakronin civilë apo kur dilte në Kuvend të Serbisë për të deklaruar se do të vriteshin 100 myslimanë për secilin serb të vrarë në Bosnjë. As dy javë pas kësaj deklarate, do të vriteshin më shumë se 8.000 djem e burra në Srebrenicë. Në gjenocidin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore, ku sllavët i vranë vëllezërit e tyre sllavë. E të cilin krim, miku i tij i ngushtë, refuzon ta pranojë. E aq më pak të kërkojë falje për këtë. Në vend të kësaj, shikon si ta destabilizojë edhe më shumë shtetin e brishtë të Bosnjës, e ta nisë realizimin e ëndrrës: krijimin e Serbisë së Madhe. Asaj Serbie të Madhe që do ta kishte daljen në Adriatik nga Durrësi serb.

* * *

Problemi i Ramës në këtë ndërmarrje është se po bën hesape pa hanxhiun. Nuk është i interesuar as ta dijë se çfarë mendon Kosova për këtë punë. Situata politike në Kosovë ka ndryshuar dhe më nuk i ka partnerët me të cilët bënte politikë ashtu çfarë ia merrte mendja. Nuk i ka më partnerët, të cilëve u shkruan letra patetike. Në këtë anë të kufirit e ka një brez të ri politikanësh, që mund të mos e kenë përvojën e tij sunduese, porse gjithsesi nuk mund të quhen as injorantë e as kokëfortë. Për shkak se nuk ka asnjë kuptim që dikush që tregohet vetë kokëfortë dhe pa ndonjë argument bindës ta quajë dikë tjetër të tillë.

E para se ta quajë këdo çfarëdo, do të duhej kthyer shiritin prapa e të kujtonte se kur u hodhën hapat e parë për këtë nismë, Kosova as që u ftua. Thuajse vetë Rama, në këtë formë, e njohu Kushtetutën e Serbisë, që e trajton Kosovën si territor të vetin.

* * *

Nëse me çdo kusht, nëpërmjet gjithë këtij presioni, do që të hyjë në histori si ja, njeriu që e ndërmjetësoi paqen, a çfarëdo që po do që të ndërmjetësojë, mbase do të duhej ndalur, dhe kujtuar vitin jo të largët 2013. Aty do ta gjejë mikun e përbashkët tijin dhe të Vuçiqit, Hashim Thaçin, i cili e nënshkroi “Zajednicën”, apo autonominë politike për serbët e Kosovës, në kohën kur nuk ka pasur autorizim për një punë të tillë.

Përderisa më vonë do ta kuptonim kalkulimin e Thaçit për të nënshkruar çfarëdo që do t’i qitej përpara vetëm për ta shpëtuar veten nga Haga, tash nuk e kemi asnjë indicie të vetme se çfarë është ajo kaq e madhe për Ramën që insiston kaq shumë në këtë nismë. Mbase dikush edhe e ka, porse nuk e bën publike.

* * *

Të thuash hajde bëjmë pazare bashkë, e mandej flasim për njohjen dhe pajtimin, duke e marrë shembullin e Francës dhe Gjermanisë, pra të shteteve që e kanë njohur subjektivitetin e njëri-tjetrit qysh moti para luftës, nuk ka shumë kuptim.

Nuk ka, për shkak se Gjermania, si shkaktare e humbëse e luftës, është detyruar të paguajë reparacione, me çka e ka pranuar fajin. Dhe nuk ka kuptim, për shkak se kërkimfalja e Gjermanisë ka rrjedhur nga një njeri i cili nuk ka qenë në pushtet në Qeverinë e Hitlerit – e miku i Ramës, qysh ka nisur, do të mbetet në pushtet edhe nja njëzet vjet. Dhe ani që e ka ndërruar emrin e partisë, mbetet po i njëjti fashist që ka qenë në vitet e ’90-a.

Herën tjetër, para se të flasë për kërkimfaljen që “do të vijë dikur më vonë”, le t’i pyesë familjarët e të zhdukurve dhe të të masakruarve se çfarë mendojnë ata. Le të na pyesë neve, që na dëbuan nga toka jonë si qentë me idenë që të mos na lënë të ktheheshim. Le t’i pyesë gratë dhe burrat e dhunuar se nëse ata pajtohen me të.

Në fakt, nuk duhet të pyesë. Thjesht nuk duhet ta flasë më këtë punë.

[email protected]