OpEd

Në pritje të festës së 2 Korrikut

Ky ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Ky synim me siguri do të arrihej më shpejt po qe se në sallën e Kuvendit të Kosovës, në njëzet vjetët e pasluftës, do të uleshin deputetë me integritet e guxim, sikurse ata të legjislaturës së 2 Korrikut, ndërsa politikat shtetërore do t'i udhëhiqnin njerëz të dijshëm, sikurse ideologët e Deklaratës Kushtetuese

Disa të ulur e disa në këmbë, në një mbledhje të pazakonshme dhe të paparë deri atëherë, 114 burra dhe gra shqiptare, këtu e tridhjetë vjet më parë, me ngritjen lart të pëllëmbës së dorës ose të dy gishtërinjve, përligjën përcaktimin dhe vullnetin e popullit për Kosovën shtet të pavarur.

Në dy a tri foto bardhezi, të vetmet që qarkullojnë në internet e në media nga ngjarja historike e 2 Korrikut 1990, shihen burra të veshur shumica me këmisha të bardha, pa kollare dhe gra me funde e bluza të thjeshta.

Edhe ata që rrinë në këmbë, edhe ata të ulurit, duket se nuk e kanë hallin as te veshja, as si do të dalin në foto, apo në kamerë.

Përqendrimi dhe vëmendja e tyre janë te kolegu-delegat, i cili lexon një letër, ku në pesë pika përmblidhen aspiratat e së kaluarës dhe të ardhmes së popullit shqiptar në ish-Jugosllavi. Në ato çaste, ata 114 burra e gra që vinin nga shtresa të ndryshme shoqërore, po e kryenin një detyrë të rëndë që ua kishte vënë historia mbi supe. Po i legjitimonin kërkesat dhe dëshirën e kamotshme të popullit për t’u trajtuar barabarësisht me kombet e tjera të hapësirës ish-jugosllave.

Dhe kjo në rrethana të jashtëzakonshme. Para dyerve të mbyllura të ndërtesës së Kuvendit nga regjimi që po instalohej dhe nën rrethimin e hekurt të tankeve e autoblindave të atij regjimi.

Çmimi personal që do ta paguanin në vitet pasuese do të ishte i lartë, por vepra e tyre e guximshme do t'i vishte ata me petkun e lavdisë së përjetshme. Sepse atë ditë të nxehtë korriku, ata 114 deputetë ia vunë themelet Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që dy muaj më vonë do të shpallej në Kaçanik, e që do të merrte legjitimitet 18 vjet më vonë, pas njohjes së Kosovës shtet i pavarur edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kosova u shpall subjekt i pavarur dhe i barabartë në Jugosllavi” do të ishte titulli i ballinës së nesërme të “Rilindjes”, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi, që regjimi serb do ta mbyllte tri ditë më pas, ashtu sikurse edhe televizionin e vetëm shqip - RTP. Shkrimi do të shoqërohej me fotot e deputetëve teksa shpallnin Deklaratën Kushtetuese. Madhështi, modesti e dinjitet reflektohet në ato foto. E më së shumti dije e guxim.

Krahas fotove, në ballinë është vendosur edhe një editorial i shkurtër i gazetës lidhur me ngjarjen historike të një dite më parë, ku shprehet optimizëm e besim për të ardhmen e ndritur të Kosovës.

“S’kemi pse të mos jemi optimistë, pse të mos i besojmë të ardhmes që do të jetë vepër e punës, e veprimit dhe e vullnetit tonë, sepse mund të mbyllen dyert e kuvendeve, siç ndodhi dje, por nuk mund t’u mbyllen kurrë dyert demokracisë, pluralizmit, vendosjes legale e vullnetit të asnjë populli, pra as popullit shqiptar – shumicë në Kosovë e numerikisht ndër kombet më të mëdha në Jugosllavi, që është autokton e jeton në territoret e trojet e veta etnike”, thuhej në editorial.

***

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Të bërit e këtij vullneti realitet kërkoi shumë sakrifica e flijime, por edhe 30 vjet më vonë, akterët e ngjarjes e konsiderojnë ende të papërmbushur synimin e Deklaratës së 2 Korrikut - një Kosovë shtet të mirëfilltë.

Ky synim me siguri do të arrihej më shpejt po qe se në sallën e Kuvendit të Kosovës, në njëzet vjetët e pasluftës, do të uleshin deputetë me integritet e guxim, sikurse ata të legjislaturës së 2 Korrikut, ndërsa politikat shtetërore do t'i udhëhiqnin njerëz të dijshëm, sikurse ideologët e deklaratës Kushtetuese.

Por, jo. Përbërja e shtatë legjislaturave të Kuvendit të Kosovës së pasluftës ka qenë dhe ka mbetur larg asaj të 2 Korrikut, qoftë për nga vizioni politik, qoftë për nga integriteti e përgjegjësia e përfaqësimit të interesave të popullit. Në vend se të jetë arenë debatesh për çështje e ligje në dobi të qytetarëve, Kuvendi i Kosovës ka vite që shërben si arenë përplasjesh për interesa personale, klanore e biznesore të deputetëve dhe shefave të partive të tyre. Dhe si defilim i grave e burrave të veshur me rroba luksoze, me operacione estetike që më me rëndësi sesa debatin i kanë 'selfijet' midis Kuvendit.

Seancat e Kuvendit u ngjajnë serive humoristike, me sharje e fyerje banale ndërmjet deputetëve, një pjesë e madhe të cilëve sa herë që flasin shpërfaqin padijeni dhe analfabetizëm. Ka edhe të atillë që vijnë nga bota e krimit dhe riciklohen legjislaturë pas legjislature, duke vjedhur votën e bashkëpartiakëve.

Ka edhe deputetë tip marionete që zaptojnë ulësen duke qenë të dëgjueshëm ndaj partisë dhe detyra e vetme e tyre është të ngrenë dorën për të votuar siç e urdhëron partia. Të tillët nuk njohin as parime, as interes publik a shtetëror. Ata nuk janë në gjendje t’i tejkalojnë interesat partiake as në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që ndihmojnë financiarisht Kosovën në tejkalimin e krizës ekonomike, si kjo e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Në vend se të jenë mbikëqyrës të qeverive dhe të kërkojnë prej tyre llogaridhënie, këta deputetë u nënshtrohen presioneve të ekzekutivit - madje edhe në miratimin e marrëveshjeve të dëmshme shtetërore. Pa pasur as presionin e arrestimit, burgosjes apo edhe eliminimit fizik nga një pushtues i huaj, siç e kishin ata të 2 Korrikut, deputetët e sotëm votuan marrëveshjet ndërkombëtare me Serbinë, të cilat ia zbehën Kosovës subjektivitetin ndërkombëtar të fituar pas shpalljes së pavarësisë dhe vendimit të GJND-së, dhe ia dobësuan pozicionin negociues.

Nën udhëheqjen e politikanëve pa ideale e pa vizione të qarta për të ardhmen, Kosova aktualisht është kthyer prapa duke e degraduar rregullimin e brendshëm dhe duke e forcuar rolin e Serbisë brenda shtetit.

Në vend se të ndërtojnë gjykata të pavarura dhe kredibile, ku do të hetoheshin e gjykoheshin drejt militarë e paramilitarë serbë të dyshuar për krime lufte - por edhe luftëtarë shqiptarë - na sollën në pikën kur duhet të përballemi me imazhin e lënduar shtetëror nga aktakuza për krime lufte e Gjykatës Speciale kundër presidentit të vendit.

Përgjegjësia për situatën në të cilën ndodhemi si shtet bie edhe mbi ata deputetë që votuan e votojnë për hatër të atij e këtij lideri, që shesin votën në këmbim të ndonjë posti apo për përfitime të paligjshme. Sepse kështu na kanë dëshmuar se për ta nuk ka rëndësi as e kaluara, as e ardhmja e vendit. E as 2 Korriku dhe Deklarata Kushtetuese.

“Fitoret është e natyrshme të festohen, por që të festojmë ka kohë, jo vetëm sot e nesër, të presim kohë më të mira…”, shkruhej veç tjerash në editorialin e “Rilindjes” së 3 korrikut 1990.

30 vjet pas, ende jemi në pritje të ditëve më të mira për ta festuar përfundimisht synimin e 2 Korrikut.

[email protected]