OpEd

Në mes Kepit të Shën Vincentit dhe Kievit

Pushtimi rus i Ukrainës ngre pyetjen në të cilën Evropa ka menduar se ka dhënë përgjigje: Është Evropa parajsë apo ferr?

Ndër shekuj Kepi i Shën Vincentit është konsideruar fundi i botës. Përtej tij nuk kishte asgjë. Aty përfundon kontinenti evropian dhe fillon deti Atlantik. Çdo gjë përtej kësaj pike grekët e kanë konsideruar perandori të zotit grek Atlas. Romakët, nga ana tjetër, kanë quajtur këtë vend Promontorium Sacrum – fundi i botës përtej të cilit jetojnë demonët. Ngjitur me Kepin e Shën Vincentit është qyteti portugez Sagres. Sot, Sagres është një qytet i vogël me më pak se 2,000 banorë. Por kjo nuk ishte kështu dikur. Në një kuptim, Sagres është qytet më i rëndësishëm i botës. Sagres është vendi ku Princi Henri i Portugalisë, apo më i njohur si Henri Navigatori, hapi shkollën e parë të navigacionit dhe filloi financimin e zbulimeve detare, të cilat do të ndryshonin përgjithmonë botën. Ky është vendi ku janë arsimuar, ndër të tjerë, Christopher Columbus dhe Vasco da Gama. Henri konsiderohet patron i Epokës së Zbulimit kur Bota e Vjetër zbuloi Botën e Re (Amerikën dhe Australinë), si dhe rrugët e reja detare me Afrikën, Azinë dhe Indinë. Nga ai moment asgjë më nuk ishte e njëjtë. Këto zbulime hapën rrugë për ngritjen e perandorive evropiane dhe krijuan botën ashtu siç e njohim sot.

***

Çdo përmbledhje është e dënuar të mos jetë tërësisht e saktë. Sidoqoftë, nëse kisha tentuar të kthehem në kohë dhe të përzgjedh momentet më të rëndësishme të njerëzimit, pra pikat kthese të cilat kanë avancuar njerëzimin në mënyrë revolucionare, do të kisha zgjedhur katër emra që mishërojnë këtë avancim.

Patjetër se Henri Navigatori është i pari. Ai bashkoi dy pjesët e botës të cilat nuk kanë ditur se ekzistojnë. Kësisoj, u bashkua civilizimi dhe vendosi veten në një shteg të ri zhvillimi që do të revolucionarizonte çdo aspekt të njerëzimit.

Personi i dytë është prifti gjerman, Martin Luter. Luteri udhëhoqi reformat protestante duke ndarë Kishën Katolike nga jeta politike dhe shoqërore evropiane. Ky moment shënon fundin e kohës së mesjetës dhe fillimin e kohës moderne. Luteri i dha fund monopolit të Kishës mbi shtetin dhe shoqërinë, duke hapur kështu një kapitull të ri të zhvillimit për civilizimin evropian.

Personi i tretë është Francis Bacon. Bacon konsiderohet themeluesi i revolucionit shkencor, i cili ka shtruar rrugë drejt Renesancës dhe Epokës së Iluminizmit. Bacon ka insistuar se çdo observim për botën materiale duhet të kalojë testin e arsyes dhe rrjedhimisht të bazohet në dëshmi. Praktikisht Bacon kishte shpallur Zotin të vdekur dhe kishte hapur rrugë për dyshimin dhe arsyen si mjet i vetëm për avancimin e njerëzimit.

Personi i katërt dhe i fundit është Johannes Gutenberg. Gutenbergu shpiki shtypshkronjën e parë mekanike. Shtypshkronja e tij mundësoi leximin në masë dhe praktikisht i dha fund analfabetizmit. Gutenbergu siguroi se njerëzimi do të jetë i vetëdijshëm për veprat e Henri Navigatorit, Martin Luterit, Francis Baconit dhe shumë revolucionarëve të tjerë. Kësisoj, secili njeri filloi të krijojë mendimin e vet kritik dhe personal për botën. Pasojat e kësaj për civilizimin do të jenë të pakthyeshme.

Ka një të përbashkët të veçantë në mes këtyre katër personave. Të gjithë këta kanë qenë evropianë. Rrjedhimisht, Evropa konsiderohet edhe vendlindja e civilizimit, arsyes, shkencës dhe progresit. Këtu janë pikturuar veprat më të bukura të artit dhe këtu janë dëgjuar tingujt më të bukur të operës. Me fjalë të tjera: parajsë në tokë.

***

Kepi i Shën Vincentit dhe Kievi kanë një të përbashkët. Ata janë fillimi dhe fundi gjeografik i kontinentit evropian. Evropa fillon te Kepi i Shën Vincentit në perëndim dhe përfundon në Kiev në lindje. Përtej Kepit të Shën Vincentit është Atlantiku, përtej Kievit është Azia.

Përveç të qëndruarit në dy ekstremet gjeografike, zhvillimet e ditëve të fundit në Ukrainë treguan edhe dy ekstreme të tjera të Kepit dhe Kievit. Kepi i Shën Vincentit ishte pikënisja e parajsës së parë evropiane, Kievi ishte pikënisja e ferrit të fundit evropian. Para 7 ditëve Rusia pushtoi Ukrainën. Kjo ngjarje solli në kujtimet e botës një Evropë tjetër. Një Evropë jo të arsyes dhe progresit, por të tiranisë dhe shkatërrimit. Një Evropë të ferrit. Periudha 1914 – 1945 është kapitulli më i zymtë i njerëzimit. Për vetëm 31 vjet u vranë 100 milionë njerëz. Njerëzimi pothuaj shkatërroi vetveten. I gjithë progresi që Evropa kishte arritur ndër shekuj u përmbys papritur.

Sot, kur Rusia është duke bombarduar njërin nga qytetet më të mëdha të Evropës, natyrshëm lind pyetja nëse Evropa është në prag të shkatërrimit të saj të radhës. Si është e mundur se ky kontinent dhuroi edhe Martin Luterin, edhe Francis Baconin, edhe Adolf Hitlerin, edhe Vladimir Putinin? Është Evropa parajsë apo ferr?

***

Përgjigjja e parë është gjeografia. Evropa është kontinent më i fragmentuar i botës. Asnjë kontinent tjetër nuk ka kaq shumë shtete në hapësirë më të vogël. Kjo sjell kufij. Kufijtë sjellin tensione. Është ironike që “Ukraina” literalisht përkthehet: “Të qenit në kufij”. Të qenit në kufij të perandorive është treguar historikisht fatale për shtetet më të vogla. Pikërisht në Ukrainë vetëm gjatë viteve 1933-1945 janë vrarë 14 milionë njerëz, sipas librit me titull vetëshpjegues “Bloodlands” të historianit Timothy D. Snyder. Por dikush nga Ballkani nuk ka nevojë të shkojë në Ukrainë për të kuptuar peshën e kufijve dhe të qenit i shtypur nga perandoritë konkurruese. Këtë e njohim ne vetë, nga dora e parë.

Evropa ka qenë nikoqire e pafund e kombeve konkurruese. Në Evropë mund të lindësh në Pressburg, të martohesh në Pozsony dhe të vdesësh në Bratisllavë – pa lëvizur nga vendi. Ky është i njëjti qytet. Emri ka ndryshuar në varësi se kush e ka sunduar në kohën e caktuar. Këtu te ne, këtë veti të Evropës e ka përshkruar më së bukuri Kadareja te “Kronikë në gur”, ku Gjirokastra kalonte nga pushtimi grek, italian, gjerman dhe anasjelltas në baza ditore, duke lënë mbrapa vetes një pjesë të historisë së saj.

Emërtimi i qyteteve nuk është vetëm dallim linguistik, por ngërthen në vete dallime të thella historike. Mendoni për një qytet këtu në Kosovë: ai qytet a quhet Gjakovë apo Ðakovica? Për përgjigje të saktë në këtë pyetje njerëzit janë gati të japin jetën. Sot, për përgjigje në pyetje të këtilla jetën janë duke dhënë ukrainasit dhe rusët.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kontinenti evropian u është përgjigjur sfidave gjeografike dhe historike përmes ngritjes së NATO-s dhe BE-së. NATO-ja siguroi se pretendimet konkurruese të shteteve për dominim të kontinentit do të kontrollohen nga SHBA-ja, ndërsa BE-ja siguroi se shtetet konkurruese do të kuptojnë se kanë më shumë përfitime nga bashkëpunimi se rivaliteti. Thënë ndryshe, NATO-ja siguroi paqen, duke sjellë Amerikën, BE-ja siguroi prosperitetin, duke hequr kufijtë.

Kjo arkitekturë e sigurisë dhe mirëqenies së kontinentit evropian ishte arritja më e madhe moderne e civilizimit. Evropa nga rrënojat e luftës më shkatërrimtare që ka njohur njerëzimi, u shndërrua në vend më prosperues në botë. Evropa ishte parajsë përsëri. Kjo ishte edhe njëra nga arsyet përse kohërat moderne u cilësuan “fundi i historisë”. Civilizimi kishte gjetur sekretin e lumturisë dhe parajsës. Shtatë ditët e fundit e shkundën në themel këtë supozim. Rusia sfidoi themelet e arkitekturës, mbi të cilën qëndrojnë paqja dhe prosperiteti i botës. Rusia kërcënoi kthimin e Evropës në ferr. SHBA-ja dhe BE-ja, me një reagim të paprecedentë dhe agresiv, e bënë të qartë se janë gati të mbrojnë rendin botëror - me çdo kusht.

Jemi në ditët e para të krizës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kërcënimi për vetëshkatërrim nuklear të njerëzimit asnjëherë nuk ka qenë më real. Dhe përsëri Evropa është në epiqendër të krizës. Sot, pushtimi Rus i Ukrainës ka ngritur pyetjen në të cilën Evropa ka menduar se ka dhënë përgjigje: Është Evropa parajsë apo ferr?