Zhvillimet e këtyre dy javëve nga Jenini deri në Vilnius na mësojnë se fuqitë e mëdha nuk formësojnë pozicionet e tyre politike nga pikënisjet afatshkurtra morale, por nga interesat afatgjata politike. Aq sa është e padrejtë humbja e jetës së fëmijëve në Jenin apo mohimi i datës së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, aq është i padrejtë edhe mohimi i sovranitetit të plotë të Kosovës në veri. Por ajo çfarë e bën dallimin në mes shteteve serioze dhe joserioze është se si reagojnë në gjithë këtë mes
Trembëdhjetë të vrarë, nga të cilët katër fëmijë, qindra të lënduar, mijëra të zhvendosur, ndërtesa private dhe publike të rrënuara, dhe shkatërrimi i sistemit energjetik dhe ujësjellësit, është epilogu i operacionit të fundit izraelit në kampin Jenin.
Jenini nuk është pjesë e Izraelit, është territor i huaj. Jenini është kamp i kthyer në qytet në Bregun Perëndimor ku jetojnë afro 20.000 refugjatë palestinezë, të cilët janë dëbuar nga tokat e tyre nga Izraeli. Në Jenin nuk ka institucione, rend dhe ligj. Si pasojë e mungesës së qeverisjes efektive demokratike, Jenini është kthyer në një “tokë të askujt”, nga ku planifikohen dhe ekzekutohen akte dhune kundër shtetit të Izraelit. Nën këtë sfond, Izraeli ka lansuar javën e kaluar sulmin më të madh ushtarak në Jenin në njëzet vjetët e fundit. Për Izraelin ky është operacion sigurie që ka për synim shtrirjen e rendit dhe ligjit dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për shtetin e Izraelit, ndërsa për palestinezë ky është pushtim mbi simbolin e qëndresës palestineze.
Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës, por sikur në Jenin atje nuk ka institucione, rend dhe ligj. Si pasojë e mungesës së qeverisjes efektive demokratike veriu është kthyer në një “tokë të askujt”, nga ku planifikohen dhe ekzekutohen akte dhune kundër shtetit të Kosovës. Nën këtë sfond, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë disa operacione të sigurisë për të siguruar zbatimin e rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës. Për Kosovën këto janë operacione sigurie që kanë për synim shtrirjen e rendit dhe ligjit dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për shtetin e Kosovës, ndërsa për Serbinë ky është pushtim mbi simbolin e qëndresës serbe. Në operacionet e organeve të sigurisë së Kosovës nuk është lënduar asnjë person, përveç vetë pjesëtarëve të sigurisë.
Qëllimi i kësaj pranëvënieje nuk është të vendosë shenjën e barazimit në mes dy konteksteve që patjetër kanë veçantitë e tyre politike, kulturore dhe atë të sigurisë, por për të vendosur në pah hendekun në mes reagimit të SHBA-së dhe BE-së ndaj këtyre dy zhvillimeve të ngjashme. As SHBA dhe as BE-ja nuk e kanë dënuar Izraelin për aksionin në Jenin, i cili shkaktoi humbje të jetës së njerëzve dhe shkatërrimin masiv të infrastrukturës. Nga ana tjetër Kosova u dënua njëzëri nga SHBA-ja dhe BE-ja për ushtrimin e juridiksionit të saj mbi territorin e vet në veri. Ky hendek në reagimin e aleatëve tonë nxjerr në pah një mësim të rëndësishëm për shtetin e Kosovës: në skenën ndërkombëtare qëndrimet politike nuk formësohen nga premisat morale të palëve, por nga interesat politike të shteteve. Është interes politik i SHBA-së dhe BE-së që Izraeli të ruajë supremacinë absolute kundër elementeve terroriste islamike në Linjën e Mesme, po aq sa është interes politik i SHBA-së dhe BE-së që Kosova të mos cenojë stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Këto dy synime afatgjata politike të aleatëve tanë perëndimorë i çojnë në dy qëndrime të kundërta afatshkurtra morale. Në njërin lejohet pushtimi i territoreve të huaja, në tjetrin nuk lejohet ushtrimi i juridiksionit kushtetues.
Po këtë mësim e kuptuan Ukraina dhe Suedia këtë javë në Vilnius. Shikuar nga çfarëdo këndi i mundshëm, Ukraina ka fituar me “gjak dhe djersë” të drejtën për anëtarësim në NATO. Tani e më shumë se 500 ditë Ukraina është shndërruar në engjëllin mbrojtës të Evropës dhe në digën e pakapërcyeshme të agresionit rus kundër Perëndimit. Lufta e saj kundër Rusisë është luftë në emër të çdo anëtari të NATO-s. Rrjedhimisht ishte moralisht plotësisht e drejtë që Ukrainës t’i ofrohej një afat kohor se kur do të bëhet anëtare e NATO-s. Por Ukraina nuk e mori afatin e anëtarësimit dhe në vend të kësaj mori premtimin abstrakt që do të anëtarësohet në NATO “kur të lejojnë kushtet”. Dhe ndonëse kjo është moralisht absolutisht e papranueshme, politikisht është plotësisht e kuptueshme. Edhe pse sot pjesa dërrmuese e opinionit publik perëndimor është në mbështetje të Ukrainës, vendimmarrësit politikë kuptojnë se vendimi për anëtarësimin e Ukrainës në NATO duhet të marrë parasysh shumë dinamika komplekse politike të cilat duhet të baraspeshojnë përfitimet dhe rreziqet e anëtarësimit eventual të Ukrainës në NATO. Ose merreni shembull Suedinë. Vendimi i Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO ishte moralisht plotësisht i drejtë, por kjo nuk e parandaloi Turqinë që të shfrytëzojë këtë momentum për arsye puro politike. Kësisoj Turqia ndërlidhi anëtarësimin e Suedisë me një pako të kërkesave ekonomike dhe të sigurisë.
Zhvillimet e këtyre dy javëve nga Jenini e deri në Vilnius na mësojnë se fuqitë e mëdha nuk formësojnë pozicionet e tyre politike nga pikënisjet afatshkurtra morale, por interesat afatgjata politike. Aq sa është e padrejtë humbja e jetës së fëmijëve në Jenin apo mohimi i datës së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, aq është i padrejtë edhe mohimi i sovranitetit të plotë të Kosovës në veri. Por ajo çfarë e bën dallimin në mes shteteve serioze dhe joserioze është se si reagojnë në gjithë këtë mes. Këta të parët kuptojnë se për hir të interesave sublime afatgjata politike duhet pajtuar me sakrifica të dhimbshme afatshkurtra morale. Prandaj, fillimi i djeshëm i kthimit të normalitetit në dialog është shenjë shprese që Kosova do të zërë vendin e vet në kuadër të komunitetit të shteteve serioze.