Zgjedhjet lokale në Kosovë dëshmuan se ka një emancipim politik edhe të qytetarëve, edhe të partive politike. Shpejtësia e numërimit të votave dhe njohja e menjëhershme e rezultateve nga humbësit e dëshmojnë këtë. Partitë politike mund të nxjerrin shumë mësime nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Por tri janë kryesore: nuk ka votë të garantuar për askënd, në zgjedhjet lokale kandidatët janë më të rëndësishëm sesa partitë, dhe se ndryshimet brenda partive politike japin fryt
Kaluan edhe një palë zgjedhje interesante në Kosovë dhe, bazuar në dallimin e vogël mes fituesve dhe humbëse, pa dyshim dramatike. Do të bëhen analiza tash se kush është fitues e kush humbës. Dhe që në fillim tri partitë politike të cilat pësuan një disfatë të rëndë në zgjedhjet nacionale, LDK, PDK dhe AAK, ndihen tash fituese. Përderisa në zgjedhjet nacionale ranë në nivelin më të ulët në histori, tash kanë fituar numrin më të madh të komunave, që të tria kanë më shumë komuna ku do ta kenë kryetarin nga radhët e tyre sesa Lëvizja Vetëvendosje.
Tregim në vete është fakti se Lista Srpska për nga numri i komunave që do t’i udhëheqë është fituese me 12 komuna. Por në komunat me shumicë serbe në Kosovë nuk ka pluralizëm politik e as nuk ka kushte për një garë demokratike të barabartë zgjedhore. Edhe rezultatin në këto komuna e imponon Beogradi.
Ndonëse nuk mund të krahasohen zgjedhjet lokale me ato nacionale, VV-ja mund të konsiderohet si humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Humbën Prishtinën dhe Prizrenin, dy qytetet më të mëdha të vendit. Ndonëse me rezultat shumë, shumë të ngushtë, në nivel të gabimeve statistikore, në krye të këtyre qyteteve nuk do të jetë kandidati i tyre.
kjo humbje e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale nuk mund të merret si njësi matëse e disponimit të votuesve në nivel nacional. Votuesit në Kosovë dëshmuan se janë mjaft të emancipuar politikisht dhe tepër mirë i kuptojnë vlerat dhe karakteristikat e zgjedhjeve dhe bëjnë dallimin. Në zgjedhjet lokale kanë dëshmuar se dinë t’i vlerësojnë personat e duhur, kandidatët e mirë, pa marrë parasysh se nga cila parti vijnë. Këtë e dëshmon edhe fakti se në disa komuna kanë fituar kandidatët nga partia e cila në zgjedhjet lokale në po të njëjtën komunë nuk ka marrë shumë vota. Ka pasur edhe raste ku i kanë votuar edhe kandidatët e pavarur, që nuk janë në parti.
Kur dikush voton për shembull në Pejë për Gazmend Muhaxherin, ai nuk ka votuar që dikush i LDK-së nga Podujeva të jetë në Kuvendin e Kosovës. Dhe kur dikush në Gjakovë ka votuar për Ardian Gjinin, e ka bërë këtë me qëllim që ai të jetë kryetar i Komunës së Gjakovës e jo që dikush nga Prishtina nga radhët e AAK-së të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhjet lokale në Kosovë dëshmuan se ka një emancipim politik edhe të qytetarëve, edhe të partive politike. Shpejtësia e numërimit të votave dhe njohja e menjëhershme e rezultateve nga humbësit e dëshmojnë këtë. Partitë politike mund të nxjerrin shumë mësime nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Por tri janë kryesore: nuk ka votë të garantuar për askënd, në zgjedhjet lokale kandidatët janë më të rëndësishëm sesa partitë, dhe se ndryshimet brenda partive politike japin fryt.
Me fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet nacionale, që ishte fitore pa precedencë, ndodhën ndryshimet në Kosovë. Por ato zgjedhje bënë që të ketë ndryshime edhe në dy partitë e tjera të mëdha, PDK dhe LDK. Edhe pse rezultatet në zgjedhjet lokale janë para së gjithash meritë e kandidatëve të mirë, këto dy parti mund ta shohin këtë rezultat si dëshmi se reformat kanë nisur të japin edhe rezultat. Dhe kjo është e shëndoshë për demokracinë e Kosovës. Pjekuria demokratike dëshmohet më së shumti në zgjedhje, më shumë sesa në pjesëmarrje apo jo në forume ndërkombëtare ku diskutohet për zhvillimin e demokracisë.
Kanë qenë të gabuara edhe vlerësimet se këto zgjedhje do të ndikojnë edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel. Edhe nëse ka pasur kalkulime të tilla ato kanë qenë të gabuara. Është vështirë të besohet se dikush në Prishtinë apo Prizren do të votonte për kandidatin e VV-së, për shkak të qëndrimeve të kësaj partie në dialog me Serbinë. Kanë kaluar kohët kur kandidatët thoshin se integrimet evropiane janë synimi i tyre për komunën ku kandidonin. Qytetarët e kanë kuptuar se zgjedhjet lokale janë për rrugët e qytetit dhe fshatrave, për menaxhimin e mbeturinave, ujësjellësin e shkollat, e jo për raportet me Serbinë, miqësinë me Amerikën apo qëndrimet e BE-së ndaj procesit të vetingut të gjyqtarëve.
Aty ku ndikojnë zgjedhjet, përfshirë edhe këto lokale, është në energjinë që ua konsumojnë subjekteve politike, shoqërisë dhe mediave. Tash kur këto zgjedhje përfunduan, koha është që energjia të përqendrohet në sfidat e shumta që e presin Kosovën, nga niveli lokal, nacional, rajonal e ndërkombëtar.