OpEd

Në kërkim të mandarinëve

Sundimi i perandorit të parë kinez, vrasja e një presidenti amerikan dhe grusht shteti i dështuar i Trumpit nënvizojnë rëndësinë e ngritjes së armatës së burokratëve, të cilët do të jenë gardianët e interesit publik

***

“Për dashurinë ndaj shtetit ata pranuan vdekjen. Kështu të gjitha dyshimet e tyre pushuan, ndërsa patriotizmi dhe virtytet e tyre u bënë të pavdekshme”. James Garfield, 30 maj 1868.

***

Në kohë lufte ekzistenca e shtetit varet nga ushtria e tij. Profesionalizmi, guximi dhe etika e ushtrisë janë çfarë e mbrojnë një vend nga zhdukja. Së fundmi këtë e shohim në Ukrainë. Nga ana tjetër, në kohë paqeje ekzistenca e shtetit varet nga shërbimi i tij civil. Profesionalizmi, guximi dhe etika e shërbimit civil janë çfarë e dallojnë një shtet të suksesshëm nga një shtet të dështuar. Një shtet me burokraci profesionale është i aftë të administrojë proceset demokratike, të mirëmbajë kapacitetet ushtarake, të mbrojë interesat e veta në skenën ndërkombëtare, të sigurojë sundim të ligjit, të formulojë politikat e qëndrueshme ekonomike, të mbledhë tatimet, të ofrojë shërbime infrastrukturore, shëndetësore, etj. Civilizimi kinez është i pari që e ka kuptuar këtë. Qindra vjet para të gjithë të tjerëve, nën sundimin e perandorit të parë kinez, Qin Shi Huang, në shekullin III para erës sonë, Kina ka ngritur themelet e një shërbimi civil të karrierës, të pavarur dhe meritokratik. Ky ka qenë edhe faktor kyç në ngritjen dhe ruajtjen e Perandorisë Kineze. Ky zhvillim do të vijë shekuj më vonë në vende të tjera të botës. Shërbimi civil kinez do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e shërbimit civil në Mbretërinë e Bashkuar, në Francë dhe në mbarë botën.

Në SHBA, nga ana tjetër, do të duhej të vritej presidenti James Garfield në vitin 1881 për shkak të insistimit të tij në ngritjen e shërbimit civil të pavarur amerikan. Para ardhjes së presidentit Garfield në shekullin e parë të pavarësisë së SHBA-së, institucionet amerikane nuk kanë pasur asnjë tipar të administratës meritokratike publike e cila ishte instaluar qindra vjet më herët në Kinë. Gjatë tërë shekullit XIX e gjithë administrata e institucioneve amerikane ka qenë jashtëzakonisht e politizuar dhe pjesë e nënkuptueshme e shfrytëzimit të pushtetit. Pas zgjedhjes së tij si president i SHBA-së, Garfieldi ka vendosur që t’i japë fund politizimit të administratës me qëllim të ngritjes së një burokracie profesionale amerikane. Ky synim i tij ka prishur shumë interesat në shoqërinë amerikane, të cilat ishin mësuar t’i përdornin institucionet shtetërore për realizimin e interesave partiake dhe personale. Njëri nga interesat e prishura ishte interesi i Charles Guiteausit. Guiteausi kishte dashur të bëhej diplomat në Paris, përkundër se nuk kishte asnjë ditë përvojë apo kualifikime të nevojshme për të qenë diplomat. Presidenti Garfield e refuzoi emërimin e tij pasi që nuk konsideronte se i përmbushte kriteret e nevojshme profesionale. I dëshpëruar, Guiteau vrau presidentin Garfield. Sidoqoftë, vrasja e tij nuk ka parandaluar ngritjen e shërbimit civil profesional amerikan, por vetëm e ka përshpejtuar atë. Kësisoj, pesëmbëdhjetë muaj pas vrasjes së tij është miratuar Ligji Pendleton për Reformën e Shërbimit Civil, i cili e lindi shërbimin modern civil amerikan, duke paraparë rekrutimin meritokratik në administratën amerikane nga një komision i pavarur dhe duke i dhënë fund shkarkimit të shërbyeseve civilë nga ana e politikanëve.

***

“You are all losers! You are all fucking losers!”. Donald Trump, 31 maj 2020.

***

Të qenët shërbyes publikë nënkupton besimin e verbër në disa vlera sublime që janë themel i institucioneve publike. Integriteti personal, aftësia profesionale dhe besnikëria ndaj Kushtetutës dhe ligjeve janë kredoja e shërbyesve publikë. Ata nuk i shërbejnë asnjë partie politike, por institucioneve të shtetit. Shtetit nuk i shërbejnë për shpërblim financiar apo njohje publike, por për shkak të ndjenjës së obligimit moral dhe nderit profesional. Si të tillë, ata janë gardianët e interesit publik: gjeneralët, prokurorët, gjyqtarët, policët, diplomatët, mjekët, zjarrfikësit, arsimtarët, etj. Shumicën e kohës ata do të kenë nderin të bashkëpunojnë me politikanë, qëllimet e të cilëve do të jenë fisnike, por nganjëherë do të jenë të obliguar t’u kundërvihen politikanëve jofisnikë me qëllim të mbrojtjes së institucioneve të shtetit. Askund ky rol i shërbyeseve civilë si gardianë të interesit publik nuk u shpërfaq në mënyrë më dramatike se gjatë presidencës Trump.

Mjeku Anthony Fauci është shërbyes civil, i cili i ka shërbyer çdo administrate amerikane për gjysmë shekulli. Që nga viti 1984 është drejtor i Institutit Kombëtar për Sëmundjet Ngjitëse dhe ka këshilluar çdo president amerikan që nga koha e Reganit. Doktor Fauci ka qenë në vijën e parë të përballjes me të gjitha krizat e fundit shëndetësore publike: HIV/AIDS, SARS, gripi i derrave, MERS, Ebola, dhe së fundi COVID-19. Për angazhimin e tij është shpërblyer me Medalje Presidenciale të Lirisë, dekoratë më e lartë civile, nga presidenti George W. Bush. Por gjatë presidencës Trump, doktor Fauci ka gjetur veten në një pozitë të paprecedent: është dashur të mbrohej nga vetë shefi i tij dhe të mohojë publikisht qëndrimet e Trumpit për COVID-19. Presidenti Trump e kishte quajtur doktor Faucin “fatkeqësi”, “idiot” dhe kishte paralajmëruar disa herë shkarkimin e tij. E gjithë kjo nuk e ka ndalur Faucin. Ai i është përgjigjur: “Do të vazhdoj të bëj punën time pa marrë parasysh pasojat. Jemi në mes të krizës pandemike. Kjo është çfarë jam trajnuar të bëj tërë jetën time profesionale dhe do të vazhdoj ta bëj”.

Së fundmi, duke reflektuar për kohën e mospajtimeve me presidentit Trump, doktor Fauci tha: “Ka pasur shumë gjëra të cilat më është dashur t’i kundërshtoj për hir të mbrojtjes së integritetit tim, si dhe përgjegjësisë që kam para qytetarëve amerikanë”.

Pas marrjes së pushtetit, presidenti Biden e emëroi doktor Faucin këshilltar kryesor mjekësor të presidentit, ndërsa Asociacioni i Imunologëve Amerikanë e shpërbleu doktor Faucin me Çmimin për Lidership të Jashtëzakonshëm Shkencor. Ajo çfarë kemi kuptuar nga roli i doktor Faucit gjatë përballjes me pandeminë COVID-19 është se shërbyesit civilë sikur ai ishin gardianët e interesit amerikan përballë një presidenti që kishte plane të kundërta.

Në tetor dhe nëntor të 2019-s kemi dëgjuar dëshmitë publike të diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë të cilët kanë kundërshtuar politikën e presidentit Trump karshi Ukrainës. Presidenti Trump kishte kërkuar nga Ukraina nisjen e hetimeve ndaj djalit të Joe Bidenit në shkëmbim për furnizim ushtarak amerikan. Kësisoj, presidenti Trump kishte vënë nën kërcënim sigurinë kombëtare amerikane për shkak të llogarive politike dhe personale. Dëshmitë e William Taylorit, George Kentit, Marie Yovanovitchit, Fiona Hillit dhe Alexander Vindmanit ishin pasqyrimi më i mirë i integritetit të shërbyesve civilë, të cilët vendosin interesin e shtetit para çdo gjëje tjetër. Ajo çfarë kuptuam nga dëgjimet publike në Kongres është se këta shërbyes civilë ishin gardianët e interesit amerikan përballë një presidenti që kishte plane të kundërta.

Shembulli i fundit i rëndësisë së shërbimit civil vjen nga artikulli i kësaj jave i “New Yorkerit” që e përshkruan marrëdhënien e presidentit Trump me gjeneralët e ushtrisë amerikane. Vlerat, parimet dhe profesionalizmin e ushtarakëve amerikanë i ka vendosur shpesh në konflikt me presidentin Trump. Në një nga kundërshtimet me presidentin Trump, gjenerali James Mattis kishte thënë se më parë “do të pi acid” sesa të zbatoj idenë e Trumpit për organizimin e paradës ushtarake në rrugët e Washingtonit. I frustruar nga rigoroziteti dhe parimet e gjeneralëve amerikanë, Trumpi kishte xhelozuar Hitlerin për servilizmin e gjeneralëve gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa kur gjeneralët kishin refuzuar përdorimin e ushtrisë kundër qytetarëve amerikanë gjatë protestës “Black Live Matter”, Trumpi kishte shpërthyer ndaj tyre: “You are all losers! You are all fucking losers!”. Nga artikulli kuptojmë se gjeneralët kanë qenë instrumentalë në parandalimin e konfliktit të armatosur në mes të SHBA-së, Kinës dhe Iranit. Kësisoj, artikulli i fundit i “New Yorkerit” mbështet raportimet e mëhershme se gjenerali Milley ishte aq i brengosur me sjelljen e presidentit Trump, saqë kishte marrë masa shtesë për të siguruar se presidenti Trump nuk mund të lansojë armë bërthamore pa pëlqim eksplicit të tij. Nga e gjithë kjo, ajo çfarë kuptojmë është se këta shërbyes civilë ishin gardianët e interesit amerikan përballë një presidenti që kishte plane të kundërta.

Dhe në fund fare, kur presidencës Trump i kishte ardhur fundit, pasi që Trumpi kishte humbur zgjedhjet përballë Bidenit, ishin prapë shërbyesit civilë ata të cilët e mbrojtën demokracinë amerikane nga një president antiamerikan. Pasi që Trumpi e kishte kuptuar që i kishte humbur zgjedhjet, ai e përdori të gjithë arsenalin institucional për të parandaluar certifikimin e rezultatit zgjedhor. Ai kishte kërkuar nga ligjvënësit lokalë dhe ata nacionalë të refuzonin rezultatin zgjedhor. Trumpi filloi edhe një fushatë presioni mbi zyrtarët përgjegjës për certifikimin e rezultatit zgjedhor. Kur asgjë nuk funksionoi, e kërkoi përdorimin e forcës për konfiskimin e materialit zgjedhor, por asnjë institucion shtetëror nuk pranoi që të bëhej pjesë e kësaj çmendurie. Në fakt, ata kundërshtuan ashpër pretendimet e presidentit Trump. Kësisoj, vetë prokurori i SHBA-së, William Barr, mohoi çfarëdo mashtrimi zgjedhor. Të njëjtën e konkludoi drejtori i Agjencisë për Sigurinë Kibernetike, Chris Krebs. Të dytë u shkarkuan së bashku me një numër të zyrtarëve të lartë, të cilët e kundërshtuan qëndrimin e Trumpit se zgjedhjet ishin vjedhur. Në fund, presidenti Trump tentoi ta pengojë rezultatin zgjedhor përmes sfidimit të tij pranë gjykatave amerikane, duke harruar se edhe ata janë shërbyes civilë që nuk njohin asnjë interes para interesit të shtetit. Kësisoj, të gjitha 63 ankesat e Trumpit u refuzuan unanimisht nga gjykatësit amerikanë. Edhe gozhdën e fundit në arkivolin e presidencës Trump e kishin futur shërbyesit civilë, të cilët dolën gardianë të interesit amerikan përballë një presidenti që kishte plane të kundërta.

Në fund edhe Trumpi e kuptoi se ishin pikërisht shërbyesit civilë ata që e shkaktuan rënien e tij. Kjo është edhe arsyeja pse në ditët e fundit të administratës së tij ai propozoi ndryshimet ligjore të cilat do të lejonin largimin politik të shërbyese civilë. Kësisoj, në tetor 2020 Trumpi e miratoi urdhrin ekzekutiv 13957, i cili do të shkundte në themel pavarësinë e shërbimit civil amerikan, për të cilin kishte dhënë jetën presidenti Garfield 140 vjet më parë. Urdhri parashikonte mundësinë e largimit arbitrar të shërbyesve të lartë civilë nga administrata amerikane pa asnjë mundësi ankimi dhe mekanizmi ligjor mbrojtjeje. Urdhri ishte akt hakmarrjeje. Demokratët reaguan ashpër ndaj këtij hapi të presidentit Trump, me ç’rast kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura në Kongresin Amerikan, Adam Smith, tha: “Urdhri ekzekutiv është akt i turpshëm i cili synon të politizojë shërbimin civil të karrierës dhe si i tillë përbën sulm të drejtpërdrejtë mbi shërbimin civil...Qeveria jonë federale mbështetet nga një forcë e jashtëzakonshme e shërbyesve civilë të karrierës – kompetencat e tyre asnjëherë nuk guxojnë të minohen në emër të lojalitetit ndaj Trumpit”. Dyzet e tetë orë pas marrjes së detyrës, presidenti Biden e shfuqizoi Urdhrin Ekzekutiv 13957, mirëpo Trumpi nuk do ta harrojë kurrë hakmarrjen ndaj shërbimit civil amerikan. Prandaj, para pak ditëve, gjatë mbledhjes më të rëndësishme republikane – Konferenca Konservatore për Veprim Politik - Trumpi paralajmëroi se do ta rikthejë Urdhrin Ekzekutiv 13957 për të larguar “burokratët mashtrues” dhe për të “çrrënjosur deep state-in”.

***

“Pas shkurtit shkollat i ke të mbyllura, policinë do ta kesh të trazuar, shëndetësinë do ta kesh në kolaps, ujësjellësin, e të tjerë. Apo do të themi bëni çka të doni, e asi. Unë konsideroj, po them në emër të SBASHK-ut, duke e njohur SBASHK-un mirë ne mund t’i japim mbase Qeverisë ndonjë afat. Po kur kalon ai afat ne drynat i kemi të gatshëm dhe shkollat do të jenë të mbyllura me gjithë çerdhe”. Rrahman Jasharaj, shërbyes civil i Kosovës, 2 dhjetor 2021.

***

E gjithë storia e shërbimit civil nga shekulli III para erës sonë në Kinë e deri te presidenca Trump në SHBA e nënvizon rëndësinë e shërbimit civil për funksionimin e mirëfillte të shtetit. Dhe pyetja që lind natyrshëm është se në çfarë gjendjeje është shërbimi civil i Kosovës? A i ka Kosova gardianët e saj që do t’i mbrojnë interesat e shtetit përballë politikanëve jofisnikë?

Që nga shpallja e pavarësisë Kosova ka ngritur kuadër modern ligjor të shërbimit civil, bazuar në modelet më të mira evropiane. Po ashtu, janë ngritur disa institucione kredibile nacionale, të cilat kanë dëshmuar se shërbimi civil i Kosovës ka potencial të jetë konkurrues me homologët e tij në Evropë dhe botë. Kësisoj, mund të krenohemi me storie të suksesit në ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe profesionale, siç janë Komisioni Qendror Zgjedhor, Banka Qendrore e Kosovës, Dogana, Policia, FSK-ja apo Autoriteti i Aviacionit Civil. Por këto kanë qenë më shumë raste të izoluara të suksesit si pasojë e vëmendjes ndërkombëtare sesa rezultat i një politike koherente, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për krijimin e një shërbimi cilësor civil. Duke e njohur rëndësinë e krijimit të një shërbimi të tillë civil, miqtë tanë ndërkombëtarë kanë ndarë mjete të mëdha financiare për të na ndihmuar në vendosjen e themeleve për shërbim të pavarur dhe profesional civil – nga arsimimi i tyre në universitetet evropiane, vendosja e procedurave kredibile meritokratike të rekrutimit e deri te ngritja e sistemeve të avancuara për menaxhimin e rasteve në gjykatat e Kosovës.

Të pasurit një shërbim të avancuar civil do të duhej të ishte agjendë përbashkuese e të gjitha partive politike në Kosovë. Ajo vetëm do t’iu ndihmonte liderëve politikë pasi që do të kishin në dispozicion një administratë e cila do të ishte e aftë për të zbatuar programet dhe zotimet e tyre politike para qytetarëve. Në fakt, shumë probleme me të cilat ballafaqohen partitë politike në qeverisjen e tyre janë ekskluzivisht administrative dhe jo politike. Merreni si shembull pandeminë COVID-19. Ajo është tërësisht problem shëndetësor, adresimi i të cilit kërkon ekspertizë shëndetësore, profesionale dhe administrative. Pra, që nga fillimet e pandemisë është kërkuar që të këtë udhëzime të qarta shëndetësore për masat që duhet respektuar qytetarët, është kërkuar vendosja e një sistemi administrativ të testimit i cili do të lejonte identifikimin dhe ‘tracking’ të virusit, është kërkuar organizmi profesional i sistemit spitalor për të trajtuar pacientë që do të kenë nevojë për hospitalizim, dhe në fund fare është kërkuar zbatimi i një operacioni kompleks dhe masiv të vaksinimit të të gjithë popullatës. Asnjë nga këto pika nuk ka kërkuar ekspertizë politike, të gjitha kanë qenë çështje administrative. Dhe kështu është edhe jashtë situatave emergjente. Merreni për shembull lajmin e fundit se Universiteti i Prishtinës është ranguar i parafundit në rajon për nga cilësia akademike, apo gjërat e vogla sikur obligimi i pensionistëve për t’u paraqitur çdo gjashtë muaj pranë institucioneve të shtetit për të konfirmuar se janë të gjallë. Këto janë probleme tërësisht administrative, adresimi i të cilave kërkon shërbim profesional civil, i cili është i aftë të propozojë dhe të zbatojë zgjidhje ndaj këtyre problemeve.

Sidoqoftë, deri më sot nuk kemi parë një vullnet të palëkundur për krijimin e një shërbimi të tillë civil. Në të kaluarën, fatkeqësisht, shërbimi civil është përdorur kryesisht për përfitime politike. Institucionet e pavarura janë vendosur nën kontroll dhe diktat të pushtetit politik. Ndërsa sot, nën mazhorancen e re politike, duket se shërbimi civil nuk e ka vëmendjen e nevojshme. Përderisa flasim, dymbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë ministri janë një vit e gjysmë pa udhëheqësit më të lartë civilë. Ato janë duke u udhëhequr nga zëvendësuesit e përkohshëm. Dukuri e njëjtë po aplikohet në nivele më të ulëta të shërbimit civil dhe në agjencitë vartëse. Në përgjithësi, mazhoranca e re ende nuk ka arritur të krijojë një aleancë partneriteti dhe besimi me shërbimin civil, i cili do të duhej të ishte instrumenti kyç në realizimin e zotimeve të tyre politike. Sidoqoftë, disa veprime të mazhorancës së re japin arsye për optimizëm të kujdesshëm. Emërimi i komisioneres së re për Informim dhe Privatësi, i drejtorit të ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit, i auditores së re të përgjithshme apo i Bordit të ri të RTK-së janë të gjitha momente inkurajimi për krijimin e administratës profesionale dhe të pavarur të Kosovës, dhe këto zonjat dhe zotërinjtë kanë barrën dhe privilegjin e të qenët gardianë të interesit të shtetit përballë atyre që kanë plane të kundërta.

Fjala e urtë popullore thotë: “Ka vonim, por jo pështim”. Njëjtë siç kanë kuptuar Kina, Mbretëria e Bashkuar apo SHBA-ja, Kosova nuk ka zgjidhje tjetër përveç krijimit të një shërbimi profesional dhe të pavarur civil. Është vetëm çështje kohe që do të humbasim deri në krijimin e tij.