Pas 14 shkurtit 2020, asnjë parti politike nuk guxon më t’i neglizhojë dy grupe të shoqërisë: gratë dhe të rinjtë
Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit sollën më shumë sesa ndërrim të pushtetit. Zgjedhjet, përveçqë sollën një ndryshim të madh sa i përket pozicionit të partive politike, pas 14 shkurtit asnjë parti politike nuk guxon më t’i neglizhojë dy grupe të shoqërisë: gratë dhe të rinjtë.
Lëvizja Vetëvendosje do t’i kalojë 50% të votave të fituara pas numërimit të votave nga diaspora, një rekord impresiv për një parti e cila garon në kuadër të një sistemi parlamentar qeverisës. Në anën tjetër, dy partitë kryesore të cilat kanë qenë pjesë e pushtetit për dy dekada shënuan rezultatin më të dobët në historikun e ekzistimit të tyre, ku PDK fitoi 17.4% të votave, kurse LDK vetëm 13%. Përderisa Vetëvendosje u rrit nga 12.7%, prej vitit 2010 kur garoi për herë të parë në zgjedhje, në 48% të votave, LDK ra nga 45.6% prej zgjedhjeve të para në 13%.
Vetëvendosje mori vota nga të gjitha grupet shoqërore, por më së shumti u votua nga gratë dhe të rinjtë. Në momentin e mbylljes së vendvotimeve, në orën 19.00, KTV publikoi rezultatet e anketës me qytetarët, e realizuar në ditën e fundit të fushatës zgjedhore. Dy gjetje nga anketa e KTV-së ishin interesante. Në bazë të grupmoshave, Vetëvendosje përkrahjen më të madhe e kishte tek ata të rinj mes moshës 18 dhe 24-vjeçare. Në anën tjetër, LDK-ja mbështetjen më të madhe e kishte tek ata mbi moshën 65-vjeçare, kurse PDK-ja tek ata të moshës 35 deri 44 vjeç.
Ndryshim tjetër shumë më i madh mes votuesve të partive ishte edhe ai në bazë të gjinisë. Sipas anketës, 52.4% e grave të anketuara do të jepnin votën për Lëvizjen Vetëvendosje, në krahasim me 35.1% të burrave. Kurse partitë e tjera me një përqindje më të madhe votohen nga burrat sesa gratë. Edhe ‘exit poll’ i publikuar në të njëjtën kohë nga UBO dhe TV “Dukagjini” jep të njëjtën pasqyrë sa i përket përkrahjes më të madhe të Vetëvendosjes nga gratë.
Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare Demokraci Plus, në listën e kandidatëve për deputetë, në krahasim me partitë e tjera, Lëvizja Vetëvendosje kishte më shumë gra në listë, si dhe numri më i madh i grave dhe burrave në listën për deputetë të kësaj partie hynte në grupmoshën mes 31-40 vjeç, grupmosha më e re në krahasim me partitë e tjera.
Lëvizja Vetëvendosje u dha hapësirë më të madhe grave në paraqitjet televizive gjatë fushatës zgjedhore. Nga monitorimi i debateve kryesore televizive gjatë fushatës zyrtare zgjedhore (nga 3 shkurti deri më 12 shkurt), organizata Qendra për Informim Kritikë dhe Aksion gjeti se në debate televizive Vetëvendosje u kishte dhënë hapësirë të barabartë paraqitjeje grave dhe burrave, gjersa LDK-ja ishte përfaqësuar në debate nga burrat në 84% të paraqitjeve, burrat kishin përfaqësuar PDK-në në debate në 72% të paraqitjeve, AAK-në në 85% të paraqitjeve, kurse NISMA në të gjitha debatet ishte përfaqësuar nga burrat.
Hapësira më e madhe që gëzojnë gratë në Lëvizjen Vetëvendosje është përkthyer edhe në votë më të madhe për gratë në zgjedhjet e kaluara. Të gjitha gratë deputete të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të tetorit të vitit 2019 fituan ulëse në Kuvend pa pasur nevojë për ndihmën e kuotës. Madje, kandidates për deputete, Tinka Kurti, KQZ-ja ia mohoi ulësen për deputete edhe pse kishte vota më shumë sesa kolegu i saj që zuri ulësen e mbetur vakant. Arsyetimi i KQZ-së ishte se ulëset në Kuvend duhet të zëvendësohen nga pjesëtarët e gjinisë së njëjtë. Një interpretim absurd ky, ngase kuota garanton minimumin, por nuk duhet të jetë pengesë për përfaqësim të më shumë grave në parlament.
Edhe anketa e KTV-së para zgjedhjeve, edhe ‘exit poll’ i UBO-s dhe TV Dukagjinit, ashtu sikurse matjet e vazhdueshme të UNDP-së dhe organizatave të tjera, nxjerrin papunësinë si shqetësimin kryesor të qytetarëve. E papunësia më e lartë është në mesin e grave dhe të rinjve. Të dhënat e fundit nga anketa e fuqisë punëtore tregojnë se papunësia e përgjithshme në Kosovë është 24.6%, shkalla e papunësisë së të rinjve është 46.9%, kurse 78.5% e grave nuk janë fare aktive në tregun e punës. Andaj, gratë dhe të rinjtë në masë më të madhe kanë votuar për ndryshim, pikërisht për shkak se ndajnë shqetësimet e përbashkëta sociale.
Suksesi i qeverisë së ardhshme do të varet nga ajo se sa merr në konsideratë shqetësimet e të rinjve dhe grave. Ulja e nivelit të lartë të papunësisë së të rinjve dhe grave është një ndër veprimet kryesore që duhet të ndërmarrë qeveria e re. Po ashtu, duhet të ndryshohet ligji zgjedhor dhe kuotat për përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar duhet të rritet nga 30% sa janë tash në 50%. E njëjta logjikë duhet të ndiqet edhe në ndarjen e posteve në ekzekutiv, me qëllim që të ketë përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave.
Përveçqë rezultati i zgjedhjeve ka vënë obligime për qeverinë dhe parlamentin e ardhshëm sa i përket përfaqësimit të interesave të grave dhe të rinjve, ky rezultat është sinjal edhe për partitë e tjera politike që duhet të reformohen. Ndarja e anëtarësisë në forume të grave dhe forume të të rinjve, ashtu siç kanë bërë deri më tani partitë në pushtet, është praktikë e prapambetur e cila tregon për mendësinë qeverisëse të tyre. Andaj, reformimi nënkupton përfaqësimin e grave dhe të rinjve në organe kryesore të partive, e jo margjinalizimin e tyre në dhoma të ndara.