OpEd

Ndryshimi i kufijve në Ballkan është tentim i Beogradit për të realizuar qëllimet e Milosheviqit

Pa marrë parasysh se kush e paraqet idenë, në “non-paper” apo në tryezë, ndryshimi i kufijve në Ballkan si ide e ka burimin në Beograd. Qëllimi nuk është të bashkohen shqiptarët apo kroatët në shtete më të mëdha, por të konsiderohet pavarësia e Kosovës si “ndryshim i kufijve” dhe të thyhet parimi që është mbajtur deri tash, se të gjitha shtetet e krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë janë krijuar në kufijtë që i kanë pasur si njësi të ish-Federatës së shpërbërë, për fat të keq përmes luftërave të përgjakshme, krimeve dhe gjenocidit. Kjo ide del tash, pasi qarqet që e promovojnë po përgatiten për periudhën pas kancelares Merkel. Dhe ato qarqe në BE janë shumë më të mëdha sesa që mendohet në opinion

Pa marrë parasysh se a ekziston apo jo në formën e shkruar “non-paperi” i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, për atë që përflitet si “idetë e përmbylljes së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, nuk ka dyshim se idetë ekzistojnë dhe ato po qarkullojnë përsëri në nivele shumë të larta në Bashkimin Evropian dhe në shtetet e rëndësishme anëtare. Nga bisedimet joformale me shumë diplomatë të vendeve të BE-së kemi fituar përshtypjen se “askush nuk e ka parë dokumentin”, por shumica prej tyre besojnë se ajo që ka dalë në media “është në masë të madhe në përputhje me atë që flet nëpër takime me kolegë kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha”.

Dhe se “idetë e tilla janë ende gjallë dhe ato po përforcohen tash kur po pritet largimi nga politika i kancelares gjermane Angela Merkel”.

Dhe promotorët e këtyre ideve, që së pari kishin dalë me idenë për ndarjen e Kosovës, apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, po shohin mundësi për të krijuar hapësirë për riaktualizimin e kësaj ideje.

Periudha është shumë e përshtatshme. BE-ja është e hutuar dhe politika e saj e jashtme po shndërrohet në një fiasco. Pasi në politikën e jashtme vendoset me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare, cilado ide që ka mbështetjen e qoftë edhe një shteti të vetëm, e pengon qëndrimin e përbashkët të BE-së për të. Pra, është gabim dhe e pasaktë të thuhet se “BE-ja është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan”.

Një diplomat evropian, me përvojë shumë të madhe në rajon, shumë i shqetësuar me atë që po flitet nëpër “qarqet evropiane”, sugjeron që të shihet se kush po e kundërshton idenë në mënyrë të prerë e kush jo, për të parë nëse ka hapësirë për të plasuar ide të tillë apo jo. Gjermania mbetet e vetme duke kundërshtuar në mënyrë të prerë këtë ide, duke e quajtur si rrezik për rihapje të konfliktit dhe duke tërhequr vërejtjen se me këtë hapet kutia e Pandorës. A e ka parë kush Francën nga ndonjë nivel i lartë ta hedhë kategorikisht këtë ide. Ku është Austria, e cila mbështeste fuqishëm idenë Vuçiq-Thaçi për shkëmbim territoresh kur në Qeveri ishte edhe partia pro-serbe dhe pro-ruse e së djathtës ekstreme. Kryeministri slloven Janez Jansha akuzon mediat për shpifje, por as ai në mënyrë të prerë nuk e mohon se e ka paraqitur idenë e ndryshimit të kufijve, me gojë apo me shkrim. Të rikujtojmë se edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, nuk ishte kundër ideve për ndarjen e Kosovës në fillim të mandatit të tij, duke e lënë mundësinë që ajo të realizohet “nëse palët pajtohen”.

Dëgjuam edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të thotë se ideja për shkëmbim territoresh ka qenë një “shans për shqiptarët” dhe se ai “nuk ishte as pro as kundër”.

Dalja në media e së vërtetës se për këto ide po flitet, ka dëmtuar shumë imazhin e Sllovenisë si një vend i BE-së dhe NATO-s me përvojë dhe njohuri të madhe për rajonin, mendimi i të cilit ka vlerë të madhe. Sllovenia është munduar ta zvogëlojë dëmin e daljes së lajmit se kryeministri i saj e ka promovuar një ide, e cila e ka burimin në Beograd, duke thënë se “qëndrimi zyrtar i Sllovenisë është që mbështetet integriteti territorial i Bosnjë-Hercegovinës”. Por edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se “mbështet integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”. E në anën tjetër, ai mbështet liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili hapur kërkon daljen e Republika Srpskas nga Bosnja dhe bashkimin e saj me Serbinë. E Vuçiqi kërkon që të respektohet “integriteti i Serbisë me Kosovën e Metohinë si pjesë të saj”.

Për të gjithë do të ishte lehtë të thoshin se ka kaluar koha e ndryshimeve të kufijve në Ballkan. Këtë e thoshin në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Këtë e thoshte edhe Janez Jansha, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Sllovenisë dhe kishte kryesimin e radhës së BE-së. Edhe Jansha ishte mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovë, e vazhdon të jetë edhe sot.

Kur para dhjetë vjetësh dikujt i shkonte mendja të përmendte ndryshimin e kufijve, BE-ja dhe NATO reagonin menjëherë duke i refuzuar kategorikisht këto ide. Tash nuk reagojnë, qëndrime të paqarta japin vetëm kur pyeten nga gazetarët.

Pa marrë parasysh se kush e paraqet idenë, në “non-paper” apo në tryezë, ndryshimi i kufijve në Ballkan si ide e ka burimin në Beograd. Qëllimi nuk është të bashkohen shqiptarët apo kroatët në shtete më të mëdha, por të konsiderohet pavarësia e Kosovës si “ndryshim i kufijve” dhe të thyhet parimi që është mbajtur deri tash, se të gjitha shtetet e krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë janë krijuar në kufijtë që i kanë pasur si njësi të ish-Federatës së shpërbërë, për fat të keq përmes luftërave të përgjakshme, krimeve dhe gjenocidit. Kjo ide del tash pasi qarqet që e promovojnë po përgatiten për periudhën pas kancelares Merkel. Dhe ato qarqe në BE janë shumë më të mëdha sesa që mendohet në opinion.

Nuk është i vogël numri i diplomatëve që besojnë se këto ide kishin marrë hov në fund të vitit të shkuar kur Janez Jansha besonte se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fitonte Donald Trump. Jansha mbeti i famshëm duke qenë edhe lideri i vetëm i BE-së që edhe ia uroi Trumpit fitoren në zgjedhje, pa pritur që të numëroheshin të gjitha votat. Kjo u shpjegua kinse me faktin se Donald Trump është dhëndër slloven, por Jansha sot thuhet të jetë me ideologji dhe politikë që promovon shumë afër Trumpit dhe liderit hungarez Viktor Orban.

Nuk ka dyshim se idetë e tilla ekzistojnë dhe janë shumë të rrezikshme. Por ka një ndryshim i cili nuk u shkon në favor mbështetësve të këtyre ideve. Ai është ndryshimi i administratës amerikane, e cila fuqishëm kundërshton këto ide, sepse nuk dëshiron që në Ballkan të rrezikohet krejt çfarë është arritur deri më tash. Sikur të pranohet të hyhet në pazare të tilla, do të pranohet logjika e Serbisë, e cila tash dëshiron që “me metoda tjera” të arrijë atë që Milosheviqi nuk e arriti me luftë. Sa më shumë humb kohë BE-ja për të hedhur poshtë ide të tilla, përmes konkluzioneve me shkrim apo deklaratë të Këshillit, aq më shumë do të inkurajohen ata që duan vizatimin e kufijve të rinj në vendet e Ballkanit, që do të sjellë përsëri pastrim etnik, qoftë edhe në formën e “zhvendosjes humane”.