OpEd

Ndryshimet klimatike dhe siguria kombëtare e Kosovës

“Problemi i ndryshimeve klimatike nuk respekton asnjë kufi shtetëror. Efektet e tyre nuk mund të frenohen nga një ushtri dhe as të avancohen nga një ideologji e vetme. Ndryshimi i klimës, me potencialin e madh për të ndikuar në çdo cep të botës, është një çështje që duhet adresuar nga e gjithë bota” – George W. Bush (11. 06. 2001)

Termi hot spot apo “pikë e nxehtë” është i ri dhe nuk besoj se njihet nga të gjithë. Besoj se jeni familjar me rastet kur fëmijëve tuaj u mungon wi-fi (zakonisht gjatë udhëtimeve në vetura) dhe ju kërkojnë  “t’ua lëshoni pak hot spotin”. Pra, është një pikë (në këtë rast telefoni juaj) e cila furnizon me internet telefonat përreth. Në fjalorin mjedisor gjithashtu shpesh përdoret termi hot spotet mjedisore. Definicioni hot spotet mjedisore përdoret për të përshkruar “ato zona tokësore dhe ujore që po përjetojnë ndryshimet më të dukshme dhe më dramatike”. Më tej hasen terma më specifikë si: hot spote të ndotjes, të biodiversitetit, të ndryshimeve klimatike etj.

Hot spote të ngrohjes globale konsiderohen “zonat në të cilat temperatura është duke u rritur me ritme më të shpejta në raport me zona të tjera”. Përveç tyre ekzistojnë edhe hot spotet e ndryshimeve klimatike. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) si institucioni kryesor global që monitoron dhe raporton ndryshmet klimatike dhe propozon politikat për adaptim dhe zbutje, përcakton hot spotet e ndryshimeve klimatike si “zona të karakterizuara nga cenueshmëri e lartë dhe ekspozim ndaj ndryshimeve klimatike”, si dhe “zona që shfaqin variacionin më të madh në statistika të ndryshme (mesatarja, ndryshueshmëria dhe ekstremi) i variablave të klimës”. Njerëzit që jetojnë në hot spotet e ndryshimeve klimatike janë shumë të varur nga mjedisi përreth dhe do të kërcënohen më shumë nga ndryshimet e temperaturës, reshjeve apo stinëve.

Përveç se një zonë e “nxehtë” politike dhe e sigurisë, Kosova me raportin e NATO-s, Climate Change Impact and Security Assessment 2024, është identifikuar edhe si një nga hot spotet të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike. Ky raport e trajton Kosovën për shkak të operimit të KFOR-it por është edhe një adresim për institucionet tona se çfarë na pret në të ardhmen e afërt në raport me ndryshimet klimatike.

“Hot spotet” po nxehen më tej

Bota, me aktivitetin njerëzor tashmë edhe zyrtarisht po i afrohet temperaturës +2°C më lart s sa para revolucionit industrial (15°C), diçka që Marrëveshja e Parisit ka qëllim ta ndalojë. Më konkretisht OKB-ja me të dhënat nga agjencitë shkencore që raportojnë ngrohjen konfirmuan se në vitin 2023 temperatura mesatare globale arriti rekordet dhe është 1.45°C mbi mesataren paraindustriale. Tashmë zyrtarisht jemi në temperaturën mesatare globale 16.45°C. 
Projeksionet e rritjes së temperaturave sipas metodologjisë SSP5-8.5 e të paraqitura në raportin e NATO-s, deri në fund të shekullit janë mjaft shqetësuese për Kosovën. Modeli SSP5-8.5 përfaqëson “një rritje të mundshme fluksi energjie prej 8.5 wat për metër katror sipërfaqe toke (W/m2) ndërmjet viteve 1750 dhe 2100”.  Sipas këtij skenari, në Kosovë numri i ditëve me temperatura mbi 35°C pritet të rritet në mënyrë dramatike gjatë këtij shekulli. Në periudhën afatshkurtër (2020-2039), janë parashikuar 4.4 ditë me temperatura mbi 35°C në muajt e verës. Ky numër ditësh sivjet veç u tejkalua me të nxehtin afrikan të korrikut. Në terma afatmesme (2060-2079),  numri i ditëve me mbi 35°C pritet të rritet në 21.2 ditë në vit. Në periudhë afatgjatë (2080-2099) të modelit SSP5-8.5, Kosova parashikohet të përjetojë 39.2 ditë në vit me temperatura mbi 35°C. Pra afërsisht 1 muaj e 10 ditë me nxehtësi përvëluese në vit. Sipas skenarit më të keq SSP5-8.5, Kosova pritet të  ketë një rritje të temperaturës mesatare për +4°C deri në fund të shekullit. Kjo mund ketë pasoja dramatike në rajon dhe rritjen e numrit të “ditëve të motit të flamurit të zi” për forcat e sigurisë (kur për shkak të temperaturave të larta, operimet ushtarake jothelbësore që kërkojnë angazhim të lartë fizik duhet të kufizohen).

Ekstremet e reshjeve dhe thatësisë

Një rritje e temperaturës globale ka shkaktuar ndryshime në modelin dhe shpërndarjen e reshjeve nëpër botë. Zonat me mungesë uji ose zonat aride do të jenë edhe më të thata, ndërsa në zonat me lagështi kushtet do të trazohen. Për shkak të këtij çrregullimi të ciklit të reshjeve, Kosova përjetoi vërshime të rënda gjatë viteve 2021-23, të përcjella me shkatërrime por edhe dy viktima njerëzore (rasti i Pejës me 25.06.2023). Këto vërshime rezultuan edhe me ndërprerje të ujit të pijshëm dhe  rrymës, si dhe evakuime të detyrueshme të cilat u realizuan me ndërhyrje nga institucionet e emergjencave, si dhe nga forcat e sigurisë: FSK-ja dhe Policia e Kosovës.
World Resources Institute-WRI, përmes atlasit Aqueduct Water Stres Risk 2024, konstaton se rreth 4 miliardë njerëz apo gjysma e popullsisë globale jetojnë në kushtet e rënda të stresit ujor. Për Kosovën nuk ka të dhëna në atlas. Si pasojë e ndryshimeve klimatike, pritet rënie e të reshurave për 20% në nivelin global ndërsa për Kosovën kjo rënie llogaritet të jetë rreth 15%. Pra do të kemi më pak reshje në periudhat kur do të bëhet secilën herë e më nxehtë. Parashikimet e temperaturave më të larta dhe rritja e kërkesave të popullsisë për ujë, sipas raportit të NATO-s sugjerojnë që “deri në vitin 2050, katër nga pesë pellgjet ujore të Kosovës (Drini i Bardhë, Ibri, Morava e Binçës, Lepenci dhe Plava) do të përballen me mungesën e ujit dhe me stresin ujor”.  Kjo mungesë do të ndikoj direkt në kapacitetet furnizuese të popullsisë me ujë të pijes por edhe ndikim indirekt në zhvillimet ekonomike dhe në çështje të sigurisë politike, ushqimore dhe asaj energjetike në vend. Para tre vjetësh, në Ditën Ndërkombëtare të Ujit kam pasur një shkrim i cili ka trajtuar problemin e resurseve ujore, sidomos të Ujmanit, si çështje të sigurisë kombëtare. Nuk ka pasur ndryshim kursi nga mekanizmat institucionalë. Nuk është siguri kombëtare larja e jashtligjshme rekreative e njerëzve në Liqenin e Ujmanit. Për ata që e kuptojnë sigurinë kombëtare ajo është shumë më e thellë se aq.  

Raport që duhet LEXUAR!

Të dhëna historike për klimën e Kosovës janë të kufizuara në sasi dhe saktësi, pjesërisht edhe për shkak të një ndërprerjeje në matjet hidrometeorologjike të dekadës 1990-2000. Trendët dhe projeksionet e ndryshimeve klimatike merren kryesisht nga ato që institucionet ndërkombëtare publikojnë për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat që i ngre NATO-ja në raport duhet të lexohen e të trajtohen shumë seriozisht nga institucionet tona. Në radhë të parë Ministria  e Mjedisit, Këshilli Kombëtar për Ndryshimet Klimatike e gjithë institucionet vendimmarrëse duhet shumë më seriozisht se deri sot të trajtojnë problemet në rritje lidhur me ndryshimet klimatike. Pse jemi shtet me territor të vogël dhe nuk kemi ndonjë “faj” të madh në ngrohjen globale, nuk kursehemi nga pasojat. Nuk mjaftojnë më lavdërimet se kemi bërë ligje e strategji. Letrat e mira nuk po kryejnë punë, por duhet ndalur urgjentisht degradimi i mëtejmë brutal mjedisor që po i bëjmë vendit.

Nga hapat e parë serioz dhe urgjent dhe të dukshëm është ruajtja e pyjeve nga degradimi i mëtejmë dhe ripërtëritja e tyre ku ato janë shkatërruar. Ekosistemet pyjore me mikroklimën e tyre janë rregullatorë natyror të cilësisë së ajrit, të ciklit të reshjeve dhe të erozionit të tokave por dhe stabilizues të klimës. Dhe çka është më urgjente, duhet rishikuar projeksionet afatgjata të menaxhimit të resurseve ujore në dispozicion, e se si ato të planifikohen për shfrytëzim për nevoja të pijes, ujitjes, dhe ato industriale. Kësaj liste urgjente e prioritare i shtohen edhe shumë veprime të tjera konkrete.

Duke qenë se edhe ndryshimet klimatike po paraqiten si çështje të sigurisë kombëtare, FSK-ja duhet të përgatitet që përveç operimeve ushtarake në kuadër të misionit të vet, të përballet edhe me pasojat e këtyre ndryshimeve në vendin tonë. Fatkeqësitë natyrore në hapësirën tonë po bëhen më të shpeshta dhe gjithnjë e më të fuqishme në efekte dhe do të kërkojnë intervenime emergjente. Përballja e parë me pasojat e tyre pas qytetarëve sigurisht do të jetë nga të gjithë mekanizmat funksionalë të sigurisë.

(Autori është ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës