Brenda një kohe të shkurtër, SHBA-ja ballafaqohet me një sfidë të vështirë në dominimin afatgjatë në shkencë dhe inxhinieri, po ashtu edhe kapacitetin për të prodhuar përbërës të rëndësishëm
Tensionet e larta mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shtuar mundësinë e paraqitjes së një përçarjeje teknologjike të thellë në botë, potencialisht duke i detyruar shtetet e tjera që ta zgjedhin njërën anë. Ka goxha skenarë të zymtë, ku përfshihen ndarjet kundërthënëse mes dy teknologjive kryesore, që prodhojnë një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, që nga aeroplanët dhe automobilat e deri te inxhinieria e vlefshme për robotikë dhe sisteme pagese për tregun në internet. Nëse realizohen këta skenarë, dy ekonomitë më të mëdha në botë do të derdhin sasi të mëdha burimesh në një garë të fortë për ta kontrolluar industrinë.
Edhe SHBA-ja edhe Kina e kuptojnë rolin e rëndësishëm të teknologjisë në funksionimin e ekonomive dhe zhvillimit të tyre global. Ato e dinë gjithashtu se sa më të mirë të jenë në të, po ashtu në ruajtjen e pronës përkatëse intelektuale, aq më shumë mund ta mbështesin sigurinë e tyre kombëtare dhe ndikimin gjeopolitik, me efektet e rëndësishme të feedbackut për rritjen e vazhdueshme dhe rigjallërim.
Brenda një kohe të shkurtër, SHBA-ja ballafaqohet me një sfidë të vështirë në dominimin afatgjatë në shkencë dhe inxhinieri, po ashtu edhe kapacitetin për të prodhuar përbërës të rëndësishëm. Për shembull, megjithëse firmat amerikane projektojnë gjysmëpërçues të nivelit të lartë, prodhimi nga Amerika ka rënë nga 37 për qind në 1990 në vetëm 12 për qind sot.
Ndërkaq, Kina, pa marrë parasysh përparimet, duhet të bëjë shumë punë për të qenë një ndër të parët e teknologjisë në shumë produkte, siç janë çipat e kompjuterëve dhe aeroplanët. Është e vërtetë që vendi ka krijuar një ekosistem të thellë në shumë lloje të prodhimit dhe ka kapacitet të jashtëzakonshëm për të prodhuar shpejt dhe sa duhet. Është gjithashtu afër të qenët në krye të renditjes globale për patentat dhe shpenzimet e kërkimit dhe zhvillimit. Por Kina është e dobët në shumë fusha. Ajo importon gjysmëpërçues me rreth 300 miliardë dollarë vlerë çdo vit, ku përafërsisht gjysma shkon në prodhim eksporti. Për më tepër, shumë shërbime që janë të ndërthurura me mallra kanë nevojë për gjysmëpërçues në mënyrë që të funksionojnë, siç vlen për aplikacionet në telefonat e mençur.
Ekonomitë e tjera të avancuara me kapacitetin për të dizajnuar apo prodhuar përbërës të rëndësishëm në gjysmëpërçues, përshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe Holandën, kanë ngecur në lëmshin e tensioneve SHBA-Kinë. Për këto vende, konsideratat gjeopolitike pashmangshëm do të luajnë rol krahas atyre komerciale, me nevojën për llogaritje të kujdesshme.
Rezultati më i mundshëm për një periudhë të shkurtër është që bifurkacioni i teknologjisë do të ndodhë, përderisa shtetet intensifikojnë përpjekjet e tyre për t’i zvogëluar dobësitë, por që do të mund të përmbahet. Kompanitë amerikane po ndërtojnë disa impiante gjysmëpërçuese të nivelit të lartë, kurse Kina po rekruton talent global dhe po i shton studimet dhe zhvillimet në gjysmëpërçues, si dhe në softuer, makineri dhe pajisje të nevojshme për prodhimin e tyre.
Ndërkohë, vendet e tjera po shfrytëzojnë opsione të ndryshme. Këtu përfshihet falsifikimi i aleancave për të siguruar furnizime të përbërësve të rëndësishëm, zhvillimi i aftësisë për ta arritur ndërveprimin mes standardeve të ndryshme të teknologjisë dhe forcimin e ofertave të produkteve dhe shërbimeve më të sofistikuara në tregjet globale, rrjedhimisht edhe pozicionet e tyre negociuese karshi SHBA-së dhe Kinës.
Por, për një periudhë afatgjate, bota ka nevojë që të jetë më ambicioze dhe të nisë punë multilaterale për t’i dhënë hov bashkëpunimit global teknologjik. Ekonomitë e zhvilluara dhe ato në nisje duhet t’i formësojnë problemet që lidhen me tensionet e teknologjisë në një kontekst më të gjerë.
Ato duhet të fillojnë duke rikujtuar se hapja ekonomike ka ndikuar në shumë në rritje dhe mirëqenie. Në Azi, zhvillimi i shpejtë ekonomik i Kinës kontinentale e dëshmon atë. Koreja e Jugut, Singapori, Tajvani dhe Hong-Kongu, megjithëse kishin pak ose aspak burime natyrore, gjithashtu arritën të industrializohen dhe modernizohen, pjesërisht përmes globalizimit. Dhe një numër në rritje i ekonomive në zhvillim në të gjithë Afrikën, Amerikën Latine dhe Evropë po i shtojnë të ardhurat duke gjetur vend dhe duke marrë pjesë në zinxhirët e vlerës globale.
Për më tepër, asnjë ekonomi – pavarësisht se sa e madhe apo e avancuar është – nuk mund të mos globalizohet dhe të sigurojë se gjithmonë do ta pushtojë pozitën kryesuese në të gjitha produktet e teknologjisë së lartë, por do të kënaqet me sigurimin e përbërësve të rëndësishëm dhe do ta ketë kapacitetin për të operuar një rrjet jashtëzakonisht të madh të proceseve të ndërlikuara të prodhimit. Gjysmëpërçuesit janë përsëri shembulli kryesor: zinxhiri i tyre i prodhimit është jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe varet në qindra inpute që përpunohen dhe prodhohen nga pajisjet inxhinierike të siguruara nga tërë bota. Vetëm të qenët në këtë sektor kërkon hulumtime dhe zhvillime të mëdha dhe periudhë të gjatë zhvillimi.
E vërteta është se një vend mund ta ulë dobësinë ndaj zhvillimeve të jashtme të pafavorshme. Por, kostot mund të jenë të mëdha, veçanërisht nëse qëllimi është të jesh plotësisht i vetëmjaftueshëm dhe me kosto efektive në sa më shumë produkte të teknologjisë.
Duke pasur parasysh këto kufizime, vendet duhet të synojnë globalizimin bazuar në marrëveshje shumëpalëshe. Përparësi duhet të jetë shpërndarja e përparimeve teknologjike më shpejt dhe më gjerësisht, si në ekonomitë e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim e sipër, në mënyrë që të zvogëlohen dobësitë e tyre dhe që më shumë ekonomi të reja të përparojnë, përfshirë përmes transferimit të teknologjisë. Ligjbërësit duhet gjithashtu ta zgjerojnë shtrirjen e marrëveshjeve të tregtisë dhe investimeve për t’i mbrojtur interesat e bizneseve, punëtorëve dhe vendeve, gjersa minimizojnë efektet e jashtme negative të proteksionizmit. Këtu mund të përfshihet zgjerimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë, për të përfshirë kapituj që do t’u dedikohen problemeve dhe anekseve të teknologjisë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të ndjeshëm dhe me të ardhura më të ulëta.
Zhvillimet e tilla nuk do të ndodhin spontanisht. Por sektori i korporatave mund të jetë në gjendje që të ndihmojë për të gjetur një mënyrë konstruktive, pa i dëmtuar interesat e sigurisë së vendeve. Për shembull, në mars, asociacionet e industrisë së gjysmëpërçuesve në Kinë dhe SHBA kanë thënë se do ta krijojnë një grup të përbashkët punues. Përfaqësuesit e 10 kompanive të çipave nga secili vend do të takohen dy herë në vit për të diskutuar për çështjet në lidhje me kufizimet e eksportit, sigurisë së zinxhirit të furnizimit dhe teknologjisë së enkriptimit.
Politikat e adoptuara nga SHBA-ja dhe Kina sigurisht se do të jenë çelës për ta shmangur një përçarje të madhe teknologjike. Por, pjesa tjetër e botës, duke qëndruar mbi mosmarrëveshjen sino-amerikane, mund të ndihmojnë për ta udhëhequr falsifikimin e një konsensusi të ri të bazuar në besim, që mbështetet në vizionin e përbashkët të përparimit të përbashkët teknologjik.
(Hoe Ee Khor është ekonomist në ASEAN+3 Macroeconomic Research Office (AMRO). Suan Yong Foo është ekonomist senior në AMRO. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)