OpEd

Ndërtojeni përsëri shtetin

Kemi nevojë për një udhëzim nga lart-poshtë për të katalizuar inovacionin dhe investimet në ekonomi. Dhe shembujt e udhëheqjes qeveritare të epokës “Apollo”, kontratat e prera të interesit publik dhe dinamizmi i sektorit privat e ofrojnë një shabllon të çmueshëm. Për aq sa nuk e shfrytëzojmë, ndërtimi përsëri për të mirë kurrë nuk do të jetë diçka më shumë sesa vetëm slogan

Zhvillimi i vaksinave kundër COVID-19 brenda më pak se një viti ishte qartazi një e arritur madhore. Por shpërndarja e tyre ka qenë larg prej të përkryerës.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Operation Warp Speed” ka përmbushur caqet e veta të prodhimit, por ka ngecur fillimisht në koordinimin e shpërndarjeve. Plani as nuk i kishte prioritizuar marrësit e vaksinave sipas nevojës, as nuk kishte shkuar mjaftueshëm larg në adresimin e pabarazisë racore në shpërndarje.

S’do mend, krijimi i vaksinave të sigurta dhe efikase, dhe krijimi i programeve të paanshme të vaksinimit janë dy gjëra të ndryshme.

Agjencitë amerikane të inovacionit, veçmas Agjencia e Projekteve të Kërkimit të Avancuar në Mbrojtje (DARPA) dhe Autoriteti i Kërkimeve dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor (BARDA) janë dëshmuar si qenësore në përshpejtimin e zhvillimit të vaksinave me metodën mARN. Por a është misioni teknologjik i “Warp Speed” i ndërlidhur me misionin shëndetësor të jetësimit të një “Vaksine për popullin”?

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, do të duhej që ta kishte parasysh këtë dallim, teksa mundohet që të “ndërtojë përsëri më mirë” dhe të fuqizojë financimin për shkencë dhe teknologji, pas katër vjetëve të mohimit të shkencës dhe përbuzjes së shkencëtarëve nga Donald Trumpi.

Shpërndarja e vaksinave në SHBA – dhe aq më tepër në Evropë – tregon se mbledhja e të dhënave të hollësishme mbi partneritetin publiko-privat është po aq e rëndësishme sa vetë inicimi i një objektivi ambicioz dhe të gjithmbarshëm.

Në librin tim të ri “Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism” kam argumentuar se programi i NASA-s për ta dërguar njeriun në Hënë ende ofron mësime që shërbejnë si katalizator për marrëdhënien publiko-private që garanton rezultate.

Duke u kushtuar taksapaguesve të asaj kohe me një çmim ekuivalent prej 283 miliardë dollarësh të sotëm, programi “Apollo” ka stimuluar inovacionin në shumë sektorë – nisur prej aeronautikës te materialet e ushqimit e deri te elektronika dhe softwaret – nëpërmjet fuqizimit edhe të kapaciteteve të sektorit publik.

NASA u ka paguar me qindra miliona dollarë kompanive si “General Motors”, “Pratt & Whitney” (njohur asokohe si “United Aircraft”) dhe “Honeywell” për të shpikur karburante të reja dhe sisteme të shtytjes e të stabilizimit për raketën e saj legjendare “Saturn V”. Këto teknologji të financuara nga sektori publik mandej kanë krijuar edhe teknologji të tjera pasuese që ne i përdorim sot e kësaj dite, përfshirë qumështin formulë për foshnja (nga ushqimi i tharë i përdorur për astronautët) dhe thithëset me vakum (nga makinat që kanë pastruar sipërfaqen e Hënës).

Qarqet e integruara, të përdorura për navigacion, ishin guri themeltar i informatikës moderne.

Në mënyrë kritike NASA ka siguruar që qeveria të ketë një marrëveshje të mirë, duke u ofruar kompanive kontrata “me çmime fikse” për t’i shtrënguar ato që të operojnë efektshëm, me të gjeneruar gjithashtu shtysa për përmirësime të vazhdueshme cilësie. Dhe dispozitat kontraktuale “të përfitimeve pa tepricë” kanë ndihmuar që të garantohet se gara hapësinore ishte e nxitur nga kureshtja shkencore e jo nga lakmia apo spekulimi.

Po kaq e rëndësishme është se NASA ka shmangur tejvarshmërinë prej sektorit privat. Sikur agjencia ta kishte kontraktuar rolin e saj të qeverisjes, atëherë do të bëhej e cenueshme karshi asaj që shefi i atëhershëm i prokurimit e kishte quajtur “brushurësi”: kur pala e sektorit privat e dikton atë çfarë është “më e mira”. Shkaku që NASA e kishte zhvilluar një ekspertizë të brendshme, ka ditur po aq shumë sa dinin edhe kontraktorët rreth teknologjisë, dhe kësisoj ishte më se e pajisur për t’i negociuar dhe menaxhuar kontratat e saja.

Duke i fuqizuar kapacitetet e sektorit publik dhe duke e mbajtur një qëndrim të qartë për aleancat publiko-private, administrata Biden mund njëkohësisht të gjenerojë rritje dhe të ndihmojë në luftimin e disa prej sfidave më të mëdha të epokës sonë, prej pabarazisë e sistemeve të dobëta shëndetësore e deri te ngrohja globale.

Këto probleme janë shumë më të ndërlikuara dhe shumëdimensionale sesa ishte dërgimi i njeriut në Hënë. Por domosdoshmëria është e njëjtë: qeverisja efikase e strategjike e hapësirës, në të cilën fondet publike ndeshen me industrinë private.

Për shembull, ndërsa “Big Pharma” e portretizon sektorin publik thjesht si një konsumator të barnave, zbulimi i këtyre ilaçeve faktikisht nis me kërkimet e mundësuara nga fondet publike.

Kini parasysh 40 miliardë dollarët që Qeveria amerikane i investon për çdo vit në Institutet Kombëtare për Shëndet. NIH-ja (bashkë me Departamentin amerikan të Çështjeve të Veteranëve) ka mbështetur ilaçin sofosbuvir kundër Hepatitit C me kërkime më se dhjetëvjeçare të financuara nga taksapaguesit. Por kur kompania private bioteknologjike “Gilead Sciences” e siguroi ilaçin, ia caktoi një çmim prej 84.000 dollarësh një pakoje pilulash për përdorim 12-javor. Po kështu, njëra prej kurave të para trajtuese antivirale kundër COVID-19, Remdesiviri, ishte përkrahur me përafërsisht 70.5 milionë dollarë para të fondeve publike midis viteve 2002 dhe 2020. Tani “Gileadi” i ka vënë një çmim prej 3.120 dollarësh për një pako pesëditore përdorimi.

Krejt kjo flet për një partneritet parazitor, e jo aq simbolik. NIH-ja duhet të bëjë më tepër për të siguruar caktim më fer të çmimit dhe për qasje në inovacionet që i financon, e jo të distancohet prej kompetencave të saj, siç kishte bërë më 1995, kur e largoi Klauzolën e Çmimeve të Drejta nga marrëveshjet e saj bashkëpunuese kërkimore dhe zhvilluese. Kushtëzimet duhet të kihen parasysh për inovacionet e agjencive të orientuara kah misioni, si DARPA, BARDA dhe Projektet e porsapropozuara të Kërkimeve të Avancuara Agjenci-Shëndet (ARPA-H), të cilat do të përqendrohen ekskluzivisht në prioritetet shëndetësore.

Në rastin e pandemisë, qeveri të ndryshme kanë derdhur 8.5 miliardë dollarë në zhvillimin e vaksinave, të cilat aktualisht janë duke u prodhuar dhe shitur nga kompanitë amerikane, si “Johnson & Johnson”, “Pfizer”, “Novavax” dhe “Moderna”.

Pyetja që shtrohet tani është nëse njohuritë mbi vaksinat do të ndahen me sa më shumë shtete që është e mundur për ta çuar drejt fundit pandeminë. A do t’i bashkohet NIH-ja “pishinës” vullnetare teknologjike të krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për synimin e saj ekzakt?

Në përgatitje për epokën e paspandemisë, premtimi i Bidenit për “të ndërtuar përsëri më mirë” ngërthen në vete shumë më tepër sesa një kthim në normalitet. Por riformësimi i ekonomisë për të mirë do të kërkojë jo vetëm një ndryshim mendësie, por edhe një kontratë të re shoqërore që e promovon krijimin e vlerës përpara nxjerrjes së përfitimit; që i socializon rreziqet sikurse shpërblimet; dhe investon në të mirat e përbashkëta, e jo vetëm në kompani apo sektorë specifikë.

Derisa Akti Amerikan i Ndihmës, Lehtësimit dhe Sigurisë Ekonomike në kohë koronavirusi (CARES) i vendos disa kushte që bizneset që marrin ndihma qeveritare t’i ruajnë vendet e tyre të punës, Plani i ri Amerikan i Shpëtimit prej plot 1.9 biliardë dollarësh dhe Plani i propozuar Amerikan i Vendeve të Punës prej 2 biliardë dollarësh duhet të shkojnë akoma më tutje. Duhet të garantojnë që investimi publiko-privat të jetë i shoqëruar nga një transformim në marrëdhënien midis shtetit dhe sektorit privat.

Këtu mësimet mund të nxirren prej Evropës. Në Francë presidenti Emmanuel Macron është kujdesur që fondet e rimëkëmbjes për aviokompani dhe prodhuesit e automjeteve të kushtëzohen me përkushtimin e uljes së emetimit të karbonit. Dhe në Austri e Danimarkë, kompanitë që marrin fonde të rimëkëmbjes duhet të zotohen se nuk do t’i përdorin “parajsat tatimore”.

Detyrë për administratën Biden andaj është që të dëshmojë lidership për misionet që do t’i formësojnë dekadat në vijim, duke nisur prej luftës kundër ndryshimeve klimatike. SHBA-ja, ka thënë presidenti John F. Kennedy më 1962, do “të zgjedhë që të shkojë në Hënë këtë dekadë apo të bëjë gjëra të tjera, jo për shkak se ato janë më të lehta, por për shkak se janë më të zorshme”. Sot, i njëjti lloj i udhëheqjes vizionare nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri.

Kemi nevojë për një udhëzim nga lart-poshtë për të katalizuar inovacionin dhe investimet në ekonomi. Dhe shembujt e udhëheqjes qeveritare të epokës “Apollo”, kontratat e prera të interesit publik dhe dinamizmi i sektorit privat e ofrojnë një shabllon të çmueshëm. Për aq sa nuk e shfrytëzojmë, ndërtimi përsëri për të mirë kurrë nuk do të jetë diçka më shumë sesa vetëm slogan.

(Mariana Mazzucato, profesoreshë e Ekonomisë së Inovacionit dhe Vlerës Publike në Kolegjin Universitar të Londrës dhe drejtoreshë themeluese e Institutit për Inovacion dhe Qëllim Publik në UCL, është udhëheqëse e Këshillit për Ekonomi të Shëndetit për të Gjithë pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Është gjithashtu autore e librit “Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).