Nga 2015-a janë ndarë mbi 107 milionë euro në emër të financimit të OJQ-ve. Kjo kategori e shpenzimeve është kategoria me keqpërdorimet më të mëdha, në të cilën bashkëfajtorë janë edhe shumë organizata joqeveritare
Institucionet e Kosovës janë ndër donatorët kryesorë të organizatave joqeveritare. Mesatarisht për çdo vit shpenzohen 18 milionë euro nga buxheti i shtetit për financim të rreth 1.300 organizatave joqeveritare. Nga viti 2015, kur Zyra për Qeverisje të Mirë publikon rregullisht raporte për financimin e OJQ-ve, deri më 2020 janë shpenzuar mbi 107 milionë euro. Secila ministri dhe komunë e disa ndërmarrje publike e agjenci të pavarura ndajnë çdo vit buxhet për financim të OJQ-ve.
Njëkohësisht kjo kategori e shpenzimeve të institucioneve publike është kategoria me keqpërdorimet më të mëdha të parasë publike, ashtu siç tregojnë çdo vit raportet e rregullsisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit. Por në shumë raste as Auditori nuk arrin të evidentojë keqpërdorimet me subvencione. Së fundmi një seri shkrimesh në mediumin KOHA shpalos detaje për keqpërdorimin e parasë publike, në këtë rast nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”. Sipas hulumtimit të gazetarit Besnik Krasniqi, pjesa më e madhe e 815 mijë eurove të ndara për këtë organizatë ishte mbuluar me fatura fiktive për blerjen e shujtave për vullnetarët, koncerte, dorëza e kampanja publike. Pjesë e skemës së përfituesve të subvencioneve ishin edhe organizata të lidhura direkt me zyrtarët qeveritarë të asaj kohe. Përveç organizatës, e cila ka keqpërdorur paratë publike, edhe Zyra e Kryeministrit ka bërë shkelje ligjore në momentin kur pa proces publik konkurrimi ka ndarë afër një milion euro.
Një raport i detajuar i Zyrës Kombëtare të Auditimit, i publikuar në korrik të 2021, gjen mangësi të shumta të financimit të OJQ-ve. Sipas raportit të ZKA-së, mungon transparenca dhe nuk ka thirrje publike për financim të OJQ-ve, por ndarje direkte të fondeve tek organizata të caktuara. Po sipas raportit, ka raste kur përfitues të fondeve për OJQ janë edhe grupime që fare nuk janë të regjistruara ligjërisht si OJQ, apo raste të konfliktit të drejtpërdrejtë të interesit në ndarjen e fondeve. Mungojnë raportet e OJQ-ve nëse financimi është përdorur për qëllimin e caktuar ose jo, institucionet nuk kanë caktuar persona përgjegjës për monitorim të punës së OJQ-ve që financohen.
Këtë e fakton edhe organizata joqeveritare Fondacioni i Kosovës për Shoqëri Civile (KCSF), e cila monitorin shpenzimet e institucioneve sa i përket financimit të OJQ-ve dhe ka kontribuuar në hartimin e rregullores qeveritare për kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve. Sipas KCSF-së, vetëm 38% e shumës së mjeteve që ndahen për OJQ në fakt shkojnë për OJQ-të, kurse më shumë se 60% e këtyre fondeve janë më shumë fonde për blerjen e shërbimeve, financim të federatave sportive, financim të bashkësive fetare e deri tek financim i vetë institucioneve publike, siç janë teatrot.
Në bazë të Rregullores për kriteret e financimit të OJQ-ve, institucionet publike nuk guxojnë të ndajnë më shumë se 500 euro pa proces konkurrues, si dhe brenda vitit forma e tillë e ndarjes së fondeve pa proces konkurrues nuk guxon të tejkalojë 5% të shumës së fondeve të parapara për subvencione. Po sipas Rregullores, financuesi publik duhet të caktojë një zyrtar ose një ekip monitorues për organizatën e cila përfiton fonde dhe është përgjegjësi e zyrtarit ose ekipit monitorues që të mbajnë përgjegjës përfituesit e fondeve publike dhe të raportojnë për rregullsinë e shpenzimit të fondeve.
Të gjitha këto obligime ligjore nuk janë respektuar në rastin e ndarjes së fondeve për organizatën “Ta pastrojmë Kosovën” e për shumicën e financimeve publike, siç e ka dëshmuar raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Për shkak të keqpërdorimeve si këto, organizata kredibile dhe aktive të shoqërisë civile të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, persona me aftësi të kufizuara, strehimin e viktimave të dhunës në familje, mbesin pa mbështetje adekuate, ani pse kryejnë shërbime publike. Kurse organizatat më aktive e kredibile nuk aplikojnë fare për financim publik për shkak të procedurave diskredituese që nuk garantojnë llogaridhënie.
Qeveria aktuale ka vepruar drejt kur pas marrjes së mandatit ka anuluar procedurat e financimit të OJQ-ve në disa dikastere ministrore. Por vetëm kjo nuk mjafton. Për të vënë rregull në këtë proces institucionet duhet të bëjnë një ndarje të qartë se çka konsiderohet financim i OJQ-ve e çka blerje e shërbimeve. Po ashtu federatat sportive duhet të përfshihen si pjesë e linjave të rregullta buxhetore e jo si financim i organizatave joqeveritare. Bashkësitë fetare duhet të kenë status të veçantë të regjistrimit dhe jo të regjistrohen si OJQ dhe për këtë nevojitet aprovimi i Ligjit për liritë fetare. Po ashtu organizimet tradicionale dhe të suksesshme ndërkombëtare, siç është për shembull “DokuFest”, duhen të përfshihen si pjesë e financimit të rregullt vjetor.
Keqpërdorimi i miliona eurove në procesin e financimit të OJQ-ve nuk duhet të mbetet vetëm lajm për konsum publik disaditor, por organizatat që kanë keqpërdorur fondet deri tash duhet të japin përgjegjësi ligjore, të futen në lista të zeza për mosfinancim në të ardhmen, si dhe të obligohen që të kthejnë fondet e keqpërdorura. Njëkohësisht zyrtarët qeveritarë që kanë ndarë fonde duke shkelur Rregulloren e Ministrisë së Financave për kriteret e financimit të OJQ-ve po ashtu duhet të largohen nga pozitat vendimmarrëse dhe të japin përgjegjësi ligjore.