OpEd

Ndarja e barrës së sigurisë kundrejt ndarjes së sigurisë

Thënë shkurt, Evropa do të ketë ndikim në vendimmarrje më të madhe për çështjet evropiane për aq sa ato prekin sigurinë strikte evropiane dhe do të ketë ndikim solid në planin e sigurisë globale për aq sa kontribuon në këtë siguri. Në dy variacionet e angazhimit amerikano-evropian, Kosova përbën një çështje të sigurisë, krahas Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, adresimi i së cilës ka pak gjasa të pësojë transformim konceptual prej asaj që kemi parë deri tani nën administratën Biden

Sqarime konceptuale

Ndarja e barrës së sigurisë dhe ndarja e sigurisë janë koncepte të dallueshme në menaxhimin ndërkombëtar të sigurisë. E para i referohet ndarjes së kostove dhe përgjegjësive financiare brenda aleancave si NATO, ndërsa e dyta lidhet me organizimin strategjik të sigurisë për stabilitetin global. Ky shkrim e trajton këtë çështje brenda kornizës së NATO-s, jo në rivalitetin SHBA-Rusi-Kinë.

Dy fazat e politikës së sigurisë transatlantike

Politika e jashtme amerikane nga Obama e këtej ndahet në dy etapa. Në fazën e parë, SHBA-ja kërkoi ndarjen e drejtë të barrës së sigurisë me Evropën, një kërkesë e bazuar në kontributin e pabarabartë financiar. Në të dytën, ndërkaq, për shkak të refuzimit evropian për të rritur angazhimin e tyre, SHBA-ja kaloi nga kërkesat diplomatike, në presion të hapur, veçanërisht nën administratën Trump, për ndarjen e sigurisë, pra jo vetëm të barrës së sigurisë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, ndarja e sigurisë ishte vetëm formale, pasi SHBA-ja mbante barrën kryesore. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Evropa nisi të sfidonte “hegjemoninë amerikane” dhe të reduktonte shpenzimet e saj në mbrojtje, duke e parë sigurinë si çështje të brendshme (terrorizmi, krimi i organizuar, sundimi i ligjit). Në kontrast, SHBA-ja e ka parë sigurinë në dimension global, një qasje që lidhet me traditën e fuqive perandorake që mbikëqyrin stabilitetin botëror. Sot, dilema kryesore mbetet: deri kur SHBA-ja do të mbajë peshën e sigurisë globale? Përgjigjja varet nga lufta në Ukrainë dhe raporti SHBA-Kinë. Sido që të jetë, evropianët përfundimisht e kanë kuptuar se nuk po paguajnë për të mirëmbajtur hegjemoninë amerikane, por për sigurinë e tyre. Evropa asnjëherë nuk është keqkuptuar, siç e përshkruajnë William Wallace dhe Jan Zielonka në shkrimin “Misunderstanding Europe”, botuar në “Foreign Affairs” (1998), kur ata thonë se nuk kanë paguar sa duhet për NATO, kur amerikanët kanë kërkuar një gjë të tillë.

Kujdesi për sigurinë globale

Me rritjen e ndikimit të Kinës, burimet amerikane të sigurisë u bënë të pamjaftueshme. Kjo u pa qartë me tërheqjen e Obamës nga Siria, kur SHBA-ja hoqi dorë nga ndërhyrja ushtarake dhe ftoi Rusinë të luante një rol në krizë. Gjatë Pax Americana, Rusia pritej të mbështeste arkitekturën e sigurisë globale të udhëhequr nga SHBA-ja. Por pas 11 shtatorit, Amerika u përqendrua në rrëzimin e talebanëve dhe ndërtimin e një shteti perëndimor në Afganistan – një mision i parealizueshëm. Në vend që të menaxhonte sigurinë e fortë, SHBA-ja u përfshi në ndërtimin e shoqërive sipas vlerave të saj, ndërsa Rusia dhe Kina avancuan teknologjikisht me modele politike autoritare. Kjo konfirmon një realitet historik: rivaliteti midis fuqive të mëdha përcakton rendin global.

Evropa si "Free Rider"

Evropa e ka marrë për të mirëqenë angazhimin amerikan në sigurinë globale, duke përfituar nga ky rol pa shpenzuar burime ekonomike dhe ushtarake. Presidenti Trump e quajti këtë sjellje “sucker” ose “parazit”, ndërsa në doktrinën e marrëdhënieve ndërkombëtare njihet si “free riding”, që do të thotë përfitim në kurriz të të tjerëve.

Kur politika e presidentit Obama nisi të jepte rezultatet e para, në vitin 2014, me pushtimin e Krimesë nga Rusia, reagimi perëndimor ishte i vakët. Evropianët ende besonin se SHBA-ja do të ndërhynte për të ndaluar ekspansionin rus dhe nuk e panë Krimenë si fillimin e një strategjie më të gjerë ruse.

Ajo që shpesh nuk kuptohet, as sot, është se politika e jashtme ruse udhëhiqet nga frika për sigurinë kombëtare, e formësuar nga vizioni i Putinit. Edhe pse justifikohet me traditën imperialiste të Rusisë cariste, në thelb, ajo buron nga frika e Putinit ndaj valës demokratike në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji, duke i parë këto vende si instrumente të Perëndimit kundër Rusisë.

Kjo qasje e ka afruar Putinin me Kinën, deri në një varësi të rrezikshme, veçanërisht pas agresionit të hapur kundër Ukrainës në vitin 2022 dhe pushtimit të territoreve në juglindje të saj. Vetëm ky invadim i fundit i shtyu Evropën dhe SHBA-në të vendosin sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe të paralajmërojnë Kinën për pasojat e mundshme nëse mbështet pushtimin rus.

Kthimi papritur në politikën amerikane

Ndërkohë që Rusia po vazhdonte përpjekjet e saj ushtarake kundër Ukrainës, administrata e presidentit Biden, në mënyrë të rezervuar, ofroi mbështetje ushtarake dhe çdo ndihmë tjetër për Evropën dhe Ukrainën. Marrë parasysh ndjeshmërinë e perëndimorëve për shpenzimin e taksave për angazhime ushtarake – kufizimet e para të pushtetit të mbretërve në Perëndim kanë nisur përmes kufizimit të taksave për angazhime ushtarake, që kanë bërë parlamentet – çështja e shpenzimeve dhe angazhimit ushtarak amerikan është bërë një pikë e rëndësishme në zgjedhjet e fundit amerikane, por edhe në zgjedhjet e zhvilluara në vendet evropiane gjatë tre vjetëve të fundit. Presidenti Trump nuk fshehu pakënaqësinë e votuesve amerikanë për luftën në Ukrainë, që në sytë e tyre po financohej nga amerikanët. Në fakt, ai e shfrytëzoi këtë luftë për të fituar vota në një mënyrë që nuk ishte parë më parë, as gjatë Luftës së Ftohtë. Epitomi i këtij kapitalizimi ishte shprehja e tij se do ta ndalte luftën në Ukrainë brenda ditës. Kjo, në dukje, ishte një premtim i pamundur dhe nuk kërkonte shumë filozofi për t’u demantuar.

Ajo që nuk kuptohej – së paku jo nga “Projekt 2025” i “Heritage Foundation” – ishte qasja që presidenti i ri do të kishte ndaj sigurisë globale. Pritjet ishin se ai do të insistonte në ndarjen e barrës së sigurisë mes evropianëve dhe amerikanëve, siç kishte shkruar presidenti Obama dhe ai vetë me ngulm në mandatin e tij të parë.

Megjithatë, kjo nuk doli të ishte e vërtetë: Trump e bëri të qartë rolin e tij neutral në luftën e Ukrainës, duke nisur presionin mbi Ukrainën dhe Evropën: ndaj të parës, duke kërkuar koncesione ekonomike si një formë pengu për shpenzimet amerikane që ishin bërë në të kaluarën për përpjekjet e luftës në këtë vend, dhe ndaj të dytës, duke theksuar se vetëm ajo duhej të kujdesej për sigurinë e saj. Pra, më nuk flitet për ndarjen e barrës së sigurisë nën ombrellën e SHBA-së dhe NATO-s, por për ndarjen e sigurisë. Kjo qasje e presidentit Trump është rezultat i një politike të gjatë evropiane që ka parë sigurinë ndërkombëtare amerikane si të ndarë nga siguria evropiane. Jo rrallë kemi dëgjuar evropianët të thonë: “Çfarë na duhen Afganistani, Lindja e Mesme, Tajvani!”. Të paktën, fuqitë evropiane kanë mbështetur përpjekjet ushtarake amerikane në pjesë të ndryshme të kontinentit evropiano-aziatik. Këto përpjekje kanë ruajtur stabilitetin global dhe zhvillimin ekonomik botëror. Ato kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit global dhe krijimin e mirëqenies për Evropën dhe periferinë e saj. Pa këto përpjekje amerikane, bota do të ishte ndryshe; shumë më shpejt boshti kinez i aleatëve do të kishte arritur të dëmtonte rendin botëror të bazuar në rregullat që amerikanët krijuan në vitin 1945.

Presidenti Trump nuk ka ndjeshmëri për këtë rend. Kjo duket të jetë e njëjtë me qasjen kineze dhe ruse, por në fakt nuk është ashtu. Thelbi i politikës së jashtme të Trump është frenimi i Kinës dhe balancimi i Rusisë dhe raporteve të saj me evropianët. Për të arritur këtë, nuk mjafton ndarja e barrës së sigurisë, sepse një gjë e tillë do ta prishte rolin neutral të SHBA-së dhe do ta bënte palë në konfliktin e Evropës me Rusinë, i cili manifestohet në luftën heroike të Ukrainës. Për këtë, kërkohet ndarja e sigurisë, që nënkupton se efektivisht Perëndimi ka dy sfera sigurie: një evropiane dhe një tjetër globale. Efektivisht, ky ka qenë orientimi evropian pas mbarimit të Luftës së Ftohtë: gjithmonë ka pasur një dallim ndërmjet dy anëve të Atlantikut sa i përket çështjes së sigurisë dhe, mbi këtë bazë, edhe pagesat për NATO kanë qenë më të vogla. Kjo nënkupton, në fjalë të tjera, se evropianët nuk duhet të paguajnë më shumë për sigurinë sesa ajo që ka të bëjë me sigurinë e Evropës.

Frenimi i Kinës

Kjo periudhë ka mbaruar! Është e qartë se Evropa e ka kuptuar seriozisht peshën e barrës së sigurisë dhe po merr përsipër ndarjen e përgjegjësisë për sigurinë sipas udhëzimeve të presidentit Trump, për t’i hapur dyer SHBA-së që të riorientohet më shpejt në frenimin e Kinës. Sa do të arrihet kjo, mbetet për t’u parë. Nëse Trump dhe ekipi i tij besojnë vërtet se Rusia dhe Putin po veprojnë në mënyrë të pavarur, dhe jo si vasalë të Kinës, atëherë situata për Perëndimin është e vështirë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Perëndimi mbetet në mbrojtje dhe veprimet që po ndërmerren në të dy anët e Atlantikut janë veprime nga pozita të dobëta. Nëse, nga ana tjetër, presidenti Trump i sheh këto veprime për ndarjen e sigurisë si një "strategji", pra si një plan për të mashtruar kundërshtarin ose për të arritur një qëllim – frenimin e Kinës, atëherë kjo është një qasje që duhet mbështetur pa rezerva. Nga mbledhja e copëzave të veprimeve të presidentit Trump, duket se kjo e dyta është e vërteta: manovrimi për të fituar hapësirë dhe kohë për arritjen e qëllimit parësor – frenimin e Kinës. Kjo për faktin se Trump po insiston në praninë e thellë amerikane në Ukrainë – është e njohur se amerikanët kanë përvojë në mbrojtjen me forcë të investimeve të tyre kudo në botë – duke fuqizuar evropianët për t’u kujdesur për sigurinë e tyre në këtë pjesë të botës. Nëse dështon kjo qasje amerikane, atëherë duhet pritur ngritjen e pozitës së hegjemonisë globale të Kinës dhe rishqyrtimin e përgjithshëm ndërkombëtar. Marrë parasysh resurset amerikane dhe evropiane, ekonomike dhe ushtarake, ka pak gjasa që kjo të ndodhë. Vetëm në rast të një ringritjeje të Kinës, mund të pritet edhe ringritja e Rusisë deri në atë shkallë sa të diktojë politikat evropiane dhe, si pasojë, edhe ato amerikane.

Ballkani dhe Kosova, si periferi e sigurisë globale

Për të ruajtur parametrat globalë të sigurisë, është e pritshme që SHBA-ja të ruajë pozitat e sigurisë në Ballkan, si periferi e Evropës dhe më afër zonës aziatike nga vjen jostabiliteti. Kjo nënkupton që edhe bazat ushtarake amerikane në disa pjesë të Evropës kanë humbur kuptimin e tyre fillestar, tani që vetë evropianët kujdesen për sigurinë e tyre, duke i riorientuar ato forca në zona me më shumë jostabilitet permanent. Evropa mjafton për të balancuar Rusinë, e cila qartazi shihet se ka telashe me projektimin serioz të forcës ushtarake, shkaku i ngecjes në modernizimin e ushtrisë së saj, për aq sa ajo nuk mbështetet hapur ushtarakisht nga Kina. Për këtë kohë, ka pak mundësi që kjo të ndodhë, për faktin e thjeshtë të aftësisë së padiskutueshme amerikane për frenimin e synimeve kineze ekspansioniste. Vetë fakti që Kina nuk ka arritur të ushtrojë ndikim në Detin e Kinës Jugore dhe në Tajvan tregon qartë për dobësinë kineze për bullizim efektiv ndaj aleatëve amerikanë në Azinë Juglindore, dhe se lufta në Ukrainë mbetet një luftë që vetëm Rusia duhet ta mbajë në kurrizin e saj, me Kinën si aleat iluzor, të paktën për momentin. Kina mbetet padron, por për interesat e saj, jo të Rusisë: përfituesi më i madh në resurse dhe ekonomi nga lufta në Ukrainë, pa asnjë dyshim, mbetet Kina.

Për t’u kthyer te çështja e sigurisë, nëse Evropa do të përkujdeset në të ardhmen për sigurinë e saj, kjo nënkupton që, si prodhues i sigurisë globale në terma të saj autonomë, ajo do të ketë gjithashtu më shumë ndikim në vendimmarrje, jo vetëm për çështjet që lidhen me territorin e saj, por edhe për çështjet që prekin sigurinë transatlantike, për të cilat gjithmonë ka pasur kujdes në bashkëpunim me SHBA-në. Thënë shkurt, Evropa do të ketë ndikim në vendimmarrje më të madhe për çështjet evropiane, për aq sa ato prekin sigurinë strikte evropiane dhe do të ketë ndikim solid në planin e sigurisë globale, për aq sa kontribuon në këtë siguri. Në dy variacionet e angazhimit  amerikano-evropian, Kosova përbën një çështje të sigurisë, krahas Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, adresimi i së cilës ka pak gjasa të pësojë transformim konceptual prej asaj që kemi parë deri tani nën administratën Biden.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)