OpEd

NATO nuk duhet ta përjashtojë ndërhyrjen në Ukrainë

Komunikimi i NATO-s rreth luftës në Ukrainë ka qenë shumë i dëmshëm. Është folur më shumë se çfarë nuk do të bëjë NATO sesa çfarë do të bëjë. Është thënë se “nuk do të hyjë në konflikt në territorin e Ukrainës”, “nuk do të shpallë hapësirën e ndalimfluturimit” e “nuk do të dërgojë avionë në Ukrainë”. Kjo ka bërë që Moska të besojë se NATO ia ka frikën dhe i ka duart e lira të vazhdojë me sulmet barbare ndaj Ukrainës. Por tash NATO nuk flet se çfarë do të bëjë nëse Rusia i përdor armët biologjike. Sepse në këtë rast NATO, apo më mirë të thuhet disa shtete të forta anëtare, do të mund të ndërhynin

Ndoshta do të duket ironike, por NATO nuk i ka ndihmuar aspak Ukrainës. Ky konstatim del nëse analizojmë se çfarë ndihmash i ka dërguar NATO-ja këtij shteti, që është nën sulmet barbare të Rusisë. Nëse me kontribut të NATO-s nënkuptojmë vetëm atë që ka bërë Aleanca në mënyrë kolektive, pra së bashku të gjitha 30 shtete anëtare, del se nuk ka bërë asgjë. Pra, nëse një shtet është kundër ndonjë veprimi, atëherë fakt është se NATO-ja nuk e ka bërë atë veprim.

Prandaj, duke e luajtur lojën e fjalëve, për të siguruar se nuk i ka shkelur detyrat formale, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjithmonë thotë se “aleatët në NATO e kanë armatosur dhe po e armatosin Ukrainën për të ushtruar të drejtën e saj për vetëmbrojtje”.

Pra, nuk është e vërtetë se NATO ka dërguar armë. E vërtetë është se SHBA-ja, Britania e Madhe, Holanda, Kroacia, Spanja, Belgjika e besa pak edhe Gjermania, kanë dërguar armë për Ukrainën. Sepse së paku një shtet ka thënë publikisht se nuk do të dërgojë armë e as që do të lejojë që përmes territorit të saj të dërgohen armë në Ukrainë. E ka bërë këtë Hungaria, vend që në një shkrim në “The Guardian” disa autorë me renome e kanë quajtur “kalë troje” të Putinit, siç e kanë quajtur edhe Serbinë e Aleksandar Vuçiqit. Kur Polonia ka propozuar që ushtrisë ukrainase t’ia jep disa avionë luftarakë “Mig”, e ka kërkuar që këtë ta bëjë përmes NATO-s, në Aleancë nuk ka pasur pajtim për një gjë të tillë. Sepse NATO si NATO nuk dëshiron të përfshihet në konflikt.

Nuk është e saktë as kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, thotë se “NATO i ka vendosur Rusisë sanksione të ashpra”. Sepse ka shtete të NATO-s që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Moskës. Turqia, si një prej vendeve më të rëndësishme të NATO-s, nuk i ka mbështetur sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë. Për më tepër, krahas Serbisë, në fillim të sanksioneve kanë përfituar duke e rritur numrin e fluturimeve nga këto shtete drejt Rusisë dhe duke i mirëpritur oligarkët rusë në vendin e tyre. Pra, nëse Turqia është kundër sanksioneve, atëherë nuk mund të thuhet se NATO ka mbështetur sanksionet. Nëse Hungaria është kundër dërgimit të armëve në Ukrainë, nuk mund të thuhet se NATO dërgon armë në Ukrainë. Ndoshta do të mund të thuhet se “NATO nuk i ka penguar vendet e saj anëtare që Ukrainës t’i dërgojnë armë që të vetëmbrohen”.

Se çfarë do të thotë veprimi politik i një organizate ku vendoset me unanimitet e ka mësuar qëmoti edhe Kosova, që në vitin 1998 kur është folur për herë të parë për mundësinë e ndërhyrjes së NATO-s. Nuk ka pasur konsensus. Prandaj ka kaluar shumë kohë derisa ai nuk është ndërtuar, pas refuzimit të Marrëveshjes së Rambouilletit dhe vazhdimit të krimeve të forcave serbe në Kosovë. E kur ka nisur lufta, NATO nuk ka dashur as të ndihmojë e madje as të ketë kontakte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në pyetjen se “A ka NATO kontakte me UÇK-në”, e cila ishte e vetmja forcë në tokë që luftonte kundër Milosheviqit, Jamie Shea përgjigjej se “NATO nuk ka, por aleatët kanë”. Disa shtete pohonin se “nuk duan të jenë forcë ajrore e UÇK-së”, të tjerat se “nuk e dimë se kush janë ata” e as lidershipet (duhet thënë shumës, sepse Kosova kishte disa lidershipe që kundërshtonin njëri-tjetrin në atë kohë, ani pse sot krijohet përshtypja sikur kanë qenë shumë të bashkuar) nuk kërkonin të njëjtat gjëra nga NATO-ja. Por shtetet anëtare, në mënyrë individuale, kontaktonin me UÇK-në. Edhe komandanti i NATO-s për Evropën, Wesley Clark, i cili ka pasur kontakte me liderin e atëhershëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, ndonëse jo të ditur për publikun në atë kohë, ka mundur të thotë se e ka bërë këtë në cilësinë e komandantit të forcave amerikane në Evropë. Sepse komandanti suprem i NATO-s për Evropë (SACUER) zakonisht është amerikan dhe ka rolin e dyfishtë, edhe si komandant i forcave amerikane në Evropë. Prandaj ai mund të veprojë edhe jashtë strukturave të NATO-s nëse do si ushtarak amerikan.

Nuk ka dyshim se NATO-ja është unike në dënimin e agresionit rus, në mbështetje të së drejtës së Ukrainës për t’u mbrojtur, por nuk mund të thuhet se si aleancë ka vendosmëri për t’u përballur me Rusinë për ta shpëtuar Ukrainën. Ajo për çfarë NATO është gati, dhe pa dyshim, është përballja direkte dhe e menjëhershme nëse Rusia merr guximin të sulmojë ndonjë shtet anëtar të NATO-s. Prandaj është pak e besueshme se Rusia mund ta bëjë një gjë të tillë. Sepse, siç po dëshmon edhe agresioni në Ukrainë, Rusia është e rrezikshme, por jo e fortë. Ajo është fuqi bërthamore, por nuk është superfuqi. E dobësia e Rusisë e cila është shfaqur në këtë një muaj invazioni në Ukrainë, e bën atë edhe më të rrezikshme dhe sjelljen e saj në Ukrainë edhe më barbare. Duke e ditur këtë, NATO-ja nuk është dashur të thoshte qëmoti se nuk do të ndërhyjë për t’i ndihmuar Ukrainës. Sepse nuk do të ishte kjo ndërhyrje në Rusi, por në një shtet tjetër që e ka sulmuar Rusia. Pra, nuk është dashur t’i lejohej Rusisë që të konsiderojë sikur ajo e gëzon të drejtën mbi Ukrainën dhe kushdo që hyn në Ukrainë i ka shpallur luftë Rusisë.

Komunikimi i NATO-s rreth luftës në Ukrainë ka qenë shumë i dëmshëm. Është folur më shumë se çfarë nuk do të bëjë NATO-ja sesa çfarë do të bëjë. Është thënë se “nuk do të hyjë në konflikt në territorin e Ukrainës”, “nuk do të shpallë hapësirën e ndalimfluturimit”, “nuk do të dërgojë avionë në Ukrainë”. Kjo ka bërë që Moska të besojë se NATO-ja ia ka frikën dhe i ka duart e lira të vazhdojë me sulmet barbare ndaj Ukrainës. Por tash NATO-ja nuk flet se çfarë do të bëjë nëse Rusia i përdor armët biologjike. Sepse në këtë rast NATO, apo më mirë të thuhet disa shtete të forta anëtare, do të mund të ndërhynin. Së paku duhet të dërgojë njësi speciale për t’iu ndihmuar njerëzve të helmuar. E NATO dhe shtetet anëtare të saj kanë sistemin për ndërhyrje në rast të sulmeve kimike, biologjike apo bërthamore. E ato tashmë janë aktivizuar dhe janë në gjendje gatishmërie. Formalisht ato janë aktivizuar për veprime brenda shteteve të NATO-s. Por në rast se Rusia sulmon me armë biologjike ndonjë qytet të Ukrainës, NATO nuk do të ketë rrugëdalje tjetër pos të ndërhyjë. Frika është gjë racionale. Do të ishte çmenduri që dikush të mos ketë frikë nga Rusia, e cila ka armë bërthamore dhe arsenal të tmerrshëm. Por ukrainasit nuk e kanë luksin të kenë frikë. Sepse ata janë të detyruar të luftojnë për mbijetesën e tyre. E NATO, e cila vështirë se do të ndërhyjë në territorin e Ukrainës, nuk duhet më ta përjashtojë një gjë të tillë si mundësi.