OpEd

NATO-ja evropiane apo një ushtri e BE-së pa NATO-n

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhënë asnjë sinjal se mund të largohen nga NATO-ja apo të heqin dorë nga përkushtimi ndaj kësaj aleance, sjellja e administratës së re e ka lëkundur aq shumë besimin saqë nuk mund të përjashtohet as shuarja e NATO-s. Kjo aleancë është para së gjithash politike dhe fuqia e saj ushtarake nuk do të ketë shumë kuptim nëse vendi kryesor anëtar forcon raportet me Rusinë dhe i përkeqëson ato me aleatët. Prandaj sot po flitet për një “NATO evropiane” apo për forcimin e BE-së në aspektin ushtarak që të marrë përsipër mbrojtjen e përbashkët që sot e ka NATO-ja.

Askush më nuk mund të pretendojë se e di sesi do të veprojë administrata amerikane në momentin e caktuar për ndonjë çështje të caktuar. Ajo që po ndodh, qëkur Donald Trumpi u kthye në Shtëpinë e Bardhë, e tejkalon edhe imagjinatën e teorive konspirative. Nganjëherë duket sikur një fiksion filmik. Por ja se doli të jetë e vërtetë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të votojnë në OKB krah Rusisë, Bjellorusisë, Koresë së Veriut dhe Venezuelës, kundër aleatëve perëndimorë, si: BE-ja, Britania e Madhe, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut. SHBA-ja jo vetëm se do të ndalë ndihmën për Ukrainën, por edhe do ta qortojë atë shtet pse po mbrohet, ndërkohë që asnjë fjalë të vetme të keqe për Rusinë, sikur të jetë aleati i saj i ri.

Po ashtu SHBA-ja është bërë sot shumë e pëlqyer në Evropë nga ata që deri vonë ishin jashtëzakonisht antiamerikanët më të mëdhenj. Më së shumti simpati për veprimet e tashme të SHBA-së në Evropë kanë forcat politike proruse, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta ekstreme.

Në këto rrethana BE-ja dhe Evropa më e gjerë e ka kuptuar se nuk mund të llogarisin në pakufi në mbrojtjen nga SHBA-ja. Fundi i fundit, edhe amerikanët vetë kanë thënë se qëndrimi i tyre në Evropë dhe gatishmëria për t’i mbrojtur aleatët nuk është e pafund.

Evropa tash është ngritur në këmbë dhe po koordinohet për të rritur investimet në mbrojtje në mënyrë që siguria e saj të mos varet më nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse zyrtarisht thonë se “akoma besojnë se SHBA-ja është aleate”, në fakt shumë udhëheqës evropianë nuk mendojnë se SHBA-ja është një aleat i besueshëm.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhënë asnjë sinjal se mund të largohen nga NATO-ja apo të heqin dorë nga përkushtimi ndaj kësaj aleance, sjellja e administratës së re e ka lëkundur aq shumë besimin saqë nuk mund të përjashtohet as shuarja e NATO-s. Kjo aleancë është para se gjithash politike dhe fuqia e saj ushtarake nuk do të ketë shumë kuptim nëse vendi kryesor anëtar forcon raportet me Rusinë dhe i përkeqëson ato me aleatët. Prandaj sot po flitet për një “NATO evropiane” apo për forcimin e BE-së në aspektin ushtarak që të marrë përsipër mbrojtjen e përbashkët që sot e ka NATO-ja.

Edhe nëse NATO-ja do t’i mbijetojë këto turbulenca, edhe nëse vendet evropiane të NATO-s do të rrisin dukshëm investimet në mbrojtje, siç ka kërkuare gjithmonë Amerika, edhe nëse NATO-ja bëhet edhe më e fortë ushtarakisht, ajo e humb kuptimin nëse vendi i saj kryesor anëtar nuk i ndan më vlerat e përbashkëta. Dhe, për më tepër, rreshtohet me kundërshtarët e Perëndimit.

Evropianët gjithnjë e më shumë po druajnë se sjellja e tillë e administratës amerikane nuk është e rastësishme dhe e momentit, por shënon një kthesë reale të politikës amerikane dhe është dëshmi se edhe brenda saj SHBA-ja po ndryshon. Prandaj evropianët, nëse duan t’i ruajnë vlerat e tyre, lirinë dhe demokracinë, duhet të forcohen që ta bëjnë vetë këtë e jo të varen nga disponimi i ndonjë presidenti amerikan apo edhe nga vullneti i popullit amerikan.    

Në samitin e fundit të BE-së ndodhën disa gjëra historike. BE-ja u zotua të mobilizojë rreth 800 miliardë euro për investime në mbrojtje. Për herë të parë u miratuan vendime pa lejuar që një shtet anëtar, në këtë rast Hungaria, t’i bllokojë ato me veto. Ato vendime ndryshuan formën por mbeten vendime politike për të ndihmuar Ukrainën. Për herë të parë nuk flitet më për bashkëpunimin e BE-së me NATO-n, por përdoret formulimi „bashkëpunimi me ato vende të NATO-s që mendojnë si ne”. Ky është një ndryshim i madh, sepse deri më tash BE-ja gjithmonë e ka pranuar primatin e NATO-s si shtyllë kryesore të sigurisë euroatlantike. Këtë nuk mund ta bëjë më dhe pakkush ka menduar se arsyeja për të mosbesuar më aq shumë në NATO të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato që krijuan NATO-n, forcuan atë dhe përmes sajë garantuan sigurinë e Evropës perëndimore për 75 vjet.

Nuk është e pamundur që BE-ja të forcohet ushtarakisht për të qenë në gjendje të mbrohet edhe vetë nga kërcënimet, siç është ai nga Rusia. BE-ja është një superfuqi ekonomike. Ekonomia e saj është dhjetë herë më e fuqishme sesa e Rusisë. Nëse BE-së i bashkohen në kornizën e mbrojtjes edhe Britania e Madhe, Norvegjia, ndërsa interes ka shfaqur edhe Turqia, atëherë edhe ushtarakisht është më e fuqishme se Rusia, edhe nëse nuk do të llogariste më në SHBA-në.

Por, për t’u forcuar ushtarakisht dhe për të qenë më efikas në çështjet e sigurisë, BE-ja duhet të jetë më e bashkuar. Uniteti i saj do të jetë sfida kryesore në të ardhmen, sepse deri tash Rusia ka pasur sukses në eksploatimin e ndasive në BE, siç po i përdor sot si kalë troje Hungarinë e në disa raste edhe Sllovakinë. Për të përçarë BE-në tash mund të ketë përpjekje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës  nëse administrata e këtij vendi do të vazhdojë të ketë një qasje çfarë ka sot. Kanë kaluar më shumë se 40 ditë dhe akoma nuk ka pasur asnjë takim zyrtar të nivelit të lartë nga SHBA-ja me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Administrata e re ka dëshmuar qartë se dëshiron të punojë në mënyrë bilaterale me vendet anëtare e jo me BE-në.

Aq kanë ndryshuar gjërat saqë edhe admirali amerikan James Stavridis, ish-komandant suprem i forcave të NATO-s në Evropë, ka shkruar se “ndoshta po i shohim ditët e fundit të NATO-s”. Edhe tre muaj në Hagë do të zhvillohet samiti i NATO-s dhe deri atëherë gjërat mund të ndryshojnë e tensionet në raportet euroatlantike të qetësohen. Por, Evropa e ka kuptuar se asnjë varësi nuk është e mirë, qoftë edhe varësia nga ata që deri vonë është besuar se janë aleatë të pakontestueshëm.