OpEd

Narrativi i ri i Washingtonit për ekonominë globale

Veprimet flasin më zëshëm sesa fjalët dhe do t’i zbardhin përgjigjet për këto pyetje. Por vlerësimet e Yellenit dhe Sullivanit ofrojnë një lloj sigurie për ata që besojnë se SHBA-ja mund t’i adresojë shqetësimet e saj legjitime të sigurisë kombëtare pa e minuar ekonominë globale

Dy agjenda konkurruese po rivalizojnë aktualisht për formësimin e politikave të brendshme dhe atyre të jashtme ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njëra është e orientuar kah brendia, duke u përqendruar në krijimin e një ekonomie gjithëpërfshirëse, elastike, prosperuese dhe të qëndrueshme amerikane. Tjetra përqendrohet në gjeopolitika dhe në ruajtjen e supremacisë amerikane kundruall Kinës. E ardhmja e ekonomisë botërore varet nga rezultati i këtij konflikti dhe nëse këto prioritete kundërshtuese mund të bashkëjetojnë.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e përfaqëson një shkëputje radikale prej administratave të mëhershme demokratike, duke i ndjekur politikat ambicioze industriale për të ngjallur prodhimin e brendshëm dhe për ta lehtësuar tranzicionin e gjelbër. E ka adoptuar njashtu një qëndrim më të sertë karshi Kinës sesa çdo administratë tjetër më përpara, përfshirë edhe atë të ish-presidentit Donald Trump që e trajtonte regjimin kinez si kundërshtar dhe kishte vendosur edhe kontrolle për eksportimin dhe investimin e pajisjeve kritike teknologjike.

Megjithëkëtë, administrata Biden deri para pak kohësh nuk e ka artikuluar një vizion koherent që i ngërthen këta elementë të ndryshëm dhe që i siguron vendet e tjera, përfshirë Kinën, se strategjia e saj ekonomike nuk është e përqendruar kah konfrontimi, unilateralizmi dhe proteksionizmi. Por vlerësimet e kohëmëparshme të sekretares amerikane të Thesarit, Janet Yellen dhe të këshilltarit të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, sugjerojnë se administrata tani po ndërmerr hapa për ta adresuar këtë çështje, duke e sinjalizuar potencialisht shfaqjen e një Konsensusi të ri të Washingtonit.

Qasja e administratës karshi ekonomisë botërore e reflekton një ndryshim më të gjerë intelektual. Politikëbërësit e lartë amerikanë tani besojnë se modeli i pas 90-tave për globalizimin, i cili i prioritizonte tregtinë dhe tregjet e lira karshi sigurisë kombëtare, ndryshimeve klimatike dhe sigurisë ekonomike të shtresës së mesme, ka minuar themelet socioekonomike të demokracive të shëndosha.

Në vlerësimin e tij, Sullivani i shpalosi pesë shtyllat e agjendës së administratës për ekonominë ndërkombëtare, të cilat i quajti “politikë e jashtme për shtresën e mesme”. Shtylla e parë është “strategjia moderne amerikane industriale” që synon të katalizojë investim privat në sektorët e konsideruar si kritikë për prosperitetin dhe sigurinë amerikane. E dyta përfshinë bashkëpunimin me demokraci dhe vende të tjera të zhvilluara me qëllim të garantimit që aleatët amerikanë të adoptojnë politika të ngjashme për përmirësimin “e kapaciteteve, qëndrueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes”.

Së treti, SHBA-ja do të shkëputet nga ujditë tradicionale tregtare që përqendrohen te qasja në treg dhe do të përqafojë “partneritetet e reja ndërkombëtare ekonomike” që i adresojnë sfidat globale, si ndryshimet klimatike, siguria digjitale, krijimi i vendeve të punës dhe konkurrenca tatimore e korporatave. Dhe SHBA-ja do të synojë që të gjenerojë me bilionë dollarë nga investimet në ekonomitë në lulëzim dhe të ofrojë ndihmë për vendet që ballafaqohen me shqetësime borxhi.

Përderisa akëcila prej këtyre fushave ngërthen sfida unike, ka të tilla që janë veçanërisht të diskutueshme ngase vendet e tjera i shohin disa prej politikave, si atë të administratës që e përmban kërkesën “Blejë amerikane”, si tejet proteksioniste. Por shtylla e pestë e Sullivanit, e cila përqendrohet në “mbrojtjen e teknologjive tona fundamentale”, mund ta ketë ndikimin më të madh në të ardhmen e ekonomisë globale.

Kontrollet gjithëpërfshirëse të administratës së Bidenit mbi eksportin, të cilat janë të dizajnuara për ta parandaluar Kinën që t’u qaset gjysmëpërçuesve të avancuar, janë manifestimi më i qartë i kësaj shtylle. Dhe administrata raportohet se planifikon kufizime shtesë për investimet amerikane në kompanitë kineze të teknologjisë, veçanërisht në sektorët e rëndësisë strategjike, siç janë mikroçipët.

Zyrtarët kinezë, përfshirë presidentin Xi Jinping, kanë akuzuar SHBA-në për vendosjen e një “bllokade teknologjike” ndaj vendit. Kolumnisti i Financial Timesit, Edward Luce, pajtohet: me anë të izolimit të sektorit teknologjik të Kinës, SHBA-ja po angazhohet në një “luftë ekonomike të përmasave të plota”.

Por Sullivani ofroi një këndvështrim ndryshe. Nëpërmjet përngjasimit të kësaj politike me “një oborr të vogël e me mburojë të lartë”, ai i përshkroi masat e administratës si “kufizime të qepura me kujdes”, të nxitura nga shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe të synuara për “një rriskë të hollë” të teknologjive të avancuara.

Fjalimi i Yellenit, i mbajtur në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins gjatë fundprillit, i parapriu mesazhit të Sullivanit një javë më vonë. Kontrollet në eksporte, argumentoi ajo, janë menduar për t’i adresuar shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe do të mbesin “me shtrirje të ngushtë dhe të shënjestruar”. SHBA-ja, nënvizoi ajo, nuk po përpiqet ta minojë rritjen ekonomike dhe modernizimin teknologjik të Kinës.

Këto sqarime të ofruara nga Sullivani dhe Yelleni demonstrojnë se administrata i kupton rreziqet e vendosjes së kufizimeve të zgjeruara tregtare dhe të investimeve në emër të sigurisë kombëtare. Masat e këtilla do ta lëndojnë ekonominë globale dhe potencialisht të nxisin kundërreagim, duke e provokuar Kinën të kundërpërgjigjet.

Një rend i qëndrueshëm global bazohet në norma dhe praktika që e njohin të drejtën e secilit vend për t’i mbrojtur interesat e saja kombëtare. Kërkon edhe rregulla përgjatë rrugës me qëllim që të garantohet se mbrojtja e këtyre interesave është mirë e kalibruar dhe nuk i dëmton ato të të tjerëve. Arritja e gjithë kësaj mund të jetë sfiduese, por nuk është e pamundur.

Kur qeveritë i ndjekin synimet e sigurisë kombëtare nëpërmjet politikave të njëanshme që ndikojnë negativisht te vendet e tjera, atëherë politikëbërësit duhet t’i artikulojnë qartë synimet e tyre, t’i mbajnë të hapura linjat e komunikimit dhe të propozojnë mjete juridike që e synojnë zbutjen e ndikimeve të pafavorshme të këtyre politikave. Politikat nuk duhet të ndiqen me synimin e shprehur për ta ndëshkuar apo dobësuar palën tjetër në aspektin afatgjatë dhe dështimi për ta arritur një kompromis të pranueshëm për njërën anë nuk duhet të bëhet pretekst për hakmarrje në një domen të pandërlidhur.

Siç kemi argumentuar unë dhe Stephen Walti, kufizimet e tilla të vetëimponuatra në politikat e pranueshme mund të ndihmojnë në parandalimin e përshkallëzimit dhe të nxisin madje një pranim në mëri nga pala tjetër.

Deklaratat e fundit të Yellenit dhe të Sullivanit sugjerojnë se politikat e jashtme ekonomike të administratës Biden do të rreshtohen kah këto parime. Por disa pyetje të rëndësishme mbesin pa përgjigje. Për shembull, nëse kontrollet mbi eksportin e çipave të avancuar janë mirë të kalibruar apo nëse kanë shkuar tepër larg në sabotimin e kapacitetit teknologjik të Kinës pa i sjellë përfitime të mjaftueshme sigurisë kombëtare të SHBA-së? Dhe, duke pasur parasysh se kufizimet po zgjerohen në të tjerë sektorë kritikë, siç janë inteligjenca artificiale dhe shkrirja bërthamore, a mund ende t’i përshkruajmë ato sikur e shënjestrojnë vetëm “një rriskë të hollë” të teknologjisë?

Për më tepër, është e paqartë nëse të ashtuquajturat shqetësime “të drejtpërdrejta” të sigurisë kombëtare, të cituara nga Sullivani dhe Yelleni, janë të përnjëmendta apo thjeshtë një pretekst për veprim të njëanshëm. A është SHBA-ja e gatshme ta pranojë një rend botëror multipolar, në të cilin Kina e ka fuqinë që ta formësojë rregullimin rajonal dhe global? Apo nëse administrata është ende e përkushtuar në ruajtjen e supremacisë së SHBA-së, siç duket se e sugjeron strategjia e sigurisë kombëtare e Bidenit?

Veprimet flasin më zëshëm sesa fjalët dhe do t’i zbardhin përgjigjet për këto pyetje. Por vlerësimet e Yellenit dhe Sullivanit ofrojnë një lloj sigurie për ata që besojnë se SHBA-ja mund t’i adresojë shqetësimet e saja legjitime të sigurisë kombëtare pa e minuar ekonominë globale.

(Dani Rodrik, profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare në shkollën Kennedy në Harvard, është kryetar i Asociacionit Ndërkombëtar Ekonomik dhe autor i librit: “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).