Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS) dhe Komisioni Evropian mezi kanë pritur të kenë mundësi të sanksionojnë Kosovën. U inkurajuan sidomos kur edhe SHBA-të vendosën të ndërmarrin masa. Tash, sado që „përshëndesin“ hapat që po ndërmerr Kosova, është naive të pritet se do të propozojnë heqjen e sanksioneve pa u përmbushur të gjitha kushtet që janë përmendur. E ato nuk maten me përqindjen e zvogëlimit të pranisë së njësive speciale të policisë në afërsi të godinave të komunave në veri, por me përmbushjen e plotë. Masat janë të padrejta, të njëanshme, të pabalancuara. Por BE-ja nuk ndien se dikujt duhet t’i arsyetohet
Masat e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës kanë qenë ide që ka ardhur nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së, shërbim diplomatik i bllokut i njohur me shkurtesën EEAS. Ky shërbim në emër të BE-së edhe luan rolin udhëheqës në lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Shërbimet e tjera të BE-së, përfshirë edhe Komisionin Evropian, janë vetëm zbatues. Për herë të parë, sipas burimeve diplomatike, masat ndaj Kosovës janë përmendur nga përfaqësues të ekipit të të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, në takim me diplomatë të vendeve anëtare në një grup punues në Këshillin e BE-së. Qëllimisht janë zgjedhur ato masa për të cilat nuk ka nevojë të merret vendim në organet e BE-së, por vetëm të ketë mbështetje politike, e pjesën formale të tyre e zbaton, pastaj Komisioni Evropian për pjesën ekonomike dhe financiare, ndërsa EEAS pjesën politike.
Kur ndaj Kosovës u vendosën këto masa, u tha se ato janë vendosur nga shtetet anëtare. Kjo, në një mënyrë mund të jetë e saktë, sepse ato vërtet të gjitha kanë mbështetur një deklaratë ku përmenden masat ndaj atyre që nuk do të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës. Por asnjëherë masat konkrete nuk janë diskutuar e as miratuar në mënyrë formale nga vendet anëtare. Madje disa prej vendeve anëtare, kur e kanë parë se sa të njëanshme dhe të pabalancuara kanë qenë ato, pasi asnjë masë nuk është ndërmarrë e as propozuar ndaj Serbisë, por vetëm ndaj Kosovës, kanë shprehur dyshimin nëse ato janë të drejta apo jo. Por vendet anëtare nuk kanë kërkuar akoma që ato të hiqen apo të zbuten, prandaj përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, mund të thonë se masat vazhdojnë të kenë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare, dhe atë nga niveli më i lartë. Niveli më i lartë, që do të thotë shefat e shteteve apo qeverive të 27 vendeve anëtare, nuk merren me çështje teknike. Me përqindjen e pranisë së forcave speciale të Policisë së Kosovës rreth godinave të komunave në veri, me procedurat e shkarkimit të kryetarëve të komunave, dorëheqjen e tyre apo procedurat e organizimit të zgjedhjeve lokale. Atyre u është thënë se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa „antievropiane“ dhe ka shkaktuar krizë të sigurisë dhe tensione në veri, që kanë trazuar jo vetëm rajonin, por kanë kërcënuar edhe paqen në tërë Evropën dhe më gjerë. Për më tepër, kësaj radhe për një vlerësim të tillë kanë pasur edhe mbështetjen amerikane. Dhe kur kanë dëgjuar këtë liderët evropianë, janë pajtuar se ndaj atyre, pra Kosovës, mund dhe duhet të ndërmerren masa. Kështu kemi ardhur në pozitën ku jemi. Me masa në fuqi ndaj Kosovës që, pasi janë vendosur, nuk do të hiqen lehtë.
Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS) dhe Komisioni Evropian mezi kanë pritur të kenë mundësi të sanksionojnë Kosovën. U inkurajuan sidomos kur edhe SHBA-të vendosën të ndërmarrin masa. Tash, sado që „përshëndesin“ hapat që po ndërmerr Kosova, është naive të pritet se do të propozojnë heqjen e sanksioneve pa u përmbushur të gjitha kushtet që janë përmendur. E ato nuk maten me përqindjen e zvogëlimit të pranisë së njësive speciale të policisë në afërsi të godinave të komunave në veri, por me përmbushjen e plotë. Masat janë të padrejta, të njëanshme, të pabalancuara. Por BE nuk ndien se dikujt duhet t’i arsyetohet.
Qeveria e Kosovës ka krijuar pritje se pas një pajtimi mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, ky i fundit dhe shefi i tij, Josep Borrell, do të kërkojnë suspendimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, sapo Kosova të zbatojë ato që janë parashikuar me këto aranzhime. Por kjo pritje ka qenë naive. Sepse Lajçaku dhe Borrell nuk do të kërkojnë të hiqen masat për të cilat besojnë se po japin rezultat. BE, që për këtë temë flet vetëm në bazë të qëndrimeve të Lajçakut dhe Borrellit, siç ishte pritur „përshëndet hapat në drejtim të duhur“ që po ndërmerr Kosova, por nuk do të konstatojë se Kosova i ka përmbushur obligimet e saj e si pasojë, nuk do të kërkojnë as heqjen e sanksioneve. Madje as nuk kanë nevojë të kërkojnë heqjen e sanksioneve, sepse EEAS dhe Komisioni Evropian kanë vetë fuqi që t’i heqin ato, pasi nuk ka pasur vendim formal për vendosjen e tyre dhe nuk duhet të ketë as për heqjen e tyre.
Ndërkohë, ajo që po e irriton jo vetëm Kosovën, por edhe gjithnjë e më shumë diplomatë ndërkombëtarë, media dhe analistë, është toleranca e paarsyeshme dhe e rrezikshme e BE-së, sidomos e Lajçakut dhe Borrellit, ndaj veprimeve të Serbisë. Aq lehtë zëdhënësit e BE-së dhe zyrtarët e saj përdorin termin „sjellje joevropiane“ për veprimet e Kosovës. Por asnjëherë nuk kanë guxim, apo dëshirë e vullnet, që terma të tillë të përmendin për Serbinë. Nuk janë quajtur „sjellje joevropiane“ as kur liderët e Serbisë e kanë mohuar gjenocidin në Srebrenicë, as kur kanë bashkëpunuar me shërbimet e zbulimit të Rusisë, as kur presidenti i Serbisë ka takuar si mik të dënuarin për krime lufte Vojisllav Sesheli, as kur Beogradi ka inkurajuar e ndoshta edhe dirigjuar sulmet verbale dhe fizike ndaj serbëve të Kosovës që kanë pranuar të punojnë në polici. Nëse Lajçaku dhe Borrelli kanë qenë aq përkëdhelës ndaj Vuçiqit dhe Serbisë në tre apo katër vjet të mandatit të tyre nuk është reale të pritet që do të ndryshojnë qëndrimet në vitin e fundit të mandatit tash. Prandaj, nëse Kosova llogarit se Lajçaku dhe Borrelli së shpejti do të kërkojnë heqjen e masave do të presin kot. Njëlloj është edhe me ata që mendojnë se Borrelli dhe Lajçaku do të ndërmarrin masa ndaj Serbisë, pasi kanë bërë maksimumin për të respektuar vijat e kuqe të Serbisë në dialog që rezultoi me fiaskon e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Nuk reaguan as kur me ta u tall presidenti i Serbisë, Vuçiqi, duke thënë se nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen dhe aneksin se „ka pasur dhimbje në dorën e djathtë“ dhe ku ka thënë se nuk e ka pranuar, as nënshkruar, as miratuar asnjë marrëveshje, por vetëm një „koncept për normalizim”, nga i cili „diçka do të zbatojë e diçka jo“. Por për asnjë nga këto veprime Vuçiqi dhe Serbia nuk janë qortuar se po veprojnë „në mënyrë joevropiane“. Qeveria e Kosovës duhet të mësohet me këtë sjellje të BE-së dhe nuk duhet të jetë naive, duke besuar në premtime të rrejshme se sapo të bëjnë disa hapa, do të pasojnë veprimet pozitive nga BE-ja.