Na duhet një kthim prapa në normalitet, pas një viti tërësisht jonormal. Pas një viti në të cilin munguan vetëm të binin bretkosat nga qielli
Kaluam një vit të jashtëzakonshëm, të cilin shumë do të donin ta harronin, por nuk do ta kenë lehtë. Po hyjmë në dekadën e tretë të shekullit XXI, me shumë shenja se jeta mund të kthehet në normalitet. Po hyjmë në një vit kur për dallim nga të mëparshmit do të donin një kthim prapa. Do të donim një normalitet të vjetër. Një normalitet ku do të mund t’i vizitojmë pa brenga familjet dhe shokët, të luajmë futboll, të pimë kafe e birra dhe të hamë nëpër restorante, të shkojmë në stadium për të parë futboll, në kinema, teatër... Të udhëtojmë me avion pa e përjetuar secilin udhëtim si një aventurë me shumë të papritura, me pritje dhe me bërje të analizave. Një normalitet ku do të ketë lojëra olimpike, ku do të luhet kampionati evropian në futboll me stadiumet e mbushura, normalitet ku miliona njerëz do të shkojnë në haxhillëk në Mekë, ku qindra e mijëra njerëz do ta ndjekin meshën e atit të shenjtë në sheshin e Shën Pjetrit në Romë, ku do të festohet Viti i ri Kinez, ku do të mbahet karnavali në Rio de Janeiro dhe ai në Venedik, shtegtimi në Lumin Gang në Indi dhe ku njerëzit do të ngjiten pa maska në Himalaje. Një normalitet i vjetër ku fëmijëve do t’u vinë shokët për ta festuar ditëlindjen, ku dasmat do të bëhen me krushq dhe këngëtarë, ku shtëpia do të jetë më shumë shtëpi e më pak vend pune, ku maskat do t’i bartin vetëm kur t’i ngjyrosim muret. Një normalitet ku konduktorit në autobus do t’ia tregojmë vetëm biletën e jo edhe maskën, ku policia do të kujdeset për t’i ndjekur hajnat e jo ata që nuk mbajnë distancën. Një normalitet në të cilin do të duhet saktë se kur hapet e kur mbyllet viti shkollor.
Na duhet një kthim prapa në normalitet, pas një viti tërësisht jonormal. Pas një viti në të cilin munguan vetëm të binin bretkosat nga qielli. Një vit me pandeminë e cila infektoi më shumë se 80 milionë njerëz dhe numrin e të vdekurve e çoi në shifra shtatëshifrore.
Pati shumë gjëra të çuditshme në vitin 2020. Në disa vende çmimi i energjisë elektrike dhe naftës ishte negativ. Po, po, negativ! Pra, prodhuesit ofronin falas naftë dhe energji në një periudhë të verës, madje u jepnin edhe para atyre që mund ta merrnin tepricën e ta ruanin. Sepse prodhohej rrymë të cilën nuk kishte kush ta përdorë, ndërsa nëpër dete dhe oqeane lundronin tankerët me naftë të cilën nuk dinin ku ta distribuonin. Paratë po ashtu nuk ishin asnjëherë më të lira. Disa banka ofronin kredi me interesa negative. Pra, merr kredi 100 euro dhe i kthen pas disa vjetësh 95. Jo, nuk ishin kredi nga Casa de Papel (ku nuk vjedhin, por shtypin para), por vërtet nga bankat. Sepse ato kanë aq shumë para sa nuk dinë se çfarë të bëjnë me to. Jo në Kosovë, natyrisht. Sepse në Kosovë paratë mund të avullohen, por jo të shkojnë me kushte të favorshme për bizneset dhe qytetarët.
vit ku edhe Kosova bëri disa mrekulli. Ishte vendi i rrallë në botë që gjatë vitit nuk e kishte pandeminë si lajmin kryesor. Sepse kishte zhvillime të tjera dramatike që e befasuan edhe koronavirusin. Rrëzuan qeverinë në kohën kur tërë bota jetonte nën ethe të pandemisë. Pastaj presidenti gjatë mandatit u akuzua për krime lufte. Kosova ia dha besën presidentit të Amerikës, me një letër të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, sikur edhe Serbia, se do të luftojnë për ta dekriminalizuar homoseksualitetin në më shumë se 70 vende të botës dhe se nuk do të blejnë pajisje për rrjetin G-5 nga “burimet e dyshimta”. Dhe, në fund të vitit, Kosova doli të mos ketë pasur fare qeveri. Sepse kjo e Avdullah Hotit na doli të mos ketë pasur votat e mjaftueshme te vlefshme. Ah, sikur të kishte mundësi Gjykata Kushtetuese e Kosovës që ta shpallte edhe pandeminë “NUL”, të pavlefshme, dhe t’i shlyejë edhe pasojat e saj. Duke pasur parasysh se sa fuqi ka treguar Gjykata Kushtetuese e Kosovës duke u shndërruar në një institucion parapolitik në Kosovë, mund të ndodhë t’i shpallë të pavlefshme edhe pandemitë. Nuk është normalitet nëse jetën politike e dikton Gjykata Kushtetuese. Nuk është normalitet nëse qytetarët as gjatë pandemisë nuk mund t’i injorojnë politikanët. Nuk është normalitet kur njerëzit më shumë interesohen se kush është ambasadori i Amerikës, apo Gjermanisë, sesa kush është selektor i Kombëtares në futboll. Nuk është normalitet kur njerëzit shqetësohen më shumë se kush është ministër a zëvendësministër sesa kush është mesfushor ofensiv në ekipin e Kosovës në futboll. Në vitin 2020 edhe Kosova jetoi një jetë jonormale.
Dhe shenjat janë se do ta kemi një vit për kthim në normalitet. Në Kosovë do të ketë zgjedhje. Çfarëdo që të ndodhë pas tyre nuk do të jetë më njësoj sikur ishte deri më tash. Edhe në botë e Evropë ndodhën gjërat që nisën të na kthejnë, së paku me shpresa, nga normaliteti. Në fund të vitit disi u rritën lajmet e mira që krijojnë mundësinë për kthim në normalitet. U zbuluan vaksinat kundër koronavirusit dhe së paku dy prej tyre edhe morën leje e filluan të përdoren. Përkundër vazhdimit të rritjes së numrit të të infektuarve, edhe për këtë virus u mësua më shumë sesa që dihej kur ai nisi në fillim të vitit të vjetër.
Donald Trumpi humbi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ishte normale që ai të jetë njeriu më i rëndësishëm në botë. Nuk ishte normale që Amerika ta ketë një president që sulmon mediat, që fal kriminelët sepse i ka shokë dhe kanë punuar për të, që i ka idhuj diktatorët e i përçmon aleatët nga bota demokratike. Mandati i tij bëri që çfarëdo telenovele si parodi politike të duket tepër serioze në krahasim me realitetin në administratën e presidentit amerikan. Me largimin e tij do të mund ta kemi një kthim të Amerikës në normalitet. “Make America Normal Again” do të ishte kutja ime për presidentin e zgjedhur Joseph Biden. E kur Amerika të kthehet në normalitet, bota do të ndryshojë për të mirë.
Edhe në Evropë në vitin jonormal 2020 përfundimisht u gjetën disa zgjidhje të problemeve që dukeshin si të pafundme. Më në fund u arrit edhe pajtimi për raportet tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe pas Brexitit. Tash nuk do të dëgjojmë më për Brexitin. Është një kohë e shkuar e kryer. Dhe do të ketë një relaksim për këtë. Britania e Madhe do të ketë tregti me BE-në, pa tarifa doganore, por gjithçka tjetër do të jetë ndryshe nga periudha shumëvjeçare sa ishte anëtare e BE-së. E Kosova, me largimin e Britanisë së Madhe, e ka humbur mikun më të madh në BE. Mjaftoi viti i parë pa Britaninë e Madhe në BE që të bindemi për këtë.
U hoq qafe edhe një brengë e madhe e Bashkimit Evropian. Jo vetëm se u miratua korniza shumëvjeçare financiare, por u miratua edhe një paketë e veçantë financiare për rimëkëmbje pas krizës të cilën e shkaktoi pandemia. Së bashku, BE-ja miratoi dy mega-paketa financiare në vlerë prej 1.8 trilionë (1800 miliardë). Pra, nuk do të ketë mungesë të parave në shtatë a tetë vjetët e ardhshëm.
Dhe disa nga to do të mund të derdhen edhe drejt Kosovës, me gjasë. Është çështje tjetër se si do të shfrytëzohen ato. A do të shpenzojë BE-ja më shumë duke e ndihmuar Kosovën në zhvillimin e bujqësisë, ruajtjen e mjedisit, krijimin e një sistemi të duhur shëndetësor, rritjen e kualitetit mësimor, apo do të shpenzojë më shumë për gjykata dhe prokurori speciale, apo për ekipe për lehtësim të dialogut me Serbinë.
Me BE-në me thesarin plot, me Bidenin së shpejti në Shtëpinë e Bardhë, me heqjen e Brexitit nga rendi i ditës, me vaksinat kundër virusit COVID-19 në përdorim, na pret një vit i mirë, i qetë dhe padyshim i suksesshëm. Të shpresojmë se zhvillimet më dramatike të jenë Lojërat Olimpike në Tokio, që u shtynë nga viti 2020 në vitin 2021 si pasojë e pandemisë. Të shpresojmë se edhe Kosova do ta fitojë ndonjë medalje. Të shpresojmë se do të kemi një skenë politike në Kosovë më pak dramatike, më të mërzitshme, pa fyerje, akuza dhe sulme, e me më shumë përgjegjësi dhe punë në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Vetëm një vit në të cilin politikanët nuk do të jenë personat që qytetarët i shohin më së shpeshti, jo vetëm në TV, por edhe në ëndrra, do të mund të quhet normal. Prandaj u dëshiroj të gjithë lexuesve një vit të ri normal, me shumë shëndet, fat dhe suksese.